Home | Opinion | Stili muzikor i politikës

Stili muzikor i politikës

image
Po del se tallavaja politike tashmë na është bërë pjesë e jetës sonë të përditshme dhe me frikë shikoj sesi kolektivisht po e pranojmë këtë diskurs primitiv, pa u përpjekur aspak ta luftojmë. 

 

 

 


Flaka Surroi

 

 

 


Diskursi politik kosovar më së shumti i ngjet muzikës më të shëmtuar në planet – tallavasë së gjatë, monotone, me “solo-këndime” të gjata me ndërhyrje të atykëtushme foljore..., por ka edhe të tillë që sillen si punkera e të tjerë që çmojnë që muzika më e mirë është heshtja.


Javën e përcolla me një nervozë të panevojshme që ma shkaktoi portieri i Barcelonës, Valdés, i cili në stilin e tij të përhershëm prej “gllupi”, i lejoi Realit, kot së koti, t’ia shënonte golin e dytë, duke ia rritur atij shanset për t’ua komplikuar fitoren e blaugranave në Superkupën e Spanjës. Tash, të jem e sinqertë, nuk e di a isha bërë aq shumë nervoze me gjestin e tij të marrë, po të mos ndodhte që në të njëjtën kohë i nënshtrohesha terrorit tallava, që më vinte dikund atje nga drejtimi i Kodrës së Diellit. Tash paramendojeni, derisa Messi po e huqte shansin për ta rritur rezultatin në 4:1, prej Kodrës po më vinte valë-valë e përsëritur e gjëma për Xhemilen dhe mahnitja për Eminen, përcjellë nga ai ritmi i papërsëritshëm elektronik i sintisajzerit, orkestrës all-in-one, të cilën shumë, shumë vjet më parë e kishin zbuluar banorët e mëhallës prishtinase që të gjithë e njihnim si “Moravska”. Dhe thuajse ishin sinkronizuar me telepati a teleskop, në çastin kur më duket Adriano ia ktheu topin Valdésit, nga Kodra dëgjohej: “O moj katile, mos ma bo me hile”... dhe hyri goli... Rastësi apo ligji i Murphyt?

Po ta kërkoje fjalën “tallava” në fjalor, nuk e gjen. Në internet ta japin një përkufizim, që mundesh me e formu edhe vetë, duke ia shtuar edhe nja tridhjetë epitete e karakteristika, por sa për ta pasur një pikënisje, përkufizimi më i përhapur është ky: “Lloj i muzikës ballkanike me nuanca tonesh greke, turke, shqiptare e sllave, të cilën më së shumti e kultivojnë jevgjit. Karakteristika kryesore e këtij lloji oriental të muzikës janë këngë të gjata, të ngadalshme dhe monotone me solo-këndime të gjata dhe pjesë foljore”.

Kur e sheh përkufizimin e këngës së gjatë, monotone, me pjesë foljore, s’ke si mos ta asociosh me garniturën politike që aktualisht rri ulur në pushtet dhe besa një pjesë të konsiderueshme të asaj që kryesisht rri ulur pa bërë gjë në pritje oportuniste të një diçkaje që do t’ia ndërrojë statusin, e që e quan veten opozitë.

Janë disa nga ata që i këndojnë këngët e njëjta – e ndër ta ai i cili më së shumti dallohet është zëvendëskryeministri i parë, Pacolli, i cili për të katërtën herë na prezanton nota verbale, apo së paku ashtu i quan ai, të pranimit të shtetësisë së Kosovës nga ana e shteteve, kryesisht, afrikane.

Herën e parë na pati nxjerrë shpirtin me përsëritjen deri në pafund të pranimit të Kosovës nga ana e Hondurasit..., që më në fund erdhi dikur, dikush thotë duke iu falënderuar angazhimit të Walkerit, dikush thotë angazhimit të Pacollit, e dikush thjesht presionit amerikan. Por, për të dëshmuar “autorësinë” e pranimit, ishte Pacolli ai që e aranzhoi vizitën e kryetarit honduras në Kosovë vjet në këtë kohë. Mirë boll.

Dy herët e ardhshme, “notat verbale” u referoheshin Nigerisë dhe Ugandës. Ministria e Jashtme nuk ia doli t’i vërtetojë notat verbale, dhe emrat e shteteve të vendosura me nguti në ueb-faqen e vet i kishte hequr po me nguti kur nuk mund të vërtetoheshin faktet që po mohoheshin, dhe vazhdojnë të mohohen nga Serbia në planin ndërkombëtar. Sipas një burimi të KTV-së, emrat u rikthyen në ueb-faqe, për shkak se Pacolli kishte insistuar nën kërcënimin se do të dilte nga koalicioni, po qe se ato dy shtete nuk mbesnin aty, që t’i atribuoheshin si kontributi unikal i tiji në këtë drejtim. Emrat u kthyen në faqe, por konfirmimet përfundimtare nuk janë askund..., kurse koalicioni u ruajt... me kaq pak send, që po dihet. Të fshehtat e marrëveshjes për krijimin e koalicionit, apo marrëveshjet e fshehta..., ato nuk i dimë.

Hera e fundit ishte Mali – për pranimin nga i cili shtet, Pacolli na tha triumfalisht në konferencë për shtyp se ishte meritë e tij. Tash del kryetari i Malit dhe thotë se ai nuk ka nënshkruar asnjë vendim e asnjë notë verbale dhe se “e rezervon të drejtën që të ndërmarrë masa dhe sanksione kundër atyre që e kanë falsifikuar këtë dokument”. Por ne e mbajmë në ueb-faqen e Ministrisë së Jashtme, për të konfirmuar turpin e të funksionuarit me rrenën si bazë. Paramendoni, nëse zyrtarët tanë gënjejnë për gjëra aq publike që mund të dëshmohen kaq lehtë dhe nuk ndalen të mendojnë sesa dëm mund t’i bëjnë shtetit – kush do ta marrë Kosovën seriozisht? Kush do ta marrë seriozisht edhe ministrin e Jashtëm, i cili u kënaq duke na dërguar kartëpostale nga Oqeania, meqë rruga e çonte andej nga New Yorku për në shtëpi... more me ditë që po e marrin seriozisht dhe po na e sjell ndonjë njohje përnjëmend, hallall ia bëj mëditjet që po ia paguajmë...

Këngëxhiu tjetër, dihet – kryeministri. Përkufizimi i këngës monotone dhe solo-këndimit të gjatë më së shumti i përshtatet atij. Vetëm shikojini mbledhjet e Qeverisë kur nisë të tregojë për ndonjë ngjarje, për ndonjë plan a për ndonjë vizitë. Patjetër do të nisë me “Qeveria e Republikës së Kosovës”, do të vazhdojë me aspiratat për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe do të përfundojë diku me ligjet a vendimet që duhet të miratohen nga “Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Më pas, “këngën” do t’ia dedikojë vetes, ngase, meqë shpesh politikën në Kosovë e barazon me vetveten, gati pashmangshëm do t’ia nisë me “unë, kur kam qenë lideri opozitar”, “unë si kryeministër i Republikës së Kosovës”, unë..., unë..., unë... deri në pafund.

Ritmi i tij di të ndryshojë kur mbështetet për mur, edhe pse dorën në zemër kjo nuk ndodh shpesh – sepse me mjeshtëri kontrollon shumëçka. I ka shpërndarë njerëzit e vet nëpër ndërmarrjet publike, nëpër agjenci privatizimi, nëpër institucione ku ka të hyra; thotë që nuk ka shërbim sekret partiak, e nuk ka njeri që dëgjon në rrugë a publikisht që nuk ankohet për SHIK-un dhe të bërat e tij. Di ta heqë përgjegjësinë nga vetja, prandaj edhe ia veshë dikujt si Edita Tahiri, të cilën e djeg politikisht për të shpëtuar i mençur dhe i pastër. Por, në çastin kur i ngushtohet hapësira e manovrimit, siç i kishte ndodhur me fiaskon e desantit në veri në korrikun e vjetëm dhe sikurse është duke i ndodhur këto ditë me negociatat me Serbinë, atëherë kërkon unitet të popullit e të spektrit politik, siç ka qejf ta quajë, për të dalë nga kriza. Nga kriza në të cilën na ka futur ai, bashkë me Qeverinë dhe qeverisjen e papërgjegjshme – të cilën në secilën mbledhje të Qeverisë e quan sukses.

Ritmin po aq monoton e kanë edhe përfaqësuesit e AAK-së. Por, këta e kanë ritmin dytaktësh: njëherë thonë jo, jo, jo me PDK-në, kurrë, kurrë, kurrë në koalicion me Thaçin dhe s’bën, s’bën, s’bën me zhvillu negociata me Serbinë. E mandej e kapin taktin tjetër edhe ia nisin me diskursin e kthimit të liderit të tyre: sa herë keni mundur të dëgjoni sesi skena politike në Kosovë do të ndërrojë posa në të të kthehet Ramush Haradinaj nga Haga. Sesi edhe raporti pozitë-opozitë do të ndërrojë posa të kthehet ai. Sesi e ardhmja e negociatave me Serbinë, duke përfshirë edhe veriun, do të zgjidhet posa të kthehet kryeministri nga Haga dhe që për interes të shtetit, edhe koalicioni me PDK-në, me Haradinajn kryeministër, do të jetë opsion... që në fund nuk duket të jetë ndonjë kompliment i madh për liderin, ngase nuk ia paska dalë të lërë pas njerëz që në mënyrë të pavarur mund ta udhëheqin subjektin politik pa prezencën e tij.

Natyrisht se asnjërit nga ta nuk i shkon as nëpër mend, e lëre më ta thonë publikisht, opsioni që Haradinaj të mos kthehet në shtator. Meqë aktgjykimi i Hagës nuk është ende publik, teorikisht, Haradinaj do të mund të mbeste atje... dhe në atë rast çfarë do të ndodhte me zyrtarët e AAK-së? A do t’i ktheheshin ritmit nga pjesa e parë e vitit, dhe rrahjes së teneqesë në formë po aq monotone sa gjithherë? Apo do t’i bien këtij takti të dytë derisa ndërkohë do ta kalojnë kohën duke u shtyrë me VV-në, duke e quajtur të papjekur dhe qesharake, për shkak se i lejon vetes t’i japë këshilla një subjekti me shumë më shumë përvojë politike.

E “Vetëvendosja” është fakt se nuk e gjen veten në këtë ambient muzikor, ngase momentalisht i takon rrymës punk rock – të asaj rryme që refuzon të identifikohet me klasën udhëheqëse politike dhe me keqpërdorimet, mashtrimet dhe inercisë që e mban atë në pushtet. Por formën e komunikimit që ka zgjedhur me partitë e tjera politike është pikërisht ajo që deklarativisht do që ta shmangë – diktatin. Madje as këshilla që i jepet dikujt për të mos bërë diçka, duhet të matet mirë e mirë. Për mua ishte hata e pabesueshme kur dëgjova se si VV-ja i bëri thirrje AAK-së që të mos bënte koalicion me PDK-në. Puna e VV-së është që në opozitë ta luftojë një koalicion të mundshëm PDK-AAK, ose që qysh tash të bëjë ftesë për një koalicion të mundshëm VV-AAK, e jo t’i tregojë një subjekti politik a duhet të lidhet me dikë apo jo. Ajo i bie njësoj sikur dikush, ta zëmë, me i thënë Albin Kurtit mos rri me Glauk Konjfucën – sepse ashtu ia merr mendja se duhet.

Mbase më mirë do të ishte po qe se VV-ja do të dilte për t’i numëruar arsyet se përse do të ishte i keq për Kosovën koalicioni i mundshëm PDK-AAK. Se pos që mund të jetë i dëmshëm politikisht, do të ishte mbledhja e dy subjekteve që nuk i kanë hesapet e pastra. Për shembull: të numërojë sesi në kohën kur AAK-ja ka qenë në pushtet është krijuar telefonia e dytë mobile e janë humbur 16 milionë euro që i kanë takuar Kosovës; se Kosumit që kishte qenë nga AAK-ja, i është dhuruar një fluturim me aeroplan privat nga Turqia për në Kosovë nga një mik – e që ka qenë shkelje eklatante e ligjit; që në kohën e ministrit Dugolli ishte pezulluar Ligji për Lotarinë e Kosovës, duke ia mohuar Kosovës të hyrat buxhetore; që në kohën e qeverisjes së AAK-së “shkoi” “Ferronikeli”, për pak para dhe me akuzë për ryshfet; që në atë kohë nisi së ndërtuari një park industrial shumë i shtrenjtë, i cili as pas shtatë vjetësh nuk ka përfunduar së ndërtuari; se gjatë qeverisjes së AAK-së është bërë zhvendosja e një fshati të tërë për punë thëngjilli, derisa flitej sesi atje tokat u blenë nga zyrtarë politikë; sesi në kohën e qeverisjes së AAK-së, policia ka ndërhyrë fizikisht në Rektoratin e Universitetit, duke ia cenuar autonominë... etj., etj..., që nuk e dallon shumë nga Qeveria e udhëhequr nga PDK-ja, e cila e fali Distribucionin e KEK-ut; do ta falë Postën; pjesërisht e fali Aeroportin, na futi në borxhe deri në fyt me autostradën e tash do të na futë edhe në një tjetër, përderisa në Kosovë ka mungesë absolute të keshit sa nuk jemi kthyer në fazën e tregtisë me këmbimin mall-mall...

Pra, do të mund të argumentonte se nuk do të ishte ky bashkim i forcave progresive, siç e quajnë veten, por bashkim i forcave që ia kanë parë hairin pushtetit dhe, siç e thashë edhe në kolumnen e javës së shkuar, që me rëndësi e kanë interesin personal e jo atë të përgjithshëm. Prandaj edhe nevoja e rritjes së trysnisë së opinionit ndaj atyre që duan të na fusin në dialog me Serbinë për veriun e pa veriun, vetëm për shkak se ashtu po i udhëzojnë ata që duan t’ia zgjidhin statusin evropian Serbisë. Problemet serioze me Serbinë i kemi që nga paralufta dhe ato nuk janë zvogëluar as pas luftës. Pra, pse mos të pritet që ky dialog që do të duhej të shqyrtonte tema sikurse janë kthimi i të pagjeturve, reparacionet e luftës, kthimi i pensioneve të vjedhura nga Serbia e të ngjashme, të nisë kur të kenë përfunduar zgjedhjet në Amerikë... Atëherë nuk do të ketë as tension e as nguti e ndoshta do të ketë edhe platformë bisedimesh jashtë së cilës nuk duhet dalë.

E mbase këto do të duhej të ishin këshillat e VV-së, e jo përpjekja për t’i mësuar se çfarë duhet bërë ata që politikën e shohin kryesisht si muzikë pa nota... sikurse e sheh LDK-ja, opozita më inerte që ka pasur Kosova që nga mbarimi i luftës. Me gjithë atë kapacitet njerëzor, i cili ua solli votat për në Parlament, popullata do të duhej të ishte super e mobilizuar dhe e përgatitur për të protestuar edhe për shtrenjtime edhe për faljen e aseteve shtetërore, edhe për shumë gjëra të tjera. Në vend të kësaj, njëherë në javë ndonjëri nga zyrtarët e mban një sesion tallava të vetin (“nuk i votojmë amendamentet nëse nuk jep dorëheqje Jahjaga” në bis çdo të dytën ditë) dhe mandej heshtin që të gjithë..., sepse heshtja është ar dhe muzika më e mirë për veshë.

Pas këtij zbërthimi po del se tallavaja e asaj nate që vinte nga Kodra e Diellit nuk më kishte shtuar më shumë nervozë pas asaj që ma shkaktoi ai kastraveci Valdés. Po del se tallavaja politike tashmë na është bërë pjesë e jetës sonë të përditshme dhe me frikë shikoj sesi kolektivisht po e pranojmë këtë diskurs primitiv, pa u përpjekur aspak ta luftojmë.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00