Latest News
Arsimi, lakmia dhe konkurrenca?
Ky sistem, me të gjitha testimet e mundshme që i janë bërë në perëndim, ka dëshmuar se ishte shtylla apo kurrizi mbi të cilin de facto dhe de jure u emancipuan jo gjenerata e analfabetëve të dijes, por gjenerata e ekspansionit dhe zbulimeve teknologjike.
Fadil Maloku
“Të arsimosh një komb me shumë shkolla është më vështirë se të nisesh një njeri në hënë….”!
1. Arsimi kosovar është tejet i politizuar
Gjendja që po mbretëron në arsimin shqip në Kosove sidomos në atë të lartë, shkaku i rezultateve tejet të dobëta të sistemit te Bolonjës, si edhe shkakut të mos përgatitjes së publikut kosovar për të avancuar sferën përkatëse - së bashku me vështirësitë e implementimit pikë për pikë të këtij sistemi - ka bërë që të mbretërojë një gjendje kaotike dhe e pa perspektive jo vetëm për gjeneratat e tanishme, por edhe për gjeneratat e ardhshme që duhet ta udhëheqin vendin.
Në shkrimet e mëhershme të cilat ishin të bazuara në eksplorime kryesisht empirike për perspektiven e këtij sistemi në shoqërinë tonë, kam potencuar në vija të trasha si dobësitë ashtu edhe defektet që ishin detektuar gjatë dekadës së shkuar. Gjithashtu, gjithnjë duke u bazuar në këtë hulumtim, kam vërtetuar se ky sistem në fakt është vetëm një letër e shkruar që nuk zbatohet fare në praktikën tonë arsimore.
Ky sistem, me të gjitha testimet e mundshme që i janë bërë në perëndim, ka dëshmuar se ishte shtylla apo kurrizi mbi të cilin de facto dhe de jure u emancipuan jo gjenerata e analfabetëve të dijes, por gjenerata e ekspansionit dhe zbulimeve teknologjike.
Studimi ynë i paralajmëruar në shkrimet e mëhershme për ketë temë, dëshmon se sistemi bashkëkohor i arsimimit në Kosovë edhe me tej është duke shkuar në drejtim të gabuar. Pra, atij të standardizimit, në vend që të ndodhë e kundërta, pra atij të diversifikimit që në fakt është dhe duhet të mbetet vetëm interes i shoqërisë, por jo edhe jo individit (ashtu siç po kërkohet në gjithë botën e civilizuar bashkëkohore).
Një tjetër mangësi apo defekt i madh që doli po nga ky studim dëshmoi se plagë e rëndë edhe më tej mbetet ai i politizimit që në suaza afatgjata do të mund ta rrezikojë dhe kërcënojë edhe me seriozisht çështjen e kualitetit të emancipimit dhe në tërësi procesin e arsimimit koherent me te tjerët, që sot është një alfa omega e zhvillimit të një shoqërie bashkëkohore. Politizimi i shprehur dhe tejet evident në shkollimin e lartë në Kosove, përveç dëmit shoqëror, po prodhon me vetëdije edhe një histeri permanente të lakmisë për pushtet që në rastet e vendeve në tranzicion ishte një dukuri që nuk është kuptuar (apo të paktën nuk ishte shprehur dhe shpërblyer me këto përmasa alarmuese që ika akoma shoqëria kosovare).
2. Lakmia e pedagogeve e shndërruar ne mani
Lakmia për të “pushtuar” majat dhe privilegjet e pushtetit në fakt ka rezultuar me pasojat që jemi duke i përjetuar si vend dhe si shtet i ri, i cili në vend që të bëjë një seleksionim pozitiv të nevojave afatgjata të leverdisë nga koherenca zhvillimore dhe emancipuese me vendet dhe shtetet tjera që kishin probleme identike, po prodhon elita “shkencore” dhe sosh “akademike” që vazhdimisht imperativ e kanë atë magjinë e “fuqisë politike” (që siç thotë Maks Weber, në ndërdije e urdhëron vetveten të pushtohet nga mania e të poseduarit dhe të kontrolluarit të çdo gjëje)?!
Kjo përvojë e “pushtimit” në vendet që përjetuan ethet e tranzicionit, dosido i përvetësoi dhe fascinoi shumë pedagogë dhe mësimdhënës të këtyre vendeve, por dallimi qëndron se në këto shtete mekanizmi i shtetit ishte në funksion të një prokurori e jo avokati të kësaj gjendjeje.
Pra, lakmia në rastin tonë kosovar për të marr poste akademikët, e jo elitat përkatëse të përgatitura ekonomike, politike, kulturore, në një mënyrë është edhe një lloj trashëgimie nga vitet ’90-ta, kur në fakt barra kryesore i ra po kësaj shtrese shoqërore e jo tjerave. Gjithashtu, ndjenja për këtë lloj ”pronësie” e ka shpjegimin e vet që mund dhe duhet të ndërlidhet me mungesën e hipotekave ideologjike, kulturore e nacionaliste që i prodhonin shtresat tjera shoqërore në ish Jugosllavi.
Kështu që çështja e identifikimit të problemeve në sferën e arsimit kosovar nuk është edhe ndonjë zbulim i tanishëm, ngaqë tendenca e rënies së kualitetit të arsimimit dhe edukimit është një trend që është duke na përcjellë që nga pas lufta e këndej.
Tani çështja është si të tejkalohen këto dobësi në këtë sferë, që detyrimisht po lëngon edhe nga kuotat kuadrovike, ku ekspertëve të rinj të shkolluar në këto dhjetë vitet e fundit nëpër universitetet e jashtme prestigjioze u jepet pakëz hapësire ose nuk ju epet fare. Pra, si të gjendet zgjidhja adekuate që shkon në përputhje me zhvillimet dhe trendët globalë, pa dëmtuar interesat kombëtare? Kush duhet te jetë bartës i këtyre ndryshimeve? Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjie? Apo Rektorati, i cili duhet të ketë ndonjë plan veprimi që përcjell trendët zhvillimore si dhe teknologjitë e tëra të mësimdhënies dhe edukimit ne botë.
Gjithashtu, do të duhej organizuar ndonjë analizë empirike studimore të nivelit kombëtar, e cila do të duhej të dilte nga eksplorimi i qëndrimeve, mendimeve, përvojave dhe opinioneve të mësimdhënësve, studentëve, mediave, MASHT-it, Rektoratit, Akademisë etj. lidhur me rrugën qe duhet marr në periudhën që po hyjmë. E them këtë edhe për një shkak të thjesht se shoqëritë që përballen me problemet e tranzicionit duhet të dinë të reagojnë shpejt ndaj ndryshimeve që imponon koha dhe zhvillimet në nivele të ndryshme.
3. Konkurrenca midis sektorit privat dhe atij shtero- zgjidhje e vetme
Një tjetër çështje që kujtojë se është e rëndësishme kur është fjalë e arsimit universitar është edhe ajo që ka të bëjë idenë e implikimit të indikatorit të konkurrencës midis shkollimit shtetërore dhe atij privat. Të gjithë parametrat në shkollimin bashkëkohor shkojnë në drejtim të një ashpërsimi te konkurrencës midis shkollimit privat dhe atij shtetëror. Ideja e shkollimit të financuar nga ana e shtetit, duket që për një kohë të shkurtër edhe në Kosove do të hjeket, ngase sot shkollim dhe arsimim kualitativ nuk ka pa pagesë.
Arsimimi kualitativ, natyrisht edhe kushton por investimi afatgjate i një shoqërie është investimi më i mirë i mundshëm. Por duke u bazuar në normën e stratifikimin social që është duke u krijuar në Kosove, pak pritet që klasa e dalë nga periudha e pasluftës, pra si shtresë dhe grupe interesash (që në fakt edhe disponon me mjetet financiare) që të investoje në arsimim dhe edukim të shoqërisë, pa ndonjë leverdi të prekur financiare.
Në anën tjetër, shteti i brishtë siç është ku i Kosovës edhe po të dëshirojë të investojë në shkollim dhe edukim të përgjithshëm, nuk ka mjete e çka është edhe me e rëndësishme, s’ka as vetëdije për nevojën dhe domosdoshmërinë që duhet t’i kushtohet këtij segmenti të shoqërisë. Për këtë shkak në periudhat që po hynë shteti i Kosovës gjithnjë e me shume do të financoje, o arsimim jo kualitativ (qe do t’u dedikohet masave te gjera) o arsimim elitik (nga i cili natyrshëm shumica absolute e qytetareve do te përjashtohen).
Duke marre parasysh qe shoqëria kosovare akoma është një shoqëri tipike tradicionale, por natyrisht gjithnjë me primesa të ndjekjes së trendit bashkëkohor gjithnjë e me shumë në të ardhmën do të jemi dëshmitar të një deprofesionalizmi dhe defaktorizimi të arsimimit në jetën publike. Kjo mund te kushtojë shumë...apo jo?
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment