Individualisht apo në “turmë sociale”?
Mënyra e sotme e ekzistencës së individit bashkë me shqetësimet ekzistenciale të tij, kërkojnë analiza, vrojtime dhe nxjerrje konkluzionesh mbi një bazë të re sociale dhe ekzistenciale.
Gëzim Tushi
Dialektika e ndryshimeve sociale dhe metamorfoza e lidhjeve individuale të njeriut me individualitetin e vet dhe shoqërinë mekanike të kuptuar si “turmë sociale”, është një nga gjërat më të ndërlikuara në shoqërinë shqiptare. Kjo nga që problematika është e lidhur me tipologjinë ekzistencialiste të së kaluarës së këtyre marrëdhënieve por dhe të ndryshimeve të thella natyrës së njeriut dhe transformimit të thelbit dhe karakterit të shoqërisë shqiptare të ditëve tona.
Këto marrëdhënie dikur kanë qenë tejet të njëanshme, holiste dhe kolektiviste të cilat jo vetëm shfaqeshin të ndërlikuara konceptualisht, ideologjikisht por dhe të ngatërruara empoirikisht në rrafshin e zbatimeve sociale. Në të vërtetë që edhe sot problemet e këtyre marrëdhënieve nuk janë tërësisht të qarta. Nga që njeriu i sotëm është përballë paradigmave të modernitetit dhe reminishencave të së kaluarës, në të cilën shqiptarët u mësuan me ideologjinë sipas të cilës shoqëria ishte gjithçka dhe individi asgjë, në të cilën monopolin e të vërtetës e kishte masa sociale e njerëzve e organizuar si “turmë ideologjike”, në të cilën njeriu duhet ta pranonte peshën absolute dhe t’i bindej asaj në çdo kohë pasivisht. Ndërsa sot problem është ndryshe, nga që gjithnjë e më shumë po bëhet e vërtetë idea që sunduese në shoqërinë tonë është individi dhe individualizmi, i cili në ekuacionin tradicional të lidhjeve shoqëri-individ ka sjellë ndryshime dhe përmbysje të thella të raporteve duke bërë metamorfozën e madhe. Sot është e vërtetë që pesha e individit është rritur në shoqëri, madje deri në nivelet që individë të caktuar që kanë autoritet personal apo publik, para, pushtet, famë, etj, apo janë liderë të natyrave të fushave të ndryshme, duket sikur kanë prirje që shoqërinë ta vënë në “bisht”, ta bëjnë shtojcë të individit, i cili ka për qëllimet e veta dhe synimet e personalizuara kërkon ta bëjë shoqërinë për vete. Nuk është tezë e kohës së sotme por është e vjetër dhe kuintesencë e humanizmit dhe lirisë, ideja se “Individi është kategoria përmes të cilës,…kjo epokë, krejt historia, raca njerëzore në tërësi, duhet të kalojë”. (Ekzistencializmi nga Dostojevski tek Sartri”, f 118)
Por gjithmonë në shoqërinë shqiptare në kuptimin dhe zgjidhjen e kësaj cështjeje të raportit midis shoqërisë dhe individit, ka patur një problematikë që ka qenë e ndërlikuar dhe e ka bërë të vështirë dallimin, se ku është e vërteta dhe ku është mashtrimi në këtë lidhje komplermentare apo ekuacion social fundamental të jetës në cdo kohë. Duke vlerësuar tipologjinë e sjelljeve të njeriut të kohës sonë, fenomenologjinë e shfaqjes publike të tyre në realitetin e jetës së përditshme, nuk mund të mos vemë re dhe të jemi njëkohësisht të shqetësuar, për faktin që po bëhet e thellë tendenca që në disa raste prirja eksentrike e individualizmit po bëhet shkak për zgjerimin e procesit të “rënies morale” të njeriut.
Kjo sepse duke qenë se po reduktohet dimensioni social dhe orientimi human i natyrës së njeriut, sjellja sociale dhe solidariteti me të “tjerët”, të krijohet ideja se në shoqërinë tonë është konsoliduar etapa e zhvillimeve sociale kur njeriu ka filluar të përqëndrohet pa kompromis, jo në anën e dukshme sociale dhe humanitetin individual, por është i dhënë pa kompromis në thellimin e njëanshëm të anëve të errëta biologjike dhe konsumistike të jetës personale. Padyshim jemi në kohën kur shoqëria dhe njeriu në vendin tonë kanë dy dekada që kanë dalë nga “rruga e zakonshme” e lidhjes dhe marrëdhënieve midis tyre. Ka kohë që shoqëria moderne shqiptare gradualisht po pranon si të vërtetë aksiomën se moderniteti do të vijë duke patur në një farë mënyre edhe koston “prishjes së natyrës” së njeriut.
Madje në kohën e tanishme po bëhet gjithnjë e më shumë dominante ideja se procesi i “prishjes së njeriut” është i pandalshëm. Koha është e tillë që nuk është më e mundur të pranosh teoritë e vjetra, që na kanë mësuar që gjithnjë e në çdo rast të vëmë përballë vetes shoqërinë. Debati filozofik është se çfarë duhet të bëjmë që të rregullojmë marrëdhëniet dhe raportet e njeriut me veten dhe shoqërinë e tij. Kë duhet të bëjmë prioritare në kushtet e sotme kur edhe mënyra e organizimit të shoqërisë por dhe natyra e njeriut, janë në gjendje paqartësie konceptuale në fushën e lidhjeve dhe marrëdhënieve empirike. Sepse problemi është që kjo lidhje sot ka turbulluar të dy faktorët bazë të funksionimit të “ekuacionit social, shoqërinë e cila për individin e personalizuar duket si “hapësirë pa fund” që nuk është tërësisht në funksion të interesave dhe qëllimeve të tij dhe individin që kërkon të jetojë sa më i personalizuar dhe me sovranitet sa më të gjërë nga determinumet sociale të shoqërisë. Ndërkaq individualizimi i jetës e ka bërë individin të jetojë i “detyruar” në hapësirat e ngushta brenda vetes, në kufijtë e “ngushtë të caqeve” të individualitetit dhe strukturave të personalizuara të invidiumit të tij.
Padyshim jetojmë në kohë të reja kur raportet dhe vendet midis shoqërisë dhe komunitetit social nga njëra anë, dhe individit si person i identifikuar nga ana tjetër kanë ndryshuar. Çështja është në se individi është pjesë e papërsëritshme e komunitetit, apo akoma më shumë ai duhet të bëhet kategori e veçantë e të menduarit modern të jetës ? Sepse praktikisht individi është duke zënë vend qendror në strukturën e jetës moderne dhe në sferën e gjerë të marrëdhënieve sociale. Por megjithatë, është e vërtetë se nga mënyra se si shfaqet individualiteti i njeriut, si ai vendos marrëdhëniet me të “tjerët”, të duket sikur është bërë shoqërisht i pakapshëm. Në këtë kontekst në kohën e sotme duket qartë se vendin e përcaktimeve filozofike apo transedentale të natyrës së njeriut, të rolit dhe misionit të tij në jetën tokësore apo të amshuar, e kanë zënë gjëra të reja që janë më tokësore.
Por nganjëherë edhe të deformuara nga presionet e modernitetit dhe prioritetit që kanë marrë motivet e konsumizmit dhe kënaqësisë më shumë me natyrë “mishtore” apo biologjike. Në këtë kontekst, është e nevojshme që për t’u marrë ashtu si duhet me problemet e natyrës së shoqërisë dhe karakterin e njeriut të sotëm, me marrëdhëniet dhe problemet e shumta që ata kanë midis tyre. Kjo do të thotë se është e nevojshme që të mësohemi të largohemi nga territoret e interpretimit të përgjithshëm ekzistencial, në sferën e trajtimit të problemeve që kanë të bëjnë me ekzistencën konkrete të individit, shqetësimet ekzistenciale të jetës së tij në kuptimin ontologjik dhe konkret.
Mënyra e sotme e ekzistencës së individit bashkë me shqetësimet ekzistenciale të tij, kërkojnë analiza, vrojtime dhe nxjerrje konkluzionesh mbi një bazë të re sociale dhe ekzistenciale. Në se nuk nisemi nga parimet e reja të organizimit të jetës sociale, në se njeriun nuk e mësojmë me tipologjinë moderne të jetës dhe paradigmat e reja të të ekzistuarit, është e sigurt që do të biem në pozita pesimiste për fenomenologjinë e këtij njeriu me të cilin jetojmë. Për pasojë do të krijohet iluzioni i pavërtetë se shumica e njerëzve në kohën tonë janë të destinuar që për shkak të vështirësive që kanë me veten e tyre dhe komportimin social me shoqërinë tonë, të duket sikur ata jetojnë në dëshpërim personal, dhe se pesimizmi mund të bëhet patologji sociale apo sëmundja më e përhapur në shoqërinë shqiptare. Nuk është rastësi që kemi këtë kurbë kaq të lartë të krimit, sidomos të vetëvrasjeve të njerëzve të moshave të ndryshme.
Padyshim është detyrë, që në këto kohë të vështira të përpiqemi që të largojmë me çdo kusht njerëzit nga përfytyrimet e gabuara, idetë e deformuara për shoqërinë. Ky është kusht thelbësor për të ndihmuar njerëzit për të qenë realist dhe për të mos patur iluzione të kota sociale. Por ideja e tipareve, tipologjisë dhe paradigmat deterministe të modernitetit, nuk duhen parë me optika të turbulluara. Situatat që kalojmë njerëzit tanë duhet t’i shikojnë pa iluzione dhe me pastërti sociale. Padyshim, në kohën e sotme është e padiskutueshme që nuk është e lehtë të ndash të vërtetat sociale nga iluzionet individuale. Kjo ka të bëjë edhe me faktorë që janë jashtë njeriut, por dhe me ato që qarkullojnë të alambikuara brenda tij.
Nuk është e lehtë që njeriu të ketë të gjitha aftësitë, që ta mbajë veten të shfaqur në shoqëri, të jetë i lidhur fort me suksesin personal, pa kuptuar kohën dhe shoqërinë, pa i përdorur ato me zgjuarsi dhe pragmatizëm individual. Kjo çështje është me rëndësi dhe ka të bëjë me ndërtimin e kujdesshëm të raporteve të mënyrës së jetës private me ekzistencën publike të njeriut.
Ideja e rolit dhe prioritetit të shoqërisë të përfytyruar në mënyrë të hipertofizuar dhe jashtë mundësisë së të vërtetës sociale është një “grackë” në të cilën bien shumë nga njerëzit tanë. Ideja se shoqëria është në gjendje të zgjidhë problemet e të gjithë individëve, është jo thjesht iluzion utopik por dhe një mashtrim i madh social. Nga që realisht është i pamundur që të jetë i vërtetë. Sidomos kur është fjala për përcaktimin e përgjegjësisë sociale dhe individuale dhe raportet e reja që ekzistojnë midis tyre. Ne nuk mund të bëhemi aq cinikë dhe hipokritë që të mos i themi qytetarëve dhe njerëzve të tanë të vërtetat e instancës së fundit për këtë çështje, e cila po ngatërron njerëzit me këmbët e tyre. Në se shoqërinë e shikojmë si turmë me përgjegjësi sociale, kjo do të thotë që të mbajmë gjallë ideologjinë supersociale të parazitizmit, gënjeshtrës, mashtrimit, të cilat janë patologji që e bëjnë individin pasiv, të papërgjegjshëm, të pandërgjegjshëm për të kuptuar raportet e reja të përgjegjësisë me veten dhe shoqërinë.
Unë besoj se në shoqërinë tonë është duke kaluar përfundimisht koha e perceptimit të shoqërisë si “turmë sociale” e përbërë nga individë të integruar në mënyrë pasive në të. Pavarësisht se nuk mund të mohohet ekzistenca dhe roli i shoqërisë duhet vlerësuar dhe aksentuar me forcë të madhe rruga normale e aksentimit të nevojës së individit për t’u përballur së pari dhe kryesisht individualisht me tërë sfidat e jetës dhe mundësitë e kufizuara të shoqërisë. Jashtë kësaj rruge sot është e pamundur që njeriu të jetojë individualisht me dinjitet dhe të jetë njëherësh i integruar po me dinjitet edhe në shoqërinë e kohës së vet…
Comments (0 posted)
Post your comment