Latest News
Ardian Klosi nuk ta fal!
Këtu mes librave u kam lënë dashurinë dhe mallin. Prekni librat nëse do u marrë malli për mua. Shkronjat, fjalët, shenjat e pikësimit, idetë, mesazhet, tingujt, rimat, letra, karboni janë flokët e mi, eshtrat e mia janë.
Nga Bledi Mane
1./E mbajti fjalën
Iu shfaq për herë të tretë. Kishte kohë që i vinte vërdallë dhe e joshte. Kësaj here i trokiti natën pas xhamit të dritares. Ndërsa ky shkruante përkthimin e radhës, befas ngriti kokën të shikonte. Mbeti i befasuar nga bukuria rrëzëllitëse që depërtonte mes errësirës. U çua më këmbë, hapi dritaren dhe i zgjati dorën. Ajo nuk nguroi dhe me sytë në tokë si bukuroshe e virgjër u fut në dhomë bashkë me aromën e freskët të prillit.
-Më fal që të zhgënjeva dy herët e para-i pëshpëriti i zënë në faj.
Ajo nuk fliste, por rrinte e akullt dhe shikonte mbi librat e hapur rrëmujshëm mbi tavolinë.
-Rri më prit edhe pak e merrmë. Kësaj here kam vendosur të vij me ty. Merrmë se nuk i duroj dot vuajtjet e një të gjalli. Merrmë! Nuk gjej dot veten këtu mbi këtë baltë. Më qeshin, më tallin, më shajnë, më keqkuptojnë, më torturojnë. Më kanë rrjepur të gjallë porsi atdheu i tyre, i imi. Merrmë me vete!
Ajo me sytë ende përtokë thjesht buzëqeshi me cep të buzës dhe i hodhi dorën mbi flokët e shpupurisur.
Rrëmbeu një letër dhe pasi puqi dorën e tij me dorën e saj si vocërraku me mësuesen e abetares, nisën të shkruajë:
“E dashur Juta, të dashura bijat e mia!
Babi juaj po ikën. Këtu mes librave u kam lënë dashurinë dhe mallin. Prekni librat nëse do u marrë malli për mua. Shkronjat, fjalët, shenjat e pikësimit, idetë, mesazhet, tingujt, rimat, letra, karboni janë flokët e mi, eshtrat e mia janë. Babi juaj po ikën. Kërkojini falje atdheut. Më dukej vetja i tepërt për këtë tokë!”
***
Ikja e Ardian Klosit megjithëse e paralajmëruar mbetet jo një lëndim personal. Një nga mendjet e bukura të ndërgjegjes kombëtare iu dorëzua pa kushte presioneve dhe allishverisheve të një shoqërie tranzitive të egër.
Ardian Klosi i iku atdheut të tij me vetëdije të plotë në kohën kur atdheu po lëngon. Mbylli sytë përgjithmonë se nuk u bëri dot rezistencë vuajtjeve të një atdheu të rraskapitur. Mundohej me mish e shpirt të iluminonte me mënyrën e tij fine këtë vend e ndërkohë la betejën përgjysmë dhe iku. Iku dhe u dha një arsye më shumë batakçinjve të rrjepin këtë vend. Iku dhe gëzoi pa masë bashibozukët dhe arkitektët anadollakë të orientit ta kurvërojnë me xixa dhe varaqe Shqipërinë e mbuluar me burkën e krimit dhe injorancës. Iku dhe i dha elitës jargavece servile të Tiranës një arsye më shumë të ndjehen të lehtësuar pas vdekjes së tij.
Iku Ardian Klosi me shpresën se qysh dje kur iu fikën qepallat e rënda të syve, alarmi i kushtrimit do të ndizej.
Iku me shpresën se kuja intelektuale do kishte mbuluar çdo cep të këtij vendi.
Iku duke pretenduar se u bë theror i një atdheu të ndjeshëm evropian, por harroi shpejt se njerëzit e pa gdhendur që drejtojnë rrëmbythshëm këtë vend as nuk skuqen e as nuk nxihen nga vdekje të tilla dyfish të pakapërdishme.
Ardian Klosi i iku vendit dhe njerëzisë duke mos respektuar paktet e vendosura në heshtje.
Sa herë klithte revoltshëm ne ishim aty pranë tij. Kur drejtonte pas 1997-s televizionin e vetëm në Shqipëri, ne ishim rreth tij duke admiruar profesionalizmin dhe paanshmërinë. Ishim me të se nuk ai nuk ishte një Petrit Bec. Kur lutej që atdheu të mos ndyhej nga plehrat e Fatos Nanos më 2003-in, ne përsëri qëndronim rreth tij me mijëra e mijëra duke u solidarizuar me vetëmohimin dhe guximin e tij sepse ai nuk ishte një Fatmir Medi Gërdec. Kur lëngonte për ndotjen e Vlorës nga ndërtime petroliferash, të gjithë iu bashkuam në nënshkrime peticionesh sepse e ndjenim që Ardian Klosi nuk ishte Genc Rul, por e donte këtë vend porsi një fëmijë naiv nënën e tij të kërrusur nga brenga e vuajtjeve. Ne respektuam çdo pakt me Ardian Klosin dhe ishim me të në çdo shkrim apo debat mediatik sa herë civilizimi i kësaj qoshke evropiane vihej në rrezik. Blejmë, lexojmë dhe asistojmë çdo panair dhe event librash, sepse mes atyre pak personalitetesh që ende mbajnë gjallë egon e këtij vendi ishte dhe Klosi.
Ardian Klosi iku pa na pyetur, iku i turpëruar nga nxirja e atdheut. Iku se nuk duronte dot tek shikonte hematomat dhe ënjtjet e fytyrës së kësaj Shqipërie të bukur nga dora e zotit dhe të shëmtuar nga dora e robit. Iku Ardian Klosi dhe shpejt harroi se të tjerë burra lënguan më shumë se atdheu i tyre në çaste kritike.
Faik Konica borxhlloi një Washington të tërë vetëm e vetëm që botës t’i tregonte bukur e rafinueshëm se ishte një pinjoll fisnik ilir-epiriot evropian 24 karatësh e jo një vjellje thartirë e perandorisë osmane. Migjeni djaloshar që ngrysej e gdhihej me mushkëritë e tuberkolozuara nuk vdiq pa i kënduar atdheut kangt’ e mjerimit të madh duke depërtuar mendjet e shpirtrat për zgjimin e madh. Mit’hat Frashërit ia morën shpirtin kopukët bolshevikë sepse megjithëse larg linte pa gjumë një tjetër regjim si ky i tanishmi. Ismail Kadare piskamë sa herë ky vend i largohet Evropës dhe nuk e lëshon veten kollaj në duar benristanësh, ndërsa Albin Kurti, trimi i rrallë, përplas kokë më kokë thaçra, euleksra e serbë sa herë i rrezikohet Kosova martire.
Ike Adrian Klosi, por askush nuk e beson vetëvrasjen. Jevgeni Jevtushenko ka të drejtë kur shkruan se “në këtë botë të ndyrë nuk ka vetëvrasje, ka vetëm vrasje”. Ike Ardian Klosi me të drejtë se ne të shtymë drejt aktit makabër, ne indiferentët dhe cinikët e pandreqshëm bënim sikur nuk të kuptonim, ne mendjeshpëlarët dhe eunukët e çdo regjimi ta tretëm ymrin, ne të vramë… ne, ne, ne!
Po Martin Camajt çfarë do t’i thuash kur ta takosh nesër?
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment