Home | Opinion | Drejtësia duarlidhur

Drejtësia duarlidhur

image
Mungesa e mbështetjes politike dhe aktakuzat e stërngarkuara pamundësojnë një drejtësi efikase. Sa më shumë që vonohet vendosja e drejtësisë, aq më i vogël është shansi për pajtim mes palëve dikur në konflikt – kjo vlen si për Ballkanin, ashtu edhe për Lindjen e Mesme, Afrikën dhe Azinë.
 
 


Enver Robelli




 
 
Edhe pas dënimit të ish-kryetarit të Liberisë, Charles Taylor, nga një gjyq ndërkombëtar në Hagë, drejtësia ndërkombëtare mbetet një tigër prej letre. Mungesa e mbështetjes politike dhe aktakuzat e stërngarkuara pamundësojnë një drejtësi efikase. Sa më shumë që vonohet vendosja e drejtësisë, aq më i vogël është shansi për pajtim mes palëve dikur në konflikt – kjo vlen si për Ballkanin, ashtu edhe për Lindjen e Mesme, Afrikën dhe Azinë.


Një shenjë e rëndësishme e historisë së drejtësisë. Një fitore e drejtësisë. Një vendim gjyqësor historik. Kështu ose ngjashëm tingëlluan komentet e shumë medieve perëndimore pasi një gjyq special në Hagë e shpalli fajtor javën e kaluar presidentin e dikurshëm të Liberisë, Charles Taylor, për krime të rënda kundër njerëzimit. Për herë të parë që nga proceset e famshme të Nürnbergut kundër klikës naziste një tribunal ndërkombëtar e dënoi një ish-kryetar shteti. Sipas mendimit të gjyqtarëve Charles Taylor luajti një rol qendror në luftën civile, e cila u zhvillua në Sierra-Leone mes viteve 1996 dhe 2002 dhe ua mori jetën së paku 30 mijë njerëzve. Në morinë e krimeve hynin vrasjet, skllavërimi seksual dhe angazhimi i fëmijë si ushtarë në luftë.
 
Gjykimi në Hagë kundër Taylor pa asnjë dyshim dërgon një sinjal ndaj krerëve të luftës dhe diktatorëve: ata nuk mund të ndihen të sigurt se do të mbeten të paprekur nga dora e drejtësisë ndërkombëtare. Por nuk duhet pasur iluzione, sepse ky mesazh nuk paraqet ndonjë risi. Ky mesazh hove-hove përsëritet qe 20 vjet, qëkur filloi shkatërrimi dhe shpërbërja e Jugosllavisë. Atëbotë e ashtuquajtura bashkësi ndërkombëtare (sidomos vendet perëndimore) mbetën të shtanguara nga përmasa e krimeve në Ballkan, të kryera kryesisht nga forcat serbe. Themelimi i Tribunalit të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi (ICTY) ishte një përgjigje dëshpëruese kundër barbarisë.
 


Assadi dhe Bashiri
 


Por edhe sot, në shumë pjesë të botës, vrasjet vazhdojnë. Duke marrë si bazë themelimin e Tribunalit të përkohshëm për Jugosllavi më vonë u themelua edhe Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) si institucion i përhershëm i drejtësisë me detyrë parësore: ndjekjen e kriminelëve të luftës. Të gjitha këto përpjekje, përfshirë edhe dënimin e Taylorit, nuk do të pengojnë kriminelët e luftës për të kryer mizori. Këtë e tregojnë edhe shembuj aktualë. Diktatori sirian Bashar al-Assad e tërheq botën për hunde, terrorizon popullin e tij dhe nuk futet aspak në gajle se mund të akuzohet nga drejtësia ndërkombëtare. Ndërkohë gruaja e tij edhe në rrethana të luftës civile në Siri bëhet temë e medieve perëndimore me eskapadat e saj të shoopingut. Një shembull tjetër: presidenti i Sudanit Omar al-Bashir kërkohet me fletarrest nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, por, njëkohësisht, në shumë vende diktatoriale dhe semidiktatoriale ai pritet me nderime. Këto ditë Bashir është duke kërcënuar Sudanin Jugor me luftë.
 


Aktakuza të stërngarkuara
 


Përkundër disa hapave të mëdhenj drejtësia ndërkombëtare prapëseprapë mbetet pa dhëmbë. Dhe e tillë do të mbetet derisa shtete demokratike si SHBA-ja dhe India, diktatura si Kina dhe vende autokratike si Rusia do ta bojkotojnë Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë. “Krimet kundër të drejtës ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e proceseve të Nürnbergut pas Luftës së Dytë Botërore, “kryhen prej njerëzve, jo prej institucioneve abstrakte. Vetëm nëse dënohen individët, të cilët kryejnë krime të tilla, dispozitat e të drejtës ndërkombëtare mund edhe të zbatohen”. Për të ndodhur kjo drejtësia ndërkombëtare duhet të bëhet më efikase. Nëse, për shembull, një aktakuzë ngarkohet aq shumë, atëherë ekziston rreziku procesi gjyqësor të zgjatet në pafundësi dhe vrasësit masivë – shikuar juridikisht – të vdesin si të pafajshëm. Kështu ka ndodhur me sundimtarin serb Slobodan Milosheviq. Dhe përgjegjëse kryesore për këtë dështim të drejtësisë ndërkombëtare është kryeprokurorja e atëhershme e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte. Për fat të keq nga ky dështim drejtësia ndërkombëtare nuk ka nxjerrë ende mësimet e duhura.
 


Drejtësia gjysmake
 


Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar një megaproces gjyqësor kundër Radovan Karaxhiqit, ish-“presidentit” të serbëve të Bosnjës. Fundi i këtij gjykimi është i pamundshëm të shihet. Nga mesi i majit po në Hagë pritet të fillojë procesi kundër gjeneralit Ratko Mladic. Gjyqtarët kanë hedhur poshtë ndarjen e aktakuzës; ata vetëm e kanë reduktuar aktakuzën në disa pika për të përshpejtuar procesin. Përfundimi? Si pasojë e dështimeve të drejtësisë ndërkombëtare vonohet drejtësia. Çdo drejtësi e vonuar është drejtësi gjysmake. Çdo drejtësi gjysmake vonon ose pamundëson procesin e pajtimit dhe paqësimit mes popujve. Nuk duhet harruar: Karaxhiqi i kaloi 13 vjet në arrati ose diçka të ngjashme, Mladiqi 16 vjet, madje të dy, herë pas here, u mbrojtën nga autoritetet serbe. Presidenti Boris Tadiq kishte premtuar pas arrestimit të Mladiqit se do të zhvillohen hetime ndaj atyre që i siguruan vendfshehje të shumëkërkuarit për krime lufte. Por kushërinjtë e Mladiqit me banim në fshatin Lazarevo, ku gjenerali kishte jetuar së fundi, para arrestimit, nuk janë prekur nga drejtësia serbe. Ata herë kujdesen për derrat e tyre, herë për sanën, e nganjëherë pjekin raki. Pra, bëjnë një jetë normale prej bujqve ardhacakë nga Bosnja në Vojvodinë. 



I ati dhe i biri 



Po ashtu nuk duhet harruar se shumë premtime të Boris Tadiqit janë vetëm premtime për t’u dukur sa më proevropian në Bruksel, Berlin, Paris, Vjenë dhe Romë. Kështu Tadiq largon vëmendjen nga fakti se i ati i tij, filozofi Lubomir Tadiq, gjatë agresionit serb kundër Bosnjë-Hercegovinës ishte hiç më pak se këshilltar i Radovan Karaxhiqit. Ky fakt është i dokumentuar në librin e historianit Florian Bieber mbi ngritjen e nacionalizmit në Serbi në vitet 80-të dhe 90-të. Assesi nuk duhet harruar se shumë diplomatëve në Perëndim nuk u pëlqen t’u përkujtohet se dikur e kanë pritur Karaxhiqin në Gjenevë për bisedime mbi gjetjen e një zgjidhjeje paqësore në Bosnjë. Ata që sot shikohen si kasapë, dje kanë qenë partnerë bisedimesh. Edhe kjo është pjesë e së vërtetës. Dhe nuk vlen vetëm për Ballkanin. Të gjithë, bash të gjithë politikanët në Evropën Perëndimore kanë ditur për krimet e Moamar al-Gadafit ndaj popullit të tij, e kanë ditur se mbreti i shkretëtirës është edhe financues i terrorizimit ndërkombëtar. Por Gadafi kontrollonte diçka me vlerë: miliona fuçi me naftë!
 
Dënimi i presidentit të dikurshëm të Liberisë, Charles Taylor, është vetëm një shkëndijë e vogël. Drejtësia ndërkombëtare duhet të dëshmojë se është më shumë se një tigër prej letre. Për këtë asaj i duhet edhe mbështetja e pakusht e politikanëve, sidomos atyre perëndimorë. Ndryshe drejtësia do të mbetet duarlidhur.
 


Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0