Home | Opinion | Withers, DASH, Demokracia dhe Gjeopolitika

Withers, DASH, Demokracia dhe Gjeopolitika

image
Po përse DASH nuk shprehet qartë si Withers? Mos vallë nuk janë dakord me të? Mos vallë nuk mendojnë se në Shqipëri po gërryhet demokracia? Deri më tani DASH ka deklaruar vetëm se ato që thotë Withers janë pikëpamje të Tij...

 


Andrea Stefani 
 
 
 




Deklarata e Departamentit të SHBA nuk trajton shqetësimin tim kryesor që është gërryerja e demokracisë në Shqipëri. Xhon Uidhers, ish-ambasadori amerikan në Tiranë, ka thyer përsëri heshtjen me një tjetër letër drejtuar shqiptarëve. Shkak është bërë një prononcim i paradokohëve i Departamentit të Shtetit (DASH) që saktësonte se pikëpamjet e shprehura në publik nga Uidhers, ishin ato të një qytetari amerikan. Të gjitha mediat e Tiranës që mbështesin qeverinë “Berisha”, nxituan ta përhapnin sa më shpejt atë deklaratë në një rrekje për të treguar se Berisha vazhdon ta ketë “grurë” me amerikanët duke dhënë të nënkuptohet se ata nuk miratojnë kritikat e Uidhers për qeverinë. A është vërtet kështu? Vështirë ta thuash, por është e qartë se thelbi i problemit nuk është se çfarë thotë apo nuk thotë DASH në një moment të caktuar. Problemi gjithashtu nuk është nëse Uidhers flet si pensionist apo diplomat. Thelbi i problemit është nëse janë të vërteta apo jo, ato që ka deklaruar dhe po deklaron me këmbëngulje Uidhers për degradimin e demokracisë në Shqipëri. Këtë duhet të qartësojnë në kokat e tyre shqiptarët, qofshin të majtë apo të djathtë. Alarmet e Uidhers duhet t’i bëjnë ata të mendojnë se ku po shkojmë. Sepse ato po vijnë në një kohë që Shqipëria ndodhet në udhëkryq dhe bashkë me të edhe ëndrra për t’u bashkuar me Europën. Momenti është shumë kritik që të neglizhohen të tilla alarme. Aq më tepër kur vijnë nga një ish-diplomat amerikan që i sapolarguar nga Shqipëria, i njeh mjaft mirë problemet e saj.
 
* * * 

Widhers bën të qartë se ashtu si dhe DASH, ai mbështet Shqipërinë si anëtare të NATO-s dhe aspiratat e saj për integrim në BE, si dhe nevojën që partitë politike të kapërcejnë fazën e konfliktualitetit. Por nuk ka dëshirë të mjaftohet me kaq pak. Kërkon që mbështetja e tij për Shqipërinë të jetë korrektuese duke vënë gishtin në plagët e saj. Ndaj sqaron në letër se deklarata e DASH “nuk trajton pikën qendrore të shqetësimit tim, atë mbi të cilën kam përqendruar fjalët e mia në të kaluarën: gërryerja e demokracisë në Shqipëri”. Si i çliruar nga vargonjtë e diplomacisë kërkon të ndajë me shqiptarët edhe atë problematikë që po e pengon Shqipërinë të integrohet në BE. Dhe rithekson përqendrimin e pushtetit të tepërt në pak duar, që nën trysninë e paepur të qeverisë janë dobësuar seriozisht institucionet e pavarura që janë garante për të ruajtur praktikat demokratike, sundimin e ligjit, zgjedhjet e ndershme, që përparësia e qeverisë “Berisha” nuk është më qeverisja, por lufta për pushtet. Duke parë këtë gjendje të punëve, Uidhers ka arritur në konkluzionin se nëse vazhdohet kështu “Shqipëria ka rrezik të bjerë në atë lloj sundimi të të fortit që ka qenë edhe tragjedia e rajonit të Ballkanit”. Është një frikë dhe alarm që e ndajnë me Uidhers shumica e shqiptarëve. Dhe ngërçi do të mund të zgjidhej shumë thjesht politikisht me zgjedhje të lira e të ndershme. Por pikërisht ato po bëhen gjithnjë e më të pamundura nga një regjim që sikundër nënvizon edhe Uidhers, ka dobësuar shumë institucionet që duhet të garantojnë zgjedhje të lira e të ndershme. Shqipëria është në një rreth vicioz.
 
* * *
 
Po përse DASH nuk shprehet qartë si Uidhers? Mos vallë nuk janë dakord me të? Mos vallë nuk mendojnë se në Shqipëri po gërryhet demokracia? Deri më tani DASH ka deklaruar vetëm se ato që thotë Uidhers janë pikëpamje të Uidhers, por nuk ka thënë asgjë nëse është dakord apo kundër me këto pikëpamje. Ne besojmë se qeveria e SHBA nuk mund që të jetë dakord me këto që po ndodhin në Shqipëri, me rrafshimin e ndarjes së pushteteve, kapjen e institucioneve të pavarura, manipulimin e zgjedhjeve, ngritjen e qeveritarëve të korruptuar mbi ligjin në qiellin e pandëshkueshmërisë apo vrasjen e demonstruesve të pafajshëm me pretekstin se po kryenin grusht shteti dhe asgjësimin më pas të provave që inkriminojnë qeverinë. Fryma, filozofia e demokracisë së SHBA nuk i miraton të tilla zhvillime. E megjithatë, nuk kanë qenë të pakta rastet në të kaluarën, dhe jo vetëm lidhur me Shqipërinë, kur diplomacia dhe politika e SHBA kanë heshtur para zhvillimeve të tilla negative për demokracinë dhe lirinë në një vend apo në një tjetër. Pa vajtur larg, do mjaftohemi me qëndrimin ndaj zhvillimeve politike që u pagëzuan me emrin “pranvera arabe”. Është fakt se SHBA dhe DASH mbështetën protestat e qytetarëve në Tunizi, Egjipt apo Liban, por ngurruan ta bëjnë një gjë të tillë në Bahrejn dhe Arabinë Saudite. Përse? Një koniunkturë e caktuar politike dhe interesa gjeostrategjike i pengonin SHBA të mbështesnin protestat kundër regjimeve autokratike edhe në shtete si Bahrejni dhe Arabia Saudite. Gjë që e ka shprehur shumë qartë edhe Nikolas Bërns i intervistuar nga TV “Al Xhazira”. Dhe sipas Bërns, ekzistojnë disa interesa reale që nuk mund të neglizhohen dhe prandaj “qeveritë duhet të balancojnë këto interesa. Ndonjëherë balanca është në favor të interesave gjeopolitike. Ndonjëherë tjetër në favor të interesave politike dhe demokratike...Në disa vende ju shikoni SHBA të qëndrojë për vlerat, të drejtat e njeriut e demokracinë dhe në disa raste të tjera shikojmë një SHBA që mbron statuskuonë”. Prononcim që mund të shërbejë si çelës për të kuptuar disi qëndrimin e diplomacisë amerikanë në Shqipëri. Prandaj Berisha e K° nuk dihet të fërkojnë duart nëse DASH hesht për gërryerjen që qeveria autokratike po i bën demokracisë. Heshtja nuk do të thotë aspak se SHBA është dakord me ta. Heshtja thotë se në peshoren e diplomacisë së SHBA-së janë interesat gjeostrategjike nga njëra anë dhe ato të vlerave të lirisë dhe demokracisë në anën tjetër. Puna është të kuptohet se kush janë këto interesa gjeostrategjike dhe nëse ato do të peshojnë më shumë se vlerat e lirisë e demokracisë në Shqipëri. Një analizë që i tejkalon caqet e këtij shkrimi.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0