Home | Opinion | Rruga për në Europë

Rruga për në Europë

image
Vetëm ligjet që kanë kuptim, logjikë dhe janë të zbatueshme në të mirën e shoqërisë dhe rendit, do të na e lehtësojnë rrugën nëpër “bisedat e strukturuara” me Europën.

 

 

 

Flaka Surroi

 

 

 

Pamje e paharrueshme: një grumbull fëmijësh, mbase parashkollorë, e ngadalësojnë marshimin nën udhëheqjen e mësueses, për t’u ndalur në mes te rrugës, të mahnitur dhe duke mos e fshehur çudinë tek e shihnin atë duke ecur këmbë -- normal, ashtu siç kishte bërë gjithë jetën. Me inerci të pandalshme të fëmijëve të sinqertë që nuk i përmbajnë dot emocionet, nja tre a katër i sulen gjithë buzëqeshje për ta përqafuar atë -- figurën dhe heroinën e padiskutueshme të javës së fundit, që është shfaqur aq shpesh në ekranet televizive ditëve të fundit, sa do të ketë bërë që politikanët të vlonin nga xhelozia :). 

 

Rona Nishliu e përjetoi mbase momentin më kuptimplotë që ia solli fitorja virtuale në Eurovizion – një vend i pestë me vlerë të diskut të platinit – admirimin e atyre që, besoj, janë ende të vegjël për t’i shtirur ndjenjat. Një reagim spontan që pasqyronte plotësisht, besoj, gjithë emocionin që ndiem që të gjithë shqiptarët tek shihnim sesi Rona kishte zënë vend në mesin e pesë më të mirëve – gjithnjë duke ruajtur buzëqeshjen e saj aq karakteristike dhe duke e mbajtur kokën lart, plot dinjitet, duke i dëshmuar Evropës se edhe popujt e vegjël i kanë margaritarët e tyre.

 

Me siguri se “ronamania” do të na zgjasë edhe ndonjë ditë – se kështu e kemi ne kosovarët, safi eufori. Hallakatemi nja dy javë a tri, e mandej e qesim në sirtar, deri në euforinë e ardhshme – si për shembull festimi i kampionit evropian në futboll, përcjellë me fishekzjarrë të lirë importuar nga Kina. Por pavarësisht kësaj, tashmë është shkruar një kapitull shumë i ndritur në muzikën shqiptare në përgjithësi, e posaçërisht atë kosovare, ku emri i Ronës do të shkruhet me të arta.

 

Nuk na zgjati shumë lezeti i asaj mbrëmjeje, ngase duhej kthyer në realitetin tonë, i cili këtë javë solli në thyerje ritmi dhe nja dy momente të pritura prej kohësh. Së pari kaluam nëpër përvojën e përcjelljes së një palë zgjedhjeve për kryetar komune, që u karakterizuan me një fitore të lehtë të PDK-së dhe me një dalje mjaft të ulët të elektoratit, që me një matematikë të thjeshtë tregonte se kryetari i Ferizajt u zgjodh me rreth 14 mijë vota, prej 100 mijë votuesve sa paska kjo komunë. Përderisa kryetari i PDK-së deklaroi se kjo fitore dëshmonte për trendin e disponimit të votuesve në Kosovë, ana tjetër e spektrit politik shpjegonte se si nuk pati interesim që të dilej në zgjedhje, ku mandati i kryetarit do të zgjaste më pak se dy vjet; ku LDK-ja kishte djegur qëllimisht një kandidat me shumë pak gjasa për të fituar, por që përfaqëson “gardën e vjetër” që duhet larguar nga nomenklatura udhëheqëse partiake dhe, se njerëzit tashmë ishin dorëzuar, ngase “cilido që do të vinte në pushtet, nuk do të ndryshonte gjë”, marrë parasysh krizën e thellë në të cilën gjendemi. 

 

Pra, episodi i zgjedhjeve kaloi fatmirësisht pa incidente, por na kushtoi rreth 300 mijë euro – shumë të shtrenjta që do të detyrohemi t’i paguajmë sërish për zgjedhjet e reja në Kaçanik, e mbase edhe në ndonjë komunë tjetër ku kryetari mund të dënohet me burgim. Mbase edhe kjo do të duhej të ishte një temë diskutimi për komisionin që merret me reformën zgjedhore – që të parashihet posti i nënkryetarit, apo i ndonjë zyrtari që do të mund ta zëvendësonte kryetarin në rast të vdekjes, shpalljes së paaftë apo dënimit me burgim. Do të ishte më praktike dhe do të humbeshin më pak para, energji dhe kohë.

 

Pas zgjedhjeve pasoi njëri moment i pritur prej kohësh - vizita e një delegacioni të madh kuvendaro/qeveritar në Bruksel dhe takimi me komisarin Füle, ku më në fund u konfirmua udhërrëfyesi për vizat dhe u përmendën “negociatat e strukturuara”, të cilat zor se i merr vesh kush se çfarë domethënie kanë. Në një ambient shumë të çuditshëm, të ulur rreth tavolinave që mbanin mbishkrimet e emrave të tyre shkruar fillimisht me mbiemra e më pas me emra (sipas mënyrës sllave të prezantimit – a thua ishte gafë protokollare apo protokoll i ri, do të kuptojmë mbase dikur), kosovarët dëgjuan mbase informatat e para mbi atë se çfarë do të jenë kushtet që duhet plotësuar për të arritur përafrimin me Evropën. E ata që merren vesh në punë evropiane, tregojnë se negociatat mund të zgjasin shumë gjatë, por e kanë një anë shumë pozitive në të: përmbajnë kushte të ashpra që duhet plotësuar nga pala kosovare. E mbase kjo më në fund do të na këndellë pak si shoqëri e shtet, e nisim me u marrë seriozisht me shtetndërtim e më pak me interesa personale. Kjo, ngase tema e parë që është përzgjedhur për këtë dialog është fusha e rendit dhe e ligjit, aty ku Kosova çalon më së shumti.

 

Çalim të cilin në mënyrën më të prekshme të mundshme mund ta ilustrojnë dy raste që u veçuan javën e shkuar: rasti i gjykatësit në Klinë, që dyshohet për kryerjen e madje 260 akteve kriminale që dihen (e kush e di edhe sa të tjera që nuk dihen) në bashkëpunim me një rrjet të organizuar profesionistësh, që për rezultat të punës e patën mashtrimin dhe përfitimin e paligjshëm të pasurisë. Rasti i dytë është ai i “patriotëve” shqiptarë të arrestuar si të dyshuar për pjesëmarrje në kontrabandë me naftë në bashkëpunim me “capon” e krimit dhe të kontrabandës në veri, Zvonko Veselinoviq. Rezultati përfundimtar i aktivitetit të tyre atdhedashës ishte shpëlarja e parave në ndërtimin e objekteve banesore që, do të vijë dita, nuk do të ketë më kush t’i blejë. Por për këtë temë më vonë.

 

Pra, pas luftës, Kosova është bërë gjeneruese e llojeve nga më të ndryshme të krimit dhe të punëve të papastra dhe në kundërshtim me ligjin. Në masë të madhe edhe për shkak se nuk e ka të shtrirë sovranitetin në të gjithë territorin e vendit, për shkak se një e katërta e territorit të vet është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Qeverisë së Beogradit, që tash udhëhiqet nga një njeri që i mohon edhe gjenocidin në Srebrenicë e edhe krimet në të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi. Nga njeriu që e ka diskursin shumë më pak diplomatik dhe shumë më tepër fashist sesa Tadiqi, por me të cilin e ka të përbashkët një gjë: Kosovën dhe ëndrrën për djepin e serbizimit. Njeriu, i cili do t’ia dëshmojë Evropës se përkrahjen që ia bënë Tadiqit në dëm të Kosovës, e bënë për kot, sepse kur është fjala për Kosovën, nuk ka dallim se cili çka flet në publik, sepse që të dy veprojnë njësoj në terren. 

 

E nëse nuk e besojnë, le ta marrin shembull intervenimin e djeshëm të KFOR-it amerikan në Rudar të Zveçanit, në përpjekje për ta hequr barrikadën. Popullata “civile” u ftua që të dilte para barrikadës me sirena të alarmeve për sulme ajrore; dhe “popullata duarthatë” ia doli t’i plagoste dy ushtarë të KFOR-it, në përpjekjen e pritur prej kohësh që të zhbllokoheshin rrugët dhe urat që mbahen të mbyllura për qarkullim joserb (dhe jokontrabandues, për të qenë korrekte) që gati një vit. Nuk e di nëse KFOR-i e ka përnjëmend kësaj radhe dhe nëse do t’u rezistojë stoikisht sulmeve të “popullit të gjorë e të pambrojtur serb”. Nuk e di nëse edhe ky aksion do të shuhet me urdhër politik. Por një gjë është  e sigurt -- ky është rasti më i mirë që ka pasur bashkësia ndërkombëtare në këto vitet e fundit që ta kushtëzojë Serbinë me bashkëpunim rajonal, po qe se do ta arrijë qëllimin e anëtarësimit në BE. Pra, bashkëpunimin rajonal, që nënkupton tërheqjen e plotë të policisë serbe nga veriu dhe kufizimin e ndikimit politik dhe financiar të Beogradit mbi strukturat paralele në Mitrovicë me rrethinë.

 

Nëse nuk shfrytëzohet ky rast, çështja e veriut do të zvarritet e zvarritet deri kush e di sa larg, përderisa të vetmit që do t’ia shohin hairin do të jenë ata që dëshmojnë se janë për bashkëpunimin “vëllazërim-bashkim” dhe ata që nuk u pengon se pse ortakun më të mirë e kanë shqiptarin apo serbin, varësisht nga cila anë shikon. Se, sa na përket neve, vështirë se do të mund të bënim çfarëdo qoftë – e dëshmoi këtë Qeveria vjet më 25 korrik. Dhe sot e kësaj dite ende gënjen se ka prezencë zyrtare në veri.

 

Më vjen keq ta them, por as KFOR-i e as veriu, e as hallakama atje, megjithatë nuk mund t’ia zënë primatin të nderuarit Kuvend të Kosovës, që edhe kësaj radhe e kaloi një ligj, i cili nxiti shumë polemika dhe me gjasë, tash e mbas, do ta bëjë legal kaosin e instaluar si sistem organizimi shoqëror, hapësinor e urban.

 

T’ua them të drejtën, duke qenë kompani, e cila, tash gati po bëhen 7 vjet (dhe me shkronja SHTATË), pret pajisjen me leje të ndërtimit për objektin afarist nga Komuna e Prishtinës -- nuk e di nëse biem në kategorinë e atyre që duhet të gëzohen apo të vajtojnë për miratimin e këtij ligji. Sipas një formulimi mjaft konfuz në projektligj, del se ky ia mundëson investitorit që, nëse brenda 30, përkatësisht 45 ditësh nuk merr përgjigje nga Komuna në lidhje me kërkesën për leje ndërtimore, konsiderohet se leja është miratuar dhe se këtë leje duhet ta lëshojë organi përkatës komunal (sic!). 

 

Pra, po del se në momentin që të hyjë në fuqi ligji (që është 90 ditë nga dita e miratimit) dhe 30 ditë më pas, organi përkatës i Komunës do të duhej të na pajiste me leje ndërtimi. Natyrisht, kjo ndodh po qe se respektohen dispozitat e këtij ligji dhe që ndërkohë të miratohet Kodi i përgjithshëm i ndërtimit. Pra, po qe se nuk marrim përgjigje në aplikacionin tonë, i cili mund të mos jetë i kompletuar si duhet dhe të jetë në mospërputhje me Kodin, ne do të mund ta ndërtonim një objekt, i cili mund të mos përputhet me planin rregullues e besa as me planin hapësinor të Kosovës, të miratuar para disa vjetësh, e që, megjithatë, i ka përcaktuar disa parametra që kanë merituar të respektohen.

 

Shikuar nga interesi ynë i ngushtë, ne do të duhej t’i gëzoheshim këtij ligji, për shkak se më në fund Komuna do të detyrohet të na japë leje ndërtimi, që është peng, na thonë, i planit rregullues për atë pjesë të Prishtinës, që ka dhjetë vjet që nuk bëhet. E mbi të gjitha që është peng i vullnetit tonë të mirë për të respektuar rendin dhe ligjin për të mos ndërtuar pa leje, në një mëhallë ku tashmë janë ndërtuar nja 200 apo 300 shtëpi, e një shkollë, e një hotel, e disa restorante, e ca fabrika e uzina – ia qëlloni, pa leje (pos mbase shkollës, po supozoj). 

 

Mirëpo nga aspekti i gjerë shoqëror, sipas asaj që kanë folur arkitektët dhe planifikuesit urbanë, ky ligj do ta shndërrojë të tërë Kosovën në një kantier pa kontroll, ku e gjithë toka do të bëhet ndërtimore; ku do të ndërtohen objekte që do të shërbejnë për pastrimin e parave të pista e që nuk do të kenë kujt t’i shiten më, ngase të gjitha paratë do të mbyllen në flluskë – në ndërtim që nuk gjeneron të hyra. Për më tepër, ka dyshime të bazuara se ligji do të mund t’u shërbente zyrtarëve komunalë për t’u pasuruar, duke marrë para për t’i mbyllur sytë ndaj kërkesave të pakompletuara, ose të kompletuara keq dhe në kundërshtim me Kodin, duke e lënë që të kalojë afati 30-45-ditor që të merret leja e ndërtimit për çfarëdo qoftë. Do të mund t’u shërbente edhe atyre të Ministrisë për objekte të rrezikshmërisë së lartë dhe të interesit publik, e që mund të realizohen nëpërmjet investimit publiko-privat.

 

Mbase edhe ky do të jetë një ligj, që do të duhej të kthehej në procedurë nga kryetarja, për shkak të rreziqeve që ai ngërthen në vete. Mbase do të duhej pyetur dhe konsultuar ata që janë pak më ekspertë të fushës së ndërtimit, dhe të mos u lihet deputetëve që të tregohen të gjithëdijshëm edhe aty ku nuk e kanë as idenë për çka po flitet. Mbase nuk është e rastit e gjithë zhurma që e bënë arkitektët dhe ndërtimtarët dhe nuk kam hapësirë të dyshoj se nuk është fare e rastit që asnjëri nga propozimet e tyre nuk u mor parasysh. 

 

Rruga për në Evropë pa viza është e gjatë, më thotë mikja ime Venka, pavarësisht se çfarë thotë Qeveria. Kurse rruga për në Evropë për të mbetur aty është edhe më e gjatë dhe varet, ndër të tjera, edhe nga bisedimet që BE-ja tash i quan “të strukturuara” e që janë ato që i përcaktojnë kushtet që duhen plotësuar. E kushtet plotësohen duke bërë ligje të aplikueshme dhe të dobishme. Jo duke miratuar ligje që duhen kthyer në procedurë se janë në kundërshtim me normat evropiane dhe demokratike. Përderisa më së shumti plotësohen kur nxirren ligje që zbatohen dhe respektohen. Pra, nuk është për t’u çuditur se përse tema e parë e bisedimeve është rendi dhe ligji... nuk është rastësi.. ashtu siç nuk është rastësi që margaritari ynë të ketë mbërritur e para në Evropë – me mund të vetin dhe me meritë.  

 

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0