Gjykata model botëror
Kuadri i lirive dhe të drejtave të njeriut kuptohet gjerësisht si një kuadër të drejtash themelore të patjetërsueshme, të cilat një person i zotëron thjesht sepse ai ose ajo është një qenie njerëzore.
Mentor Nzarko
Siç është bërë me dije, Gjykata Kushtetuese e Kosovës hodhi poshtë amendamentet e miratuara nga Komisioni Parlamentar i Reformave. Mes amendamenteve përfshihej edhe një amendament kalimtar, i cili parashikonte se me miratimin parlamentar të tyre përfundonte dhe mandati i Presidentes në fuqi dhe shpalleshin zgjedhjet presidenciale.
Vendimi në fjalë është i paprecedent për nga implikimet politike, madje dhe për ndonjë gjykatë kushtetuese në botë. Me vendimin e fundit i bie që Gjykata e Kosovës ka vendosur në dy vjet për fatin e tre presidentëve, madje kanë filluar të qarkullojnë dhe barcaleta për ta shpallur këtë institucion si model botëror për të hequr dhe vënë presidentë. Vendimi i saj i 6 korrikut 2012 u parapri nga një vendim gjithashtu i kritikueshëm, për më shumë i marrë nga anëtarët ballkanikë të Gjykatës në prill 2011. Vendimi asokohe rrezikonte ta fuste vendin gjithashtu në një krizë të paprecedentë për shkak të përfundimeve të veta, por për fat të mirë, marrëveshja mes tre liderëve, Thaçi, Mustafa, Pacolli, e prillit 2011, i bëri ato jetëshkurtra.
Jemi thuajse në të njëjtën situatë. Kjo Gjykatë, megjithëse me ndjenjë turpi (po citojmë tërësisht) “gjeti se amendamentet – duket se pakësojnë liritë dhe të drejtat e njeriut”. Me një fjalë, pa thënë se ç’duhet të bëjë Presidentja, Gjykata me ndrojtje çmon (“gjen” është fjala e përdorur nga Gjykata), se t’i shkurtosh mandatin Presidentes në detyrë është atentat ndaj Kushtetutës së Kosovës, kapitullit II të saj.
Kemi të bëjmë me disa implikime të këtij vendimi. Implikime politike dhe implikime kushtetuese. Në këtë artikull nuk po merremi me implikimet aktuale politike për të cilat në Kosovë deri tani kanë folur ambasadori amerikan, Kryeministri dhe krerët e partive të tjera që janë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por me edukatë thonë se Presidentja duhet të japë dorëheqjen, pavarësisht vendimit që nuk diskutohet.
Në planin politik mund të thuhet, megjithatë, se shkurtimi i mandatit të një ofiqari kaq të lartë nuk është diçka as e zakontë dhe as normale. Mund të thuhet gjithashtu se të kërkosh zgjedhjen e Presidentit nga populli në Kosovë, ndoshta nuk është zgjedhje e drejtë për kohën. Dy figura institucionale të rangut të lartë, Kryeministri i zgjedhur nga Parlamenti dhe Presidenti nga populli, do të kishin shumë raste për konflikt në një demokraci ende të re dhe të brishtë. Për më shumë, prania ndërkombëtare mbikëqyrëse është zvogëluar dhe automatikisht Presidenti do të merrte një pjesë të kompetencave të përfaqësuesit ndërkombëtar. Pra, Kosova do të ketë dy figura institucionale me fuqi të konsiderueshme, që do të kenë shumë përplasje. Teksti kushtetues nuk mund të parashikojë gjithçka dhe Republika është shumë e re për të pasur një praktikë kushtetuese që të ofronte precedentë për çdo gjë.
Por këto janë vetëm konsiderata politike. Pjesa kushtetuese është diçka tjetër.
A është kushtetuese t’i shkurtohet mandati një Presidenti në detyrë?
Janë disa pikëpyetje, por siç do të provojmë, ato nuk kanë lidhje me arsyetimin e Gjykatës, i cili duket aq i vështirë, sa ende nuk po botohet.
T’i shkurtosh mandatin një presidenti në detyrë me një amendament kushtetues, do të thotë që ky amendament të vendosë për të kaluarën, dhe jo për të ardhmen. Pra kemi shkelje të parimit universal se përgjithësisht e drejta vendos për të ardhmen, dhe jo për të kaluarën. Dikush gabimisht këtij parimi i është referuar si parim që ndalon efektet prapavepruese negative të ligjit (normës). Kjo vlen sidomos për ligjin penal, por jo domosdoshmërisht për normën kushtetuese. Për më shumë kur kjo normë (amendamenti) ka karakter të përkohshëm dhe të jashtëzakonshëm.
T’i shkurtosh mandatin një presidenti në detyrë, sigurisht është një cenim i një sistemi garancish që e bëjnë Presidentin të funksionojë si kryetar shteti i pavarur nga politika, ku bën pjesë mandati, mënyra e shkarkimit etj.
Por, marrëveshja për t’ia shkurtuar mandatin Presidentit u mor në një situatë jo normale. Vetë marrëveshja u parapri nga një vendim jonormal i Gjykatës Kushtetuese. U vendos politikisht që kriza e jashtëzakonshme të zgjidhej me mjete të jashtëzakonshme për të cilat u informuan të gjithë. Edhe Presidentja, gjithashtu, e cila ishte përfituesja kryesore. Për më shumë, ky vendim u legjitimua. Ai u shndërrua në vullnet parlamentar nëpërmjet miratimit të një rezolute me 75 vota, dhe mandej në amendamente kushtetuese të miratuara gjithashtu në mënyrë thuajse konsensuale.
Në këto kushte, shkurtimi i mandatit ngjan se është kushtetues. Më saktë, nuk ka një nen të cenuar qartësisht. Ndaj, të pretendosh se ky shkurtim cenon kuadrin e lirive dhe të drejtave të njeriut, thjesht dhe vetëm se kjo ishte e vetmja mënyrë për të futur në lojë Gjykatën Kushtetuese, është një gabim i madh. Të mbrosh këtë pretendim siç gjeti Gjykata në një vendim të kohës “së pavarësisë së mbikëqyrur”, është një standard i ulët dhe fyerje e ndërgjegjes profesionale të ekspertëve kosovarë të katedrave universitare apo të tjera. Kosova, institucionet e saj nuk mund të vendosin standarde të tilla të tipit “buono per Albania”, tash “buono per Kosovo”, për norma që janë kudo njëlloj në botë, të imponuara nga Konventa Europiane e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut.
Pse?
Kuadri i lirive dhe të drejtave të njeriut kuptohet gjerësisht si një kuadër të drejtash themelore të patjetërsueshme, të cilat një person i zotëron thjesht sepse ai ose ajo është një qenie njerëzore. Ato konsiderohen si të pandashme, universale – të zbatueshme kudo dhe barazitariste – të njëjtat për këdo. Por, me kujdes. Ato i zotëron si qenie njerëzore, pra kur ke statusin e individit. Nëse ti je President, nëse ti je anëtar i Gjykatës Kushtetuese, statusi yt kushtetues është i një lloji tjetër. Do të gëzosh një pjesë të këtyre të drejtave dhe do të kufizohesh në disa të tjera. Për shembull, në këtë kuadër bën pjesë dhe liria e organizimit politik. A ka të drejtë Presidenti ose një anëtar i Gjykatës Kushtetuese të krijojë parti? Jo. Të jesh President është një status tjetër. Të kesh një status tjetër, do të thotë të jesh titullar i lirive dhe të drejtave që vetëm pjesërisht mund të jenë të barabarta me ato të individit, por që diku kufizohen në emër të interesit publik që ti përfaqëson dhe ekuivalentohen me privilegjet që ti bart.
Parë kështu, Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk mund të përkthejë nga shqipja një vendim të tillë, sepse i bie që të pranojmë se kjo Gjykatë ka bërë shpikje në doktrinën kushtetuese universale. Çdo koleg ndërkombëtar i anëtarëve të kësaj Gjykate do të habitej me guximin për të arritur në përfundime si ato të vendimit të fundit.
Një konsideratë përfundimtare vetëm për Kosovën. Miqtë ndërkombëtarë të këtij shteti të ri kanë shumë merita për të arriturat e saj. Por, për të arritur qëllime politike të caktuara që mund të jenë shumë të shëndetshme, në këtë fazë të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës, duhet të gjenden mjete të përshtatshme. Do të jetë shumë e vështirë për studentët kosovarë ta mësojnë si të arsyeshëm, si të drejtë, një precedent si ky i vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka marrë përsipër barrë të vështirë. Të rrëzojë presidentë, të shkruajë norma kushtetuese apo të interpretojë sipas qëllimeve politike të momentit. Kjo s’është kushtetuese, por është polikëbërje.
Analogjia me Shqipërinë.
Në amendamentet e famshme kushtetuese të 2008-s u vendos një mandat 5-vjeçar për prokuroren e Përgjithshme. Ajo u zgjodh më 2007-n, sipas Kushtetutës së 1998-s, pa kufizim mandati dhe formula fillestare i jepte pavarësi të madhe dhe garanci në detyrë asaj. Këto ndryshime kushtetuese nuk bënë asnjë referencë kalimtare për zonjën Ina Rama, por kur ajo të mbushë 5 vjet në detyrë, shumica do t’i kërkojë largimin. A ka të drejtë prokurorja të ankohet për shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut, duke arsyetuar si Presidentja Jahjaga, se i janë shkelur të drejtat e zgjedhjes, parimi i mosdiskriminimit (prokurorët e tjerë ndenjën më shumë se 5 vjet, kurse ajo vetëm 5) etj.? Sigurisht që jo. Por nëse ajo do të ishte në Kosovë, mbase do ta fitonte çështjen.
Comments (0 posted)
Post your comment