Home | Opinion | Qeveria e tokës së djegur

Qeveria e tokës së djegur

image
Kjo heshtje e gjithë piramidës shtetërore është më e rëndë se vetë zjarret dhe tregon shumë, flet shumë, flet jo vetëm për paaftësi dhe neglizhencë, por për braktisje, për ikje, për ikje, pasi toka po i digjet poshtë këmbëve.

 

 

 

Nga Aleksander Biberaj

 

 


 
Para më shumë se dy javësh, kolegu i nderuar Besnik Mustafaj, nëpërmjet një shkrimi në gazetën “Panorama”, lëshoi alarmin për djegien e pyjeve në kurorën e malit të Dajtit dhe konkretisht në Priskë, duke u kërkuar institucioneve dhe personave përgjegjës me pushtet që të ndërhyjnë për të minimizuar dëmet e zjarreve dhe normalizuar situatën. Ditët dhe javët kaluan dhe asnjë reagim nuk pati nga institucionet përgjegjëse, ndërkohë që situata po përkeqësohej çdo ditë e më shumë. Presidenti i Republikës jo vetëm që nuk mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare, por nuk gjeti asnjë moment të thoshte qoftë edhe një fjalë të vetme për zjarret. Kryeministri gjeti kohë të inauguronte për të disatën herë rrugica që të çojnë te pronat e tij dhe të pronarëve të rinj të pushtetit të tij, ndërkohë që as nuk i përmendi zjarret që shkrumbonin pyjet sipër rrugicave të sapo inauguruara. Asnjë ministër, drejtues apo funksionar shteti nuk është parë te vatrat e zjarrit, për të sensibilizuar sadopak opinionin apo institucionet përgjegjëse për situatën. Asnjë fjalë nuk është thënë në mbledhjet e qeverisë për mbrojtjen e pyjeve si prona publike nga zjarret, ndërkohë që asnjë mbështetje materiale, apo qoftë edhe vetëm morale, nuk i është dhënë nga qeveria grupeve të emergjencave civile, zjarrfikësve, Policisë Pyjore apo kujtdo tjetër që po merret me shuarjen e zjarreve.

Asnjë grup pune në nivel kombëtar apo rajonal nuk është ngritur për menaxhimin e situatës. Asnjë sinjal angazhimi apo inkurajimi nuk është dhënë as nga Ministria e Mbrojtjes dhe as nga ajo e Brendshme, me përjashtim të zëdhënësit që ka disa ditë që del dhe, pasi numëron zjarret, përfundon duke thënë se “situata është nën kontroll” (nënkupto të Zotit), ndërkohë që zjarret vazhdojnë punën e tyre pa u shqetësuar nga askush. Nuk ka asnjë kërkesë zyrtare nga ana e qeverisë (të paktën publikisht), që si vend i NATO-s t’u drejtohemi vendeve anëtare apo fqinjëve për ndihmë për këtë situatë emergjence, duke qenë se për shtatë vjet kjo qeveri dhe as ato paraardhëset nuk siguruan as minimumin e mjeteve të duhura për menaxhimin e situatave të tilla. Kemi edhe Ministri të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, që ndonëse ka përgjegjësinë për të menaxhuar situata të tilla, as nuk është dëgjuar fare, a thua se nuk ekziston. Kemi edhe Ministri Bujqësie, që direkt apo indirekt ka përgjegjësi, por edhe ajo s’është dëgjuar fare. Kjo heshtje e gjithë piramidës shtetërore është më e rëndë se vetë zjarret dhe tregon shumë, flet shumë, flet jo vetëm për paaftësi dhe neglizhencë, por për braktisje, për ikje, për ikje, pasi toka po i digjet poshtë këmbëve. Dhe nuk ka shpjegim tjetër, pasi vetëm një qeveri në ikje, që mbretëron verën e fundit sillet kështu me pasurinë kombëtare të qytetarëve të vendit të vet.


 Duke parë këtë indiferencë vrastare të qeverisë, para disa ditësh, me një grup të rinjsh të Frymës së Re Demokratike, me qëllim sensibilizimin e opinionit publik dhe të institucioneve përgjegjëse, iu përgjigjëm thirrjes qytetarë të një grupi pedagogësh dhe studentësh të iniciuar nga ambientalisti Sazan Guri, duke u ngjitur në malin e Dajtit në një lartësi mbi 1200 m, ku kishte disa vatra zjarri. Ajo që binte në sy dhe me të vërtetë të vinte keq, ishte fakti se nuk kishte asgjëkundi gjurmë shteti, nuk pamë askund gjurmë njeriu, mali digjej prej disa ditësh dhe askush nuk e pengonte këtë gjë, asnjë masë nuk ishte marrë. Pamja ishte tepër e zymtë, pyje të tëra të shkrumbuara tashmë dhe shumë vatra zjarri që vazhdonin punën e tyre. Në horizont dukej vetëm një helikopter që furnizohej me ujë në liqenin e Farkës, por nuk dukej se ku shkarkohej, gjithsesi përpiqej që të bënte diçka. U përpoqëm edhe ne gjithë paraditen për të shuar ndonjë vatër zjarri, dhe pasdite u kthyem në Tiranë, në Tiranën e rrethuar nga smogu dhe tymi mbytës krijuar nga djegia pafund e pyjeve të pambrojtura të kurorës së malit të Dajtit. E vetmja shpresë vjen nga qielli, pasi meteorologët parashikojnë shira në fundjavë, çfarë do të thotë edhe shuarje e zjarreve nga Zoti fuqiplotë dhe mëshirëplotë.

Fatkeqësisht, problemi i zjarreve është kthyer tashmë në një ritual të dhimbshëm dhe të përvitshëm, në një gangrenë kombëtare, pasi çdo fundvere kemi një Shqipëri me zjarre anembanë vendit, si një vend pa zot, kjo jo për faktin se fenomeni i zjarreve është vetëm shqiptar, por për faktin e lënies së zjarreve në mëshirë të fatit, dukuri e shëmtuar kjo që brengos dhe shqetëson çdo qytetar të këtij vendi. Fatkeqësisht vazhdojmë të jemi një vend me qeveri dhe institucione që nuk kujdesen për shuarjen e zjarreve, duke e lënë situatën të kthehet në një katastrofë ekologjike me pasojë miliarda lekë humbje; jemi një vend me qeveri dhe institucione që nuk japin asnjë qindarkë për shuarjen e zjarreve, ndërkohë që harxhojnë qindra miliona lekë shpenzime luksi për vilat qeveritare të bllokmenëve të rinj; jemi një vend ku qeveria blen helikopter VIP për qeveritarët e vet, por nuk akordon asnjë qindarkë për blerjen e helikopterëve për raste emergjencash apo të mjeteve teknike moderne dhe efikase për shuarjen e zjarreve. Ne sot kemi një qeveri që na mbyt në dimër dhe na len të digjemi në verë, qeveria që po lë të shkatërrohen pasuritë natyrore shekullore të shqiptarëve, duke rrënuar në këtë mënyrë jo vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen tonë dhe të brezave pas nesh. Nëse për zjarret mbetemi në mëshirën e Zotit, për qeverinë duhet ne ta ndryshojmë atë, dhe sa më shpejt, aq më mirë.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0