Home | Opinion | Populli shqiptar i integruar në BE, por politika shqiptare ende jo!

Populli shqiptar i integruar në BE, por politika shqiptare ende jo!

image
 Varrmihësit e Shqipërisë janë vetë të `zgjedhurit` e popullit. Ky është problemi më i madh dhe karakteristik shqiptar. Ja çfarë po bëjnë politikanët e sotëm, po realizojnë frazën e famshme të Shvejkut: ... e ç`më duhet mua se çfarë bëj unë`...?




Nga Pirro Prifti
 
 
 
 



Të vjen turp të dëgjosh dokrrat e politikanëve të mazhorancës, kur intervistohen në mediat pro-tyre, kur fajësojnë opozitën për dështimet në politikën e integrimit për në BE, e sidomos kur ashtu si pa dashje nxjerrin në media kur inagurojnë ashensorët e spitalit (!?), apo rrugë të pambaruara prej disa vitesh (!?). Të vjen turp nga opozita shqiptare, kur ende në konfliktualitet të plotë me veten dhe aleatët e saj nuk arrin të merret vesh me mazhorancën për çështjet me rëndësi strategjike. Të vjen turp, kur sheh njërën palë të mediave që i thur ditirambe dështimeve në politikën e integrimit, dhe kur sheh palën tjetër të lumturohet me dështimet e simotrës mazhorancë, sikur të mos ishin të një gjaku, të një rrace e të një kombi.
Shumëkush mund të bëjë pyetjen fare të thjeshtë: përse të ndodhë kjo? Përse të mos merren vesh politikanët tanë të të dy anëve, kur dihet që janë zgjedhur nga populli me votime? Del gjithashtu pyetja tjetër: A mos vallë është faji i zgjedhjeve të manipuluara që nga 1992 e deri më sot, të cilat kanë nxjerrë politikanë fallso? Apo mos e ka fajin populli, i cili nxjerr politikanë po ashtu si është vetja e tij (nuk thonë kot që populli e meriton qeverinë që ka!)? A mundet gjithashtu që ta ketë fajin regjimi komunist, që përgatiti një klasë intelektuale të indoktrinuar nga e cila dolën këta politikanë konfliktualë dhe plot mllefe, dhe me idenë se kundërshtari politik duhet parë si armik (mentaliteti politik tipik i Enver Hoxhës), si dhe me idenë tjetër se pushteti nuk dorëzohet lehtë por bëj çmos që ta mbash (mentaliteti turko-bizantin i qëllimi justifikon mjetin)?
 
Ndoshta varfëria e madhe që përjetuam vitet e komunizmit dhe vetë sistemi kapitalist post komunist zvetënoi moralin dhe dinjitetin e këtyre politikanëve `të zgjedhur` nga populli (në fakt janë emëruar që në 1991 nga R. Alia)? Atëhere del pyetja tjetër dhe më e dhimbshme: Përse populli shqiptar e pati më të lehtë të largohej nga vendi (praktikisht Shqipëria është një nga vendet e rralla të globit nga e cila brenda disa viteve të paskomunizmit janë larguar 1.5 milionë vetë, ose 1/3 e popullatës), se sa të rrinte në vendin e vet ashtu siç ndenjën rumunët, bullgarët, polakët, serbët, kroatët, etj? Mesa duket përgjigja duhet të jetë e rëndë kur mendon në retrospektivë: Populli shqiptar nuk besonte se këta politikanë që kanë 20 vite së bashku me larot e tyre, të stisur nga e të gatuar nga kuzhina e PPSH, me qëllim drejtimi të vendit pas largimit të butë të sistemit nja partiak. Nuk besonte dhe nuk beson sa herë që pas votimeve sheh se premtimet nuk plotësohen.
 Me këtë rast mund të shohim me optimizëm se shqiptarët janë integruar fare mirë në BE duke jetuar, punuar, e dhënë kontribute aq sa mendon që nga Shqipëria: A janë po këta shqiptarë, që dikur ishin këtu në Shqipëri dhe nuk bënin dot asnjë `prokopi`, por ishin dembelë, të frikësuar, që spiunonin dhe spiunoheshin, që transferoheshin dhe internoheshin, që duronin dhunën e diktaturës, dhe mbijetonin duke u përshtatur brenda kornizave të asaj kohe? Përse atëhere janë të integruar aq lehtë dhe aq normal në këto vende kurse politikanët nuk arrijnë dot të plotësojnë kushtet e standardet që kërkohen nga BE?
 Mos vallë duhet të besojmë shakatë bajate të politikanit Nano kur qesëndiste shokët duke i `kritikuar` se... nuk shkohet në Europë me këto gra...?! Apo duhet të besojmë skërmitjet e Berishës kur u hakërrehet kundërshtarëve se do t`ju përsërisë 21 janarin?
 Ah po, mos duhet të besojmë miopinë e Legalistëve për LGBT? Sigurisht të mos kujtojmë LSI-istët me gafat e tyre të vazhdueshme klienteliste e materialiste duke ngatërruar të majtën për të djathtën dhe integrimin me përçarjen e madhe ndaj të majtës.
 
Si mund të zgjidhet ky lëmsh i konfliktualitetit politik të vazhdueshëm alla shqiptar? Mos vallë mund zgjidhet me ngulmimin e largimit të gardës së vjetër ish-komuniste të PS dhe zëvendësimin e tyre me militantë dhe rini sipas shijeve futuriste të Edi Ramës? Ndoshta. Por një gjë është e sigurtë: asgjë nuk mund të rregullohet nëpërmjet gënjeshtrës dhe korrupsionit. Duke analizuar të gjitha zgjedhjet e kryera pas 1991, del se të gjitha zgjedhjet kanë qenë të kontestuara, e për pasojë edhe të zgjedhurit nuk kanë qenë të rregullt, çdo gjë është bërë dhe ndërtuar me shkelje ligjore dhe pa asnjë lloj strategjie kombëtare dhe politikash nacionale duke filluar që nga prishjet pa kriter të ish-industrisë, ankandet e çuditshme të pasurisë kombëtare që fillonin me dysheme `0` lekë(?!), e deri tek gëlltitja e lugës së çorbës të servirur nga individët e huaj me qëllim pasurimi të shpejtë (sigurisht). Dhe kjo është në paradoks të plotë me luftën e përditshme të popullit shqiptar për të fituar bukën e gojës dhe për të ndërtuar një jetë më të mirë për vete e për fëmijët e tyre. Dhe kur sheh se si shpërdorohet besimi i tyre nga politikanët fallso të 20 viteve, zhgënjehesh me të vërtetë.
Mund të përmendet dhe fakti që megjithëse mazhoranca në fuqi po përpiqet që të ketë një strategji ekonomike-financiare më në fund duke vënë prioritete si rrugët, energjitikën, integrimin, punësimin, këto bien në kundërshtim të plotë me konfliktualitetin dhe armiqësinë politike ndaj opozitës, e cila dhe nga ana e saj po i përgjigjet me të njëjtën monedhe duke vërtetuar se janë nga i njëjti brumë intelektualësh që hodhi në skenë R. Alia për të shpëtuar veten dhe për të dominuar në të ardhmen po ajo kastë që drejtoi dikur. Kjo të kujton frazat e ish presidentit çek Vlaclav Havel, i cili përmendi nga fillimet e viteve `90 frazat që i mban mend populli shqiptar por (jo politikanët):... më të rrezikshmit (në këtë periudhë) janë komunistët që janë konvertuar në anti-komunistë... 
 
Kjo gjithashtu vërtetohet nga fakti që asnjëherë në Shqipëri pas viteve `90 nuk u miratua një ligj i mirëfilltë lustracioni, asnjëherë në Shqipëri nuk u miratua ligji për minimumin jetik dhe pagat minimale, asnjëherë në Shqipëri nuk u bënë zgjedhje të ndershme, asnjëherë në Shqipëri deri më sot nuk u plotësuan kushtet dhe standardet e BE, asnjëherë në Shqipëri nuk bashkëpunoi mazhoranca me opozitën. Dhe së fundi, gjithmonë ka ndodhur që kur nuk arrijnë të plotësojnë kushtet që venë BE dhe SHBA, politikanët tanë kthejnë sytë nga dashnorja e vjetër Turqia për të përlarë ndonjë favor në këmbim të dinjitetit shqiptar, dhe duke patur edhe paturpësinë që të thonë se kemi lidhje gjaku. Nesër do të shkojnë në Kinë dhe Arabinë saudite apo në Rusi, gjithmonë duke shkëputur një copë dinjiteti si pa të keq e duke u bërë `vëllezër` e `motra` edhe me dreqin e mallkuar, por duke harruar se faji nuk është vetëm i fqinjëve që po mbajnë 1.1 milion shqiptarë me bukë, atë bukë që duhet të na e siguronin këta politikanë nëse do të ishin të zgjedhur pa mashtrime. Kjo së fundi më kujton se historia përsëritet: E çfarë bënë më tepër se këta të sotmit, pashallarët shqiptarë, bejlerët shqiptarë, të para dhe pas pavarësisë?
 
 E çfarë bënë komunistët me vetë-izolimin absurd të popullit shqiptar? Për privilegje dhe pushtet e para mund të shitet çdo gjë: dhe dinjiteti, dhe nderi, dhe morali, dhe... vete feja. Kjo i ka ndodhur Shqipërisë nga drejtuesit e saj. Varrmihësit e Shqipërisë janë vetë të `zgjedhurit` e popullit. Ky është problemi më i madh dhe karakteristik shqiptar. Ja çfarë po bëjnë politikanët e sotëm, po realizojnë frazën e famshme të Shvejkut: ... e ç`më duhet mua se çfarë bëj unë`...? Kjo mënyrë sjelljeje djallëzore e politikës shqiptare ka dhe do të ketë pasoja të rënda për Shqipërinë dhe shqiptarët jashtë kufijve të saj, sepse nga njëra anë faji u bë qyrk dhe nuk kapet njeri për fajet që ka bërë përveç atyre që përmend Noli në vjershën `Marshi i Barabajt`: Kryqëzoje atë që vodhi fort pak`, kryqëzoje atë që nuk vodhi aspak`...; megjithatë rrugëdalja tjetër e politikanëve nga zullumet që kanë bërë është ajo e Shvejkut: `bëj si idiot noterik dhe kështu mund të shpëtosh`. Këtë ligj të pashkruar ka dhe parlamenti ynë: Frazën e famshme të Shvejkut. 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0