Një humnerë vjeshte?
Respice finem! (“Kijeni parasysh fundin”), kishin thënë dikur romakët. Liderët botërorë duhet ta kenë parasysh këtë thënie të mençur. Dhe kjo gjë duhet të vlejë dyfish më shumë për evropianët.
Joschka Fischer
Respice finem! (“Kijeni parasysh fundin”), kishin thënë dikur romakët. Liderët botërorë duhet ta kenë parasysh këtë thënie të mençur. Dhe kjo gjë duhet të vlejë dyfish më shumë për evropianët. Do të ishte një gjë absurde nëse ne do të duhej të vuanim një katastrofë të vërtetë përsëri, me qëllim që të kuptojmë për çfarë ka qenë i dedikuar gjithnjë integrimi evropian.
Berlin – Në muajt në vijim, disa kriza serioze rajonale ekonomike dhe politike mund të kombinohen në një megakrizë, duke e nxitur kështu një rrëmujë intensive globale. Gjatë verës, gjasat e rënies së rrezikshme janë bërë edhe më të mundshme. Boria e luftës po dëgjohet gjithnjë e më zëshëm në Lindjen e Mesme. Askush nuk mund të parashikojë drejtimin në të cilin presidenti sunit i Egjiptit dhe shumica parlamentare do ta çojnë shtetin. Mirëpo një gjë është e sigurt: islamikët sunitë po i ndryshojnë vendosmërisht politikat rajonale. Kjo riradhitje rajonale nuk duhet të jetë domosdoshmërish antiperëndimore, por padyshim se do të jetë në rast se Izraeli apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës e sulmojnë ushtarakisht Iranin. Ndërkohë, lufta civile po nxehet në Siri, e shoqëruar nga një katastrofë humanitare. Për të qenë të sigurt, regjimi i presidentit Bashar al-Assad nuk do të mbijetojë, mirëpo është i përkushtuar që të luftojë gjer në fund. Ballkanizmi i Sirisë si pasojë e grupeve të ndryshme etnike dhe fetare të shtetit është padyshim një rezultat i parashikueshëm. Në të vërtetë, skenari i tipit boshnjak nuk mund të përjashtohet më, ndërsa gjasat që qeveria siriane të humbë kontrollin mbi armët e saj kimike paraqet një kërcënim urgjent për intervenimin ushtarak të Turqisë, Izraelit apo SHBA-së në vend.
Për më tepër, lufta civile siriane është shndërruar në një shkas për betejën e deklaruar haptazi për hegjemoni rajonale ndërmjet Iranit nga njëra anë dhe Arabisë Saudite, Katarit, Turqisë dhe SHBA-së në anën tjetër. Duke qëndruar anash në këtë koalicion arabo-perëndimor, Izraeli po i mban letrat e veta të lojës afër vetes.
Irani, nga ana e vet, e ka shpallur Sirinë një aleat të domosdoshëm dhe është i përkushtuar që ta parandalojë ndryshimin e regjimit në vend në të gjitha mënyrat e mundshme. A do të thotë kjo se grupet militante të “Hezbollahut” në Libanin fqinj po përfshihen në mënyrë të drejtpërdrejtë në luftën civile të Sirisë?
A do të ringjallte një intervenim i tillë vetë luftën e gjatë civile të Libanit në vitet 70 dhe 80? A ekziston ndonjë kërcënim për një luftë të re arabo-izraelite në Lindjen e Mesme? Dhe, derisa kurdët brenda dhe jashtë Sirisë po bëhen gjithnjë e më kategorik, Turqia, me një popullatë të madhe dhe të kamotshme kurde në tokat e veta, po bëhet gjithnjë e më e relaksuar.
Në të njëjtën kohë, beteja rajonale që aktualisht po zhvillohet në Siri po bëhet gjithnjë e më e ngatërruar me një tjetër burim të jehonave të luftës: atë të programit bërthamor të Iranit. Në të vërtetë, paralel dramës siriane, retorika e përdorur në konfrontimin ndërmjet Izraelit dhe Iranit rreth këtij programi po bëhet i ashpër në mënyrë dramatike.
Të dyja palët kanë manovruar deri në qorrsokak. Në rast se Irani dorëzohet dhe pajtohet për një zgjidhje të qëndrueshme diplomatike, regjimi do të humbë pushtet mbi çështjet kritike të brendshme, duke e rrezikuar legjitimitetin dhe mbijetesën e vet. Nga këndvështrimi i regjimit, trashëgimia e revolucionit islamik të vitit 1979 është në rrezik. Mirëpo sanksionet ndërkombëtare po rëndohen dhe Irani rrezikon ta humbë Sirinë. Çdo gjë lë të kuptohet se regjimit i duhet suksesi – tanimë më shumë se kurrë – për sa i përket programit bërthamor.
Ngjashëm kështu, qeveria e Izraelit e ka mbështetur veten në kurthin e politikave të brendshme të vet asaj. Kryeministri, Benjamin Netanyahu, dhe ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak, nuk mund ta pranojnë një Iran të pajisur me armë bërthamore. Ata nuk i druhen një sulmi bërthamor kundër Izraelit, por një gare të armëve bërthamore në rajon dhe një ndryshimi dramatik pushteti në disavantazh të Izraelit. Nga këndvështrimi i tyre, Izraeli ose duhet të bind SHBA-në që të sulmojë Iranin dhe lokacionet e saj bërthamore ose të ndërmarr rrezikun maksimal të përdorimit të forcave ushtarake të vet asaj për ta bërë një gjë të tillë.
Të dy palët i kanë reduktuar dukshëm opsionet e tyre, duke e kufizuar në këtë mënyrë mundësinë për një kompromis diplomatik. Dhe kjo do të thotë se të dy palët kanë ndaluar së menduari për pasojat e veprimeve të tyre.
Gjithandej flitet për një “opsion ushtarak”, i cili nënkupton sulme ajrore. Mirëpo, derisa mbrojtësit flasin për një “operacion të kufizuar kirurgjik”, gjëja për të cilën flasin në të vërtetë është fillimi i dy luftërave: një luftë ajrore, e udhëhequr nga SHBA-ja dhe Izraeli, dhe një luftë asimetrike, e udhëhequr nga Irani dhe aleatët.
Dhe, çfarë nëse ky “opsion ushtarak” dështon? Çka nëse Irani bëhet një fuqi bërthamore, lëvizjet demokratike të rajonit zhduken nga një valë e solidaritetit islamik antiperëndimor dhe regjimi iranian del nga kjo edhe më i fortë?
Irani, po ashtu, nuk duket ta ketë menduar pozitën e saj nëpërmjet një përfundimi logjik. Çfarë do të fitojë nga statusi i vet bërthamor nëse e gjitha del t’i kushtojë me izolim rajonal dhe sanksione të ashpra të Kombeve të Bashkuara për një të ardhme të konsiderueshme? Dhe çfarë nëse e ndez garën e ashpër të armëve bërthamore në rajon?
Një luftë në Gjirin Persik – ende stacioni kryesor i gazit për botën – do të prekte eksportet e naftës për një kohë të caktuar, ndërsa çmimet e energjisë elektrike do të preknin kulmin, duke i shkaktuar një goditje të rëndë të gjithë ekonomisë globale që tanimë është buzë recesionit.
Kina, tashmë në telashe ekonomike, do të goditej më së rëndi, bashkë me të gjithë Azinë Lindore. Me SHBA-në po ashtu të dobësuar ekonomikisht dhe që është në pritje të zgjedhjeve presidenciale, aftësia e lidershipit amerikan do të tkurrej seriozisht. Dhe a do të mund të përballej një Evropë e dobësuar me tronditjen e çmimeve të naftës? Një tronditje rajonale dhe globale e sigurisë e shkaktuar nga loja asimetrike e luftës do t’u kontribuonte edhe më shumë telasheve të shumta ekonomike të botës, duke nxitur rënie edhe më të madhe të eksporteve.
Respice finem! (“Kijeni parasysh fundin”), kishin thënë dikur romakët. Liderët botërorë duhet ta kenë parasysh këtë thënie të mençur. Dhe kjo gjë duhet të vlejë dyfish më shumë për evropianët. Do të ishte një gjë absurde nëse ne do të duhej të vuanim një katastrofë të vërtetë përsëri, me qëllim që të kuptojmë për çfarë ka qenë i dedikuar gjithnjë integrimi evropian. -Koha.net
Comments (0 posted)
Post your comment