Home | Opinion | Me Ankaranë apo me Brukselin?

Me Ankaranë apo me Brukselin?

image
Historia e shqiptarëve është një oscilim mes Lindjes e Perëndimit. Këtë rrugëtim e përshkruan në librin e tij më të ri historiani Oliver Jens Schmitt. Publikut i ofrohet një doracak me informata themelore dhe interpretime përtej miteve të propaganduara nga nacionalhistorianët shqiptarë.



 
 
 

Enver Robelli






 

Historia e shqiptarëve është një oscilim mes Lindjes e Perëndimit. Këtë rrugëtim e përshkruan në librin e tij më të ri historiani Oliver Jens Schmitt. Publikut i ofrohet një doracak me informata themelore dhe interpretime përtej miteve të propaganduara nga nacionalhistorianët shqiptarë.
 
1.
 
 
 
Pas studimit “Shqipëria venedikase” dhe autobiografisë së parë gjithëpërfshirëse të Skënderbeut, historiani Oliver Jens Schmitt para pak muajsh, bashkë me historianin gjerman Konrad Clewing, edituan një libër të vëllimshëm (839 faqe) mbi historinë e Evropës Juglindore. Kjo vepër përmban artikuj shkencorë të historianëve tash për tash më kompetentë nga hapësira gjermanofolëse mbi Evropën Juglindore dhe ka gjasa të bëhet pikë reference për çdokënd që interesohet për historinë e kësaj pjese të kontinentit të vjetër. Por zelli i Oliver Jens Schmittit nuk ka të ndalur. Këto ditë profesori i historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës vjen para publikut me librin e radhës, i cili nuk është aq i vëllimshëm (i ka “vetëm” 186 faqe). “Shqiptarët – Një histori mes Orientit dhe Oksidentit” quhet vepra më e re e shkencëtarit zviceran, e cila është publikuar nga shtëpia “C.H. Beck” e Mynihut. Libri i drejtohet një publiku të gjerë, për këtë arsye edhe stili i shkrimit është më i lehtë, një publicistikë historike e kuptueshme edhe nga ata që për herë të parë synojnë të marrin informata më thelbësore mbi shqiptarët në Ballkan.
 
2.
 
 
 
Në këtë libër që vjen tamam në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në katërvjetorin e pavarësimit të pjesshëm të Kosovës Schmitt është përpjekur ta vendosë historinë shqiptare në një kontekst ballkanik dhe jo ta trajtojë ndaras nga zhvillimet në rajon. Për nacionalistët shqiptarë disa interpretime e fakte, përfundime dhe zbulime të Schmittit mund të konsiderohen si provokime, por do të ishte fatale që për librin të flasin ata që nuk e kanë lexuar. Kjo ka ndodhur tashmë me autobiografinë e Skënderbeut të Schmittit, kur autori u sulmua nga nacionalhistorianët dhe nacionalshkrimtarët shqiptarë, ndonëse shumica nuk e kishin lexuar librin. Kështu u zhvillua një “debat alla shqiptarçe”, ku flitej për sedrën nacionale dhe jo për faktet.
 
 
 
3.
 
 
 
Për një revistë shkencore do të ishte e udhës që libri më i ri i Schmittit të prezantohej në mënyrë kronologjike, duke filluar nga zanafilla e historisë së shqiptarëve deri në ditët e sotme. Por meqë ky tekst i dedikohet një publiku të gjerë, e shoh më të përshtatshme që vështrimi për librin të jetë retrospektiv, domethënë duke filluar nga ditët e sotme deri te shpellat e historisë. Në kapitullin e fundit, i cili është një epilog, Schmitt përmend në mënyrë telegrafike zhvillimet e mëdha që kanë përfshirë viset e banuara me shqiptarë që nga viti 1989 deri më sot. Fjala është për ndryshime epokale (pavarësimi i Kosovës), kthesa historike (anëtarësimi i Shqipërisë në NATO), dëshpërime kolosale (shkatërrimi i shtetit si pasojë e rënies së sistemit mashtrues financiar-piramidal në Shqipëri më 1997). Sipas Schmitt-it të gjitha këto zhvillime viteve të fundit kanë çuar në hapjen e shoqërive shqiptare, të cilat sot mund të quhen shoqëri transnacionale. Revolucioni i internetit e ka lehtësuar komunikimin mes shqiptarëve në Ballkan dhe ka mundësuar një debat shpesh kaotik dhe emocional panshqiptar. Shikuar vetëm pozitivisht shqiptarët, sipas Schmitt, kurrë nuk kanë pasur më shumë pushtet se sot në Ballkan. Përpjekja serbe për spastrimin e Kosovës prodhoi efektin e kundërt: mbi 100 mijë serbë ikën apo u ndoqën nga Kosova. Shqipëria dhe Kosova janë shtete pothuaj homogjene shqiptare; shqiptarët në Maqedoni kanë arritur me armë të fitojnë statusin e popullit të dytë shtetformues. Këtu përfundon vështrimi pozitiv i Schmittit. Në vazhdim ai i përkushtohet deficiteve të shoqërive shqiptare. Kosova mbetet shtet i papërfunduar për shkak se nuk e kontrollon pjesën veriore të saj; atje ekziston një sundim paralel serb. Po ashtu Kosova mbetet e varur politikisht nga SHBA-ja dhe kjo nënkupton ndërhyrje të drejtpërdrejta në politikë (shembulli i zgjedhjes së presidentit më 2011) dhe kontrollit të degëve të rëndësishme të ekonomisë.  Sa i përket Shqipërisë, Schmitt me të drejtë i vë në thonjëza “demokratët” dhe “socialistët”, dy parti që e mbajnë të bllokuara vendin. “Këto nuk përfaqësojnë ide konkurruese politike, por grupe biznesmenësh, të cilat luftojnë për kontroll të resurseve, gjë që shpjegon në mënyrë thelbësore ashpërsinë e pazakonshme dhe mungesën e gatishmërisë për kompromis në politikën shqiptare si dhe dobësinë e institucioneve shtetërore”, shkruan Schmitt. E përbashkëta e politikanëve të Tiranës dhe Prishtinës është prirja që me retorikë nacionale të gëlqerosin e mbulojnë problemet sociale, ekonomike dhe ekologjike. “Shqipëria dhe Kosova”, sipas Schmitt, “po përjetojnë një periudhë krize të thellë ekonomike dhe shoqërore: deindustrializim, regres i bujqësisë, ekonomi pothuaj e pamekanizuar, monopol fragjil i pushtetit shtetëror (ringjallje rajonale e Kanunit dhe gjakmarrjes), ripatriarkalizëm i raporteve gjinore, ndotje masive dhe shkatërrim i ambientit (prerje pyjesh, ndërtime ilegale në bregdet), ndërtime pa plan dhe rritje e pakontrolluar e dy qendrave të përqendrimit të madh të popullsisë (Tiranë-Durrës, Prishtinë) dhe njëkohësisht shpopullim i fshatit, kriminalitet në rritje dhe shumë sulme të mafies të pasqaruara kurrë. Si në kohërat osmane vetëm familja ofron mbështetje dhe siguri, ndonëse veçanërisht në Shqipëri migrimi masiv e ka dobësuar këtë lidhje”. Tragjedia është se të gjitha këto që Schmitt këtu i përmbledh me saktësinë e shkencëtarit, shqiptarët i dinë dhe i jetojnë për çdo ditë, por nuk po gjejnë ende forcë të bëjnë ndryshime pozitive. Schmitt e sheh burimin e problemeve edhe te diktatura dhe lufta, të cilat i kanë traumatizuar thellë shoqëritë shqiptare, por ato ende nuk po gjejnë gjuhë për t’i emëruar lëndimet. Në Kosovë përkujtohen vetëm heronjtë, por jo edhe viktimat e poshtërimit, dhunë fizike dhe seksuale, arratisjes dhe përndjekjes, në Shqipëri e kaluara diktatoriale nuk është trajtuar ende dhe çdo debat përmbytet në kacafytjet politike. Demokracitë e dobëta në Kosovë dhe Shqipëri gjithnjë e më shumë po joshen nga Turqia derisa vëzhguesit shqiptarë të orientuar nga Perëndimi të shqetësuar e shikojnë strategjinë neoosmane të Ankarasë. Sërish shqiptarët ndodhen mes Evropës dhe Lindjes së Afërt, shkruan Schmitt, aq më tepër që elitat e korruptuara dhe autoritare shqiptare mund të presin më shumë mirëkuptim nga Ankara se sa nga Brukseli. Afërsia me turqit dhe jo me evropianët perëndimorë për shqiptarët është më e lehtë për shkak se shoqëritë shqiptare pas vitit 1912 nuk janë shkëputur kurrë nga trashëgimia orientale. Megjithatë, një fije shprese ekziston: gjallëria e rinisë shqiptare! Po ashtu, sipas Schmitt, në diasporë është rritur një gjeneratë e arsimuar mirë, e cila për shkak të kundërshtimit të elitave rajonale nuk ka arritur ende ta plasojë dijen dhe socializimin demokratik-pluralist në shoqëritë shqiptare.
 
 
 
4.
 
 
 
Historianët shqiptarë shpesh janë të prirë të flasin për kombin shqiptar që gjoja ka ekzistuar edhe në kohërat kur s’kishte as komb gjerman, as francez, as italian. Ka edhe skribomanë që albanizojnë gjithçka, përveç Jezu Krishtit. Oliver Jens Schmitt mendon se nocionet “lëvizje kombëtare” dhe “Rilindje”, të përdorura në kontekst të shekullit XIX, në rastin e shqiptarëve janë të pasakta. “Rilindje” nënkupton se kombi si i tillë ka ekzistuar njëherë dhe tani po kthehet triumfalisht në arenën politike. Por para vitit 1912 komb politik shqiptar nuk ka ekzistuar, shkruan Schmitt. Po ashtu nuk ka pasur një lëvizje unike, me zhvillim linear dhe numerikisht e zgjerueshme me qëllime të qarta. Para se të piskasin nacionalromantikët shqiptarë të theksojmë menjëherë se Schmitt e hedh poshtë tezën se shqiptarët janë komb i vonuar. Sipas tij, aktivistët kombëtarë shqiptarë u shfaqën jo shumë vonë pas aktivistëve grekë apo serbë. “Shqiptarët nuk janë komb i vonuar, ata vetëm më vonë krijuan shtetin e tyre, i cili përmes shkollës dhe ushtrisë zhvilloi politikë identitare dhe kështu në brendi krijoi kombin modern”. Deri vonë në shekullin XIX shumica e shqiptarëve nga administrata osmane konsideroheshin ose “turq” (d.m.th. myslimanë), ose “grekë” (ortodoksë) dhe “latinë” (katolikë). Shumica, sipas Schmitt, edhe ndiheshin të tillë. Jo kombi, por përkatësia fetare ishte primare. Ashtu si sot në Kosovë kur bashkësia ndërkombëtare përpiqet të ndërtojë një komb (“nation-building”) edhe para 120-130 vjetëve diplomatët austriakë dhe hungarezë, por edhe shkencëtarët zhvillonin përpjekje për të krijuar kombin shqiptar. Në Evropën Perëndimore interesi për shqiptarët u shtua me shfaqjen e Ali Pashë Tepelenës; në këtë qark u shkruan edhe fjalorët e parë shqip-greqisht. Një meritë të veçantë për përhapjen e shkrimit shqip e ka sidomos Shoqata Biblike Britanike (protestante), me ndihmën e së cilës në vitin 1827 në Korfuz u botua një përkthim në shqip i Dhjatës së Re. Schmitt shkruan se është domethënëse që një përkthim protestant i Biblës të karakterizojë në mënyrë vendimtare zhvillimin gjuhësor të një populli me shumicë myslimane. Në formësimin e kombit shqiptar ndikuan arbëreshët, të cilët ishin të inspiruar nga Risorgimento (Rilindja) italiane, mendimet e grekëve për kombin dhe kulturën, të ndërmjetësuara nga arvanitasit, idetë kombëtare franceze, të ndërmjetësuara nga shkollat e reformuara osmane dhe akademitë ushtarake. Rezultati i këtyre zhvillimeve nuk ishte një lëvizje kombëtare ekspansioniste, por defensive. Schmitt përqafon mendimin e shkencëtares franceze Nathalie Clayer se idetë e para për përmbledhjen e të gjithë shqiptarëve në një provincë osmane ishin formuluar nga bektashinjtë dhe ortodoksët e jugut të Shqipërisë. Edhe në Programin e Lidhjes së Prizrenit idetë nacionale u inkorporuan nga aktivistët jugorë, jo nga veriorët, madje këndej Bjeshkëve të Nemuna ideja e një populli shqiptar, sipas Schmitt, nuk gjeti mbështetje të gjerë deri në vitin 1912. Edhe historia e krijimit të alfabetit të gjuhës shqipe nuk është aq idilike, siç paraqitet nganjëherë nga shkencëtarët shqiptarë. Alfabeti me shkronja latine u miratua kundër rezistencës së ashpër të klerit mysliman. Përhapja e ideve kombëtare shqiptare ishte një ndërmarrje tejet e vështirë, madje rreth vitit 1900 Perandoria Osmane ndaloi përdorimin shkrimor të shqipes. Gjuha shqipe, sipas pikëpamjes osmane, mund të dëmtonte besnikërinë e shqiptarëve ndaj Perandorisë. Një pozitë të veçantë në mbështetjen e ideve kombëtare shqiptare, sipas Schmitt, e luajtën albanologët evropianë, e sidomos ata nga hapësira gjermanofolëse.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0