Home | Opinion | Arsyet ekonomike për bashkimin e shqiptarëve

Arsyet ekonomike për bashkimin e shqiptarëve

image
Dhe fare në fund, Shqipëria e bashkuar si shtet i përbashkët i shqiptarëve dhe pakicave që do të jetonin në të, do të zhvillohej nga nevoja për zhvillim, diktati që të bën tregtia e lirë dhe kushtet e ekonomisë së tregut, të cilat doemos që do të avancoheshin në një teren më të përshtatshëm ekonomik, politik dhe të sigurisë.

 

 

 

Ass Prof Doc (Legere) PhD Gani N. Asllani

 

 

 

Territori gjeografik që shtrihet në mes të koordinatave 41°N 20°E 42.6°N 20.85°E në mes të gadishullit Ballkanik, nga shqiptarët njihet si atdheu i tyre, dhe i paraardhësve të tyre që me mijëvjeçarë të tërë kanë jetuar si vendas dhe trashëgimtarë të këtij rripi toke të lagur nga detërat Adriatik, Jon dhe Egje, e te këputur nga vargmalet e Kopaonikut, Dinarikeve dhe atyre të Pindit jugorë.

 

Historia e ka trajtuar keq këtë rajon me hordhi barbarësh të panumërt që kalonin andej pari duke e pushtuar, por asnjëherë duke eliminuar popullatën e saj vendore. Me fjalët e njohësit të mirë të Ballkanistikes te shek XIX, Sir Henry Norman, “mbijetesa e shqiptarëve në këtë ngushticë të Ballkanit si vendas dhe trashëgimtarë të Ilirëve, është asgjë tjetër përpos një mrekullie e llojit të vet, duke pasur parasysh se Perandoritë që sunduan për shekuj të tërë këtë rrip toke, shkulen dhe zhduken nga faqja e dheut shumë fise, grupe gjuhësore dhe madje edhe popuj të formësuar”.

 

Pas formësimit të idesë kombëtare që tek ne shqiptarët erdhi në periudhën e vonë të Rilindjes Kombëtare (gati katër shekuj më vonë për shembull sesa idetë e Rilindjes në qytetet shtete të Italisë) nevoja dhe dëshira për shtet kombëtar u paraqit si domosdoshmëri dhe si lajtmotiv i veprimtarisë së grupeve të pakta patriotike atdhetare të kohës. Edhe këtu, vështirësitë e panumërta u pritnin rrugën atyre dashamirësve të kombit të Kastriotit që donin diellin ta shohin nga shtëpia e tyre, e jo nga ‘Stamolla, Atina, Cetina apo Belgradi’ – kryeqytetet e vendeve fqinje që nxisnin ndarjen mes shqiptarëve.

 

Me përfundimin e Luftës së Parë Botërore kufijtë e Ballkanit disi u formësuan dhe mbeten të tillë deri në ditët e sotme, me ndonjë rregullim të vogël aty këtu. Për epokën zemër-plasëse komuniste që pllakosi Ballkanin pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore s’kemi çfarë të flasim fare, sepse botërisht dihet se mbi rajonin e shqiptarëve në gadishull, nocioni i Çerçillit ‘perdja e hekurt’ përdorur në fjalimin e tij në kongresin Amerikan me 5 Maj 1946, kishte kuptim më të kobshëm se në shumë vende të tjera, dhe denjësisht rivalizonte sundimin drakonik të Stalinit mbi popujt e Bashkimit Sovjetik.

 

Ndryshimet kataklizmike të viteve 1990-ta, të përcjella me luftën çlirimtare në Kosovë, arritën që në fillim të mijëvjeçarit të tretë, shqiptarët të kenë në Ballkan dy shtete të tyre. Megjithatë, çështja shqiptare akoma nuk është zgjidhur si duhet dhe sa duhet. Kjo thuhet jo vetëm për faktin se Lugina e Preshevës, Malësia bashkë me rajonin bregdetarë ne Mal të Zi, ana perëndimore e Maqedonisë dhe Çamëria janë akoma pjesë përbërëse e shteteve politike Sllavo-Helenike, por edhe se Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës janë shtete akoma jo stabile në aspektin politik, shoqërorë, etnik dhe ekonomik.

 

Tranzicioni që s’po merr dot fund në Shqipëri, dhe periudha e tejzgjatur e kufizimeve të shtetësisë në Kosovë çojnë drejt arsyes pragmatike të përdorimit të idesë; çka nëse shqiptarët do të ishin të bashkuar? Për këtë pyetje, argumentet historike, etnike, kulturore, gjuhësore, shoqërore, politike, gjeostrategjike, madje edhe hapësinore, sportive dhe mediatike janë të padiskutueshëm dhe të pa numërt, por duket se në këtë debat, fare pak iu jipet hapësirë arsyeve ekonomike. Shih për këtë, një vlerësim i shkurtër i këtyre arsyeve sjell edhe më pranë kultivimin pozitiv të idesë së shqiptarëve për shtet kombëtarë, dhe thellon kuptimin zhvillimorë që duket se është anashkaluar ndjeshëm kur flitet për shtet kombëtarë të shqiptarëve. Është fare e dukshme thënia e vjetër por e mençur; ‘bashkimi bën fuqinë’. Dhe ky mësim i dalë nga historia jonë e lashtë, duhet të merret si pikënisje e ideve ekonomike për territorin e tkurrur ku shqiptarët jetojnë sot si popullatë shumicë.

 

Së pari efekti gjeopolitik dhe gjeostrategjik do të vërehej menjëherë nëse Shqipëria natyrale do të ishte e bashkuar. Si territor, duke vërejtur koordinatat gjeografike të lartpërmendura vendi ynë do të ishte një urë e fortë lidhëse e rrugëve detare nga kanali i Otrantos, nëpër Mesdhe, ngushticën e Gjibraltarit dhe atë të Bosforit. Rrugët ajrore nga Azia e vogël, bregu verior Afrikan, dhe pjesa e poshtme e Evropës do të mbitheksoheshin shumë më shumë seç janë sot. Rrugët tokësore, ku prinë hekurudha Selanik-Minhen dhe që gjarpëron nëpër Pollog dhe luginën e Preshevës, pastaj rruga romake Egnatia, lidhësja e Adriatikut me Panonine, Tivar-Beograd e shumë nëndegzime të tjera, do ta bënin Shqipërinë një faktor edhe më të pëlqyeshëm në hartën e kontinentit të vjetër. Dhe në fund, për sa i përket transportit, rritja gjithnjë e më e madhe e kërkesës për naftë dhe gazra që vijnë nga pellgu i Kaspikut, ai i Detit të Zi dhe rajonit të Kaukazit, ngrit portet e Vlorës, Durrësit, Shëngjinit dhe Tivarit si pikëderdhje të këtyre të mirave natyrore drejt Italisë dhe më tutje drejt Evropës qendrore dhe veriore. Kurrizi i tokës shqiptare është stacion shumë i favorshëm për naftësjellës të përmasave kontinentale e pse jo edhe globale.

 

Pasur parasysh ekonomitë e dobëta të të dyja shteteve momentalisht, një treg prej pesë milionësh do të ishte shumë më tërheqës për investitorët e huaj të nevojshëm aq shumë për vendin. Pastaj si shtesë e kësaj veprimtarie, edhe bizneset e vogla vendore do të mund të rriten, zgjerohen dhe kaliten, të detyruar nga konkurrenca e huaj dhe mësimet praktike që do të vileshin prej tyre. Është koha e fundit që të kuptojmë se me një dyqan të vockël ku punësohet familja, nuk zhvillohet ekonomia kombëtare.

 

Arsye tjetër po aq e forte ekonomike është ajo që lidhet me ndryshimin e strukturës zhvillimore të trojeve shqiptare. Momentalisht, industria e ndërtimit, ajo e prodhimtarisë së bulmetrave, qumështit dhe frutave, hoteleri-turizmi, transporti privat dhe mediat dominojnë tregun ekonomik ne Shqipëri e Kosovë. Me rritjen e tregut edhe nevoja për ekonomi të reja do të zhvillohet pa dyshim.

 

Poashtu, një argument që ka prapavijë globale është ai që vjen nga problemet e recesionit ekonomik që ka kapluar gjithë ekonomitë e planetit. Shqipëria dhe Kosova kanë filluar ta ndjejnë krizën me dobësimin e forcës ekonomike, uljen e tregtisë me jashtë, humbjen e tregjeve etj. Por në këtë mes, faktori më i diskutuar është ai që i kushtohet të ardhurave të bashkatdhetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut. Këtu janë dy faktor të rëndësishëm që duhet nënvizuar; së pari - mungesa e iniciativës ekonomike dhe hapësirës së kufizuar për veprim ka krijuar në trojet shqiptare, kulturën e harxhimit të remitencave vetëm për nevoja familjare. Megjithëse ato janë te shumta në numër dhe akoma të theksuara për standardin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës, ato vazhdojnë të harxhohen për sheqerka, benzinë makinash, ahengje familjare e ndonjë shpenzim tjetër jo konstruktiv. 

Kriza ekonomike globale ndërkaq, ka lënë shumë shqiptarë të pa punë, siç ka lënë edhe fjala vjen Gjerman, Britanik, Italian e Grek. Ndjeshmëria e situatës ekonomike në Kosovë e Shqipëri është dëshmuar kur kriza ekonomike është manifestuar në vendet fqinje si Itali e Greqi. Duke ditur se diaspora shqiptare është akoma e re dhe vazhdon të jetë e lidhur me atdheun, shpërndarja e të hyrave nga remitencat edhe me Gjermaninë, Zvicrën dhe Austrinë ku diaspora nga Kosova dhe Shqiptarët e Maqedonisë, dhe drejt SHBA-së, ku ajo nga Malësia dhe bregdeti është përqendruar, do të stabilizonte ndjeshëm tregun e lëkundur të remitencave që në Shqipërinë politike varet në masë të madhe nga remitencat nga Italia e Greqia.

 

Dhe fare në fund, Shqipëria e bashkuar si shtet i përbashkët i shqiptarëve dhe pakicave që do të jetonin në të, do të zhvillohej nga nevoja për zhvillim, diktati që të bën tregtia e lirë dhe kushtet e ekonomisë së tregut, të cilat doemos që do të avancoheshin në një teren më të përshtatshëm ekonomik, politik dhe të sigurisë. Sepse, sipas diskursit politik neoliberalist që dominon kancelaritë e Evropës, stabiliteti, zhvillimi dhe pozita, flasin shumë për afrimin e fuqive të botës me cilindo shtet që dëshiron tu ofrohet atyre. Pikërisht për këto arsye, hyrja në Bashkimin Europian, do të ishte një realitet i jetuar për shqiptarët e bashkuar, e jo ëndërr që po kthehet në makth nga pritja e lodhshme e realizimit të kritereve, kushteve dhe standardeve të panumërta që ky bashkim politik kontinental po i paraqet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

 

(Autori është ekspert i politikës ekonomike dhe tregjeve të mikrorajoneve kontinentale. Artikulli është pjesë nga fjalimi në Konferencën Ndërkombëtare ‘Ekonomia e rajoneve të Evropës dhe problemet e krizës ekonomike globale’ Organizuar nga Universiteti i Vilnjusit (Lituani) ai i Firences (Itali) dhe Universiteti i Temishoares (Rumani) me 18/06.2012) 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0