Home | Opinion | Vizat, rruazat dhe pasqyrat

Vizat, rruazat dhe pasqyrat

image
Në librat e negociatave ndërmjetësit evropianë mund që tash të hyjnë si jashtëzakonisht të suksesshëm: kanë shitur liberalizimin e vizave sikur kolonizatorët anglezë pasqyrat dhe rruazat e lira indianëve amerikanë në këmbim për ari.

 

 

 

Veton Surroi

 

 

1.

 

Politika e jashtme e Kosovës sot e ka humbur kuptimin elementar të fjalës. Nuk është politikë, nuk është e jashtme dhe nuk është e Kosovës.

 

T’ia fillojmë prej të parës. 

 

Politika e jashtme e Kosovës nuk është politikë , sepse i mungon një platformë strategjike bazike së bashku me një program operacional për zbatimin e kësaj platforme. Që të dyja do të duhej të kishin kaluar nëpër Kuvendin e Kosovës, qoftë në formën e vet plenare , qoftë në Komisionin për politikë të jashtme, por deri tani kjo gjë nuk është bërë. Ç’është e vërteta, këtë e ka kuptuar edhe Ministria e Jashtme në mandatin e dytë qeverisës, dhe është duke bërë konsultime me konsulentë ndërkombëtarë, disa prej të cilëve janë të dijshëm për Kosovën dhe sfidat e veta ndërkombëtare. Në vitin e pestë të pavarësisë, vendi ndoshta do të ketë gjasa ta ketë politikën e vet të hartuar të jashtme, me çka automatikisht nënkuptohet se për pesë vjet ka ecur botën symbyllazi.

 

Në këtë ecje symbyllazi, qenë të përfshirë presidentja, zëvendëskryeministri për njohje, zëvendëskryeministrja për dialog teknik, ministri i jashtëm, ministrja për Integrime Evropiane, së bashku me shefin e tyre të përbashkët kryeministrin dhe nivelin e tij të dijes - që të gjithë aktorë të asaj që në emër duhej të ishte politika e jashtme e Kosovës.

 

2.

 

Qoftë si pasojë, qoftë si shkak, politika e Kosovës me botën nuk mund të quhet e jashtme. Ajo në mënyrë dramatike është reduktuar brenda kufijve territorial të Kosovës, sipas projeksionit të Serbisë. Nga ana e këtij vendi, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka ekzistuar një përpjekje e orkestruar që i tërë kompleksi i marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës të kalojë nëpër dyert e marrëdhënieve me Serbinë. Fitorja e parë e Serbisë qe shënuar që nga muaji i parë i pavarësisë së Kosovës, me djegien e pikave kufitare të veri të vendit, pasuar nga plani gjashtëpikësh i Ban Ki-moonit. Që nga atëherë u shënua depërtimi i Serbisë që të shndërrohet në palë, e cila duhet të pyetet për jetën e brendshme në Kosovë.

 

Ky depërtim fitoi hov me ofensivën serbe pas shpalljes së Mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës dhe Rezolutës së mëpastajme të Asamblesë së Përgjithshme për Kosovën për “dialogun” mes Prishtinës dhe Beogradit.

 

Kulmi u mbërri me “dialogun”, një proces negociator në të cilin Kosova pranoi, me dorë të veten, parimin e bashkëqeverisjes mes Kosovës dhe Serbisë (legjitimitetin e dokumenteve kadastrale dhe të regjistrit civil në të dyja kryeqytetet, për shembull), madje edhe pajtimin me Serbinë se statusi i vendit nuk ka përfunduar me shpalljen e pavarësisë (fusnota, me të cilën pranohet administrimi i Kosovës brenda Rezolutës 1244).

 

Në javët e kaluara, para dhe pas zgjedhjeve serbe, dhe në javët që vijnë, është në rritje kërkesa e zërave me ndikim në Evropë që Kosova dhe Serbia të ulen për një proces negociator rreth pjesës veriore të vendit.

 

Kështu mbyllet qarku i një politike të supozuar të jashtme: ajo duhet të merret me çështje të brendshme, madje edhe me çështje territoriale të brendshme.

 

Efekti i mungesës së politikës së jashtme, natyrisht, nuk mbetet vetëm këtu. Çështja e njohjeve të pavarësisë së vendit tashmë është e lidhur ngushtë me procesin e negociatave me Serbinë (meqë Kosova ka pranuar me fusnotë se çështja e statusit është ende e diskutueshme). Çështja e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare (prej çështjeve me pak relevancë si pjesëmarrja në “Evrovizion” e deri te ato me rëndësi funksionale si anëtarësimi në OKB) është çështje gjithashtu e vënë nën kontekstin e negociatave Kosovë - Serbi.

 

Kapakun simbolik politik këtij procesi ia dha zgjedhja e ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, për kryetar të radhës të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me mandat njëvjeçar. I zgjedhur me shumicës votash në votim të fshehtë, ai fitoi një shpërblim jo vetëm personal, por edhe një përkrahje ndërkombëtare për një politikë të suksesshme të bllokimit të Kosovës.

 

3.

 

Dhe ky aktivitet që nuk mund të quhet as politikë e as politikë e jashtme, nuk mund të quhet për shkak se i përket përmbushjes së interesave të Kosovës.

 

Nga aspekti pozitiv, politikën e jashtme të Kosovës e kanë zbatuar vendet e fuqishme perëndimore që sponsorizuan pavarësinë e vendit. Kabllot nga Washingtoni që instruktonin ambasadat e tyre për angazhim të diplomatëve të vet për njohjen e pavarësisë së vendit, instruksionet nga Londra, Parisi dhe Berlini diplomatëve të vet që të sigurojnë hapësirë përfaqësimi për Kosovën dhe të dërguarit kosovarë, Samitet e frankofonisë , veprimi diskret i British Council dhe kërkesat papra dërguar nga Angela Merkel që në këtë apo atë vend të Botës së tretë, ku pesha ekonomike gjermane ka forcë të veçantë, të jepet sinjali për njohjen e Kosovës - përfaqësimi i vendit nga ekspertë eminentë britanikë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës - kjo ishte politika e jashtme e Kosovës.

 

Ishte edhe aspekti tjetër ndërkombëtar që pretendonte se mbronte interesat e Kosovës, e ky ishte insistimi që me çdo kusht Kosova të kyçej në dialogun “teknik” me Serbinë. Treguesi më i mirë i qëndrimeve të kësaj pjese të bashkësisë ndërkombëtare u pa me rastin e zgjedhjeve të kaluara parlamentare në Kosovë. Ndonëse vjedhja e votës, e evidencuar nga vëzhguesit ndërkombëtarë, qe e përmasave serioze (një veprim i organizuar dhe i gjerë kriminal), Bashkimi Evropian i kushtoi fare pak vëmendje procesit zgjedhor, duke u përqendruar në kërkesën imediate për inicimin e dialogut Prishtinë - Beograd me lehtësimin e BE-së.

 

Urgjenca për inicimin e dialogut qe pjesë e një konstatimi brenda Bashkimit Evropian (gjegjësisht krahut të vet të porsaformuar diplomatik) se duhej bërë çmos që Serbia të ingranohet në procesin integrues evropian me statusin e kandidatit, dhe duke e bërë këtë, të fitohet një lloj kthese për paqe në Ballkanin Perëndimor, pas bombardimit të Serbisë më 1999. Shikuar kështu, dialogu u shërbente dy interesave: një, interesit të Shërbimit për veprim të jashtëm (pararendësit imagjinar të një ministrie të jashtme të BE-së ) dhe së dyti interesit të Serbisë.

 

Kosova ka mundur ta identifikonte interesin e vet në këtë dialog, qoftë duke bërë depërtime strategjike në marrëdhëniet e veta karshi Serbisë, qoftë në marrëdhëniet e veta me BE-në. Këtë ka mundur ta bënte duke insistuar në një kornizë negociatore që do të kishte brenda këto dy depërtime strategjike, por pala kosovare u kënaq me pjesëmarrje krejtësisht të papërgatitur në “dialogun teknik”. Vendimin për një pjesëmarrje të këtillë nuk e bëri Kuvendi i Kosovës, por kryeministri i vendit krye më vete. Këtë e bëri në kushte kur kundër tij ishte ngritur një akuzë e rëndë nga senatori zviceran Dick Marty, për krime gjatë luftës dhe pasluftës, dhe kur partia të cilën e kryeson u zu në shumë vendbanime të Kosovës duke zhvilluar “vjedhje industriale” të votës.

 

Meqë procesi që çoi te Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, vetë Mendimi dhe Rezoluta e Asamblesë së përgjithshme të OKB-së rreth “dialogut” u shndërruan në kutin matës të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, pra pikë orientuese për politikën e jashtme, vendimi i Kosovës për të marrë pjesë në këtë proces negociator ka qenë përcaktuesi themelor i politikës së vet të jashtme, madje për disa vjet me radhë. Dhe, meqë, siç thamë, për këtë vendim thelbësor të politikës së jashtme nuk kishte përkrahje paraprake të Kuvendit të Kosovës (ajo erdhi pasi filluan negociatat), vendimi i kryeministrit të Kosovës për të hyrë në këtë proces negociator i dha vulën përfundimtare personalizimit të asaj që do të duhej të ishte politikë e jashtme.

 

“Dialogu teknik”, si kuti përcaktues i politikës së jashtme, tregoi se nuk ishte në interes të Kosovës, por të Serbisë (për status kandidati), BE-së (për të dëshmuar efikasitetin e vet dhe ingranuar Serbinë) dhe të kryeministrit (emri i të cilit filloi të lakohej si i një faktori kooperativ, me gjithë akuzat për krime serioze dhe një procesi zgjedhor të vjedhur). Në këtë përshkrim nuk figuron interesi i Kosovës, me të drejtë, sepse nuk ishte i përfaqësuar si i tillë.

 

Kështu, ajo që supozohej të ishte politikë e jashtme e Kosovës nuk u bë politikë, nuk u bë e jashtme dhe nuk u bë e Kosovës.

 

4.

 

Diskursi politik qeveritar do të përsërisë, në dellin e propagandës të një province të thellë e të harruar prej çdokujt, se po shënon fitore në politikën e vet të jashtme. Nuk ia vlen të përsëriten të gjitha prononcimet që i bëjnë qeveritarët me pompë telenovelash, ato janë vetëpromovuese deri në pështirje. Por po t’i përmbledhim të gjitha këto rezultate (përjashto njohjet për të cilat zëvendëskryeministri Pacolli uzurpon të gjitha meritat, përfshirë edhe ato sikur Nigeria, nga ku ky u kthye pa note verbale, por me një kontratë në emër të një kompanie jotransparente të quajtur Seagas), ato maten me dy shpërblimet për pjesëmarrje në “dialogun teknik” me Serbinë, Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe Studimin e Fizibilitetit për fillimin e procesit të Stabilizim-Asociimiit.

 

Liberalizimi i vizave është karta të cilën pushteti në Kosovë e konsideron si kyç për vazhdimësinë e fuqisë së vet. Në fakt, kjo llogari ka si pikënisje njohjen e thellë e paradoksale të Kosovës: gjërat janë aq keq në vend nga aspekti social, ekonomik dhe politik, saqë një pjesë shumë e madhe e popullatës së vendit e pret liberalizimin e vizave si shpëtim të menjëhershëm për pozitën e vet të rënduar. Disa qindra mija kosovarë, që do të vërshonin menjëherë Evropën e duke qëndruar qoftë edhe disa muaj në vendet e Bashkimit Evropian për të dërguar ndonjë euro familjeve të veta të mbetura në Kosovë, do të mund të ishin eksporti më i rëndësishëm nga të gjitha aspektet. Nga aspekti ekonomik do të ishte një rritje e menjëhershme e remitancave, të cilat përbejnë hera-herës 15 për qind të të hyrave të vendit. Nga aspekti social do të ishin më pak gojë të uritura brenda vendit. Nga aspekti politik pushteti llogarit se gojët e uritura të mbetura në vend do të ishin të falënderuara për këtë zgjidhje imediate.

 

5.

 

Magjinë e liberalizimit të vizave e dinë burokratët dhe politikanët në Bruksel. Liberalizimi fillimisht iu ofrua Serbisë , si formë e zbutjes së hidhërimit të këtij shteti për pavarësinë e Kosovës, dhe si formë e lidhjes së mëtejme të Serbisë me Perëndimin. Asokohe, për të fshehur intencën politike, u tha se ky është një proces teknik, që nuk ka lidhje me zhvillimet politike. E njëjta gjë fillimisht u tha edhe me Kosovën, se liberalizimi i vizave nuk ka lidhje me zhvillimet politike mes Kosovës dhe BE-së, e as faktit se 5 nga 27 shtetet anëtare nuk e kanë njohur. Por, me një koincidence të pritur, udhërrëfyesi për liberalizim u fut në formë diskrete si formë e shpërblimit për Kosovën për pjesëmarrjen e vet në “dialogun teknik”, madje edhe kur, siç ndodhi, rezultatet e tij kishin potencialin e dëmtimit të interesit shtetëror të Kosovës.

 

Me marrjen e Udhërrëfyesit do të fillojë një koincidencë e re, fare jo e rastësishme. Në të njëjtën kohë, pra, kur Kosova e mori Udhërrëfyesin për viza, në Bruksel zhvilloheshin përgatitjet politike për dialogun e radhës mes Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar kësaj here për pjesën veriore të Kosovës apo, siç do të njihen thjesht, negociatat për Veriun. Për negociatorët evropianë, ashtu si edhe në “dialogun teknik”, çështja e liberalizimit të vizave mund të hyjë në punë fare mirë. Në 18 muajt e ardhshëm mund të koincidojnë që të dy proceset, pra edhe negociatat për Veriun e edhe përmbushja e kritereve teknike për liberalizimin e vizave. Për ndërmjetësit prezantohet një formë e mrekullueshme e presionit, të përdorurit të çështjes së liberalizimit si karotë për koncesione të Kosovës në çështjen e Veriut. 

 

Kështu, liberalizimi i vizave mund të paraqitet si kartë e përdorur dyfish: herën e parë për “dialogun teknik” dhe herën e dytë për negociatat e Veriut. 

 

Në librat e negociatave ndërmjetësit evropianë mund që tash të hyjnë si jashtëzakonisht të suksesshëm: kanë shitur liberalizimin e vizave sikur kolonizatorët anglezë pasqyrat dhe rruazat e lira indianëve amerikanë në këmbim për ari.

 

Dhe meqë, siç thamë, i tërë kompleksi i marrëdhënieve të Kosovës me jashtë është i lidhur me marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë, atëherë del se e tërë politika e jashtme e Kosovës , në fund , do të përkufizohet tek liberalizimi i vizave.

 

 

6.

 

Pushteti në Kosovë do të thotë ndërkaq se kjo nuk është e vërtetë, dhe se Kosova de facto është duke ndërtuar marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Pra, ja merret udhërrëfyesi për viza dhe njëkohësisht merret edhe Studimi i Fizibilitetit për procesin MSA (Marrëveshje Stabilizim-Asociimi) - që të dy dokumentet që “de facto njohin shtetësinë”. 

 

Edhe këtë truk propagandistik do zhveshur të atillë çfarë është. Fillimi i çfarëdo procesi (Studim Fizibiliteti) për nga natyra nuk mund të quhet njohje e shtetësisë - është vetëm një fillim për të parë se a ka Kosova kapacitete të mjaftueshme qeverisëse për t’i hyrë një procesi (MSA), i cili do të mund të nënshkruhej vetëm pas disa vjetësh (dhe atëherë të vihet në sprovë pozicioni i pesë shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës). Udhërrëfyesi për viza, ndërkaq, është i një natyre edhe më të shpjegueshme: liberalizimi i vizave i është aprovuar edhe një shteti, çfarë është Tajvani, që nuk është anëtar i OKB-së, e që prej shumicës së shteteve në botë njihet si pjesë e Kinës. Liberalizimi i vizave nuk do të thotë njohje të pavarësisë.

 

Nëse këto dy “shpërblime” nga “dialogu teknik” nuk qenkan njohje de facto e pavarësisë, çfarë pretendonte propaganda qeveritare, çfarë të miri i sjellin Kosovës?

 

Në fakt, që të dyja shërbejnë për ta lexuar shoqërinë kosovare me parametra të kuptueshëm, ashtu siç janë lexuar shoqëritë e tjera aspiruese për në BE. Te liberalizimi i vizave kjo nënkupton si funksionet qeveritare në fushën e sigurisë ashtu edhe në pedanterinë e mbajtjes së shënimeve bazike në komuna, pra regjistrin civil. Te Studimi i Fizibilitetit bëhet një skanim i shtetit, ashtu siç bëhet kontrolli i plotë i një organizmi apo një makine, për të detektuar defektet e për t’ i korrigjuar ato, natyrisht duke kuptuar edhe çfarë përmirësimesh do bërë e me çfarë kosto pune e kohe.

 

Por, sado të mira të dyja këto skanime, mungesa e një politike të jashtme kosovare i ka shndërruar në objektiva më vete, për më tepër, mund t’ia lidhë vendit këmbët në sfidën e ardhshme të politikës së jashtme, e ajo është, siç thamë, negociata për Veriun.

 

Në 18 muajt e ardhshëm ndërmjetësit evropianë në negociatat për Veriun mund të kenë në duar instrumente të thjeshta presioni e shpërblimi për Beogradin dhe Prishtinën. Për të parën, presioni e shpërblimi lidhet me fillimin e negociatave për anëtarësim në BE (ajo që quhet hapja e kapitujve të Acquis Communitaire). Për të dytën, presioni dhe shpërblimi lidhet me liberalizimin e vizave dhe hapat eventualë që mund të pasojnë Studimin e Fizibilitetit. 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0