Latest News
Perspektiva e mjegullt europiane e Shqipërisë
Opsioni i tretë nuk varet shumë nga BE-ja. Bashkimi Europian, i zënë në një periudhë ku do të marrë “pauzë zgjerimi” për të trajtuar çështje të brendshme dhe rolin e vet në botë, nuk e ka sensin proaktiv që e kishte ndaj shteteve me perspektivë evropiane, siç ndodhte pas Rënies së Murit të Berlinit.
Veton Surroi
1.
Në momentin e festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, Shqipëria nuk do të jetë vend kandidat për anëtarësim në BE.
Impakti i një konstatimi të tillë është i thellë. Flet për historinë e vendit, që ka kaluar më shumë kohë të këtij shekulli pavarësie me mendësi lindore sesa perëndimore. Flet po ashtu për mungesën e busullës së qartë historike, që e vë vendin qartazi në rrugën perëndimore.
Shqipëria sot është shtet hibrid sa i përket identitetit të vet perëndimor.
Është shtet që i përmbush kriteret bazike të NATO-s dhe shtet që njëkohësisht nuk i përmbush kriteret bazike të Bashkimit Evropian.
Shikuar nga dimensioni institucional, ka mbërritur të marrë një notë formale kaluese të demokracisë shumëpartiake, të atillë çfarë NATO-ja me dioptrinë e vet e sheh si kontroll civil demokratik i forcave të armatosura. Por institucionet e krijuara nga kjo demokraci shumëpartiake ende nuk janë të afta të konsiderohen si pjesë të një demokracie funksionale. Institucionet janë të vendosura, apo shprehje më e mirë, të zëna, në hapësirën mes formës së shumëpartizmit dhe përmbajtjes së demokracisë së Kopenhagës.
Shikuar nga dimensioni historik, Shqipëria është aty ku ishte Turqia përgjatë gjysmëshekullit të kaluar, pra një vend anëtar i NATO-s, por një vend, që për arsye të tjera, nuk arrin të jetë anëtar i BE-së.
Vetëm se, në këtë aspekt me dallimin se krahasuar me Turqinë, Shqipëria ka avantazhin e udhëtimit pa viza të qytetarëve të saj. Ndërsa në aspektin institucional, krahasuar me Shqipërinë, Turqia ka avantazhin e të qenit shtet kandidat për anëtarësim prej vitit 1999.
Vendi është ende në gjendje të paqartësisë së përcaktimit për zhvillimin e vet historik. Kështu, ai ka tri opsione të ardhmërisë së tij evropiane në dhjetëvjetëshin në vijim.
2..
Opsioni i parë është ai i akomodimit me gjendjen e sotme hibride, pra që Shqipëria të vazhdojë të jetojë në hapësirën mes identitetit të vet NATO dhe mungesës së identitetit të vet BE. Vendi tashmë ka filluar akomodimin me një opsion të tillë, duke u refuzuar kërkesa e tij për status kandidati, nga njëra anë, dhe duke mos u angazhuar për përmbushjen e kërkesave eksplicite të BE-së, nga ana tjetër. Pra, kemi të bëjmë me një vendim racional të elitave; ky vendim mund të dalë nga analiza se vendi nuk ka gjasa të hyjë së shpejti në BE, dhe në vend se të harxhojë kohë e mund në reforma (posaçërisht ato që mund t’ia marrin legjitimitetin qeverisës), duhet të përcaktohet për rritje të shpejtë ekonomike, duke lënë mënjanë aspekte të tjera të rritjes së vendit (liritë dhe të drejtat themelore, sundimi i ligjit, etj.).
Ky opsion mund të jetë duke ndodhur në Shqipërinë e sotme, ku çështjet e sundimit të ligjit, çështjet e lirive dhe të drejtave të njeriut, çështjet e një tregu të konkurrencës marrin dimension nëpërkëmbjeje, përderisa njëkohësisht shënohet rritja ekonomike, sado të jetë e vogël për nevojat reale të vendit.
Ky opsion mund të ecë për një kohë, por jo shumë të gjatë. Vendet që kanë zhvilluar me sukses këtë model, si Turqia e dikurshme (apo më herët Koreja e Jugut) janë shtete me tregje shumë të mëdha të brendshme dhe kapacitet shumë të madh eksportues. Shqipëria nuk e ka as njërën e as tjetrën: as tregun e madh të brendshëm e as kapacitetin eksportues. Vendi është i varur, më shumë se ç’mendon nga ndërlidhja me BE-në, së fundmi edhe nga konstatimi bazik i gjeografisë se Shqipëria nuk mund të jetë një “ishull lindor” në shtrirjen perëndimore të Evropës.
3.
Opsioni i dytë është “procesi otoman” i ardhmërisë evropiane.
Pas integrimit të Kroacisë, BE-ja do të ballafaqohet me një rrafsh problemesh, që herë koincidentalisht e herë jo lidhen me Turqinë dhe me identitetin otoman. Shqipëria, me zvarritjen e saj reformuese është larguar nga grupi i vendeve kandidate (tashmë Mali i Zi dhe Serbia, madje edhe nga Maqedonia që vuan problemet e kontestimit të identitetit të vet). Po ta vazhdojë vendnumërimin, do të hyjë në grupin e shteteve jofunksionale, siç janë Bosnjë- Hercegovina dhe Kosova.
Këto dy shtete jofunksionale, pos dimensioneve të tjera, kanë edhe problemin e shtrirjes territoriale, pra janë shtete të papërfunduara për nga sovraniteti. Një faktor i tillë është shumë domethënës për Shqipërinë, zhbërja eventuale e Bosnjë-Hercegovinës dhe rrjedhimisht e Kosovës (apo anasjelltas) do të ndërlidheshin me kapacitetin (edhe territorial) të Shqipërisë për integrim. Këtij ndërlikimi do të duhej shtuar dhe potencialin imploziv të Maqedonisë.
Në raste të ndryshimeve hartash, një Shqipëri e bashkuar me Kosovën do të kishte nevojë të harmonizonte institucionet e dy ish-shteteve të pavarura, gjë që do të zvarriste edhe më tej integrimin. Nga ana tjetër, një Kosovë e bashkuar me Shqipërinë do të kapërcente automatikisht fazën e stabilizim-asociimit dhe të anëtarësimit në NATO.
Tërë këtij kompleksi “shtetesh të papërfunduara” do të duhej shtuar kornizën e madhe “otomane”. Turqia, në raportet e tanishme politike evropiane, nuk shihet si anëtare e ardhshme e Bashkimit Evropian.
Në këtë cilësi, të shtetit (jopublikisht) të refuzuar, Turqia u bën shoqëri shteteve që për arsye të tjera, të mosfunksionimit, e koincidentalisht me popullatë të madhe të traditës myslimane otomane, janë në vonesë integrimi.
I tërë dhjetëvjetëshi në të cilin jemi mund të kalojë me kësi procesi. Dhe koincidentalisht apo jo, një datë tjetër historike do të jetë relevante për Shqipërinë. Më 1923, kur të festohet 100-vjetori i Republikës turke të themeluar nga Ataturku, mund të ndodhë lehtësisht që së bashku me Turqinë, në Bashkimin Evropian të mos jenë Shqipëria, Bosnjë- Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova.
4.
Opsioni i tretë është “post-Mečiar”. Nëse përjashtohet personalizimi, pra përpjekja për ta identifikuar njërin lider me tjetrin, që realisht do të largonte temën e debatit, mbetet vlera e mësimit të evoluimit evropian të Sllovakisë momenti i masës kritike për transformim.
Sllovakia në pjesën e parë të jetës së saj si shtet i pavarur u sundua nga një politikë, e cila ishte produkt i një sistemi pluralist shumëpartiak, por që çështjen e demokracisë funksionale e vuri në plan të dytë. Epoka e kryeministrit Mečiar u karakterizua me korrupsion dhe ngritje të tendencave autoritare, përcjellë me klientilizmin e pashmangshëm.
Vetëm kur u arrit një masë kritike, në tërë spektrin politik, te të djathtët, qendra dhe e majta, me një përkrahje të madhe të shoqërisë civile, pra një masë kritike për të ndërruar këtë formë qeverisjeje u arrit konsensusi shoqëror, gjegjësisht masa kritike për transformim. Sllovakia me të shpejtë ndërmori reforma, të cilat e bënë anëtare të BE-së, një proces prej nga ishte përjashtuar, ndonëse qe fillimisht pjesë e Grupit të Vishegradit.
Shqipëria ballafaqohet me një dilemë të ngjashme çfarë kishin sllovakët, ndonëse, kuptohet, në kushte krejtësisht të veçanta për vendin.
5.
Të tria opsionet janë të mundshme për Shqipërinë.
Opsioni i parë dhe i dytë mund të zhvillohen me inercion. Nëse nuk ndryshon gjë në jetën e vendit, në media, politikë dhe në institucione të shtetit, lehtë mund të parashikohet se si Shqipëria mund të thellohet në Lindje, përderisa simboli i dikurshëm i Lindjes, Turqia, thellohet më shumë në Perëndim.
Opsioni i tretë nuk varet shumë nga BE-ja. Bashkimi Evropian, i zënë në një periudhë ku do të marrë “pauzë zgjerimi” për të trajtuar çështje të brendshme dhe rolin e vet në botë, nuk e ka sensin proaktiv që e kishte ndaj shteteve me perspektivë evropiane, siç ndodhte pas Rënies së Murit të Berlinit. Opsioni i tretë varet në masën më të madhe të mundshme nga vetë shqiptarët.
(Ky shkrim u mbështet në fjalën e autorit, të mbajtur në konferencën “Shqipëria në dhjetë vitet e ardhshme”, të mbajtur në Tiranë javën e kaluar)
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment