Rreth idesë së Beneluksit ballkanik
Ideja e Beneluksit, qartësisht si të gjitha idetë e ngjashme, ka në qendër fuqizimin e faktorit shqiptar apo rritjen e mëtejshme të kohezionit mes tij në të gjitha fushat. Ky kohezion do të fuqizohej duke nisur më së pari nga ekonomia.
Mentor Nazarko
Mediat rajonale kanë trajtuar me një lloj intensiteti diskutimet që janë hapur kryesisht në Maqedoni rreth së ashtuquajturës ide të Beneluksit ballkanik. Kjo ide e lëshuar me këtë emër nga dy ekonomistë, njëri austriak dhe tjetri shqiptar i Kosovës, në një portal europian si Euobserver, nuk është një ide për t’u injoruar për më shumë nga Shqipëria, qoftë nga qarqet mediatike, biznesore apo nga qarqet politike. Përkundrazi. Me këtë konsiderim rreth idesë në fjalë mund të thuhen disa përfundime. Në krye të herës duhet thënë se ajo përfaqëson një variacion mbi temën e një bashkëpunimi të institucionalizuar të të gjitha vendeve ku banojnë shqiptarët në rajon, kryesisht në fushat ekonomike, kulturore, tregtare etj. Ideja bazë është ajo e Arbër Xhaferrit për një Komunuelth ekonomik të shqiptarëve, lëshuar fillimisht në vitin 2007, në vigjilje të pavarësisë së Kosovës, në një forum universitetesh me prani politike dhe biznesore. Më vonë kjo ide u rimor prej Xhaferrit dhe prej ish-presidentëve të Kosovës dhe Shqipërisë, Pacolli, Moisiu, Meidani, duke u artikuluar politikisht me forcë në Parlamentin e Shqipërisë, në një fjalim të ish-presidentit kosovar. Në mënyrë të ngjashme, ideja e Komunuelthit, që e mbrojnë dhe parti të caktuara në Shqipëri, ka në bazë institucionalizimin e bashkëpunimit mes vendeve ku banojnë shqiptarët, d.m.th. krijimin e disa institucioneve që mbi bazë periodike trasojnë dhe mbikëqyrin bashkëpunimin në disa fusha sipas modelit të Komunuelthit, modelit të marrëdhënieve franko-gjermane etj., etj.
Ndaj duket e tepërt të thuhen më shumë fjalë rreth përmbajtjes së saj. Mund të thuhet ndërkaq se ideja e Beneluksit për shkak të përmasave më të vogla apo mungesës së referencave koloniale si të Komunuelthit, ngjan për pasojë më e asimilueshme për rajonin. Për më shumë, ideja e Beneluksit pati si artikulues të saj një autor austriak, diçka që e bën akoma dhe më shumë interesante.
Duke parë reagimin pozitiv të drejtuesve të Bashkimit Europian, si Stefan Fyle, duhet pohuar diçka e nënkuptuar gjithsesi: kjo ide, si dhe simotrat e saj, ka në themel krijimin e një hapësire ekonomike, tregtare, kulturore etj., legalisht të integruar në Ballkan, para se kjo pjesë e Europës të përfshihet në BE. Pra, ajo është zbatuese e rekomandimeve më të hershme të Unionit Europian për vendet tona. Por, më gjerësisht, krijimi i një hapësire të tillë jo thjesht ekonomike, por të afruar dhe politikisht, është një ide e favorshme për ndikimin e Perëndimit në përgjithësi në rajon, pra dhe për ndikimin amerikan. Ajo do të përfaqësonte një hapësirë vendesh, e cila do të konkurronte Serbinë nga pikëpamja numerike, por dhe Greqinë, dy vende me ndikim të rëndësishëm ekzistues rus apo me ndikim në rritje, apo dhe vende të tjera më të vogla, si Kroacia dhe Sllovenia.
Ideja e Beneluksit, qartësisht si të gjitha idetë e ngjashme, ka në qendër fuqizimin e faktorit shqiptar apo rritjen e mëtejshme të kohezionit mes tij në të gjitha fushat. Ky kohezion do të fuqizohej duke nisur më së pari nga ekonomia. Por, që ajo të jetë bindëse për shtetet apo popullsitë e tjera, duhet që të argumentohen më mirë avantazhet që do të kenë jo shqiptarët, – Maqedonia dhe Mali i Zi, nga ky bashkim. Ndërkohë, para se të arrihej në një formë institucionale bashkëpunimi, do të duhej që vendet e interesuara të kishin të shprehur me forcë praktike frymën që qëndron në bazë të këtij bashkimi. Mbi bazë të kësaj fryme duhet të kishim një praktikë të rritjes së vazhdueshme të bashkëpunimit mes këtyre vendeve. Veçanërisht prej faktorit shqiptar do të duhej të kishte mirëkuptim për brengat, veçanërisht të maqedonasve, se prej këtij bashkimi ata nuk do të ndiheshin të shtypur në sanduiçin shqiptar, respektivisht Kosovë dhe Shqipëri, dhe shqiptarëve të Maqedonisë. Përkundrazi, ata do të përfitonin edhe më shumë ekonomikisht, qoftë duke unifikuar tregun për produktet e tyre bujqësore, por dhe duke krijuar pika të sigurta hyrjeje për mallrat e tyre nëpërmjet porteve të Shqipërisë si alternativë e porteve greke. Për këtë arsye, ideja e përfolur, e lëshuar më së fundi politikisht prej ministrit shqiptar të Ekonomisë në Maqedoni, do të duhej të ishte diskutuar dhe pjekur në kontaktet politike ndëretnike brenda këtij vendi, dhe pastaj të lëshohej jashtë Maqedonisë. Lëshimi i saj për herë të parë në një takim të këtij ministri me Kryeministrin shqiptar Berisha, ngjan se i ushqen më me forcë shqetësimet e atyre qarqeve brenda këtyre vendeve nga forcimi i faktorit apo kombit shqiptar.
Afërmendsh që në një formë të tillë institucionale bashkëpunimi, rol kryesor do të kishte Shqipëria, si shteti më i madh. Ama që të kishim një lloj suksesi në rritje kah një forme e tillë institucionale, mbi bazën e parimeve të mësipërme, Shqipëria do të duhej të kishte gjithashtu në bagazhin e vet të aksionit politik rajonal veprimtari konkrete. Mjerisht, Shqipëria as për së largu nuk ka punuar për ndonjë formë integrimi rajonal, si paradhomë e integrimit europian, pa kundërshtuar këtë objektiv gjithashtu strategjik. Ndërsa disa vite më parë ishte e parakohshme të shpalleshin objektiva të tillë – Shqipëria ishte ende shumë e dobët; Kosova jo e pavarur apo nën mbikëqyrje ndërkombëtare, sot rrethanat janë krejt të tjera. Në terrenin rajonal, Shqipëria politike e këtyre viteve të fundit është duke favorizuar pas dobësimit të Greqisë si faktor ekonomik, bashkëpunimin me Serbinë. Pa ndonjë paragjykim të tipit nacionalist, duke kuptuar se në një vend problematik si Shqipëria do të mund të ishin të pranishme edhe biznese serbe, si më kurajozet në raport me ato perëndimore, në Shqipëri është tepruar pak si shumë me praninë serbe. Bizneset serbe të sektorit vazhdojnë të kontrollojnë energjetikën dhe një dorë e padukshme ndalon gjithë projektet që e forcojnë pavarësinë energjetike të Shqipërisë, të Kosovës, integrimin mes tyre, siç ndodhi me linjën e interkonjeksionit, financuar nga KfW gjermane. Bizneset serbe janë të pranishme në tregti, por ç’është më e keqja, ato po punojnë dhe me para publike shqiptare, apo po hyjnë në sektorë të tillë si shitblerja e armëve apo mbetjet. Nuk po flasim për problemet e krijuara në marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën si tregtia e çimentos, e disa produkteve bujqësore, fërkimet për hidrocentralet në kufirin e përbashkët etj.
Pas një bilanci të tillë të përgjithshëm, ideja e Beneluksit, daç si ide e mëvetshme, daç si variacion i idesë së Komunuelthit, ngjan jo vetëm si e parakohshme, por kundër asaj që shohim në praktikën konkrete të bashkëpunimit rajonal, me Shqipërinë në qendër. Për keqardhje, por realiteti është i pamëshirshëm ndaj kësaj forme institucionale bashkëpunimi që mbi të gjitha e rrit mirëqenien e popullsive të interesuara. Kjo nuk do të thotë, megjithatë, se gjithçka është prishur në mënyrë të pakthyeshme, por për këtë duhet ndërgjegjësim, kthim i boshtit të marrëdhënieve rajonale sipas një politike kombëtare të vërtetë prej klasës udhëheqëse të Shqipërisë.
Comments (0 posted)
Post your comment