Latest News
Shteti sui generis, republika sui generis, nacionalizmi sui geneeris!...
Në fakt, nacionalizmi ekonomik po hetohet dhe kuptohet gjithnjë e më shumë si një lloj guide për rilokalizimin e botës globale, e cila edhe më tej do të mbesë me tendenca globale e globalizuese.
Fadil Maloku
1. Kush vendos sot në Kosovë për interesat vitale të shtetit?
Duke parë perspektivën e Kosovës nga ky këndvështrim, duket se nacionalizmi ekonomik, pak a shumë i shprehur, do të duhej të paktën të analizohej edhe si një nevojë për të shprehur specifikat që shteti i hendikepuar po bart edhe me faktin e të qenit një rast sui generis. Kuptohet që nacionalizmi ekonomik në kohën tonë smund të mbetet armë e fuqishme për të mbajtur hapin e zhvillimit e sidomos të procesit të integrimit afatgjatë (synim ky goxha diskutabil në të ardhmen!?), por mund të shërbejë si një alibi interesant për të shprehur pakënaqësinë dhe papajtueshmërinë tonë lidhur me diskriminimi që është duke na u bërë, p.sh., në proceset e reja ekonomike integruese rajonale. Por fakti që partner i vendeve dhe shteteve të vogla sikurse është Kosova, nuk duhet të jenë korporatat e mëdha (KTN-të), të cilat nga përvoja e vendeve të tjera, po ashtu të vogla, imperativ të vetëm e kanë “blerjen” (lexo plaçkitjen me letra!) në formë bankrotimi të atyre pasurive dhe resurseve që kanë peshë nacionale, por kryesisht popujt dhe qeveritë e tyre legjitime të përzgjedhura përmes votës së lirë të qytetarëve.
Themi kështu edhe për shkak se përvojat e vendeve të vogla gjithashtu dëshmojnë se korporatat e mëdha sot pa mëshirë ushtrojnë presion në qeveritë e reja, të pamësuara sa duhet në ndërtimin dhe respektimin e institucioneve përgjegjëse dhe transparente demokratike, duke korruptuar kështu gjithherë grupe të ndryshme interesi që janë të gatshme për shërbime (lexo edhe transaksione marramendëse!?) në marrëveshjet e arritura (natyrisht) në dëm të vendit dhe qytetarëve.
Rast për të dëshmuar apo demantuar përvojën e këtyre vendeve ne në Kosovë më së miri i kemi me tendencat që të privatizohet gjiganti i PTK-së (në kohën kur profiti sipas ekspertëve është në kulm) dhe ai i Trepçës (që është lënë me qëllim të vijë buzë bankroti, në mënyrë si thotë populli të blihet për një kafshatë goje) së bashku me kompanitë e tjera të përfshira në procesin e privatizimit.
Një çështje tjetër e rëndësisë vitale nacionale e që kujtojë gabimisht është duke iu servuar qytetarëve dhe përgjithësisht publikut kosovar gjatë gjithë periudhës së pasluftës është edhe ai i kinse joshjeve që u bëhen këtyre korporatave (KTN-ve) përmes projekteve të ndryshme, ku kushtet dhe qëllimet e përgjithshme afatgjata kryesisht i diktojnë jo ekspertët dhe institucionet tona, por menaxherët e këtyre korporatave, të cilëve tashmë në kushtet e proceseve globalizuese ngandonjëherë nuk u dihen as adresat e sakta të veprimit dhe menaxhimit.
Gjatë gjithë periudhës së pasluftës jemi dëshmitarë të këtyre llojeve të ofertave dhe kërkesave që u përcollën herë pas herë edhe me skandale të ndryshme. Është e kuptueshme që kapitalizmi liberal për qëllim dhe synim permanent të vetin ka qarkullimin e lirë dhe të pakufishëm të mallrave(sidomos) dhe njerëzve (më pak), që dosido nënkupton faktin e reduktimit të rolit dhe intervenimit eventual të institucionit të shtetit në këtë fushë. Ashtu siç dhe u pa në rastin e tendencës së bllokimit të kufirit me Serbinë, si edhe tashmë së fundi pranimit të futjes së Republikës në “Republikë”, duke harruar kështu se adresa e vetme e këtij kontrolli nuk është më në dorë të qeverisë së Kosovës, por të këtyre “pronarëve të rinj”, që dikush i shquan me epitete dhe eufeizma të ndryshëm si “miq tanë”, “qendra të vendosjes” , “faktori ndërkombëtarë, “zyret e Dragodanit” etj. Së këndejmi për mendimin tim qeveria e Kosovës vetëm ka zbatuar një urdhër të (pa)dukshëm, e gjithsesi edhe të kushtëzuar) të shoqërizuar me përkrahje të formave (ekonomike e politike) dhe stilit të karotës dhe shkopit, që në fakt më së mirë dëshmon se sjemi akoma as sovran, as të pavarur e mbi të gjitha as shtet demokrat.
2. A mund të shërbejë nacionalizmi si një lloj guide për rilokalizmin rajonit të Ballkanit?
Pra, duhet kuptuar që në kushtet e rrethanave të një nacionalizmi ekonomik nuk është e thënë që kufijtë (me cilindo shtet në rajon) të bëhen pengesë apo mjet strategjik i ndarjes apo edhe getoizimit të shteteve dhe vendeve, por përkundrazi një mjet i fuqishëm i përgjegjësisë së njerëzve nga cilado pjesë e kufirit për problemet që i kërcënojnë ata gjithandej, p.sh. ndotja e ambientit, resurset natyrore etj.
Sipas kësaj logjike, mendoj se rastet e kontesteve të shfaqura me kufijtë (rasti midis sllovenëve dhe kroatëve, boshnjakëve dhe serbeve me kroat, ky yni me kufirin me Serbinë në Merdare) në Ballkanin Perëndimor, në një mënyrë janë raste të reja, ku definitivisht u dëshmua se shtetet e reja të dala nga ish-Jugosllavia, në fakt, kanë më shumë obligime sesa të drejta ndajë qendrave të vendosjes e sidomos ndaj korporatave gjigante. Këto duket janë parimet e rendit të ri botëror dhe këtu nuk ka debate të stilit “mundem apo smundem”, “dua apo nuk dua”, kam interes shtetërore”, ngase detyrat, ashtu sikurse dhe obligimet janë saktësisht të ndara.
Një tjetër çështje, që pak a shumë mendojë se është e rëndësishme për Kosovën, është edhe ajo se me konceptin e nacionalizmit ekonomik nuk duhet nënkuptuar vetëm procesin e qarkullimit të lirë të mallrave dhe njerëzve, por pa dyshim lidhjen e marrëveshjeve të atilla, që dosido janë të karakterit dhe dobisë nacionale në faza afatshkurtra dhe sosh afatgjata, temë kjo që kujtoj se meriton një analizë më të thukët në të ardhmen. Po meqë kohëve të fundit gjithnjë e me shumë po shtohen zërat për një konstatim disfatist mbi konceptin e ekonomisë neoliberale (kriza e madhe financiare), shkaku i simptomave gjithnjë e më shumë të theksuara të krizës: ekonomike, morale, e sidomos asaj që vijnë nga kërcënimi ekologjik, pastaj hendekut gjithnjë e më të madh midis të pasurve dhe të varfërve në nivel global, si dhe dëshmisë së margjinalizimit apo dhe reduktimit të rolit institucionit të shtetit përmes sovranitetit etj., atëherë natyrisht shtohen edhe zërat e tjerë për një përgjigje dhe masa efektive që duhet shtetet të marrin për të menaxhuar situatat dhe krizat kudo që ato të paraqitën në botë.
Bartës të këtyre ideve për ruajtjen e rolit te shtetit pa dyshim që është nacionalizmi i fjetur etnik (mjerisht jo edhe ai akoma ekonomik) në vendet e tranzicionit (vendet e Ballkanit Perëndimor), të cilat duke vështruar përvojat e hidhura të vendeve në zhvillim (Greqisë, Spanjës, Portugalisë) po hamenden shumë në instalimin e modeleve dhe përvojave menaxhuese mbi vendet e tyre.
Por elementi kyç që me sa duket po u mungon këtyre vendeve, është pa dyshim ai i vetëdijesimit politik i qytetarëve për rolin e rëndësishëm dhe perspektivën imanente që duhet të ushtrojë edhe më tej mekanizmi i shtetit.
Në fakt, nacionalizmi ekonomik po hetohet dhe kuptohet gjithnjë e më shumë si një lloj guide për rilokalizimin e botës globale, e cila edhe më tej do të mbesë me tendenca globale e globalizuese. Kur jemi te koncepti i rilokalizimit, duhet cekur se shumica e sociologeve të sotëm janë të pajtimit se me instalimin e tij në jetën publike mundësit e vënies nën kontroll të sjelljeve deviante dhe deformiteteve të tjera përcjellëse politike do të jenë shumë të koordinuara dhe me fleksibile në kuptimin e identifikimit, reduktimit dhe të mnëjanimit menjëhershëm.
3. Cilët duhet të kenë monopol mbi shtetin kosovar, nacionalistët apo demokratët?
Është e ditur që koncepti apo doktrina nacionaliste mbështetet ekskluzivisht në parimin e pavarësisë së popullit të vetë jo vetëm nga popujt tjerë, por dhe nga vetë sovrani, pra sundimtari që qeverisë qoftë me votën e qytetarit (në demokraci) apo me “të drejtën e votës” së trashëgimisë (në monarki). Të parët që e definuan ideologjinë nacionaliste si “sovranitet të tërësishëm të popullit”ndaj sundimtarit ishin jakobinët, të cilët shtetin dhe pushtetin e identifikonin me nocionin e popullit. Po nëse i adresohemi kuptimit bashkëkohor të këtij termi, kuptojmë se nacionalistët e globalizmit në fakt më shumë i japin rëndësi çështjes së rendit të drejtë shoqërorë, i cili duhet të shkojë në favor para së gjithash individit, familjes, pra edhe shtetit, sesa çështjes së lirisë apo barazisë, qoftë ajo sociale apo politike. Nga ky këndvështrim koncepti i nacionalizmit duket se është në një konflikt të ngrirë me demokracisë, edhe për shkak se të parët mendojnë që liria e individit duhet të limitohet apo kufizohet (në disa raste edhe të viktimizohet!) për hir të lirisë dhe interesit të përgjithshëm
Gjithashtu gjykojë se, nëse u adresohemi përvojave të gjertanishme të vendeve dhe shteteve që më xhelozi dhe afsh të paparë e kultivuan këtë koncept dhe këtë doktrinë, kuptojmë se është evident një disfavor i theksuar i tezës së mësipërme. Gjermanët, p.sh., në periudhën e qeverisjes së Bismarkut ishin të parët që praktikuan nacionalizmin ekonomik me vendet dhe shtetet për rreth, pastaj Italia dhe Spanja, gjithashtu në fillim të shek. XX, bënë të njëjtën gjë, por dhe Europa Perëndimore, e sidomos Japonia pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa sot me fanatizëm dhe xhelozi ende të paparë po e praktikojnë sidomos kinezët, të njohur edhe si kërcënuesit apo konkurrentët kryesorë për lidership në botën e sundimit neoliberal, gjithashtu nuk janë larg bie fjala edhe shtetet tjera, siç janë Venezuela, Koreja e Jugut, Tajvani, Malajzia, Singapori, Rusia e Putinit etj. Shumicës së njerëzve në vendet e tranzicionit ngandonjëherë u duket edhe kthim prapa apo dhe ide e demoduar çështja e mbijetimit apo eventualisht edhe rikthimit kah nacionalizmi ekonomik, ndërkohë që doktrina tjetër neoliberale po bënë kërdi pothuajse në shumicën e vendeve të botës, edhe për faktin se ideja e lirisë së qarkullimit, tregtisë duket shumë më joshëse sesa të kujdestarit të shtetit për të fuqizuar ekonomitë e vendit.
Duket se tani për tani ndjenja dhe interesi individual, platformë kjo e neoliberalëve (që në truallin e Kosovës mbahen herë si djathtist e herë si qendër liberale) tash për tash po na del si më e fuqishme sesa ndjenja kolektive e nacionalistëve bashkëkohorë ekonomikë, por duke analizuar në faza afatgjata problemet që edhe sot janë evidente në ekonomitë botërore, ku gjithnjë e më shumë po shtohen diferencat sociale (shkalla e varfërisë asnjëherë ska qenë më enorme?!) e sidomos ato ekonomike, mendojë që ky dominim nuk do të jetë edhe gjithaq i gjatë dhe pa pasoja të natyrës politike, ekonomike, sociale e mbi të gjitha edhe sosh kulturore. Gjer atëherë ne do të mbesim vërtet rast sui generis.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment