Tranzicioni, eldorado për kompanitë transnacionale
Koncepti i cili sot gjendet nëpër tavolinat e gjelbra të eurokratëve, gjithsesi që nuk është i ndonjë datimi të ri;kjo ide e bashkimit apo ribashkimit është e vjetër sa edhe vetë Europa. Kur theksojmë sa vetë Europa, aludimi ynë padyshim që sinjifikohet që nga antika e këndej.
Dr. Fadil Maloku, sociolog
"Shoqëria e mirë apo e keqe është sikur të rrish pranë atij që shet parfum, apo sikur te rrish pranë atij që i frynë farkëtarit. Ai qe shet parfum nëse nuk blen nga ai parfum të paktën e merr aromën e këndshme nga ai, kurse te ndenjurit pran farkëtarit nëse nuk nxihesh nga puna e tij atëherë do të pluhurosesh nga puna e tij”.
1. Ballkanizimi i tranzicionit
Sot nuk ka asnjë shtet, asnjë vend dhe asnjë skutë në rruzullin tokësor që mund të qëndrojë indiferent ndaj të gjitha ndryshimeve marramendëse që po ndodhin pothuajse në të gjitha sferat e jetës së përditshme. Sot, kur shumica e vendeve postkomuniste janë liruar prej prangave të iluzionit komunist, fjala është për vendet e Evropës Juglindore, kryesisht të vendeve që dolën nga Perandoria Sovjetike, që janë duke kaluar të ashtuquajturën periudhë apo sëmundje e tranzicionit”, mund të themi se një ndër problemet më të theksuara është pikërisht identifikimi i procesit të globalizimit, që bëhet me atë të tranzicionit. Sigurisht që një ndër ngarkesat më të mëdha në studimin e fenomenit të integrimit paraqet pikërisht roli i tij i nduarduarshëm dhe i dyfishtë në proceset që ndodhin krahas forcimit të shëndetit të tij ekonomiko-politik në të gjitha shoqëritë.
Ngase ai, sikurse globalizimi, në njërën anë shoqërorizohet me modernitetin, shpërndarjen masive të teknologjisë moderne, modernizimin e tregut të ekonomisë, pluralizmin politik, të drejtat e njeriut, etj., kurse në anën tjetër në të njëjtën kohë ai është edhe proces i dominimit të fuqive globale e posaçërisht i SHBA-ve, ashtu që sot nuk është i vogël numri i atyre sociologëve që procesin tranzicionit e identifikojnë me globalizimin, përkatësisht amerikanizimin apo westernizimin e botës.
Duke u nisur nga principi i gjithë përfshirjes së këtij fenomeni, ne mundemi përafërsisht vetëm të supozojmë se vlerat e tranzicionit, janë duke i sensibilizuar me të gjitha mjetet e mundshme ne të gjitha shoqëritë (postkomuniste sidomos) e reja , si një standard apo kriter evoluimi për rritjen e tyre në sferat e ndryshme të jetës.
Mirëpo, është e qartë se procesi i “absorbimit” apo të themi pak më butë i “akomodimit” të këtij sistemi vlerash të reja nuk është unikat dhe, ç’është edhe më e rëndësishme, nuk është i dhunshëm, por tërësisht vullnetar. D.m.th. ajo çka p.sh. vlen për Evropën Juglindore, nuk është e thënë të vlejë edhe për Shtetet Baltike. Është e natyrshme që qasja e ndryshme e këtij procesi nga ana e vendeve dhe shteteve të ndryshme sjell edhe humbës dhe fitues. Kur e themi këtë gjithnjë e kemi parasysh procesin e mënyrës dhe të nivelit të “akomodimit” të vlerave që disa shoqëri a shtete e bëjnë pas çlirimit nga sistemi totalitar i komunizmit. Dorën në zemër, vlerat që imponon me mekanizmin e vullnetit të lirë, ky sistem ka bërë që për vendet sidomos postkomuniste, të bëhet një atraksion i llojit të vet.
2. Grykësia si lakmi
Për mendimin tonë, kjo “grykësi”, siç do të shprehej Kadareja për lakminë e shqiptarëve të Kosovës për ta bërë shtetin e tyre, në rastin e këtij sistemi mund të shpjegohet përmes shumë shkaqeve dhe pasojave në etnopsikologjitë dhe mentalitetet e vendeve dhe të popujve të ndryshëm në mbarë rruzullin botëror. Konsideroj (këtë tezë për herë të parë po e hedh në këtë punim, paraprakisht nuk e kam dëgjuar e as lexuar askund!) që ky afsh apo kjo “grykësi” e pamëdyshur për t’u identifikuar zjarret me vlerat e reja perëndimore, për vendet e ish- bllokut komunist, e që padyshim në këtë korpus hyjmë edhe ne si pjesë e rajonit, do të mund të mbështetej ndoshta në pamundësinë e realizimit material (apo jo bollëkshmërinë materiale) të këtyre popujve gjatë sundimit të sistemit socialist, përkatësisht atij komunist.
Kur themi “pamundësinë e realizimit material”, aludimi ynë padyshim që ndërlidhet me begatinë dhe përparimin e ushtruar material që e ka kultivuar gjatë dy shekujve të fundit ky diskurs dhe ky sistem i njohur si diskursi neoliberal i demokracisë perëndimore. Perëndimi dhe përgjithësisht vlerat perëndimore, për mendimin tim gjithnjë në kokat dhe psikologjitë kolektive të vendeve dhe popujve të infektuar me ideologjinë komuniste disi janë projektuar në njërën anë edhe si “një shpresë, një mundësi e mirë për t’u pasuruar materialisht” dhe, në anën tjetër, edhe si “një aversion ndaj një të panjohure që vazhdimisht ka prodhuar dallime sociale, politike, ekonomike, e sidomos ideologjike”.
Konsideroj që ideologjia egalitariste definitivisht ka qenë ai mekanizmi kryesor që ua ka shpërlarë njerëzve trurin, kur kemi të bëjmë me dyshimin në ish- sistemin dhe diskursin e komunizmit. Kjo temë e hedhur në këtë mënyrë mendoj që kërkon një përkushtim më të thellë dhe më dioptrik, pra një përkushtim më të gjerë shkencor e para së gjithash - sociologjik. Sidoqoftë, le të shërbejë si një nismë e cila për mua do hapë dilema dhe dyshime në horizontin e shpjegimeve të reja sociologjike për këtë problematikë.
3. Globalizimi dhe procesi i rajonizimit të Ballkanit
Të gjitha njohuritë tona historike dëshmojnë që kur është fjala për çështjen apo idenë e shtrirjes së Evropës nën një kulm të vetëm, i cili do t’i bashkonte shumicën apo pjesën dërmuese të shteteve dhe të popujve, dëshmitë sociologjike janë pak a shumë të ngërthyera me petkun e paragjykimeve që kishin apo kanë individët, grupet apo vendet dhe popuj të ndryshëm gjatë tërë qenësimit të tyre shoqëror.
Koncepti i cili sot gjendet nëpër tavolinat e gjelbra të eurokratëve, gjithsesi që nuk është i ndonjë datimi të ri;kjo ide e bashkimit apo ribashkimit është e vjetër sa edhe vetë Evropa. Kur theksojmë sa vetë Evropa, aludimi ynë padyshim që sinjifikohet që nga antika e këndej. Mirëpo, ajo që e dallon cilësimin e tanishëm për një Evropë të përbashkët, për shumicën e njerëzve kompetentë, pra arkitektëve të këtij kulmi, është padyshim ideja e paqes, ajo e sigurisë, progresit të përgjithshëm për vendet të cilat janë, apo pretendojnë të jenë nesër në këtë vorbull.
Themelet e idesë apo përpjekjes së tanishme që po e dëgjojmë për çdo ditë në media, literaturë shkencore, në sferën e politikës dhe të ekonomisë, për një Evropë të përbashkët dhe unike, padyshim që janë hedhur gjatë Luftës së Dytë Botërore, por decidivisht me aktin e rënies së murit të Berlinit, e sidomos me turbo fillimin e zgjerimit të procesit të globalizimit në gjithë pjesën juglindore të Evropës, pra në pjesën që shtetet postkomuniste janë duke i përjetuar ethet e procesit të tranizicionit – ideja për një kulm të përbashkët ka filluar të intensifikohet me një ritëm më të shpejtuar se asnjëherë më parë në historinë e kontinentit.
Në të vërtetë, zyrat e Brukselit për çdo ditë e më shumë janë duke shqyrtuar qasjet e këtij kulmi apo të kësaj shtëpie të përbashkët me afro 350 milionë banorë, sa pretendohet t’i ketë në një të ardhme jo fortë të largët. Pengesa kryesore në këtë projekt, sipas të gjitha gjasave, janë shtetet apo vendet e dala nga katrahura e komunizmit, e sidomos ato të dala nga kolapsi që u sollën pesë luftërat që i shkaktoi Serbia në Ballkanin Perëndimor.
4. Globalizmi ish vendet komuniste I trajton si “periferi e largët”
Është e vërtetë dhe e padyshimtë që vendet që hynë tash së voni dhe ato që presin në këto procese të reja të hyjnë, pra pjesa e Ballkanit Perëndimor apo pjesa e ish- Jugosllavisë me minus Slloveninë e plus Shqipërinë, edhe për një kohë të gjatë do ta kenë statusin e “periferisë së largët”, apo të zonave ku do të barten teknologjitë e stërshfrytëzuara, ku do të eksploatohet fuqia punëtore në maksimum, ku do të bëhen eksperimente të llojllojshme politike (siç është rasti aktual me Kosovën), pra shkurt ku do të insistohet për përmbushjen e disa kritereve apo standardeve, (sipas fjalorit anglisht të Oksfordit, standardet përcaktohen si test, apo si matës më adekuat për matjen e nivelit të arritjes së një kualiteti), të cilat nuk janë edhe gjithaq të lehta për t’u përmbushur. Jo nga shkaku i natyrës së tyre, sa nga shkaku i kohës që nevojitet për t’i përmbushur vetë ato edhe vendet e shtetet më të zhvilluara.
Nga këndvështrimi i këtij projekti, hetohet se rajoni i Ballkanit Perëndimor, në të vërtetë, është një eksperiment që do të vë në sprovë të rëndë idenë e kamotshme për krijimin e Evropës unike. Por çfarë në të vërtetë synohet të arrihet me projektin e Agjendës 2000?
Prejudikimi i ithtarëve të kësaj ideje, të cilët mendojnë që këtë rajon, të njohur për probleme të natyrës etnike, politike, ekonomike, etj. është më mirë që sa më parë ta fusin në karantinën e shpejtimit të zhvillimit dhe të parapërgatitjes që sa më parë të jetë e mundur inkuadrimi në procesin e globalizimit, e kjo d.m.th. që shtetet, kombet ekzistuese si edhe ato që ende përpëliten të ndërtojnë këtë identitet (siç është rasti me Kosovën, Bosnjën, Maqedoninë) të trajtohen si entitete pa kufij gjeografikë, me një sovranitet të kufizuar dhe me një denacifikim mbikëqyrës të qendrës së fuqisë politike evropiane!
Realizimi i këtij projekti, kur është rasti i Kosovës, për mendimin tonë do të mund t’i kushtonte: vonesë të pakontestueshme në realizimin e synimit për botëkuptimin e shtetit ëestfalian: pasiguri të përgjithshme ekonomike, politike, e para së gjithash jostabilitet jo vetëm në kufijtë e tanishëm, por në mbarë rajonin e Evropës Juglindore.
5. Tranzicioni eldorado për kompanitë transnacionale(KTN)
Por, t’i kthehemi për një moment procesit të tranzicionit, një proces ky i cili është i lidhur ngushtë me projektin e Agjendës 2000, i cili jo shpesh procesin e globalizimit e identifikon me atë të tranzicionit, që aktualisht po e kalojnë ish- shtetet socialiste, natyrisht duke përfshirë këtu edhe Ballkanin Perëndimor, pjesë e të cilit është edhe Kosova. Siç përmendëm edhe më lart, kjo dyfytyrësi e globalizimit është jo një hendikep, siç zakonisht mendojnë një numër teoricienësh, por përkundrazi një përparësi që është në shfrytëzim e sipër nga ana e menaxherëve të ndërmarrjeve të mëdha transnacionale në pjesët e çliruara nga ish- gogoli i komunizmit. Sot pranohet nga shumica e autorëve dhe studiuesve se janë dy faktorë vendimtarë të cilët gjenden në prapavijën e një tranzicioni të suksesshëm.
Faktori i parë ka të bëjë me përgjigjet e reja të elitave lokale, të cilat standardet e vendeve në zhvillim i marrin vetëm sa për t’i krahasuar principet zhvillimore dhe për t’i krahasuar nivelet e sferave të ndryshme të shoqërive të cilat pretendojnë t’i ndërtojnë.
Ndërsa faktori i dytë vendimtar për një tranzicion sado kudo të suksesshëm fshihet prapa një shteti të fuqishëm, respektabil dhe ku sundon forca e ligjit e jo ligji i të fortit (siç ka ndodhur në shumicën e këtyre vendeve, të cilat kacafyten për çdo ditë me korrupsionin, krijmin e organizuar e besa edhe terrorizmin). Mirëpo, në anën tjetër, gjithherë nuk duhet identifikuar tranzcionin e suksesshëm me globalizimin dhe, anasjelltas. P.sh. ka vende, siç janë ato të identifikuara si shtete apo vende postbllokiste (aludimi është në shtetet e ish-Paktit të Varshavës), ku procesi i hyrjes apo identifikimit me procesin e globalizimit është tërësisht një imitim i bastarduar që asgjë nuk ka të bëjë me të.
6. Perandoria komuniste e “vërshuar” nga globalzimi
Në të vërtetë, ish- Perandoria e Socializmit Real, që numëronte diku rreth tetë shtete të hazardizura me idenë e egalitarizmit social, tash është shkapërderdhur në 27 shtete që po ballafaqohen me dy sistemet. Edhe globalizimin e edhe tranzicionin. Kur bëjmë fjalë për fenomenin apo dukurinë e globalizimit, në kontekst të situatës apo këndvështrimit tonë kosovar, e do të thosha edhe atij ballkanik, del se ekziston një shpërputhje brengosëse mes këtij procesi të ri dhe mendësisë sonë provinciale.
Në njërën anë kemi kauzën tonë, e cila është vënë në spikamë të një interesi të përgjithshëm (të cilin lirisht mund edhe ta identifikojmë si tendencë e globalizimit), ndërsa në anën tjetër kemi tendencën e cila disi e kundërshton procesin në fjalë, duke e kundërvënë atë me ideolatrinë e modaliteteve mbi shtetin, kombin etj.
Në këtë kontekst, duhet kuptuar se sot asgjë më nuk mund të arrihet me fatpajtim ndaj një tendence të re historike siç është globalizimi, e cila padiktueshëm për çdo ditë po hyn edhe në dhomat tona të fjetjes dhe të punës. Në kohën e vërshimit të informacioneve, pra nga të gjitha dimensionet e mundshme mediale asgjë më nuk mbetet siç ka qenë, por çdo gjë rrotullohet dhe merr një trajtë tjetër identifikuese që nuk i gjasën veçantisë sonë të përditshme. Është e vetëkuptueshme se artikulimi i drejtë, sistematik, i vazhdueshëm i dukurive, këndshikimeve, i interesave etj. është një çështje e cila kërkon përkushtim dhe energji shtesë për të cilën nevojitet kohë dhe dije të sofistikuar jo vetëm teknologjike, por edhe sosh racionale e empirike.
Comments (0 posted)
Post your comment