Rikthimi i ashpër i Xhon Withers
Për hir të së vërtetës, ato që thotë Uithers i thonë shumë shqiptarë nga mëngjesi në darkë. Por vazhdon të jetë diçka e ndryshme kur flet një ish-zyrtar si Xhon Uithers.
Skënder Minxhozi
“Kjo qeveri nuk qeveris, por sundon”. Kështu shkruante më 17 mars për revistën “Java” Xhon Uithers, në të tretin prononcim rreth situatës në Shqipëri, pas lënies së detyrës në verën e vitit 2010. “Shqipëria ndodhet në buzë të greminës”, tha ai parmbrëmë në “Top Story”, duke e bërë edhe më të qartë (nëse kishte nevojë) qëndrimin e tij kritik ndaj qeverisë aktuale në Tiranë.
Ambasadori Xhon Uithers (dashakeqët nuk harrojnë të shtojnë “në pension”, duke bërë sikur harrojnë se ambasadori është një gradë diplomatike, para se të jetë vend i thjeshtë pune), nuk ka pasur asnjë nevojë të flasë hapur pasi ka lënë postin. Sepse Uithers është një ndër ata diplomatë të lartë që kanë shërbyer në Shqipëri, që i kanë shprehur mendimet e tyre edhe gjatë mandatit. Që nga përplasjet me Berishën për emërimet në gjykata, ligji i lustracionit, mbrojtja e institucioneve të pavarura dhe problemet me zgjedhjet, ai ka qenë në konflikt të hapur me qeverinë shqiptare dhe e ka bërë këtë në sytë e mediave dhe të opinionit publik, aq sa edhe prapa kuintave të institucioneve.
Përtej kësaj arkive “publike” që Uithers ka lënë nëpër qindra faqe gazetash apo kronika televizionesh, ajo çka na e zbulon të plotë mendimin e Uithers për temat kryesore të politikës shqiptare dhe protagonistët e klasës sonë drejtuese, gjatë mandatit të tij, është fondi i gjerë i kabllogrameve të zbuluara nga Uikiliks, ku shpaloset një përshkrim i pamëshirshëm e eksploziv që ambasadori i SHBA “në detyrë” (e jo në pension), i bën Berishës, Ramës, Topit, Topallit, Metës e figurave të tjera publike.
Në ambientin “sklerotik” të politikës së Tiranës, skandali Uikiliks duket sikur ka një shekull që është lënë pas. Ndodhi kështu jo sepse ato kabllograme të shkruara me dorën e Xhon Uithers, thoshin gjëra të pavërteta, por sepse, së pari vetë akti i publikimit të mesazheve diplomatike u sulmua ashpër nga SHBA. Dhe së dyti, pasi ato kabllograme thoshin gjëra të pakëndshme për shumë nga personazhet që vijojnë të jenë të fuqishëm në politikën shqiptare.
Shumëkush që i ka lexuar ato që shkruante ambasadori Uithers, ka gjetur aty bisedat, humoret, mendimet dhe përshtypjet që shqiptarët kanë krijuar gradualisht për qeverisësit e tyre, me kalimin e viteve. Por më tepër se kaq, gjetën edhe burime informacioni që vetëm një sistem i superstrukturuar, siç është aparati diplomatik i SHBA, mund t’i mblidhte dhe t’i analizonte. Uithers është bartësi dhe përçuesi i asaj tabloje të gjerë dhe të pamëshirshme figurash të rëndësishme që ishin përlotur në zyrën e tij, që i kishin rrëfyer atij qindra sekrete të mëdha e të vogla, që kishin spiunuar në tryezën e tij të punës shefa, kolegë dhe kundërshtarë. Këta ishin dhe janë politikanët shqiptarë të sotëm. Pa llogaritur prurjet e tjera të specializuara që një diplomat i lartë amerikan ka në dispozicion për shkak të detyrës që kryen.
Kësisoj, kur flet një ambasador i SHBA “në pension”, është mirë të dëgjohet të paktën si një burim i besueshëm informacioni. Por edhe si një person që, pasi ka hequr qafe kravatën e zyrtarit, mund t’i thotë lirshëm disa të vërteta që dikur i artikulonte në mënyrë lakonike.
Epiteti i “pensionistit” është kundërsulmi më i dobët që mazhoranca dhe mediat pranë saj, i bëjnë një analize të ashpër por objektive, nga një person që kishte dhe ka një profil të lartë në opinionin publik shqiptar. Në qoftë se Uithers është thjesht një pensionist amerikan, duhet pranuar së paku që ai është “ pensionisti” më i informuar në botë për batakun shqiptar të viteve të fundit. Ky nuk është as titull e as diplomë, por një status që Xhon Uithers ka treguar se e ka pasur gjatë dhe pas mbarimit të mandatit të tij diplomatik.
Pa e fryrë përmasën dhe peshën thjesht morale që fjala e Uithers ka sot në sytë e opinionit publik shqiptar dhe duke mbajtur mirë parasysh faktin se ai nuk përfaqëson më linjën zyrtare amerikane për vendin tonë, kriticizmi i shëndetshëm i Xhon Uithers është pa më të voglin dyshim një vështrim alternativ, një zë ndryshe, nga bregu matanë i Atlantikut, për atë që ndodh sot në këtë vend. Uithers nuk është Departamenti Amerikan i Shtetit, por kjo është vetëm një rrethanë anësore, në raportin që fjalët e tij kanë me të vërtetën për Shqipërinë e sotme. Që Uithers të flasë si qytetar i thjeshtë i vendit të tij, s’do të thotë me patjetër që ai duhet të gënjejë. Shumë njerëz të thjeshtë në këtë botë, mbartin brenda vetes të vërteta të mëdha. Njohja e thellë e ish-ambasadorit për rrethanat, personazhet dhe situatat nëpër të cilat ka kaluar ky vend në pesë vitet e fundit, janë një kartë që ai ka të drejtën ta përdorë sot, sa herë që beson se ky vend po rrëshqet në një realitet që atij i duket negativ. Për hir të së vërtetës, ato që thotë Uithers i thonë shumë shqiptarë nga mëngjesi në darkë. Por vazhdon të jetë diçka e ndryshme kur flet një ish-zyrtar si Xhon Uithers. Edhe kur ai është tashmë “një pensionist”!
Comments (0 posted)
Post your comment