Pasurimi i fjalorit politik
Pos përdorimit të termeve juridike të së drejtës ndërkombëtare, qeveritarët duket të mos kenë ndonjë ide më të qartë se si do t’i qasen situatës në veri pas heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë...
Flaka Surroi
Kaloi edhe një javë.
Për mua kjo qe java në të cilën u ballafaqova në një formë të dhimbshme me rezultatet e luftës, si dhe me marrëveshjet shterpe të arritura nën “fasilitimin” e Robert Cooperit. Për herë të parë pas mbi dy dekadash, m’u desh ta kërkoja certifikatën e vdekjes së babait. E kuptova se atë do të mund ta nxirrja vetëm po qe se e kisha një certifikatë të vjetër dhe vetëm po qe se aplikoja për regjistrimin e tij në Librin Amë të të Vdekurve, për shkak se librat e vitit 1988 nuk ishin në Prishtinë, sepse serbët i kishin marrë me vete në Nish a Kurshumli, a një zot e di ku.
Seç u hyjnë në përdorim regjistrat tanë civilë, pos për të thënë se kanë më shumë popullatë seç kanë në të vërtetë, apo për të bërë ndonjë dallavere që lidhet me librat e kadastrave që gjithashtu i kanë vjedhur, nuk e di. E di që procedura e regjistrimit të sërishëm të babait në regjistër ma ktheu dhimbjen me po të njëjtin intensitet që kisha përjetuar herën e parë. Dhe, e di se, për fat të keq, nuk jam e vetmja që kam kaluar nëpër këtë përvojë dhe nuk jam e vetmja që do të vazhdoj të ballafaqohem me probleme të kësaj natyre, për shkak se konkluzionet që i kanë kushtuar shumë Kosovës, nuk zbatohen. Për shkak se na kanë sjellë në situatën kur duhet ta lusim shtetin hajn që të na e kthejë atë që është e jona.
Për masën e gjerë, ishte kjo javë që na e vërtetoi lehtësinë me të cilën zgjedhin të shprehen pjesëtarët e Qeverisë sa herë komunikojnë me popullin, posaçërisht për tema aq të ndjeshme sa është ajo e raporteve me Serbinë. Lehtësi e cila shpesh barazohet me gënjeshtrën, ngase pa fije sikleti, i hanë fjalët e veta, thuajse asgjë nuk ndodhi.
E fundit, natyrisht, ka të bëjë me presionin e vazhdueshëm të cilit janë kah i nënshtrohen për bisedimet në lidhje me veriun, që qysh nga koha e imponimit të gjashtëpikëshit të Banit, ishin mohuar kategorikisht nga gjithkush në Qeveri. Kështu, pas një sërë deklaratash përsëritëse evropiano-atlantike të kryeministrit, erdhi tjetra nga zëvendëskryeministri, detyra e të cilit është t’i heqë nga prushi gështenjat e nxehta që i lëshon shefi i tij. Ai tha: “Ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë (vendimi për dialog politik), por unë dua të them se merremi me realpolitikë. Realpolitika nënkupton ato mjete që i kemi, atë fuqi që e kemi, ato instrumente që i kemi, dhe momentalisht e kemi Kushtetutën, e kemi vullnetin e qytetarëve dhe e kemi partneritetin me BE-në dhe SHBA-në. I koordinojmë të gjitha së bashku dhe asnjëherë nuk ka shkarje”.
Për herë të parë dëgjojmë termin “realpolitikë” përdorur nga politikanët aktualë. Supozoj se atë që ka dashur ta thoshte Kuçi është se atë që po bëjnë është një politikë pragmatike dhe realiste. Por nuk do të jenë të pakët ata që do të pajtohen se kjo Qeveri po bën “realpolitikë”, por në atë kuptimin tjetër, përbuzës – një politikë amorale. Amorale ndaj popullit të vet, në emër të të cilit i ndërmarrin veprimet që nuk janë gjithmonë në interesin e tij. Prandaj, do të më lejoni të shpreh rezervën time ndaj thënies “koordinimit të të gjithave së bashku”, ngase më duket se këta politikanët më shumë i nënshtrohen diktatit të atyre që e kanë fuqinë për të na treguar se çka është më mirë për ne.
Këtu do të ma lejoni një digresion. Gjatë luftës në Kosovë më 1998, ndërmjetësi amerikan Christopher Hill kishte përpiluar një plan për zgjidhjen e problemit të Kosovës – dhe për të thoshte se ishte më i miri i mundshmi për Kosovën dhe për shqiptarët. Sipas planit, Kosova duhej të mbeste nën sovranitetin e Beogradit, me status autonomie. Atëbotë ky plan ishte botuar në “KOHA Ditore” dhe u refuzua në masë nga Kosova e kapluar në luftë. Po ta kishin pranuar atë plan përfaqësuesit politikë të Kosovës, sot do të mbanim pasaporta të kuqe biometrike të Serbisë dhe do ta kishim privilegjin e udhëtimit pa viza; do ta kishim aty-këtu ndonjë përfaqësues në Kuvend dhe fëmijët kosovarë do të mësonin se figurat më të çmuara dhe më të mëdha të historisë bashkëkohore të shtetit do të ishin Milosheviqi, Mladiqi dhe Karaxhiqi.
Pra, përderisa absolutisht askush nuk do të duhej të mohonte – dhe do të ishte blasfemi e llojit të vet – se pa SHBA-në dhe një pjesë të rëndësishme të Evropës nuk do të mund të mbërrinim në pikën ku kemi arritur, megjithatë vjen një çast në jetë që quhet pjekuri dhe ku vendimet duhet marrë vetë, natyrisht, pa përjashtuar këshillimin. Por dallimi ndërmjet përkrahjes së një vendimi autonom dhe “këshillës: unë e di çka është më së miri për ty” është shumë i madh. E kjo Qeveri ende nuk e ka kuptuar këtë.
Zëvendëskryeministri shprehu “mendimin e tij personal”, që ishte fare i parastësishëm në konferencën e shtypit pas mbledhjes së Qeverisë. E mendimi i tij nuk është personal, për shkak se ky ende paraqitet në trajtën e zëdhënësit të kësaj Qeverie, dhe për shkak se është i vetmi aty që do të duhej të dinte se çfarë domethënie ka “traktat paqeje”. Po t’i jepnim kohë, do të mund të na shpjegonte se traktati si term i gjerë përfshin edhe paktet, edhe marrëveshjet, edhe protokollet, edhe konventat, e të tjera. Gjithashtu do të mund të na shpjegonte se mund të jenë traktate shumëpalëshe apo dypalëshe... por edhe do të duhej të na shpjegonte se ato mund t’i lidhin si shtetet sovrane ashtu edhe entitetet.
Dhe problemi i çështjes së traktatit, sipas propozimit të Kuçit në këtë çast, lidhet pikërisht me dy elemente që e karakterizojnë Kosovën – sovraniteti i cunguar dhe të qenit entitet, sipas përkufizimit që e bën Rezoluta 1244 – dhe kjo në saje të shkurtpamësisë politike që u përkufizua si Kosovo*. Pra, në kushtet kur Kosova nuk e kontrollon një të katërtën e territorit të vet dhe në kushtet kur nuk e ka njohur shumica e shteteve të botës, që ende na shikojnë pjesë të një shteti tjetër, të pranuar gjerësisht në planin ndërkombëtar, është paksa iluzore të pretendosh se muhabeti politik (për të mos i thënë negociata) për paqe do të të sjellë rehati. Posaçërisht nëse atë muhabet politik e zhvillon me një shtet që me Kushtetutën e vet e ka përcaktuar Kosovën si territor të vetin dhe që është shumë i suksesshëm në parandalimin e pranimit të Kosovës shtet në botë.
Për fat të keq, Serbia as nuk ka kapitulluar e as nuk i janë shpartalluar institucionet, sepse në atë rast do ta nënshkruante marrëveshjen e paqes dhe do t’ia njihnim njëra-tjetrës shtetësinë. Përkundrazi, me pjesëmarrjen e ngutshme dhe të paanalizuar mirë në “bisedimet teknike”, Kosova ia ka forcuar Serbisë pozicionin karshi Evropës dhe ajo jo vetëm që i mban institucionet e rendit të forta në territor të vetin, porse na i “jep hua” për të na e bërë mishmash punën në veri.
Pikërisht këtu edhe qëndron baza e kritikës, të cilën ia bëri Kuçit ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko. Majko e tha -- siç qëndrojnë punët tash, një negociatë e tillë do të mbështetej mbi Rezolutën 1244 dhe përderisa Kosova do të pretendonte se po zhvillon negociata në nivel shtetesh sovrane, Serbia do ta shikonte këtë si një marrëveshje ndërmjet shtetit dhe entitetit autonom. Mirëpo, duke qenë profesor i drejtësisë, Kuçi është ofruar t’ia japë ca shpjegime zotit Majko – me ç’gjë paksa e ka ofenduar deputetin e tanishëm dhe njeriun që e udhëhoqi Shqipërinë në kohën kur zhvillohej lufta në Kosovë dhe në kohën kur duhej dhënë strehim gati një gjysmë milioni njerëzish. Megjithatë Majko është njeri që merret me politikë qe 25 vjet, që shpalos mendimet e veta rrjedhshëm, me logjikë dhe me gjuhë të pasur, dhe i cili nuk ka nevojë që t’ia shkruajnë fjalimet, komentet apo intervistat.
Në vend të një shpjegimi teorik se çfarë janë traktatet, Kuçi mbase do të duhej të na i shpjegonte “konkluzionet” e arritura dhe të panënshkruara nga kolegia e tij Edita Tahiri (e cila tash po merret me vendime për Agjencinë e ushqimit dhe të veterinës, si dhe për ruajtjen e lëndës statistikore) dhe çka nëse ato nisin të zbatohen, e çka nëse ato nuk zbatohen. A do të jenë stoikë që të gjithë ata të cilët me muaj na kanë thënë se nuk do të ketë vazhdim negociatash pa u zbatuar shtatë marrëveshjet ”e konkluduara”, posaçërisht ajo që ka emër kompjuteri (IBM – menaxhimi i përbashkët i kufijve sipas interpretimit kosovar dhe menaxhimi i përbashkët i vijës administrative sipas interpretimit serb), apo edhe një herë do të na rrejnë, të këshilluar nga miqtë që “gjithmonë e dinë se çka është më mirë për neve”.
Do të duhej gjithashtu të na e shpjegonte pak më qartë “presionin pozitiv”. Vallahi sa herë që dikush e përmend fjalën presion, disi më ndalet frymëmarrja, sepse duhet, në kushte të stresit me e marrë një vendim. Dhe sa herë më ka bërë dikush presion, e di që ma ka ngufatur rrjedhën normale të oksigjenit në tru, pra edhe jo çdoherë vendimet e mia do të kenë qenë të qëlluara. Mbase do të mund të përpiqesha të imagjinoja se presion pozitiv do të mund të ishte për shembull ku dikush do të më thoshte: “Pashë zotin, hajde në det, lëri punët”. Por kur po e imagjinoj veriun në tavolinë të bisedimeve me Beogradin, nuk po shoh as plazh, as çadër, as diell. Po shoh rrezik të humbjes së territorit mbështetur në një dokument që tashmë na e kanë prerë, e për të cilin ne shtiremi se nuk e kemi parë.
Mbikëqyrja formale e pavarësisë po përfundon. Në shtator është planifikuar të na vizitojnë shumë delegacione të huaja dhe ne t’i harxhojmë bajagi do pare për ta shënuar një çast që na e lë zyrtarisht shtetin e ndarë dhe me një perspektivë të zymtë nën këtë udhëheqje politike. Kosova e pret ardhjen e ambasadores amerikane, e cila bëri një gjest të jashtëzakonshëm duke na u drejtuar në shqip me një videoporosi dhe duke na treguar se qëllimin i prezencës saj do të jetë forcimi i demokracisë. Të shpresojmë se nuk do të merret me mikromenaxhimin e politikës dhe të jetëve tona, siç kishin bërë së paku dy paraardhësit e saj, posaçërisht ky i fundit. Ndërkohë, gjenerali i KFOR-it po na tregon se dialogu politik pa heqjen e barrikadave nuk ka kurrfarë kuptimi, e politikanët tanë e kritikojnë KFOR-in për shkak se nuk i heq barrikadat. Të cilat, do të kujtojmë, janë vendosur pas desantit të dështuar të ROSU-t vitin e shkuar...
Kësaj i thonë lëmsh, sado që askush nga qeveritarët nuk do ta pranojë. I thonë edhe rrezik, për shkak se duke pretenduar se po dinë shumë, sepse e kanë pasuruar fjalorin politik, mund të na ngujojnë në veriun nga i cili nuk do të dimë të këndellemi.
Comments (0 posted)
Post your comment