Home | Opinion | Pushim për papunësi

Pushim për papunësi

image
Se kur do të vetëdijesohemi nuk e di, por një gjë është e sigurt: nëse vazhdojmë me këso pushime, askush nuk do të vijë të na trokasë në derë, e të na thotë: “Zgjohuni sa nuk është bërë vonë”!
 
 



Astrit Halili

 
 
 


Teksa po kaloja të premten pranë një shkolle në Prishtinë, më ranë në vesh disa fjalë të nxënësve, të cilët sapo ishin lëshuar nga mësimi.
 
“T’hënën s’kish mësim”, po thoshte njëri prej tyre, e tjetri ia priti çuditërisht: “Pse more”? Pastaj, ai iu përgjigj: “Po, s’pe di bre, njëfarë feste, Pashkët a se di”!
 
Tashmë është bërë e zakonshme që për festat të cilat bien në fundjavë të bëhet pushim edhe dita e hënë, apo nëse një festë bie ditën e martë ose të enjte, pushimi të lidhet dhe kështu të bëhet më i gjatë.
 
Kjo ndodhi së fundi me Pashkët Katolike, më 8 prill ditën e diele, ku institucionet e bartën pushimin për të nesërmen, ditën e hënë; e gjithashtu e nesërmja, 9 prilli, ishte Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe institucionet e bartën pushimin përsëri për ditën e martë, më 10 prill. Kështu, u bënë katër ditë pushim rresht. Dhe së fundi, më 15 prill, të dielën ishin Pashkët Ortodoksë. Të nesërmen, pra ditën e hënë, përsëri pushim. Përsëri e përsëri...
 
Sipas ligjit për festat zyrtare në Kosovë, gjithsej janë 11 festa zyrtare, prej të cilave 6 i përkasin atyre fetare. Për dallim nga shtetet e tjera të Bashkimit Evropian, në Kosovë dita e Evropës. 9 maji, është e përfshirë në festat zyrtare, gjë që nuk ndodh në shtetet evropiane.
 
Madje, në Kosovë pushohet edhe me 1 maj, Ditën Ndërkombëtare të Punës. Siç po shihet, institucionet tona janë aq shumë të lodhur nga puna “e madhe” që po e bëjnë, sa që kanë nevojë për pushim të zgjatur.
 
Nuk është fare e dobishme, që në një vend si Kosova, një shtet i ri, të bëhen pushime të gjata të cilat nuk sjellin kurrfarë të mire për shtetin. Nëse e marrim një shembull të thjeshtë, Zvicra është njëri ndër shtetet ku organizohen referendume më së shumti në botë. Në mars të këtij viti, zviceranët votuan kundër zgjatjes së kohës së pushimit nga 4 në 6 javë. Ky plan do t’u jepte punëtorëve atje pushim deri në 1.5 muaj brenda një viti, por populli dëgjoi qeverinë dhe bizneset e atjeshme, të cilat bënin thirrje se sa më shumë pushime do të ishin të dëmshme për ekonominë e shtetit.
 
Zvicra nuk ka nevojë për liberalizim vizash e as për integrime euroatlantike. Është Kosova ajo që ka nevojë t’i realizojë këto synime. Por, qeveria dhe populli zviceran janë të vetëdijshëm dhe nuk duan ta rrezikojnë ekonominë e tyre. Nëse shtetet evropiane ecin përpara, ne duhet të vrapojmë, natyrisht nëse dëshirojmë të jemi në hap me to.
 
Se kur do të vetëdijesohemi nuk e di, por një gjë është e sigurt: nëse vazhdojmë me këso pushime, askush nuk do të vijë të na trokasë në derë, e të na thotë: “Zgjohuni sa nuk është bërë vonë”!
 
 
 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0