Ideja e referendumit dhe çështja e modelit
Pra s’duhet të ketë asnjë kompleks për të mbrojtur një model funksionimi të shtetit, një model kushtetues tërësisht në linjë me Kushtetutën tonë.
Mentor Nazarko
Mbyllja e seancës parlamentare pa votim dhe me idenë e referendumit popullor për çështjen e imunitetit,
meriton njëfarë vëmendjeje për shkak të intensitetit të ngjarjes dhe vëmendjes publike rreth saj. Kështu që po rrekemi të themi disa përfundime rreth zhvillimit që morën ngjarjet brenda seancës.
Ideja e referendumit ngjan se është më së shumti një lëvizje propagandistike. Për shumë arsye, që mendohen
se qëndrojnë në themel të lëvizjes së Kryeministrit kryesisht arsye politike, por dhe për disa pengesa me karakter juridik, e zhvleftësojnë që në origjinë idenë e një referendumi për çështjen e imuniteteve. Duke i dhënë asaj karakter propagandistik, d.m.th. jetëshkurtër, si shashkat që bëjnë zhurmë dhe s’kanë asnjë efekt tjetër. Është propagandistike, sepse është vijim i aksit propagandistik të fushatës që i parapriu çështjes së imuniteteve, diskutimeve në sallë dhe atyre dje në mbledhjen e qeverisë.
Sipas fabulës propagandistike të PD-së, vetëm populli mund t’ua mbledhë miliarderëve të PS-së që duan të fshihen pas imuniteteve. PD-ja, gjithmonë sipas kësaj fabule, u përpoq ta paraqiste këtë vullnet popullor në sallën e Parlamentit, por nuk ia mbërriti. Kështu që populli thërritet nën armë për të vendosur dhe për t’ua mbledhur miliarderëve deputetë të PS-së. Por ka arsye formale që e pengojnë këtë referendum. Nuk ka asnjë diskutim që Kryeministri do të dëshironte shumë që një çështje të tillë, kur dhe elektorati i PS do të ishte pro heqjes, t’ia nënshtronte një votimi popullor për të përvetësuar tërësisht rezultatin. Një referendum si ky, brenda fabulës populiste për të ndëshkuar miliarderët hajdutë, para zgjedhjeve parlamentare do të ishte ideal për të ngarkuar pozitivisht zgjedhësit pro qeverisë. Por ka arsye kushtetuese që e pengojnë këtë referendum. Dalja me idenë e referendumit ngjau dhe si një deus ex macchina nga situata kur PS bllokoi votimin, apo e ka vënë qeverinë nën presion për ndryshimin e njëkohshëm të Kushtetutës në nenet për krerët e sistemit të drejtësisë. Më saktë ngjau si përpjekje për t’iu drejtuar popullit kur dhe PS, me akuzat e veta të drejtpërdrejta për Gërdecin, për shoferin e Kryeministrit, po i drejtohej popullit. Por, problemet procedurale të referendumit e bëjnë dhe më propagandistik propozimin.
Së pari, nisur nga afatet që kërkon miratimi i një referendumi, kuptohet se kjo ide e Kryeministrit është thjesht shashkë vetëtrimëruese për konsum propagandistik. Nëse Kryeministri e do vërtet ftesën për statusin e kandidatit, nuk do duhej t’i shkonte mendja tek një iniciativë që me afate shkon shumë më larg edhe se shtatori që propozon opozita për ndryshimet tërësore kushtetuese; apo dhe se tetori, kur mblidhet Komisioni Europian për të shqyrtuar biografinë e Shqipërisë gjatë 2011-s. Nuk ndikon fare në këtë biografi fakti që Kryeministri paskësh propozuar një referendum për imunitetet. Madje, në sytë e ndërkombëtarëve, kjo ide e devijon tërësisht diskutimin për imunitetet nga thelbi i tyre.
Së dyti, nuk jemi në kushtet kur është qeveria që mund të kërkojë referendum. Po diskutojmë për amendamente kushtetuese, ku kushtet e zhvillueshmërisë janë krejt të tjera nga ato që parashikohen në pjesën e 11- të të Kushtetutës, nenet 150, 151, 152. Po dhe sikur të ishim në ato kushte, afatet janë tërësisht penguese: shqyrtimi i kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese, fushata për referendumin etj., kërkojnë shumë muaj në dispozicion derisa të zhvillohet realisht referendumi. Së treti, ideja që projektamendamentet kushtetuese t’i shtrohen gjykimit popullor duhet të miratohet nga dy të tretat e Parlamentit. Flasim për projektamendamente, siç është praktikisht gjendja e propozimeve të miratuara nga palët në komisione, dhe jo për amendamente të miratuara. Pra, jemi në kushtet e nenit 177, paragrafi 4, dhe jo në kushtet e nenit 177, paragrafi 5. Edhe Presidenti është i detyruar që të fiksojë një kohë për fushatën referendare, diçka që e largon shumë kohën e miratimit nga tetori i mbledhjes së Komisionit Europian. E vetmja mundësi që të përshpejtohet sadopak referendumi, duke shmangur votimin parlamentar pro organizimit të tij, do të ishte që Kryeministri ta kontrabandonte idenë e referendumit për imunitetet, duke paraqitur para popullit një tekst të ri, dhe jo atë të projektamendamenteve. Pra, ai t’i referohej një referendumi për një çështje të veçantë, dhe jo për amendim kushtetues. PS, e kompleksuar nga propaganda kryeministrore sipas këtij skenari, nuk do të ndërmerrte ndonjë nismë për ta atakuar iniciativën referendare në Gjykatën Kushtetuese. Dhe një nismë nuk është antikushtetuese nëse nuk konstatohet prej kësaj Gjykate.
Por dhe në një rast të tillë do të kishim një problem thelbësor. Tekstet që i nënshtrohen gjykimit popullor duhet të jenë të thjeshta: ato nuk mund të jenë kurrë aq të komplikuara sa ç’është teksti i projektamendamenteve. Një tekst normal do të ishte ai që do të parashikonte shfuqizimin tërësor të neneve për imunitetin. Po a është gati Kryeministri për një ndryshim të tillë kaq rrënjësor? Dhe një problem tjetër. Në diskutimet e fundit për çështjen imunitetit, në mbrojtjen e pozicionit të vet, PS ka kërkuar kohë, sepse ndryshimet kushtetuese që ajo propozon në lidhje me votimin parlamentar të prokurorit të Përgjithshëm, të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të asaj Kushtetuese, nuk janë aq të thjeshta. Duhet zgjedhur një model tërësor, i cili ta shohë sistemin shtetëror si një tërësi në ekuilibër, ku nëse lëviz diçka, ajo ndikon në tërë sistemin. U ndryshua zgjedhja e Presidentit dhe praktikisht, siç tregoi dhe sot seanca e KLD-së për zgjedhjen e nënkryetarit, tërë shteti do të vishet blu. Në perspektivën e këtij ndryshimi, a do të pranohet që si dhe sot, Presidenti të propozojë të nëntë anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese? Apo do të kemi zgjedhje me origjinë të ndryshme sipas modelit italian të këtyre anëtarëve? Duke kërkuar modele jashtë vendit, do të shohim se ajo që kërkon PS-ja, pra shumicën e cilësuar për këto figura të sistemit të drejtësisë, është e parashikuar pikërisht në modelin italian. Për shembull, 5 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që propozon Presidenti italian miratohen me shumicë parlamentare prej dy të tretash, me votë të fshehtë.
Pra, kërkesa e PS-së nuk është një rrufe në qiell të kaltër, siç e paraqet Kryeministri Berisha. Ajo i referohet një modeli tërësisht të ngjashëm me atë të Republikës sonë, ku Presidenti zgjidhet nga Parlamenti. Modeli italian, veç të tjerash, ka në themel të vet konsensualitetin në zgjedhjen e krerëve të këtyre institucioneve, si Presidenti, apo dhe një pjesë e krerëve të Drejtësisë. Dhe të kujtojmë se ky model italian është fiksuar që pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ka ndryshuar prej atëherë dhe nuk shihet se pse Shqipëria në shekullin e 21-të të mos ketë konsensualitetin si parim udhëheqës në zgjedhjet e krerëve të këtyre institucioneve të larta. Por a ka gjasë që një kuorum kaq i ngurtë të krijojë pretekste për bllokim të institucioneve? Sigurisht, por bllokuesi më i madh i institucioneve mbetet Berisha, protagonisti më jetëgjatë. Dhe në zgjedhjen e presidentëve s’duhet të harrojmë se ka qenë PS që ka lëshuar, qoftë me Moisiun, qoftë me Topin. Pra s’duhet të ketë asnjë kompleks për të mbrojtur një model funksionimi të shtetit, një model kushtetues tërësisht në linjë me Kushtetutën tonë.
Comments (0 posted)
Post your comment