Latest News
Globalizmi - mit apo proces?
Sido kudo, globalizimi mbetet edhe me tej teme aktuale jo vetëm akademike por edhe sosh politike, ekonomike e sidomos ushtarake e kulturore. Se a është mit apo proces, këtë mundemi ta gjurmojmë përmes përditshmërisë sonë në të gjitha sferat e jetes.
Fadil Maloku
1. “Mësojeni diturinë edhe po të jetë në Kinë”.
Një nga temat më aktuale që ndërlidhen me realitetin e sotëm socio-politik, kulturor dhe ekonomik është padyshim ai i globalizmit. Edhe pse thuhet se është i vështirë për t’u “kapur” me kompetencën e dioptrisë sociologjike (nga shkaku se dukuritë dhe fenomenet që janë në lëvizje e perfeksionim të vazhdueshëm është vështirë për t’i diagnostifikuar), prapëseprapë atraktiviteti dhe përvoja empirike kujtoj që duhet të jenë një motiv shtesë për të kuptuar esencën e reflektimit të këtyre proceseve globale në zhvillimet dhe proceset tona lokale e rajonale. E them kështu, sepse sot asgjë nuk mund të zhvillohet pa ushtruar ndikime interaktive në proceset tjera qofshin globale apo ato lokale. I tërë ky proces i ushtrimit të ndikimeve gjithnjë me pretekste të një rrjetëzimi marramendës dhe të një shtrirje të gjithanshme horizontale, e padyshim edhe vertikale, është e natyrshme që s’ pari t’i prodhojë e më pastaj t’i fuqizojë si shkaqet ashtu edhe pasojat e veta specifike.
Në anën tjetër, duhet thënë që në debatet e sotme akademike rreth procesit të globalizmit, ka mendime, dyshime, shqetësime, rekomandime e lloj-lloj sugjerime të natyrave të ndryshme. Këto me këmbëngulje e mbrojnë qëndrimin se: e gjithë kjo çfarë po ndodh në botën e sotme, në formë procesi, tendence, e për dike edhe trendi në të gjitha poret e jetës shoqërore, politike, ekonomike, sociale e sidomos ushtarake e kulturore, në fakt nuk është asgjë tjetër përveç një lloj miti i ngritur me qëllim nga grupe të ndryshme interesi global që për qëllim kanë dezorientimin e shoqërive të dala nga komunizmi.
Këtë qëndrim e mbrojnë sot shumë sociologë të perëndimit e edhe të vendeve të tranzicionit dhe të atyre që janë në fazën e “zhvillimit të mbikëqyrur” (term i ri në literaturën sociologjike), ashtu siç jemi ne në Kosovë. Zaten, lirisht mund të gjykojmë se Kosova në një mënyrë apo tjetrën është rasti i parë (meqë shumica pajtohen: rast “sui generis”) i eksperimentimit të idesë së sovranitetit në kushtet dhe rrethanat e proceseve globale, por që tani nuk është objekt i analizës sonë sociologjike.
Gjithashtu, ka edhe të tillë që pa kurrfarë rezerve e hamendjeje e pranojnë si diçka normale e besa edhe si një proces e tendencë e rëndomtë por, gjithsesi të domosdoshme në rrethanat e pas rënies së komunizmit.
Pra, duke i studiuar këto këndvështrime të reja dhe çka është më interesant, me përplot dyshime dhe herë-herë edhe të ngarkuara me doza ideologjizmash, të mbushet mendja sikur koncepti i globalizimit mund të identifikohet dhe padyshim edhe të shpjegohet vetëm me terma dhe gjuhë tipike mitike!? Pranimi i një debati të kësaj natyre, dosido na bënë që të mendojmë se këtu paskemi të bëjmë me një konspiracion global të disa elitave të përzgjedhura nga vetvetja e tyre, ku për çdo mëngjes në rrokaqiejt e mëdhenj atje diku në thellësi të New Yorkut apo të ndonjë megapolisi tjetër, përveç prognozave rreth motit, bëjnë edhe plane konspirative se si ta sundojnë botën e shekullit XXI?!
2. Kujdes!“Big Brother”- po na shikon?!
Në anën tjetër duket e pabesueshme, që me gjithë këtë revolucion teknologjik, ky farë “Big Brother”-si “konspirativ”, po arrin që përveç shkallës së lartë të menaxhimit me jetën, zhvillimin, emancipimin tonë global, pra vënies së plotë të kontrollit mbi ne, të bëjë edhe shpëlarjen e trurit!. Pra të amputojë konceptet e sjelljes sociale, politike, ushtarake e sidomos kulturore për gjitha ecuritë dhe proceset globale që po ndodhin në botën tonë reale?! Për mua një konstatim i tillë, i pa argumentuar me parametra para së gjithash empirik shkencor (apo dikush do të thoshte: pa informata të qarta )është një lloj absurdi i llojit të vetë që vetëm ata që kanë mendjen dhe bindjen obskurante mund të gjykojnë kështu.
Gjithashtu gjykojë që të dy këto konstatime disi duken pak të vërteta. Kjo për faktin se bota e sotme reale (jo ajo virtuale), gjithnjë është më lehtë të mbikëqyret jo vetëm përmes gjithë atyre satelitëve që janë instaluar në orbitë, por edhe përmes mekanizmit të vendimmarrjes dhe të gjitha procedurave tjera tipike të instaluara në shoqëritë perëndimore. Por, në anën tjetër, kujtoj dhe besoj që gjithnjë do të mbetet një pjesë e sferës së jetës së njeriut (që ani pse e shoqërorizuar e ndonjëherë edhe i terrorizuar, me gjithë këto zbulime të pa imagjinueshme teknologjike!?), në të cilën ai (njeriu) s’do të mund të ketë qasje asnjëherë; sado që ajo të jetë e pajisur me dhuntinë e hakerizmit social, ekonomik, psikologjik, ushtarak e kulturor!
Meqë po jetojmë në këtë kohë, kujtoj se secili prej nesh duhet ta mbaj bindjen dhe mendimin e vet personal për këtë tendencë të re që s’la gjë pa ndryshuar. Është e drejtë e secilit prej nesh ta mbaj gjykimin e vetë për gjitha ndryshimet marramendëse që janë duke ndodhur në ne dhe për rreth nesh, duke përfshirë këtu edhe atë se e gjithë kjo çka po ndodhë ka të bëjë nga pak edhe me diçka mitike!
Por në anën tjetër edhe të tjerët që mendojnë se e gjithë kjo paranojë në fakt është vetëm një konstruksion ideologjik që për pasojë deri diku ka edhe kuptim “endogjen”, ngase vështrohet si mekanizëm ekskluziv përmes të cilit neoliberalizmi përpiqet të depërtojë në të gjitha poret e jetës, si një projekt i perëndimit për ta sunduar gjithë botën!
Në anën tjetër, gjithsesi mund të gjejmë mendime dhe pikëpamje që mbështetjen e tyre e gjejnë edhe në pikëpamje tjera, duke e parë këtë projekt si një produkt armiqësorë që për target ka shoqëritë dhe njerëzit e atyre shoqërive që akoma janë në hulumtim të identitetit të ri shtetërorë, social, politikë , ekonomikë e padyshim edhe kulturorë. Shpjegimi i kësisoj, nga këndvështrimi “mitik” i proceseve globale duket që e ka një të mirë, e ajo është se këto procese i analizon dhe pak a shumë edhe i shkoqitë nga këndvështrimi uniformues i globalistëve, pra ashtu siç dëshirojnë apo kanë bindje disa ta shohin procesin e tillë vetëm me dioptrinë e tyre të “natyrshme” globale.
Dobia tjetër i një këndvështrimi të tillë endogjen, apo një moderniteti të vonshëm( late modernity)kujtojë që qëndron në atë se: procesin e globalizmit se sheh vetëm si rob i raporteve dhe zhvillimeve aktuale globale që rilindin për çdo ditë si pasojë e teknologjisë informative, por edhe i zhvillimit të raporteve shoqërore, ekonomike, sociale, e kulturore që i krijojnë apo të paktën pretendojnë t’i ndërtojnë jo vetëm shoqëritë perëndimore , por çka është e rëndësishme edhe shoqëritë postkomuniste, e pra edhe kjo e jona që gjendet akoma në fazën e tranzicionit. Sido kudo, globalizimi mbetet edhe me tej teme aktuale jo vetëm akademike por edhe sosh politike, ekonomike e sidomos ushtarake e kulturore. Se a është mit apo proces, këtë mundemi ta gjurmojmë përmes përditshmërisë sonë në të gjitha sferat e jetes.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment