Home | Opinion | Dilemat e bukura

Dilemat e bukura

image
Në plazh, në male, buzë liqenit apo lumit, në Theth, Dhërmi, Ulqin, Grykë të Valbonës, Gjirokastër, Sarandë, Strugë, Rugovë, Brezovicë, Prizren, Dubrovnik: pa marrë parasysh ku shkoni në pushime, mos harroni kremin për diell – dhe disa libra.


 

 

 

Enver Robelli

 

 

 

 

Në plazh, në male, buzë liqenit apo lumit, në Theth, Dhërmi, Ulqin, Grykë të Valbonës, Gjirokastër, Sarandë, Strugë, Rugovë, Brezovicë, Prizren, Dubrovnik: pa marrë parasysh ku shkoni në pushime, mos harroni kremin për diell – dhe disa libra. Disa propozime arbitrare për ditët ndoshta më të bukura të vitit.


Është ndër dilemat më të bukura të vitit. Pak ditë para se të fillojnë pushimet duhet të bëhet përzgjedhja: cilat libra do të gjejnë vend sivjet në valixhen e madhe, e cila dikur vërtet dukej e madhe, por tash zvogëlohet dita-ditës? Së pari mendja shkon te të gjitha ato libra, të cilave nuk u ka ardhur rendi i leximit që nga pushimet e shkuara, sepse vendin e tyre e kanë zënë vepra të tjera, libra mbi politikën e historinë, biografi personalitetesh, kujtime. Të vazhdohet me këtë literaturë edhe në pushime? Jo! Tepër e rëndë për ditët ndoshta më të mira të vitit. Diçka më e lehtë duhet të jetë, por jo triviale. Diçka që mundësisht ka ton gazmor, por që trajton temë serioze. Më e rëndësishmja: në çdo rrugëtim s’duhet të mungojnë së paku disa libra, krahas kremit për diell.

1.

Me gjasë më së shumti kosovarë shkojnë për pushime në Shqipëri. Lirë, deri-diku mirë, afër, “deti ynë”, gjuha e njëjtë ose gati e njëjtë (italisht përzier aty-këtu me ndonjë fjalë shqipe). Anët e tjera, kryesisht negative të turizmit “à la albanais” injorohen ose durohen me stoicizëm patriotik: shërbimi i keq për turistë, kamerierë qejfprishur dhe pa përvojë, kuzhinierë që shpesh përgatisin ushqimin shkel e shko, aty-këtu ndotja e ujit pothuaj në nivel epidemik (madje edhe organizatat ndërkombëtare i paralajmërojnë turistët të mos lahen në disa pjesë të plazhit të Durrësit për shkak të ndotjes djallëzore). Megjithëkëtë, duhet parë anët e mira ose së paku interesante apo të errëta të Shqipërisë, të cilat shpesh gjenden të përshkruara në libra. Qe, në vijim, pesë propozime:

a) Tessa de Loo: “Miq tek Ali Pasha” – Një udhëpërshkrim gjurmëve të lordit Byron në Greqi e Shqipëri.

b) Kryeveprat e Elias Canettit, shkrimtar i lindur në Bullgari dhe i formuar në Evropë (Britani të Madhe, Austri, Zvicër).

c) Kujtimet e Maks Velos mbi sundimin e komunizmit në Shqipëri (“Kohë antishenjë”)

ç) “Megafoni i zotit”: Një roman i autores italiane Laura Facchi mbi rrugët e jetës të dy grave shqiptare dhe luftën e tyre për liri.

d) “Kronikë në gurë” – romani ndoshta më i mirë i Ismail Kadaresë. Ia vlen të lexohet edhe prej atyre që e kanë lexuar më herët.

2.

Po shkuat në Greqi për pushime ndoshta është e preferuar të lexohen libra për krizën në përgjithësi dhe ekonominë në veçanti – dhe ndonjë libër mbi të kaluarën.

a) Tomas Sedlacek: “Ekonomia e së mirës dhe së keqes”. Një studim historik mbi ekonominë nga këshilltari i dikurshëm për ekonomi i Vaclav Havelit.

b) Nikos Dimou: “Mbi fatkeqësinë e të qenit grek”. Një përmbledhje simpatike e shqetësimeve historike greke.

c) Ndër librat e fundit që ka përkthyer i ndjeri Ardian Klosi janë shënimet e diplomatit francez François Pouqueville mbi shtetin e Ali Pashë Tepelenës.

ç) “Rumelia. Udhëtime në Greqinë veriore” të autorit britanik Patrick Leigh Fermor, i cili është njëri prej udhëpërshkruesve më të mirë të shekullit XX.

3.

Klasa e pasanikëve të rinj, por edhe e arrivistëve të paskrupullt në viset shqiptare viteve të fundit e ka zbuluar Turqinë si destinacion pushimesh. Paguajnë dhe nuk duhet të bëjnë asgjë tjetër. Futen në avion, aterrojnë në Antalia, ku vjen një autobus, i cili i merr “grupet turistike” dhe i shpie në një kazermë turistike të quajtur hotel, ku punëtorët me rroga tmerrësisht të ulëta duhet të punojnë e të buzëqeshin 24 orë në ditë për disponimin e ardhacakëve. Pesë propozime për çdo udhëtim në Turqi:

a) Kujtimet e Orhan Pamukut për Stambollin.

b) Romani “Muzeu i pafajësisë” i Orhan Pamukut. Në Stamboll së fundi është hapur edhe një muze si zgjatim i romanit.

c) Patrick Leigh Fermor: “Koha e dhuratave” dhe “Mes maleve dhe ujit”. Një udhëpërshkrim fantastik nga Holanda në Stamboll.

ç) Poezitë e Nazim Hikmetit.

d) Romanet e Yasar (Jashar) Kemalit.

4.

Për secilin që udhëton në Kroaci, Bosnjë, Slloveni, të vlefshme mund të jenë këto vepra:

a) Të gjitha romanet e Milenko Jergoviqit, kroatit të ikur nga Sarajeva në Zagreb.

b) Të gjitha veprat e sllovenit Drago Jancar.

c) Esetë e Sllavenka Drakuliqit mbi Tribunalin e Hagës (“Ata as milingonën nuk do ta shkelnin”).

d) Adriana Altaras: “Syzet e Titos” – një roman i hareshëm, një kronikë familjare hebraike.

dh) Esetë e Mirosllav Kërlezhës, botuar nga “Rilindja” në fund të viteve ’70, në përkthim të Vehap Shitës.

e) Juli Zeh: “Qetësia është një rrapëllimë. Një udhëtim nëpër Bosnjë”.

ë) Ivo Andriq: “Ura mbi Drinë”. Pa dilemë njëra prej veprave më të mëdha të shekullit XX.

f) Robert J. Donia: “Sarajeva. Biografia e një qyteti”.

g) Të gjitha romanet dhe esetë e Xhevad Karahasanit, autorit momentalisht më të një njohur boshnjak në hapësirën kulturore gjermanofolëse.

gj) Vëllimet poetike të Izet Sarajliqit.

h) Dubravka Ugreshiq: “Kultura e rrenës”. Ese mbi çmenduritë dhe dallditë ballanike të viteve ’90.

i) Librat me ese të Boris Dezhulloviqit, gazetarit më subversiv kroat.

5.

Ata që kanë vizë për hapësirën e Schengenit dhe vazhdojnë udhëtimin, ta zëmë, në Itali, mund të fillojnë të interesohen për këtë vend sapo të ndalen për kafe në Triestë, në Via Carlo Ghega (në shqip Karl Gega, në gjermanisht Carl Ritter von Ghega), njërit prej arkitektëve më të famshëm të shekullit ’19, i lindur në Venedik në një familje shqiptare, ndërtues i hekurudhës së Semmeringut, e cila lidh Austrinë me Italinë dhe që nga viti 1998 është pjesë e trashëgimisë botërore në listën e UNESCO-s. Qyteti i Triestës është vendlindja e Aleksandër Mojsiut. Gazetari gjerman Rüdiger Schaper para disa vjetësh ka shkruar biografinë e Mojsiut (“Mojsiu. Triestë. Berlin. New York. Një legjendë aktrimi”), e cila është përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Libra të tjerë të preferuar nga dhe për Italinë:

a) Gjithçka që lexoni nga Umberto Eco – nuk gaboni!

b) Gjithçka që lexoni mbi mafinë dhe krimet e saj nuk gaboni – me kusht që autor të jetë Roberto Saviano, autori i guximshëm nga Italia e jugut, i cili jeton në mbrojtje të policisë.

c) “Shkretëtira e tatarëve” e Dino Buzzatit.

6.

Për të gjithë ata që e duan Evropën Lindore, të pashmangshëm janë këta autorë:

a) David Albahari, hebre i lindur në Pejë, autor i letërsisë serbe me banim në Kanada (romanet “Mëmëdheu”, “Ludvigu”, “Flakaresha”, “Vëllai”).

b) Danilo Kish me veprat e tij letrare “Një varr për Boris Davidoviqin”, “Mansarda”, “Ora e autonomisë”, “Enciklopedia e të vdekurve”, “Kopsht, hi”.

c) “Rrugës për në Babadag” të Andrej Stasiuk. Ky autor polak di të përshkruajë anët e panjohura të Evropës.

ç) Gjithçka që viteve të fundit ka shkruar autori ukrainas Juri Andruhoviq ia vlen të përpihet mendërisht.

d) Melinda Nadj Abonji: “Pëllumbat fluturojnë”. Një roman mbi një familje emigrantësh nga Vojvodina në Zvicër.

dh) Herta Müller, nobeliste e letërsisë, pjesëtare e pakicës gjermane në Rumani, ka shkruar romane rrëqethëse mbi diktuarën në Rumani. Një autore e tillë i mungon Shqipërisë, e cila ende mjaftohet me vepra anekdotike mbi sundimin e Enver Hoxhës, armikut dhe kasapit më të madh të kombit shqiptar.

e) Bora Qosiq, një autor serb i lindur në Zagreb, tani me banim në Berlin, dikur rekrut i Armatës Popullore të Jugosllavisë në Prizren, është bërë i njohur me romanet dhe tregimet e tij alegorike mbi Ballkanin e shekullit XX.

ë) “Revolucioni i simuluar” i Ilija Trojanovit – një analizë e hollë mbi krimin, korrupsionin, dështimet dhe dëshpërimet në Bullgari në 20 vjetët e fundit.

f) Alek Popov: “Misioni në Londër”: një tallje e mrekullueshme letrare mbi diplomacinë bullgare.

Lexim të këndshëm! Dhe mos harroni të lyheni me krem dielli!


 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00