Home | Opinion | Lojtarë në terren të huaj

Lojtarë në terren të huaj

image
Të tjerët i bien tupanit, shqiptarët vallëzojnë dhe rrezikojnë të fundosen. Këtë e tregojnë sidomos zhvillimet në Maqedoni, ku feja përzihet në politikë dhe kështu diskreditohet angazhimi për respektimin e të drejtave kombëtare
 
 


Enver Robelli

 
 
 
 
 


Të tjerët i bien tupanit, shqiptarët vallëzojnë dhe rrezikojnë të fundosen. Këtë e tregojnë sidomos zhvillimet në Maqedoni, ku feja përzihet në politikë dhe kështu diskreditohet angazhimi për respektimin e të drejtave kombëtare

“Një nga simbolet më përcaktuese të identitetit kombëtar është kapuçi. Po e ndërrove atë, me automatizëm, e ndërron edhe identitetin kombëtar. Bie fjala, nëse një shqiptar do të pranonte ta mbulonte kokën me kapuçin serb, ‘shajkaçën’ do të identifikohej nga të tjerët si serb dhe, anasjelltas, nëse një serb do ta mbante plisin e bardhë, pa dilema do të perceptohej si shqiptar. Prandaj, këto mundësi hipotetike nuk ndodhin në realitet, pos në skena teatrore ose në filma ku kostumografi, përmes veshjes, e identifikon përkatësinë etnike të personazheve. Mirëpo, çuditërisht, këto parime nuk vlejnë për huazimet nga popujt e tjerë. Shumë shqiptarë nuk janë të vetëdijshëm se kapuçat që i mbajnë, terllëqet e famshme, u takojnë popujve semitikë, arabo-hebrenjve” – Arben Xhaferi në librin “Në Tetovë, në kërkim të kuptimit”
 
Të fillojmë me një supozim dhe një pyetje njëkohësisht: a mund të jetë manipulim i pushtetit maqedonas? Të arrestosh me bujë dhjetëra shqiptarë nën akuzën se janë autorë të vrasjes makabre të pesë maqedonasve mund të ketë efekt në politikën e brendshme. Të aludosh se pesë maqedonas u vranë nga fundamentalistët myslimanë të trajnuar në Pakistan dhe Afganistan – kjo mund të bëjë jehonë ndërkombëtare. Dhe bëri: të gjitha agjencitë e lajmeve dhe pothuaj të gjitha gazetat perëndimore njoftuan për arrestimet në Maqedoni. Për Qeverinë e Maqedonisë arsyetimi i vrasjeve me prapavijën fundamentaliste islamike është mirëseardhës: vrasja nuk kualifikohet si ballafaqim ndëretnik (maqedonas kundër shqiptarëve dhe anasjelltas), por si sulm i qarqeve ekstremiste islamike, të cilat mund të jenë të inspiruara nga jashtë.
 
Ç’bën vaki pastaj? Dalin shqiptarët për të kërkuar kinse të drejta kombëtare dhe për të protestuar kundër arrestimeve në Maqedoni, por nuk kanë asnjë kërkesë të logjikshme politike. Në vend të tyre çirren “Allahu-Akbar” dhe “Shqipëri Etnike”. Valëvitin flamuj arabë dhe aty-këtu, sa për sy e faqe, ndonjë flamur kombëtar. Protestojnë kundër shtypjes nga shteti maqedonas me flamuj të xhihadit. Nuk bartin plisa, por kryesisht kapuça piratësh dhe beduinësh. Në të ashtuquajturën protestë të Shkupit pjesëmarrësve u mungonin vetëm ibrikët dhe legenët për avdes! Në protestën e ardhshme me siguri vjen edhe Shefqet Krasniqi nga Prishtina, kanakari i qarqeve ekstremiste islamike. Atë edhe policia serbe e kishte lejuar të shkojë në Preshevë për t’u folur shqiptarëve për fenë, por jo për atdheun! Për fat të keq në trenin e popullizmit fetar kacavirren edhe disa politikanë shqiptarë të Maqedonisë. Përzierja e fesë në politikë dhe anasjelltas si dhe zbritja e kërkesave politike në mesazhe fetare vetëm mund të çojë ujë në mullirin e propagandës nacionaliste maqedonase.
 
 
 
Karnavali i Shkupit
 
 
 
Jo pak shqiptarë në Maqedoni duhet ta pyesin veten në mos janë duke luajtur në terren të huaj me këso protestash me elemente karnavali. Edhe nëse dëshmohet se arrestimet e fundit janë një montazh i autoriteteve të Shkupit, shqiptarët duhet të hapin një debat kritik mbi rolin destruktiv të elementëve fetarë islamikë në mesin e tyre. Shumica e shqiptarëve në Maqedoni, por edhe në viset e tjera të banuara me shqiptarë në Ballkan nuk kanë rënë pre e joshjeve fundamentaliste. Por nuk mund të mohohet se një pakicë gjithnjë e më agresive përpiqet të imponojë agjendën e saj të prapambetjes. Disa i këndojnë Bin Ladenit, të tjerët propagandojnë sheriatin dhe luftojnë vlerat demokratike perëndimore, teologë me mendësi beduinësh japin leksione për mospërdorimin e Facebook-ut, të tjerët synojnë të marrin nën kontroll xhami dhe me falangat e tyre religjioze të diktojnë se kush është mysliman i vërtetë e kush jo. Në vitin 2010 në xhaminë e Isa Beut në Shkup madje u përleshën fizikisht grupe besimtarësh. Në këtë batërdi ishin të involvuar edhe politikanë, të cilët në mungesë të programeve cilësore për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve besimin e masës synojnë ta fitojnë me anime ndaj grupeve të caktuara fundamentaliste.
 
 
 
Ndihma e një çetniku
 
 
 
Sot pothuaj në të gjitha viset shqiptare në Ballkan mungojnë teologë islamë, të cilët janë mendjehapur, të gatshëm për të përqafuar ligjet e shtetit laik. Edhe ata pak imamë liberalë gjenden nën presionin e radikalëve. Në Kosovë ende nuk janë zbuluar personat që rrahën teologun Xhabir Hamiti, i cili prej vitesh ka tërhequr vëmendjen se feja nuk bën të keqpërdoret për qëllime politike. Shoqëritë që heshtin ndaj krimeve dhe bashkëjetojnë me krimin zor se mund ta gjejnë rrugën e paqes. Keqpërdorimi i religjionit, i secilit religjion, paraqet rrezik sidomos për shoqëritë shumëkonfesionale. Shqiptarët në Ballkan janë shoqëri shumëkonfesionale. Gjatë historisë ka pasur shumë shembuj të teologëve islamë që luftën për të drejta kombëtare e kanë parë si prioritet, sepse pa atdhe nuk ka as fe. Por në shoqëritë shqiptare është heshtur edhe për disa rrëshqitje makabre të teologëve islamë. Disa edhe pas fundosjes së Perandorisë Osmane kërkonin kthimin e “babës Sulltan”, të tjerët hidhnin poshtë alfabetin me shkronja latine të miratuar në Manastir, duke e diskualifikuar si “alfabet të të pafeve”. Sot mund të duket e pabesueshme, por pas Kongresit të Alfabetit në Manastir më 1908 fushatën kundër shkronjave latine ndër shqiptarë e mbështeti edhe Organizata e serbëve osmanë me seli në Shkup! Nën drejtimin e prijësit çetnik Radenkoviq dhe me miratimin e xhonturqve atëbotë në Kosovë dhe Maqedoni u themeluan degë për të luftuar alfabetin latin dhe për ruajtjen e alfabetit arab. Janë të njohura rastet kur hoxhallarë analfabetë shërbyen me djallëzi në procesin e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi në vitet 50-të.
 
 
 
Këmbët në legen
 
 
 
Ku jemi një shekull më vonë? Ende duke mbajtur këmbët në legen, duke u flladitur në përralla dhe duke valëvitur flamuj të huaj për qëllime të huaja. Madje në pikë të ditës disa shqiptarë mund të ekzaltohen me lajme të rrejshme se si, ta zëmë, kryeministri turk Erdogan paskësh thënë se vendi i tij do të mbështesë shqiptarët në angazhimin për krijimin e një shteti etnik shqiptar. Priti pastaj komentet shkumëzuese të budallenjve shqiptarë të stolisura me lavdërime për kthimin e Turqisë në Ballkan si dalëzotëse e kombit mysliman shqiptar! Kështu me përralla jetohet më lehtë; të plotësosh standarde evropiane, të ndërtosh shtet funksional është pak më vështirë. Turqia vërtet është fuqi rajonale, vërtet ekonomia e saj sot është ndër më të fuqishmet në botë, por do të duhen dekada derisa ky vend të bëhet model edhe i demokracisë. Nëse shqiptarët kanë kohë të presin derisa Stambolli të bëhet Bruksel, atëherë është mirë që tani t’i nxjerrin nga trapazani nargjiletë dhe të shpresojnë se bëhet mirë, se vjen dikush dhe na i vë punët në terezi. Deri atëherë edhe Sali Berisha mund ta përsërisë refrenin se turqve u pëlqejnë gratë shqiptare. Nëse e zbresim në humor këtë deklaratë, atëherë mund t’ia kujtojmë kryeministrit të Shqipërisë se edhe Silvio Berlusconit i pëlqejnë femrat shqiptare. Kështu i pati thënë Berishës publikisht në Romë vetë Berlusconi: “Saliu më ftoi që të vija në Shqipëri. Por ka vetëm një kusht që unë të vij në Shqipëri. Socialistët deri më tani nuk më kanë prezantuar asnjë vajzë të bukur. Nëse ai ma prezanton një, atëherë unë vij që nesër në Shqipëri”.
 
 
 
Kur bëhesh vetë gaz i botës, pse të presësh respekt nga të tjerët. Kjo vlen edhe për atë grusht protestuesish në Shkup që politikën e ngatërrojnë me fe, xhaminë me sallë parlamenti dhe Kuranin me Kushtetutë.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0