A e meriton çdo popull qeverinë që ka?
Shumë spektakël kombëtar për të joshur me tepri kureshtjet e të gjithëve. Vrasje misterioze në sfonde ngjarjesh misterioze. Vrasje në sheshe, vrasje që nuk mund të shpjegohen, gjykatësish e deputetësh, të të gjitha llojeve, për hakmarrje, për motive të dobëta, vrasje shtetërore, vrasje makabre, vrasje me pagesë, pa pagesë, në miniera, në kazino, në bilardo dhe natyrisht mbytje në det.
Artan Mullaj
Vazhdimisht kam ndjesinë këmbëngulëse se gjithçka shkon mbrapsht e do të shkojë mbrapsht vazhdimisht në këtë vend. Parandjenjë tersi, apo qasje psikologjike, kjo ndjesi është si një trazim shpirtëror që degjeneron në paqartësi… dhe përfundon në vulgaritet. Pas çdo ndodhie, kjo ndjesi është aty, e pranuar si një konstatim, shoqëruese: atmosfere e përzier me klimën e pistë.
Çfarë ngjarjesh na bombardojnë çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje? Shpërthime, vjedhje, vrasje… ndodhi të çuditshme nga të katër anët e vendit. Besoj ka shumë si unë që, përpara ekranit, ndihen si lakuriqët e natës mes zjarrit të ferrit. Gënjen çdo ditë kryeministri me këmbënguljen e qukapikut që godet trungjet e pemëve. Gënjen pa pikë turpi për mirëqenien e paqenë dhe ne e dëgjojmë përditë me durimin e një lavjerrësi. Në vend të mirëqenies, ne shohim shtëllunga tymi nga të katër anët. Dëgjojmë për njerëz që vriten e priten në çdo territor. Shohim se sa shpesh i mungon uji banorëve. Shteron uji, ndotet ambienti, vidhen pasuritë, vidhen zgjedhjet, priten e shkatërrohen pyjet, po nuk u prenë digjen, prishet normaliteti. Prandaj ndjesia e keqe është aty: Paralajmëron tersllëqet e radhës. Shuhen shpresa dhe fshihen dëshirat njerëzore për sukses, për fillim, për emocion dhe ardhmërinë e ndriçon po ai qiriri i zbehtë i së shkuarës; Përpjekjet (si shtretër lumenjsh të shteruar), shoqërohen me përshtypjen e përsëritur se një mallkim i padukshëm nderet aty, mes jetëve të thjeshta e të trishta të rinisë. Mes sedrës së lodhur të zotërinjve biznesmenë, që luftojnë verbërisht kundër dështimeve të paralajmëruara. Ndjesia prapë është aty, pranë dëshirave për të jetuar, e përjetshme si frika dhe e pandryshueshme si shpejtësia e dritës.
Gjithçka që ndodh, ndodh vrullshëm, qartë, dhimbshëm e zhgënjyeshëm; Në rrugë që ndërtohen, enkas për të vjedhur, aksidentet pa mbarim në asfaltin e tyre, të paguar dyfish, shtohen në ciklimet e fatit. Biznese që falimentojnë dhe fabrika që digjen nga instalimet elektrike jashtë sigurisë; instalime elektrike me tela si fijet nervore të një të sëmuri në pikën e fundit; pushtetarë të sëmurë nervorë, psikopatë me pushtet, në delir, në zallahi, në malabi; sisteme arsimore që nuk sjellin dije, as mundësi, drejtorë pa shkollë, mësues pa diplomë, profesorë seksomanë, shpesh edhe hajdutë; drejtues bythëvarur, më shumë mediokër se militantë, deputetë jargamanë, diplomatë hajvanë. Pastaj qytete katrahurë, plehra të rrezikshme që digjen në kazanët e Bashkisë dhe tymnaja në atmosferë, plehra shumë të rrezikshme që vijnë nga jashtë me lehtësi dhe me shumicë, si turistë pa viza! Ndërtime masive pa leje, pa fantazi, pa respekt për ambientin publik, për të ardhmen dhe pastaj ç’të ndodhë në fshat e në fushë, që janë për faqe të zezë, ku zemrën askush nuk e ka dhe as mendjen. Prodhime të rrezikshme dhe ushqime të rrezikshme, dështime të tjera fillim e mbarim, në skajet e çdo realiteti, në limitet e çdo perceptimi a iluzioni… Në mes të tersllëkut, shteti serviret si qeni mes plehrave… projekte financiare zhvillimi, në të cilat qeveria sillet si nusja e shtëpisë që qeras kokulur kafenë biznesmenëve mafiozë. Bankierë që përdorin paratë e shqiptarëve si duan.
I grabiten pasuritë e fundit këtij vendi si thithin hijienat palcën e mbetur. Shumë spektakël kombëtar për të joshur me tepri kureshtjet e të gjithëve. Vrasje misterioze në sfonde ngjarjesh misterioze. Vrasje në sheshe, vrasje që nuk mund të shpjegohen, gjykatësish e deputetësh, të të gjitha llojeve, për hakmarrje, për motive të dobëta, vrasje shtetërore, vrasje makabre, vrasje me pagesë, pa pagesë, në miniera, në kazino, në bilardo dhe natyrisht mbytje në det. Mbytje në det, mbytje në dëshpërim kolektiv, vetëvrasje të shtuara të shumëfishuara, ky është imazhi, kjo është ikona, fasada jonë, dinjiteti ynë, krenaria jonë në prag të festës shekullore të pavarësisë.
Kjo ndodh në këtë Shqipërinë tonë. Kjo është ndjesia e mbrapshtësisë, sepse këto janë pasojat. Shpesh duket sikur mungojnë shkaqet e këtyre pasojave, madje mungon edhe shpjegimi i mungesës së tyre. Ç’është kjo punë kështu me Shqipërinë e lënduar. Përse gjithë kjo mizerje dhe gjithë ky stërmundim?
***
Komuniteti është kalitur me instinktin e barazisë. Lajm i mirë. Kjo gjë motivon zakonisht ambicien nacionale. Kjo i shtyn turmshëm njerëzit shqiptarë të krahasohen me të tjerët, me malazeztë, me maqedonasit, me serbët, me grekët dhe këtu fillon, edhe dhimbja… e re e krenarisë. Pasqyra e ndërgjegjes kombëtare është hakmarrëse… Në të duket qartë se ne s’jemi gjë tjetër, por thjesht një pasojë, jemi fatkeq, jemi të dështuar. Duke parë fytyrën në këtë pasqyrë, imazhi ynë na krijon panik.
Shkaqet e këtij kiameti nuk duken, nuk dihen… përgjigje nuk ka. A është thjesht një rastësi mizerja ku jetojmë? Përballë nesh, kulturat e vendeve fqinje janë modele sensibilizuese dhe shtytëse, por në to rrëzëllen edhe sarkazma. Në përballjen me ta, paaftësia jonë shndrit lakuriq. Jemi në fund të çdo gare dhe Europa na është më e largët, fshihet në vegim. S’na mbetet veç të pranojmë se jemi krenarisht të mohuar dhe sidomos krenarisht të paaftë për të rregulluar punët tona, sistemet tona, investimet tona, edukatën tonë, civilizimin tonë, politikën tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.
Përse, në garën me vendet fqinje, jemi të fundit dhe Europën e kemi të largët? Shumëkush mund të supozojë se katrahura monumentale në këtë vend është pasojë e rastit, e fatit të keq që e yshti këtë komb të jetë i zvarritur në një histori të vështirë tranzicioni… ku ka pasur pak heronj e ca më pak mendje të shquara.. Të tjerët fantazojnë alegori dhe metafora të përsëritura për të kuptuar shkaqet e fshehta të mizerjes popullore dhe kushedi, ata që mbetën, mbase besojnë te kundërligji, te hapësirat e abstraksionizmit spekulativ, te pasojat e pasojave që ishin të tilla qysh në vigjilje…
Por mund të supozohet gjithashtu se shkaku mund të jetë vetë pasoja. Shkaku mund të jetë vetë njeriu shqiptar. Por a mund të ketë njeriu një rol kaq sublim sa të kalojë në këtë lloj vetëflijimi surreal, duke i shkaktuar vetes fatkeqësi, mbrapshtësi dhe ndjesi të tilla inferioriteti bri fqinjëve, duke qenë njëherësh edhe shkak, edhe pasojë?
Nëse po, mund të guxojmë të vetëquhemi të paparashikueshëm dhe të papërsëritshëm, specie të rralla në planet.
Ngrihet një pyetje e thjeshtë: A është elita politike apo pushteti i saj shkak i fatit të mbrapshtë, apo kjo elitë është pasojë e këtij fati.
Nëse është shkaku, përgjigjja është rutinë. Ne kemi në krye njerëz idiotë, hajdutë dhe mediokër, që po na luajnë fenë dhe po na pinë gjakun këtu e 20 vjet. Por, a mund t’i drejtojmë sot gishtin e madh edhe të vogël Sali Berishës? Kryeministri mund të skuqet, të përpëlitë sytë e të thotë: “Hej, përmbahuni, vërtet sulltan, vërtet me shumë para, shtëpia, biznese dhe pula të pjekme, por nfund të fundit, unë jam thjesht nji pasoj si tgjith!. Ju më desht në krye. Shkaku jeni ju, që më zgjodht, më besuet, më bët perandor. Ju që më doni, më lejoni t’ju vjedh pasurit dhe pushtetin, më lejoni t’ju vras, t’ju mashtroj, t’ju shkel me kamb. Ju që, megjithkto, më merrni prapë seriozisht, zgjedhje pas zgjedhjesh”.
Dhe ka të drejtë. Sali-pushteti është thjesht pasoja, derisa e zgjodhëm me vota. (apo e lejuam të vjedhë vota). Atëherë, nëse ky është pasojë, shkaku i mbrapshtësisë kush është? Përgjigjja: Shkaku është autoriteti që zgjedh, zgjedhësit vetë, mënyra si mendojnë ata, elektorati, bastioni…sovrani, pikërisht vuajtësit, shpirtthjeshtët, të shpërfillurit, të ndëshkuarit, të gjithë. Pra arsyetimi ynë hyn në një hulumtim vicioz. Si në pëshpërimat helenë të tragjedive, rolet ndërrohen përzishëm, kur shkaku shndërrohet në pasojë dhe anasjellas. Por, a mund të jenë zgjedhësit edhe shkaku, edhe pasoja e shëmtuar e politikës së keqe të ditës dhe tersit të ditës?
Kjo pyetje provokon mbajtjen e frymës: Janë sigurisht!… Është si të biesh në kurthin e një filozofie të re. Vërtet, shkaku janë ata, që janë pasojë gjithashtu: Njerëzit. Shkaku është perceptimi i tyre. Politika e keqe dhe mbrapshtësia nuk vjen rastësisht. Liderët zgjidhen. Shkak është vetëdija kolektive e rënë në këtë kurth surreal. Shkak është papërgjegjshmëria civile. Shkak është mungesa e vullnetit, për dhënien me votë të pushtetit, ose marrjen me dhunë të pushtetit. Shkak është pushteti i deleguar gabim: “Çdo popull ka në krye qeverinë që meriton!”.
Comments (0 posted)
Post your comment