Latest News
Kur populli, e ka “frikë” qeverinë e vet!
Një përqindje e vogël jetojnë në bollëk dhe shumica tjetër flasin me vehte! Ndryshe nga të gjitha vendet e botës, vetëm në Shqipëri ndodh kjo çudi. Çudia është se, ata që duhet të jenë më të preokupuarit, më të shqetësuarit e më të tensionuarit, janë qeveritarët.
Nga Pandeli Bardhi
Nuk e ka thënë më kot i pari: “Kur qeveria ka “frikë” popullin, është demokraci dhe kur populli ka “frikë” qeverinë, është diktaturë”! Dita e 1 Majit të sivjetëm nuk të krijonte aspak përshtypjen e ditës së protestës së punonjësve për të drejtat e tyre, por si dita e “çakërqejfit” të policëve dhe qeveritarëve! Ky është treguesi më i mirë se në këtë vend nuk ka demokraci, por diktaturë! Demokraci është atëherë, kur qeveria nuk gjen “vrimë” ku të futet, nga protestat e qytetarëve që kërkojnë të drejtat e tyre. Dy, janë arsyet e kësaj “feste madhështore”; Ose qeveria i ka plotësuar një për një kërkesat e qytetarëve të vet dhe ata shkojnë ta tregojnë këtë nga kodrat e liqenit, ose shkojnë atje, nga frika për të mos i rënë në “sy” qeverisë”! Unë nuk marr përsipër të flas për vendet e tjera, por flas për në Shqipëri, ku nga ata që “protesto(festo)nin” më të shumtë ishin policët, mbasi qeveritarët nuk dukeshin nga ishin futur nëpër vilat e tyre!
Policët ishin më të qeshurit, më të lumturit, më të gëzuarit, në këtë 1 Maj. Në fund të fundit, edhe ata njerëz janë dhe kanë nevojë edhe për pushim. Edhe ata kanë nevojë të festojnë bashkë me popullin. Tek ne në Shqipëri, kështu kanë qenë gjithmonë, “popull e qeveri, një e të pandarë”. Me këtë nuk kam ndërmend aspak, që ata t’i shoh të përçarë, përkundrazi, të bashkuar sepse... “bashkimi bën fuqinë”! Asnjëherë nuk i jam gëzuar policëve, sa i jam gëzuar atyre në këtë 1 Maj. Ata kanë zënë kyçet atje ku mendohet se gjendja mund të dalë “jashtë kontrollit”, nga protestat e paralajmëruara të sindikatave! Zonat më të “nxehta” janë tek Ministria e Punës,{nuk po e them togfjalëshin tjetër), tek METE (edhe kjo i përmbledh të gjitha ato ç’ka duan punonjësit) dhe atje ku është kreu i të gjitha këtyre, atje ku buron “mirëqenia”. Policët, si asnjëherë tjetër janë veshur me uniformat më të mira për këtë ditë feste. Tek MPCSSHB, nuk i është krijuar mundësia të gjithëve për të qenë në festë, por vetëm disave, jo më shumë se dhjetë. Disa prej tyre bëjnë mundje me njëri tjetrin dhe të tjerët tregojnë barsoleta!
Tek METE, ku edhe atje numri është i kufizuar, qëndrojnë të shkujdesur dhe as nuk “tremben”, por edhe nuk zilepsen për shokët e tyre që nuk kanë patur “fatin” të jenë bashkë me ta, por kanë marrë nga një çantë dhe shkojnë të festojnë nga kodrat e liqenit! Tek Kryeministria, ata janë pak më seriozë, ndoshta nga frika e atij që të bën “gjëmën”, por jo nga “egërsia” e punonjësve që protestojnë dhe se mund të “shpërthejnë” kordonin nga çasti në çast! Shumë shumë, nga ata që janë mbledhur për të protestuar, nuk i kalon të njëqind vetët, përfshi edhe fëmijët, edhe shitësit ambulantë që shesin fara kungulli dhe luledielli! Më shumë nga këta “protestues”, janë policët. Këta qëndrojnë siç thamë, pak më “seriozë”, me duart të kryqëzuara prapa, por në fund të fundit janë të shkujdesur. Kjo shkujdesje ka të bëjë me atë, që lëvozhgat e farave të lulediellit nuk hyjnë në “armët e sofistikuara” si çadrat dhe stilolapsat, dhe nuk paraqesin rrezik për rendin kushtetues! Përbri tyre, njerëzit grupe grupe, me çantat e “bollëkut” në krah dhe fëmijët për dore, shkojnë për t’i shijuar ato, mes jeshilit dhe ozonit. Ata, as nuk shqetësohen se ç’do të ndodhë me ata protestues, që janë mbledhur para Kryeministrisë, por i shikojnë ata me bisht të syrit dhe thonë: “Po këta, janë në vete”? “Rrini ore rehat, se kot e keni, këtu, kështu ka qenë, e kështu do të jetë”! Nuk është e vërtetë se edhe këta nuk kanë të drejtë. Edhe këta, si të thuash e kanë “stakuar” trurin, mbasi e shohin që këtu, bëj çfarë të duash, por gjendjen nuk e ndryshon dot. Këta kanë të drejtë të thonë: “Edhe një herë që u ngritëm, ai i ktheu armët e i vrau dhe kurrkujt nuk i hyri gjemb në këmbë, jo më pastaj të “tundet”, se po protestojmë ne! “Leskovik e tatëpjetë, kështu ka qenë e kështu do jetë”! Mirë thotë një pensionist: “Folëm, folëm sa goja ‘lesh’ na zuri, po kush na dëgjoi”?! Njësoj mbetet gjendja, fol sa të duash. Këtu të gjithë flasin, të gjithëve u ka vajtur “thika në palcë”, por nuk flasin aty ku është vendi.
Jo shumë larg atyre që “protestojnë” para Kryeministrisë, Presidenti, biznesmen Luan Bregasi deklaron: “biznesi shqiptar mundi t’i rezistojë krizës, në sajë të hapjes së vendeve të reja të punës”! Mirë thotë ky biznesmen, për biznesmenët e vet. Po punëtorët, a kanë ndonjë “President”? E pse të kenë president, apo kryetar, kur nuk ka punëtorë që të punojnë?”. Këtu punojnë vetëm biznesmenët dhe militantët e partive! Të gjithë të tjerët i përfaqëson kryeministri, i cili deklaron: “Shqipëria mundi ti rezistojë krizës globale, në sajë të reformave që ka ndërmarrë qeveria”! Të kuptohemi, reformat e tij janë hedhja në rrugë e mijëra vetëve dhe pasurimi i disave rreth e rrotull tij! Mos e beso po deshe! Edhe biznesmenët e punësuar, janë nga ata pranë qeverisë, të vegjlit falimentojnë! Jemi në kapitalizëm, ku ecet sipas parimit “Peshku i madh e ha të voglin”! A mund të mendohet, sikur ndonjë “fakir” nga armata e të papunëve e të pashpresëve, të ngrihet e të protestojë, se ku do të mbahet? Ata rrojnë me shpresa tek e dëgjojnë Kserën, ministrin e PCSSHB se “papunësia, është ulur nga 13.7%, në 13.26%! Forca Ksera, se edhe pak të papunë ke dhe problemi zgjidhet! Tërë qeveritarët bëjnë “gallatë”, bën edhe Ksera! Po mirë, more Ksera, a nuk janë pak të punësuar? Çfarë do t’ju kushtonte juve që të thoni, se papunësia është ulur nga 13.7% në 3%? Kush do t’ua kundërshtonte këtë? Keni frikë nga INSTAT? Mos kij frikë more “palikari”se INSTAT i Kryeministri është. Vetëm kështu mund të “fitoni” zemrat e të papunëve, por “fitoni” edhe simpatinë e kryeministrit, që të të mbajë edhe për një mandat tjetër! Bëni edhe juve siç bëjnë kolegët tuaj!
Para MPCSSHB janë mbledhur jo më shumë se 20-30 minatorë, që edhe ata protestojnë për të drejtat e tyre. Janë shtresa më e nëpërkëmbur nga qeveria. Sikur të mos mjaftonin mungesa e dritës së diellit dhe e ajrit të pastër në galeritë ku kanë punuar, edhe varfëria ekonomike, me një pension qesharak që nuk mjafton as për të mbijetuar! Herëpashere, gjatë marshimit për në drejtim të Kryeministrisë, ata gjejnë forca dhe thërrasin: “Poshtë hajdutët”! “Qeveria na mashtroi”! Këto zëra i dëgjojnë vetëm disa kalamanë, që qëndrojnë prapa tyre dhe qeshin! Kush tjetër i dëgjon? Kurrkush! Edhe hajdutët e vërtetë qeshin, edhe kryehajduti qesh, edhe mashtruesit qeshin. Të gjithë qeshin dhe kanë të drejtë të qeshin. Nuk jam i sigurt, por me siguri të gjithë qeveritarët, duke përfituar nga dielli i nxehtë në këtë ditë feste, me siguri duhej të ishin të gjithë nëpër vilat e tyre në plazhe, me përjashtim të Mediut, që i ranë “shuajtë” e këpucëve nga Amerika.
Por edhe ai qeveritar, që nuk shkoi në plazh, apo sikur edhe asnjëri prej tyre të mos ketë shkuar, ata prapëseprapë kanë qenë më të shkujdesurit dhe kudo që të kenë qenë, vetëm mendjen tek protestat nuk e kanë patur! Ata e dinë se më kë kanë të bëjnë. Ata e dinë “agresivitetin” e këtij populli, që i ka vajtur në “majë të hundës”. Pse vallë, mos e kishte gabim i madhi Lincoln, kur thoshte se “ç’do popull, e meriton qeverinë që ka në krye”? Pse vallë ata që janë në krye, nuk janë i njëjti “bylmet” nga ky “stan”?”. Atyre u është dhënë mundësia të vjedhin e të përlajnë, edhe atë që nuk i takon. Të tjerëve nuk i është dhënë mundësia ta marrin atë që i takon. Një përqindje e vogël jetojnë në bollëk dhe shumica tjetër flasin me vehte! Ndryshe nga të gjitha vendet e botës, vetëm në Shqipëri ndodh kjo çudi. Çudia është se, ata që duhet të jenë më të preokupuarit, më të shqetësuarit e më të tensionuarit, janë qeveritarët. Në të gjitha vendet e botës, qeveria e “mpreh” mirë “armën” e saj, policinë, se e di mirë, që do të përleshet me punonjësit dhe sindikatat e tyre që luftojnë për më shumë drejtësi, mirëqenie e prosperitet. Në ndryshim nga të gjitha vendet e botës, vetëm këtu, qeveria dhe policia festojnë, vetëm këta janë më të shkujdesurit, më të gëzuarit. Prandaj, edhe atij policit tek MPCSSHB, i “hanin” duart dhe mundej me shokun e vet! Sikur të mos kishte ardhur me vonesë kryeministri nga Amerika, me siguri qeveria do të kishte organizuar ndonjë koncert me Çiljeta, me gonge e xurrna, me rastin e vizitës së “suksesshme” në Amerikë, të këtij njeriu “të lartësive”. Hajde e mos e beso po deshe që “Shqipëria ka një rritje ekonomike të tillë, sa që ka lënë mbrapa, shumë vende të BE!...
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment