Vigjilencë për negociatat mbi kufijtë detarë
Në kushtet kur përballë Shqipërisë është një negociator i ashpër si Greqia, brenda të drejtës së vet për të marrë sa më shumë nga një marrëveshje mbi ujërat, duhet shmangur rruga e negociatave direkte. Duhet shkuar te një zgjidhje e ndërmjetësuar ndërkombëtare.
Mentor Nazarko
Kryelajmi i ditës së djeshme ishte, pa dyshim, ai mbi negociatat sekrete të dy kryeministrave, Berisha e Samaras, dhe ekipeve respektive, për përcaktimin e zonave ekonomike ekskluzive midis Shqipërisë dhe Greqisë, që sipas njoftimeve, të cilat ngjajnë të besueshme, po punojnë intensivisht. Në thelb të këtij njoftimi është mundësia e shkëmbimit të një marrëveshjeje detare sërish në favor të Greqisë (me gjithë retushimet), me votën pro të Greqisë që TAP, Gazsjellësi Trans-Adriatik, të kalojë nga Shqipëria.
Në një shikim prej profani, kjo mundësi shkëmbimi ngjan diçka normale. Kjo ngjan nga ato veprimtaritë diplomatike, të cilat bëhen fshehurazi, por që burrat e shtetit, që i vënë vulën personale, hyjnë automatikisht në histori. Por a hyjnë për mirë, apo për keq?
Përpara se të na pushtojë shqetësimi për mundësinë e një shkëmbimi të padrejtë, duhet të reflektojmë më së pari për vërtetësinë e lajmit. Janë disa elemente në favor të vërtetësisë së tij.
Vërtetësia e lajmit
Së pari, burimi grek i cituar nga raportimet rreth kësaj çështjeje, është një portal i specializuar energjie – www.energypress.gr. Duke imagjinuar që palët negociuese, kryeministrat e dy vendeve, kanë të gjithë interesin për të mbajtur të fshehta bisedimet e tyre, ka shumë gjasë që përmbajtja e këtyre negociatave në mënyrë të pjesshme të jetë dekonspiruar pikërisht prej bisedimeve teknike të përfaqësuesve të TAP me autoritetet greke.
Së dyti, edhe burimet e cituara nga Top Channel duken se thonë të vërtetën, pavarësisht se sipas një teknike të njohur profesionale, burimet ngjajnë të depistuara. D.m.th. me shumë gjasë burimet nuk janë te Ministria e Jashtme greke, e cila ka të gjitha arsyet që një negociatë të tillë kaq delikate të mos e bëjë publike, por diku tjetër.
Së treti, nëse lajmi nuk do të ishte i vërtetë, do të kishim përgënjeshtrim të fortë të Kryeministrit Berisha dhe zyrës së tij. Por ç’të përgënjeshtrojë ai nëse përmbajtja e marrëveshjes mund të bëhet publike pas një apo dy muajsh, si tip dhurate për 100-vjetorin e pavarësisë?
Së katërti, kemi një prononcim të fundit të ministrit të Jashtëm grek, Avramopulos, dhe në linjë me të kemi faktet në terren kur peshkatarët shqiptarë janë “ftuar” t’u përmbahen kufijve të përcaktuar në marrëveshjen e vjetër.
Së pesti, një negociatë kaq delikate do të kërkonte domosdoshmërisht një klimë të qetë në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Realisht ekziston një klimë e shtendosur, e cila mund t’i detyrohet sa mungesës së vëmendjes greke në rajon për shkak të krizës, aq dhe përpjekjes për të vënë në gjumë opinionin shqiptar në rast negociatash të tilla. Ngjajnë me të vërtetë shumë realiste disa prononcime të ambasadorit grek për mediat, sipas të cilave, kapitulli i pretendimeve greke mbi Epirin e Veriut i takon historisë. Por, a kanë lidhje ato me nevojën për të mos krijuar reagime të forta, tension permanent në marrëdhëniet tona, si pasojë e të cilit rritet dhe vigjilenca e mediave, e individëve të caktuar, apo e grupeve të interesit rreth mundësisë së nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje eventuale që e sheh Epirin e Veriut edhe nën det?
Pra, në një analizë të fakteve që dimë deri më sot, lajmet mbi negociatat eventuale Samaras-Berisha ngjajnë të vërteta. Nuk po konsiderojmë në favor të hipotezës së vërtetësisë disa detaje të këtyre raportimeve për përjashtimin e Ambasadës sonë apo të ekspertëve nga negociatat, që kanë dhe ato domethënien e tyre. Edhe përputhja në kohë e disa fakteve e bën të besueshme këtë hipotezë. Përmasat e kërkimeve, vlera e hidrokarbureve në zonën e Jonit është aq e madhe, sa një angazhim i Samarasit në kohë krize do të prodhonte lajme të mira për Greqinë e dëshiruar aq shumë për to në kohë krize. Njëkohësisht me firmën eventuale të një marrëveshjeje të re për kufirin detar shqiptaro-grek, sipas këtyre raportimeve, kemi firmën eventuale të gazsjellësit TAP brenda muajve të parë të 2013-s, privatizimin e Albpetrolit etj. Edhe vetë sezoni veror ngjan periudhë e mirë për kësi lloj marrëveshjesh, sepse vigjilenca publike, edhe ashtu e topitur për kësi temash, është e ulët.
Nëse lajmi është i vërtetë, duhet vigjilencë
Duke e marrë për të mirëqenë në një përqindje të madhe lajmin mbi negociatat, mund të thuhen disa konsiderata. Në formë pyetjeje apo dhe përfundimesh. Edhe sikur lajmi të mos jetë i vërtetë, një mobilizim i opinionit publik rreth cilësisë së një marrëveshjeje të re për kufijtë detarë është i dobishëm. Frika se Shqipëria mund të nënshkruajë një marrëveshje të re që në thelb do të respektojë atë të vjetrën, veçanërisht sa i takon parimit themelor të negociatave të vjetra – atij të vijës së mesme – është një frikë e justifikuar. Për më shumë që përbërja e Gjykatës Kushtetuese ka ndryshuar apo pritet të ndryshojë në favor të kësaj qeverie; Presidenca, pa ndonjë provë të kundërt, gjithashtu ngjan në linjë me qeverinë. Por, le të hyjmë në disa elemente thelbësore të negociatave, gjithmonë duke u mbështetur te raportimet e cituara nga Top Channel dhe portali i specializuar grek për energjinë. Në çdo vend normal, raportimi i papërgënjeshtruar nga televizioni më i madh në vend do të merrej seriozisht.
Nëse TAP në Shqipëri do të thotë avantazhe aq të mëdha sa të justifikohen me koncesione ndaj grekëve në marrëveshjen e përkufizimit të zonave ekonomike ekskluzive, atëherë një marrëveshje e tillë mund të jetë e drejtë.
Por, së pari, a di kush sa janë avantazhet prej TAP-it dhe sa janë rezervat nëntokësore në Jon?
Së dyti, me të vërtetë e paska Greqia në dorë se ku do të kalojë TAP-i? Ngjan e çuditshme, megjithëse momenti i “lejimit” është një moment thelbësor në kryerjen e një projekti të tillë. Nëse TAP do të kalojë nga Shqipëria, ai do të kalojë sepse është rruga më e shkurtër, dhe jo sepse do secili nga vendet ku do të kalojë gazsjellësi.
Me një perspektivë si ajo që përflitet, kur ne japim shumëçka, për të marrë diçka ne e kishim prej Zotit që i ka vendosur shqiptarët në një pikë të rëndësishme të rrugëve globale, atëherë duhet të bien tamtamet e alarmit për ta bllokuar një negociatë kaq të dëmshme. Opozita, e cila ka një pjesë të meritës për dërgimin e çështjes në Gjykatë Kushtetuese, duhet t’ia bëjë shërbimin asaj deri në fund. Përndryshe, edhe vlera e angazhimit të mëparshëm do të zerohej. Duhet të ketë kërkesë për debat, për interpelancë, pavarësisht sezonit. Imuniteti është i rëndësishëm, por ndarja e kufijve është akoma më e rëndësishme. Duhet të ketë reagim të opinionit publik, të ekspertëve të fushës, duhet të ketë kërkesë për transparencë. Në ato ujëra fshihen pasuri të mëdha, të cilat mund ta shpëtojnë Shqipërinë nga gjendja e pazhvillimit që e ka karakterizuar në këtë periudhë tranzicioni. Nuk kuptohet se pse në fillim të viteve ‘90, në ato zona, një kompani amerikane kërkonte për llogari të Shqipërisë, dhe sot duhet të kërkojë për llogari të Greqisë.
Edhe një konsideratë tjetër. Në kushtet kur përballë Shqipërisë është një negociator i ashpër si Greqia, brenda të drejtës së vet për të marrë sa më shumë nga një marrëveshje mbi ujërat, duhet shmangur rruga e negociatave direkte. Duhet shkuar te një zgjidhje e ndërmjetësuar ndërkombëtare. Është pikërisht ajo zgjidhje që propozonte njëri nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, zoti Sokol Sadushi, në një intervistë. Kjo zgjidhje s’do t’i hante hakun asnjë shteti, dhe vendi për heronjtë tanë modernë në histori do të mbetej bosh, për t’u mbushur në rast veprash të reja në favor të kombit, dhe jo për shkak të veprave të liga, siç janë këto negociata të dyshimta.
Comments (0 posted)
Post your comment