Latest News
Një president shqiptar sipas oreksit amerikan
Politika shqiptare nga dita në ditë ka treguar se, kush del më shumë në foto me udhëheqësit amerikanë, kush u shtrëngon duart më shumë kongresmenëve apo senatorëve, kush siguron një foto me Bushin apo një buzëqeshje nga Hillari Klinton ka garanci për të qëndruar në pushtet apo për ardhjen në pushtet.
Nga Arjan Prodani
Fushata për kolltukun presidencial ka filluar shumë para kohe, ndërkohë që në këtë post kemi një president me mandat kushtetues deri në fund të Korrikut. Nëse kjo fushatë në modelin underground ka më shumë se gjashtë muaj që ka nisur, fushata sipërfaqësore është nisur për herë të dytë nga kandidati i vetëshpallur, zoti Fatos Nano. Në daljen e tij në Top Story, zoti Nano shpalosi pretendimin e tij për të qenë ai, kandidatura kryesore për postin e kreut të shtetit. Me të njëjtën formulë si edhe pesë vjet më parë, zoti Nano deklaroi se do të mobilizojë ushtrinë e paqes në luftën e tij për integrimin e Shqipërisë, ku padyshim shfaqi hapur dhe oreksin e tij për pushtetin presidencial. Njeriu që më shumë jeton në Austri se në Shqipëri, e ka vendosur seriozisht të qëndrojë në krye të fushatës për të marrë postin, për të cilin e rrëzuan dhe e tallën të dyja forcat politike 5 vite më parë. Nëse pesë vjet më parë, zoti Nano rendi të marrë firmat për të kandiduar, pa përfillur Partinë Socialiste dhe liderin e saj të cilin e përbuzi, duke e poshtëruar me deklarata fyese, këtë radhë ka filluar fushatën me tonalitet të ulët duke i krehur bishtin pasardhësit të tij, zotit Rama. Me sjellje të butë dhe me përulësi, zoti Nano ju drejtua kryeministrit Berisha, armikut të tij të dikurshëm zotit Meta, Fatmir Mediut e deri te kryetari i partisë çame, zoti Idrizi. Takimi me zotin Meta nuk prodhoi ndonjë deklaratë mbështetëse për ambiciet e zotit Nano, gjë që e vë pak në dyshim një mbështetje të gjerë në këtë kandidim.
Gjithashtu edhe ambasadori Arvizu nuk lançoi ndonjë mbështetje specifike për figurën e Nanos, përveç ndonjë krehje bishti duke i njohur njerëzillëkun dhe natyrën paqësore, me një por në mes të kandidaturave alternative. Në fakt, deklarata e Nanos për kandidim, duket se nuk është pritur mirë as nga Sali Berisha, por as nga selia rozë, e cila nuk e ka pëlqyer pozicionimin oportunist të Fatos Nanos për ngjarjet e 21 Janarit. Sali Berisha deklaroi se PD ka personalitete të shquara nga radhët e saj duke e flakur shpresën e Fatos Nanos, si dhe duke konfirmuar se nuk ka ndërmend të propozojë një president të papëlqyer nga amerikanët. SHBA, nëpërmjet ambasadorit të saj zoti Arvizu e ka bërë të qartë qëllimin e saj për një president që të mos varet nga asnjë palë politike. Deklaratat e Arvizu kanë qartësuar para gjithë politikës shqiptare se nuk tolerojnë një president që nuk ju përgjigjet orekseve të tyre. Gjyqësori, Prokuroria dhe shërbimet inteligjente janë “thembra e Akilit”, të cilat janë të ndërvarura nga Presidenti i ri, nuk mund të lihen në dorë as të Berishës dhe as të Edi Ramës, por vetëm në duart e një figure që do mbajë sytë nga SHBA. “Është një proces që ka lidhje me të ardhmen e këtij vendi dhe drejtimin e tij, sikurse edhe lidhur me marrëdhëniet e Shqipërisë në rajon, perspektivën në BE apo marrëdhëniet me SHBA.
Ne nuk po flasim për zgjedhjen e një ministri të kabinetit qeveritar, por për Presidentin e Republikës së Shqipërisë”, ka deklaruar ditën e djelë zoti Arvizu pas takimit me Fatos Nanon, duke konfirmuar qartazi interesin amerikan për figurën e presidentit shqiptar. Në këtë zgjedhje apo zgjidhje, duket se vula përfundimtare do të jetë ajo e SHBA. Pa qenë nacionalistë të sëmurë dhe duke parë pa lente pozicionimin e politikës shqiptare ndaj amerikanëve, është më se evidente nënshtrimi i tyre ndaj “sugjerimeve” amerikane. Politika shqiptare nga dita në ditë ka treguar se, kush del më shumë në foto me udhëheqësit amerikanë, kush u shtrëngon duart më shumë kongresmenëve apo senatorëve, kush siguron një foto me Bushin apo një buzëqeshje nga Hillari Klinton ka garanci për të qëndruar në pushtet apo për ardhjen në pushtet. A nuk kemi parë luftën e madhe të Ilir Metës për të dalë në fotografi me Bushin në vitin 2001, duke e përcjellë para mediave si eveniment të dorës së parë, apo Rama me familjen Bush, foto të cilën e shpërndau me urgjencë me komente nga më shokuese? Po ashtu Fatos Nano gjatë ceremonisë së Kartës së Adriatikut, ku fotot e tij me presidentin Bush për pak sa nuk u bënë kartolina të vitit të Ri nga kryeministria e asaj kohe.
Padyshim që edhe kryeministri Berisha ka bërë disa salto, në takimin e famshëm të NATO, për ti dhënë dorën Laura Bush, duke ju zgërdhirë vesh më vesh nga kënaqësia e duke përulur kurrizin në një nivel me dorën e nderur të zonjës së parë të Amerikës. Nuk po fusim garën e shfrenuar të këtyre ditëve të të gjithë politikanëve shqiptarë, nga Basha, Spahiu, Rama dhe Meta, për takimet e zhvilluara në DASH, duke i trumbetuar si suksese individuale dhe konvertuar në mbështetje amerikane për ardhjen në pushtet. Të njëjtën garë të shfrenuar po bën edhe Sali Berisha me vizitën e tij të sponsorizuar me lekët e qeverisë shqiptare në përvjetorin e shoqatës “Vatra”. E parë në kontekstin e mësipërm, nuk është e vështirë të kuptosh që presidenti i ri do të jetë ai që do të autorizojnë amerikanët. Nëse Berisha deri para takimit të trojkës me Edi Ramën, një takim i cili zgjati disa orë, kishte qëndrim absolutisht pedant në raport me zgjedhjen e presidentit, në të njëjtin moment organizoi enkas një konferencë për shtyp, ku deklaroi se, do të zgjidhte një president me konsultime me opozitën.
Menjëherë pas daljes nga takimi me Edi Ramën, ambasadori Arvizu, deklaroi se do të drekonte me Berishën duke deklaruar haptazi zbutjen me të dhe klimën e nderë të krijuar pas atakimeve të Prokurores dhe Presidentit, si beniaminë të SHBA. Dihet më së miri konflikti i ndezur për 21 Janarin, ku Berisha i akuzonte qartazi dhe Ina Ramën dhe Bamir Topin, pavarësisht se ambasadori amerikan tregonte hapur mbështetjen ndaj tyre në konferencat për shtyp. Nga ky moment duket qartazi se Sali Berisha ka lëshuar pozicionin e tij, duke ecur i qetë drejt pazareve të gushtit 2011, të cilat u konkluduan me Bashkinë e Tiranës si dhuratë ndaj pasardhësit të tij, Lulzim Bashës. Nga dita në ditë Sali Berisha po lëshon terrenin për emrin e presidentit të ri, duke futur në negociata këtë radhë edhe ambasadorin Arvizu, i cili filloi turin me kandidaturën Fatos Nano. Po ti referohemi historisë së këtij të fundit, kemi të bëjmë me një dashuri dhe urrejtje të ndërvarur. Ishin amerikanët që e dhanë viston për ta futur në burg Fatos Nanon dhe ishin po ata që e bënë kryeministër dhe patën raporte shumë të mira me të.
Pas daljes nga burgu, “imperialistët” amerikanë nuk ishin më pjesë e kapitalizmit të egër, por ishin pronarët e tij, të cilët i dëgjoi me përulësi deri në zgjedhjet e vitit 2005, ku i dorëzoi pushtetin Sali Berishës me bindje dhe devotshmëri spektakolare. Vetëkandidimi i tij mund të rikthehet sërish në ritallje nga lidershipi politik, por edhe vetë nga amerikanët, të cilët mund të kenë plane të tjera për figurën e presidentit të ri të mileniumit që jetojmë. Në fakt në Shqipëri gjithçka mund të ndodhë, por rikthimi triumfal i Nanos në politikën shqiptare me postin e kryetarit të shtetit, është një kapitullim dhe rikthim pa kushte 22 vite para, duke ju drejtuar sërish plejadës së veteranëve dhe pleqve të politikës ramiziane. Nga ky moment të gjithë duhet të presim një rikthim të Sali Berishës nëse do jetë gjallë (zoti i dhëntë ymër), por këtë radhë me pampersa në krye të shtetit, në rotacionin e ardhshëm.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment