Home | Opinion | Të demokratizohemi apo të rebelohemi ne kosovarët?

Të demokratizohemi apo të rebelohemi ne kosovarët?

image
 
“Tre tipe njerëzish paraqesin fatkeqësi të mëdha: sundimtari që kur i bëhet mirë s’të lavdëron e kur gabon s’të fal; fqinji që kur sheh mirë – hesht, e kur sheh keq – të përgojon; gruaja e cila kur je pranë saj të shqetëson, e kur i mungon të tradhëton”.


 

 

Fadil Maloku

 

 

 

 

 
 
 
“Tre tipe njerëzish paraqesin fatkeqësi të mëdha: sundimtari që kur i bëhet mirë s’të lavdëron e kur gabon s’të fal; fqinji që kur sheh mirë – hesht, e kur sheh keq – të përgojon; gruaja e cila kur je pranë saj të shqetëson, e kur i mungon të tradhëton”.
 
 
 
1. Demokratizimi i partive politike e demokratizon shoqërinë
 
 
 
Studimet e gjithanshme sociologjike, në pothuajse të gjitha vendet e tranzicionit kanë dëshmuar një fakt të paqenë deri më tani se: çdo vend postkomunist për t’u bërë një shtet i fortë dhe demokratik, patjetër duhet të demokratizohet. Dhe se ky proces i demokratizimit jo vetëm që është çelësi por edhe kushti kryesor i futjes së atij vendi në aolën e konkurencës dhe prosperitetit. Por, është po ashtu e ditur që këtij fenomeni të demokratizimit duhet t’i prijnë mu organizatat partiake apo subjektet politike në mënyrë që i njëjti proces të vijimëzohet edhe në institucionet tjera sociale dhe sosh juridike, ekonomike e padyshim edhe sosh kulturore.
 
 
 
Ndryshe, letargjia, zhgënjimi, konformizmi, krimi, korrupsioni dhe defektet tjera së bashku me gjitha anomalitë sistemore e institucionale që i kanë përcjellë këto shoqëri në periudhën e tranzicionit, janë parë si të paevitueshme dhe të pashmangshme. Së këndejmi, edhe procesit të demokratizimit të brendshëm të partive politike kosovare, duket se u ka ardhur koha kur ato duhet domosdoshmërisht ta rishqyrtojnë pozicionimin e tyre: ideologjik, programor e para së gjithash atë statusor, mekanizëm ky shumë i rëndësishëm në rregullimin e raporteve mes instancave brendapartiake të një subjekti politik.
 
 
 
2. Pse po lihet mënjanë demokratizimi i partive politike në Kosovë?
 
 
 
Në Kosovë, duket që shkaku i vetë natyrës specifike të ndërtimit të demokracisë dhe të shtetit, ky proces apo kjo çështje është lënë pasdore edhe për shkak se:
 
 
 
Një, kjo gjendje apo ky ‘status quo’ nëpër partitë aktuale politike, ka instaluar një grupim njerzish (jo)meritor në hierarkitë e tyre partiake e sidomos qeveritare (partitë në pushtet). Pra ka instaluar një elitë, e cila i gëzon të gjitha privilegjet dhe të mirat e pushtetit, ku partia në fakt është identifikuar me vetë inicuesit apo lidershipin, e jo me programin dhe ofertën që realisht do të duhej të dalë nga ai program për ta ndërtuar shtetin e Kosovës.
 
 
 
Dy, procesi i mbikqyrjes së pavarësisë në fakt është një proces unik që akoma në sociologjinë politike s’është evidentuar si rast ku elitat vendore politike, apo lidershipi i atij vendi, së bashku me faktorët ndërkombëtarë tentojnë të ndërtojnë kapacitetet e shtetësisë prej themelit. Situatë apo gjendje kjo që në instancë të fundit shumë lehtë mund të prodhojë elita të përjetshme politike, ashtu siç edhe po ndodh në realitetin tonë kosovar, ku partitë dhe projektet e tyre partiake, ashtu u thënçin, identifikohen jo me programin dhe ofertën e përpunuar programore, por me liderin dhe çka është edhe më e keqe me krahinën apo rajonin! Një rast ky për një analizë më të gjerë sociologjike...
 
 
 
Tre, është edhe një faktor që, kujtoj, është shumë i rëndësishëm që po e pangon procesin e demokratizimit të partive politike kosovare. E ai është faktori ndërkombëtar, i cili në këtë fazë akoma s’duket se është i interesuar ta fuqizojë demokratizimin e vendit, përmes ridefinimit të partive politike kosovare. Shkakun, natyrisht nga ata akoma s’e kemi dëgjuar, por vetvetiu duket që në agjendat e tyre më prioritet kanë raportet me Serbinë, pastaj serbët e veriut, privatizimi, si edhe tema tjera që për mendimin tim elitat aktuale politike s’po munden t’i imponojnë para tyre, edhe për shkak se ato (pozitë e opozitë?!) janë duke bërë garë se cila prej tyre më shumë po u hyn në hatër këtyre qendrave të vendosjes, në vend që të mendojnë për ripërtrirjen, demokratizimin e brendshëm, fuqizimin e ideve, programeve dhe njerëzve të rinj që kanë ide, dije dhe mundësi ta çojnë përpara Kosovën.
 
 
 
Publiku i gjerë kosovar, në të gjitha partitë politike sot është dëshmitar i gjallë se në dekadën e fundit pothuajse të njëjtat fytyra politike janë duke u endur në skenën e gjerë politike. Njerëz, këta që nuk zgjedhin mënyra për të qëndruar në postet apo vendet që i kanë zënë: disa me hipoteka të luftës, disa të paqes, por jo edhe të dijes, programit, ofertës ideologjike, apo ndonjë forme tjetër, ashtu siç veprohet në të gjitha vendet që përjetuan ethet e tranzicionit dhe sidomos vendet me traditë të gjatë demokratike.
 
 
 
Çfarë duhet bërë pra? Meqë këta liderë aktualë, pra partitë politike kosovare s’kanë as më të vogëlin interesim për të ndryshuar (lexo: këmbyer moralisht, nëse duhet të ketë moral në politikë?!) ‘status quon’ e tyre privilegjuese me programe dhe oferta për mirëqenien e përgjithshme jo vetëm politike, por detyrimisht edhe ‘status quon’ sociale e padyshim edhe ekonomike të bashkëqytetarëve të tyre?
 
 
 
Themi kështu, shkaku se ndërrimi i strukturave partiake duke përfillur logjikën e demokratizimit të brendshëm, përmes mekanizmit: të dëshmisë dhe angazhimit jo vetëm në strukturat partiake, por edhe ato publike, pra sociale e ekonomike do të prodhonin pa mëdyshje njerëz të aftë, kompetentë dhe të ndërgjegjshëm, të cilët këto përgjegjësi do t’i avanconin me vizionet dhe programet e tyre të detajuara me ekipe të tëra ekspertësh.
 
Por si të realizohet i gjithë ky projekt afatgjatë dhe padyshim i ndërgjegjshëm nga ata që i inicojnë apo të paktën duhet t’i inicojnë këto ndryshime brendapartiake?
 
 
 
3. Nëse nuk demokratizohemi a duhet të bëhemi të padëgjueshëm?
 
 
 
Padëgjueshmëria qytetare (civil disobedience) duket, që shkaqeve të lartpërmendura duhet shtuar edhe një segment tjetër që në Kosovë që akoma nuk i ka marrë përmasat dhe rrjedhat e veta të natyrshme. Të natyrshme, në kuptimin që bëhet një armë e fuqishme për të çuar deri në fund synimet sociale, ekonomike dhe kulturore të qytetarëve kosovarë. Ai mekanizëm s’është diçka e re dhe e paprovuar në shoqëritë tjera më të avancuara, por që në Kosovë akoma s’ka hyrë në funksion. Fjala është për padëgjushmërinë qytetare. Të shohim me çfarë kemi të bëjmë.
 
 
 
Në fakt, padëgjueshmëria qytetare është një përpjekje e një grupi njerëzish apo elitash (periferike akoma) të reja politike që kanë për qëllim ndryshimin e politikave të vjetëruara: sociale, politike, ekonomike dhe sosh juridike me mjete paqësore, pra “mosnjohje e vetëdijshme e pushtetit tënd që ta ndryshosh atë apo e pushtetit të pushtuesit prej të cilit dëshiron të çlirohesh”, “lloj i luftës kundër legjitimitetit të pushtetit”. Këtu me këtë termë tipik sociologjik, që për herë të parë është përdorur në Amerikë nga Henry David Thoreau (1849), me qëllim që të mbrojë mospagesën e taksave si protestë kundër mbështetjes së skllavërisë nga ish-qeveria amerikane.
 
 
 
Një lloj përvoje në dukurinë e padëgjueshmërisë qytetare kosovarët e kanë qysh prej kohës së ushtrimit të diskriminimit dhe aparthejdit të pushtetit serb në vitet ’90-ta, pra joviolencës e cila në fillim me mobilizimin e vet racional dhe atë euforik, pati qenë shumë e sukseshme karshi regjimit serb, por që më vonë erdhi duke u atrofuar dhe duke u keqkuptuar edhe nga vetë iniciatorët, gjë që u pa në periudhat e viteve 1997/98 kur shqiptarët iu kthyen kodit të tyre identifikues të rebelimit të njëmendët që prodhoi luftën e vitit 1999.
 
 
 
Por, të shohim cilat kualitete mund të prodhojë mekanizmi i padëgjushmërisë qytetare në rastin dhe momentin në të cilin gjendet aktualisht Kosova, pra koha kur po provohet tashme të hiqet pengesa e mbikëqyrjes ndërkombëtare në këtë vit.
 
 
 
4. Çka nënkupton padëgjueshmëria qytetare?
 
 
 
Në fakt, koncepti i padëgjueshmërisë nënkupton një mënyrë të re të ndërgjegjësimit qytetar për rreziqet dhe padrejtësitë që ushtrohen në publik nga ana e pushteteve çfarëdo qofshin ato, pra një moment kur kuptohet se janë harxhuar të gjitha kredot dhe
 
të gjitha metodat e tjera ligjore, përmes të cilave mund të arrihen resultate të njëjta të avansimit të të drejtave qytetare të një vendi.
 
 
 
Kur jemi te ky mekanizëm duhet kuptuar që zakonisht lëvizjet qytetare që prodhojnë një padëgjueshmëri të mobilizuar qytetare, padyshim që nuk janë kundër sistemit në përgjithësi por vetëm kundër instancave që dëshmohet se manipulojnë: me procesin zgjedhor; që abuzojnë me ekonominë (sidomos në vendet që gjenden në tranzicion); që korruptohen skajshmërisht; që pasurohen joligjërisht; që përhapin dhe përkrahin pa ose me vetëdije forma të sjelljeve kriminale dhe devijante, pra që nuk ushtrojnë detyrimet e tyre të kontrollit social mbi qytetarët e atij vendi. Një eveniment që zakonisht e karakterizon padëgjueshërinë qytetare pa dyshim që ka të bëjë me parimin apo kërkesën fundamentale të demorkacisë se: çdokush duhet të japë llogari për shkeljet dhe padrejtësitë, të ketë transparencë sa më të plotë në vendimmarrjet publike: të emërohen kompetentët për punët dhe administrimin e shtetit, etj.
 
 
 
Ndonëse, në këtë vorbull të padëgjueshërisë qytetare, mund të ketë edhe grupe të atilla që mund ta keqpërdorin fisnikërinë e idesë së rebelimit ndaj padrejtësive që u bëhen qytetarëve të vet, prapëseprapë ideja e ushtrimit të padëgjueshmërisë qytetare nga shumica e sociologëve sot konsiderohet si diçka krejtësisht legjitime. Ajo kontestohet zakonisht nga grupet mafioze që kanë hyrë në politikë (e që në rastin e Kosovës dhe shumicës së vendeve në tranzicion janë evident)
 
 
 
Padëgjueshmëria qytetare ndonëse ngandonjëherë (kur nuk arrin t’i formatizojë caqet e veta publike, shkaku i rezistencës nga ana e pushtetmbajtësve...) përdor metodat që dalin jashtë kornizave ligjore, prapëseprapë ajo konsiderohet si iniciativë legjitime. Duhet cekur që padëgjueshmërinë qytetare shumica e demokracive të konsoliduara e kanë shijuar... andaj as Kosova s’do të duhej bërë ndonjë përjashtim...

Një është e sigurt se asnjë nga subjektet aktuale nuk do të mund ta shihnin veten në proceset e mëpastajme edhe për shkak se padëgjueshmëria e ngjarë do të prodhojë: përveç njerëzve dhe vizione dhe ide të reja sociale, politike për vendin. Së këndejmi vërtitet pyetja: të demokratizohemi paqësisht apo të rebelohemi paqësisht? Unë padyshim që jam për ofertën e parë.., por nuk e përjashtoj asesi as opsionin e dytë...
 
 
 
(publikuar ne te perditshmen kosovare "Zëri")

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00