Home | Opinion | Nevoja për diplomacinë publike

Nevoja për diplomacinë publike

image
Shumica e shteteve kanë konstatuar se po përballen me krizë imazhi. Mekanizmat e përdorur më herët për krijimin dhe mbajtjen e imazhit janë vjetruar, teknologjitë e komunikimit po ndryshojnë çdo ditë dhe ekspertët e ngarkuar me çështjet e sigurisë po theksojnë ndikimin e identiteteve...




Fatmir Fazliu 
 
 
 
 
 
 


Në kulmin e zhvillimit teknologjik të kohës, gjithnjë e më shumë po rikthehet vëmendja ndaj ‘pushtetit të butë’ (soft power). Çështje si identitetet, besimet, qëndrimet dhe vlerat e njerëzve po vihen në qendër të interesimeve të politikëbërësve. Ky trend është shumë i theksuar edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.
 
Për t’u përshtatur ndaj këtij trendi, shtetet po i kushtojnë kujdes të shtuar diplomacisë publike. Në fakt, aktivitetet të cilat vështruar në këndvështrimin aktual klasifikohen si diplomaci publike, janë zhvilluar nga vende të ndryshme që nga kohët më të hershme. Mbretërit, princat dhe të deleguarit e tyre i kushtonin kujdes të madh paraqitjes para homologëve të tyre dhe para shtetasve të huaj. Ata e dinin shumë mirë se nga mënyra e paraqitjes së tyre varej shumë përshtypja dhe imazhi që do të krijohej për ta dhe vendet e tyre.
 
E dinin po ashtu shumë mirë se ato përshtypje do të ndikonin shumë në raportet dhe marrëdhëniet mes vendeve të tyre në të ardhmen. Më vonë, pas formimit të shteteve kombëtare, po ashtu iu kushtua shumë kujdes përpjekjeve për të krijuar dhe për të mbajtur imazh të mirë të shtetit jashtë. Nocioni ‘diplomaci publike’ (public diplomacy) në kuptimin që ky nocion ka tash, për herë të parë është përdorur më 1965 nga Edmund Gullion, diplomat karriere, në atë kohë dekan në Fletcher School of Law and Diplomacy në Tufts University. Gullion e përzgjodhi nocionin “diplomaci publike” në vend të atij “propagandë” të cilin e pëlqente më shumë, për shkak të konotacionit negativ që kishte marrë ky i fundit.
 
Ky shkrim synon të bëjë familjarizimin e publikut me konceptin e diplomacisë publike dhe zhvillimeve aktuale në këtë fushë, ofron një përmbledhje jo shteruese të sfidave dhe mundësive për diplomacinë publike kosovare dhe gjithashtu jep disa argumente pse Kosova duhet të investojë më shumë në diplomacinë publike.
 
Diplomacia publike në kuptimin tradicional përfshinë të gjitha aktivitetet e realizuara nga një qeveri, të drejtuara kah qytetarët e shteteve tjera, të cilat synojnë kuptimin, informimin dhe ndikimin e tyre, si dhe krijimin e raporteve afatgjata me ta. Këto aktivitete realizohen duke përdorur mjete si transmetimet ndërkombëtare radiotelevizive, aktivitetet e ndryshme kulturore, programet e shkëmbimeve akademike, aktivitetet sportive, turizmin, operacionet psikologjike ushtarake, diplomacinë qytetare, rrjetet sociale, ndihmat humanitare ndërkombëtare dhe forma tjera nga më të ndryshmet, varësisht nga qëllimet, burimet në dispozicion dhe rrethanat që ekzistojnë.
 
Viteve të fundit, diplomacia publike po kalon nëpër një proces reformimi të strategjive dhe mjeteve. Kjo po ndodh për disa arsye. Shumica e shteteve kanë konstatuar se po përballen me krizë imazhi. Mekanizmat e përdorur më herët për krijimin dhe mbajtjen e imazhit janë vjetruar, teknologjitë e komunikimit po ndryshojnë çdo ditë dhe ekspertët e ngarkuar me çështjet e sigurisë po theksojnë ndikimin e identiteteve, vlerave e bindjeve të njerëzve brenda e jashtë shtetit në çështjet e sigurisë nacionale e ndërkombëtare.
 
Kahet e ndryshimit të diplomacisë publike janë nga forma klasike, që bazoheshin në informimin dhe ndikimin e audiencave të huaja, të fokusuara kryesisht në imazhe dhe të realizuara nga mekanizma shtetërorë drejt një forme të re të diplomacisë publike që bazohen në komunikim, janë dydrejtimëshe dhe synon krijimin e raporteve afatgjata të mirëkuptimit dhe besimit të ndërsjellë (dhe realizohet pjesërisht nga institucione qeveritare, organizata joqeveritare, kompani private marketingu e pjesërisht nga qytetarët). Një aspekt i veçantë është fokusimi në rritje në diplomacinë qytetare.
 
Suksesi i diplomacisë publike të një vendi varet shumë nga imazhi që ai vend dhe shtetasit e tij kanë tek qytetarët e vendeve tjera. Aktualisht imazhi i Kosovës nuk është i mirë. Një studim për imazhin e Kosovës, i realizuar nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet sjell konkluzionin se Kosova vuan nga një problem serioz imazhi. Përreth Evropës emri “Kosovë” ngjall imazhet e konfliktit etnik, krizave politike dhe krimit të organizuar. Imazhi i Kosovës është përkeqësuar edhe më shumë pas akuzave për trafikim organesh. Edhe imazhi i qytetarëve kosovarë jashtë nuk është i mirë. Raportimet në media lidhur me rastet e kosovarëve të përfshirë në aktivitete kriminale dhe trendi në kinematografinë botërore për t’i paraqitur ata si kriminelë, kanë ndikuar për krijimin e këtij imazhi negativ.
 
Një pjesë e shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e kontestojnë legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë, duke ndikuar për keq në imazhin e Kosovës tek qytetarët e tyre dhe më gjerë. Përafërsisht e njëjta situatë është edhe me Shqipërinë. Hulumtimet e opinionit publik në vendet evropiane për perceptimet e qytetarëve evropianë për Shqipërinë dhe shqiptarët tregojnë qartë për imazhin negativ të tyre. Përveç këtyre, në mendjet e shumë evropianëve dhe qytetarëve në vende tjera, shqiptarët, si ata nga Shqipëria ashtu edhe ata nga Kosova, asociojnë njerëz të varfër, të paedukuar e potencialisht fundamentalistë religjiozë.
 
Megjithatë, në këtë situatë ka edhe shpresë. Një moment kthese sa i përket imazhit të kosovarëve është pasqyrimi në mediat më të njohura ndërkombëtare i viktimizimit të popullsisë civile nga ana e shtetit serb gjatë luftës së fundit. Kjo paraqitje në shkallë të gjerë ka ndikuar në zbutjen e paragjykimeve negative për kosovarët dhe mund të shërbejë si bazë për ndërtimin e një imazhi të mirë për kosovarët dhe për shtetin e Kosovës.
 
Rita Augestand Knudsen, në artikullin e saj “Kultura Politike Evropiane? Bashkimi Evropian dhe Serbia”, thekson se në procesin për zgjidhjen e statusit të Kosovës, udhëheqësia e shqiptarëve të Kosovës deri më tani ka përfituar në një mënyrë nga fakti që Serbia i ka justifikuar pohimet e saj duke e përmendur historinë, simbolet dhe mitologjinë, sepse kjo në fakt ia mundësoi Kosovës të duket si “evropiane” në sytë e bashkësisë ndërkombëtare.
 
Një mundësi potenciale për diplomacinë publike kosovare janë bashkatdhetarët tanë të shumtë që jetojnë e punojnë në shtetet e jashtme. Përkundër imazhit jo të mirë të krijuar për kosovarët në këto vende, shumica dërrmuese e tyre jetojnë me nderë dhe i kontribuojnë shumë shteteve dhe shoqërive ku jetojnë. Për më tepër, një pjesë e tyre kanë arritje të shkëlqyera në sferat akademike, të sportit, të biznesit e në fusha tjera. Nëse mekanizmat përkatëse të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës do të punojnë për promovimin e këtyre të arriturave dhe në theksimin e kontributit që kanë dhënë kosovarët për shtete e shoqëri ku ata jetojnë, kthimi i këtij imazhi aktual negativ në imazh pozitiv për kosovarët dhe për shtetin e Kosovës është synim i arritshëm.
 
Natyrisht, kjo kërkon mobilizim e përkushtim. Shembulli i një sportisti kosovar nga qyteti i Vitisë që jeton në një komunitet të vogël në Shtetet e Bashkuara, i cili me sjelljen e mirë dhe me suksesin e arritur në ekipin e tij arriti të ndikojnë që ai komunitet të ndryshojë perceptimet ndaj Kosovës, duhet të jetë mobilizues. Mediat lokale tani e shkruajnë emrin e qytetit të tij të origjinës në versionin e natyrshëm në shqip, e jo në versionin “zyrtar” në serbisht, siç bënin deri vonë kur raportonin për sukseset e tij në ekipin lokal sportiv. Për më tepër, gjithmonë e potencojnë se vendi i tij i lindjes është pjesë e shtetit të Kosovës.
 
Një numër shumë i madh ndërkombëtarësh kanë punuar apo kanë qëndruar në Kosovë gjatë dekadës së fundit. Pothuajse të gjithë ata kanë kaluar jashtëzakonisht mirë në Kosovë. Bindjet e tyre për Kosovën janë shumë më pozitive, sesa ato të bashkatdhetarëve të tyre që nuk e kanë njohur Kosovën për së afërmi. Qeveria e Kosovës mund të bëjë shumë për përmirësimin e imazhit të vendit, duke gjetur mundësi që këta njerëz me përvoja shumë pozitive të bëjnë të njohur për publikun e gjerë në vendet e tyre përvojat e tyre nga koha e qëndrimit në Kosovë.
 
Shembuj të mundësive të ngjashme ka shumë. Mjafton që mekanizmat që do të ngarkohen me zbatimin e diplomacisë publike kosovare t’i identifikojnë dhe t’i bëjnë të njohura për opinionin publik ndërkombëtar.
 
Kosova duhet të investojë më shumë në diplomacinë publike, të paktën për dy arsye. Ashtu siç është e njohur për të gjithë, Kosova aktualisht përballet me problemin e imazhit të përkeqësuar. Pasojat që rrjedhin nga ky imazh i përkeqësuar janë të njohura, që nga ngecja në procesin e njohjeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, mungesa e investimeve të huaja, e deri tek problemet e përditshme me të cilat ndeshen qytetarët kosovarë kur udhëtojnë jashtë vendit. Bashkatdhetarët tanë në diasporë po ashtu i ndjejnë shpesh pasojat e këtij imazhi negativ.
 
Arsye tjetër pse ia vlen të investohet më shumë në diplomacinë publike është fakti se duke mos pasur ndonjë potencial të madh politik apo ekonomik në marrëdhëniet ndërkombëtare, shteti i Kosovës mund të përdorë “pushtetin e butë” për t’u inkuadruar në rrjedhat e marrëdhënieve ndërkombëtare, qoftë edhe duke u bërë pjesë e ndonjë iniciative rajonale në fushën e diplomacisë publike. Mbështetja në “pushtetin e butë“, duke u fokusuar në diplomacinë publike, nuk duhet të konsiderohet si shenjë e dobësisë së pozitës së një shteti në marrëdhëniet ndërkombëtare, ashtu siç argumenton Philip Seib, profesor i zhurnalistikës dhe diplomacisë publike në University of Southern California. Për më tepër, ai thekson se nëse është e vërtetë që progresi në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të bëhet bazuar në marrëdhëniet e mira mes kombeve, atëherë “fuqia e butë” duhet gradualisht ta zëvendësojë “fuqinë e fortë” në marrëdhëniet ndërkombëtare.
 
Deri tash, Ministria e Punëve të Jashtme apo ndonjë institucion tjetër qeveritar nuk ka funksionalizuar ndonjë departament të veçantë për diplomacinë publike. Janë realizuar disa projekte të përbashkëta me institucionet joqeveritare e kompani marketingu. Disa nga ambasadat e Republikës së Kosovës kanë realizuar aktivitete që bien në fushën e diplomacisë publike, megjithatë ka nevojë për një strategji gjithëpërfshirëse për diplomacinë publike, konform strategjisë së politikës së jashtme dhe të bazuar në dije për opinionet, bindjet, qëndrimet dhe përvojat që qytetarët e vendeve tjera kanë ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarëve kosovarë.
  

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0