Dy shtatorët
Janë shumë arsye për të cilat Feith nuk do të mbahet në mend për të mirë. Por pas ka lënë një fjalë të madhe: Kosovës i duhet një udhëheqje e përgjegjshme...
Flaka Surroi
Mëngjesi më nisi me një kujtim jashtëzakonisht të çiltër të shtatorit, do të mund të thoshim, të largët, të vitit 1990. Tashmë kishin kaluar një vit e gjysmë që nga suprimimi i autonomisë dhe okupimi i rrufeshëm i Kosovës nga një kiamet forca serbe të sigurisë. Regjimi fashist po punonte me themel në eliminimin e gjithçkaje shqiptare nga secili institucion shtetëror, arsimor, kulturor dhe tashmë kishte miratuar Kushtetutën e vet të re, me të cilën mëvetësia e Kosovës reduktohej në një gjë formale, madje në një diçka me më pak të drejta seç i kishte paraparë Kushtetuta e Jugosllavisë popullore e vitit 1946. Kushtetuta famëkeqe, nga ana tjetër, po i shërbente si bazë për nxjerrjen e një sërë ligjesh pabesueshëm diskriminuese për zbatim ekskluziv në Kosovë, që për pasojë do t’i linin 150 mijë shqiptarë pa punë deri nga fillimi i vitit 1991; do ta linin Kosovën pa asnjë fije ekonomie në dorë dhe do ta bënin dëshmitare se si e gjithë ajo që ishte ndërtuar në katërdhjetë vjetët e shkuar po vidhej pa dhimbje dhe pa siklet.
Radiotelevizioni i Prishtinës në shqip u mbyll, derisa njëkohësisht të gjithë shqiptarët që punonin aty u hodhën në rrugë. Po të njëjtin fat e përjetoi edhe “Rilindja”. Kosova u fundos në një terr edhe më të thellë – territ të terrorit dhe të mjerimit iu shtua edhe terri informativ, që imponoi gjetjen e mënyrave alternative të komunikimit për një veprim të unifikuar, që do të formulonte së paku zërin e përbashkët të protestës dhe të mospajtimit me dhunimin që po na bëhej.
3 shtatori i vitit 1990 do të shënonte manifestimin më madhështor dhe më mbresëlënës të protestës në heshtje – greva e përgjithshme thirrur nga BSPK-ja kishte qenë arsyeja e mbylljes së shqiptarëve nëpër shtëpitë e tyre. Për dallim nga frika prej dhunës, kjo mbyllje ishte vullnetare. Mos-hapja e dyqaneve dhe amullia në të gjitha institucionet ku ende kishte pasur shqiptarë të punësuar pasqyroheshin në Prishtinën krejtësisht të zbrazur, të palëvizje, të pajetë. Pasoja e drejtpërdrejtë e grevës ishte se jo pak njerëzve iu përshpejtua pushimi nga puna, me gjithë faktin se e drejta për grevë ishte e drejtë sindikale e garantuar me ligj dhe me konventa ndërkombëtare. Por porosia më e fuqishme që doli nga ky veprim ishte se pavarësisht të gjithave, shqiptarët nuk do të pranonin nënshtrimin -- ngase padëgjueshmëria qytetare që kishte nisur me aksione sistematike që lëviznin në intensitet tashmë kishte arritur përmasa të paparamendueshme – me bllokimin e vullnetshëm të gjithçkaje, si shenjë të padhunshme proteste.
Dhe derisa mbresat e së hënës së parë të shtatorit të atëhershëm ende po diskutoheshin e debatoheshin, në fund të javës, ishin ata që e kishin shpallur tashmë Deklaratën e 2 Korrikut që po mblidheshin sërish, në një akt heroik, për ta miratuar Kushtetutën e Kaçanikut. Në kushtet e konspiracionit të plotë – “dasma” rezultoi me votimin e një dokumenti të mirë juridik (marrë parasysh kontekstin kur është përpiluar) në kushte të pabesueshme demokratike – me fjalime formale, me arsyetim, me mundësi debatimi dhe me votë të hapur – e besoj shumë të arsyeshme duke marrë parasysh rrethanat. Dhe nuk është se dokumenti më i lartë të mos jetë zbatuar fare, ani që një pjesë e institucioneve që është dashur të funksiononin në bazë të saj detyrimisht ishin shpërngulur nga Kosova... madje në bazë të tij u organizua një referendum (1991) dhe u mbajtën zgjedhjet tona të para në kushte të okupimit – e që shikuar nga distanca, më duket se do të kenë qenë më demokratiket që i kemi pasur ndonjëherë (1992)...
Për regjimin serb si Kushtetuta e Kaçanikut, si Deklarata e 2 Korrikut, si të gjithë shqiptarët në Kosovë ishim të paligjshëm dhe si të tillë nuk meritonim as respekt për jetën. Shtatori i vitit 1990 në fakt paraqiti nisjen e fazës përfundimtare të spastrimit të Kosovës nga të gjithë ata që mund të siguronin ekzistencën e familjeve të veta. Me përjashtimin e tyre nga puna vlerësohej se pa burime të jetesës mbesnin pothuajse një milion njerëz, të cilët njëkohësisht po e humbnin e sigurimin social e edhe atë shëndetësor. Shtatori i 1990-s paraqiste nisjen e eksodit të pakontrolluar të të rinjve me autobusë për në Perëndim, autobusë që më nuk numëroheshin me copë, por me dhjetëra në ditë. Simbolizonte mbylljen e shkollës shqipe dhe njëkohësisht nisjen e fushatës skajshmërisht të egër ndaj çdo gjëje që madje edhe mund të dukej shqiptare dhe që kishte për qëllim spastrimin e Kosovës dhe zhdukjen e substancës shqiptare nga trojet e veta. Ishte fushatë që u ndërpre nëntë vjet më vonë me Marrëveshjen e Kumanovës, dhe po të mos ishin disa kushte dhe interesa që lidhen për të ardhmen evropiane të Serbisë, do të ishte një fushatë të cilën me shumë qejf do ta vazhdonin aty ku ua ndalën ata që i shkaktuan krimet më të tmerrshme në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, eksponentë të të cilëve sillen lirshëm në veriun e Kosovës... e kush e di, ndoshta edhe në jug.
Të jetoje në Kosovën e vitit 1990 ishte punë e rëndë, sepse nuk i dihej të nesërmes dhe marifetit tjetër që do t’i binte ndërmend Milosheviqit për të na e nxjerrë shpirtin. Por çuditërisht dhe paradoksalisht ishte shpresa se kjo gjendje nuk do të mund të zgjaste përjetë dhe se “nesër do të bëhej më mirë”, ajo që na mbante gjallë, ajo që na jepte kurajë për të mos u dorëzuar, për të mos u gjunjëzuar, përfundimisht, për të mos u nënshtruar.
* * *
7 Shtatori i 2012 e gjen Kosovën sërish të përqendruar rreth Kuvendit të vet, që sot, në kushte krejt të tjera, pa frikë për jetën, votoi formalisht dhe me censurë debati heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë, por njëkohësisht edhe vazhdimin e prezencës së misionit evropian për sundim të ligjit. Jeta në Kosovë, natyrisht, është dukshëm më e mirë sesa që ishte më 1990, edhe për shkak se frika e cila na e përcjell jetën tash nuk është ekzistenciale në kuptimin fizik të fjalës – pra nuk na kanoset likuidimi brutal nga forcat policore e ushtarake serbe. Frika e sotmes është ajo e të jetuarit në skamje, në një vend perspektiva e të cilit nuk shihet, e cili vend sundohet nga krimi e korrupsioni. E përbashkëta e dy shtatorëve është skamja dhe mungesa e sundimit të ligjit. Dallimi esencial është se skamja dhe mungesa e sotme po dhembin më shumë, sepse kësaj radhe vetë po ia bëjmë vetes.
Heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë do të na e heqë nga skena politike edhe adhuruesin e zogjve informues, zotin Pieter Feith. Njeriun, i cili për katër vjet do të mbahet mend për insistimin që të kalohen me çdo kusht Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit dhe ai për Hoçën e Madhe dhe për nga fakti se një kohë luajti me komunitetet në Kosovë duke iu drejtuar herë me kapuçin e shefit të Zyrës së Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar e herë me atë të Përfaqësuesit të BE-së në Kosovë – dhe në fund, duke mos kryer ndonjë punë që do të rezultonte me diçka të hairit për ne. Fuqinë ekzekutive më duket se e ka përdorur vetëm në një rast – atëherë kur nuk ia lejoi Ahmet Shalës, atëherë ministër i Financave, që t’i qeponte, në emër të Qeverisë, Fondit të mjerë të Privatizimit, që për të gjithë pronën e ish-ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës nuk i mblodhi as 600 milionë euro të shkretë.
Dhe para se të shkonte i dha intervistë gazetës dhe tha se dita më e lumtur për të do të jetë dita e 10 shtatorit 2012, kur edhe i përfundon mandati, ani që nuk është gjithaq i kënaqur me atë që është bërë në Kosovë, e posaçërisht me veriun, për moszgjidhjen e të cilit, megjithatë, nuk beson të ketë pasur shumë përgjegjësi. Për më tepër ka shtuar se veriu “s’mund t’u lihet vetëm ndërkombëtarëve”. E në fakt do të duhej të ketë thënë se ndërkombëtarët kanë bërë gabim kur e kanë marrë mbi vete veriun, dhe tash që kanë dështuar ia lënë pataten e nxehtë asaj që nuk e ka as idenë se çfarë të bëjë me të – Qeverisë. E meqë s’e ka idenë, tash do të ngulet me negociata për të.
Kështu e përshkroi Feithi punën e veriut: “Shumë njerëz në Kosovë duhet ta kuptojnë se shumica serbe në veri ende shikojnë nga Beogradi dhe jo nga Prishtina, apo Brukseli, apo Uashingtoni. Ata shikojnë vetëm nga Beogradi. Dhe kjo mund të ndryshojë. Por duhet punë e durim nga komuniteti shqiptar dhe institucionet”. Po, zoti Feith, jo që e kemi kuptuar, por kjo ka qenë ajo që e kemi thënë që nga fillimi, që nga koha kur ndërkombëtarët vendosën ta kontrollonin veriun, e kështu të evitojnë “konfliktin e mundshëm fizik ndërmjet komuniteteve”. E kemi thënë se çelësi për ta zgjidhur veriun ishte në duart e Evropës dhe se zgjidhjen e “shikimit nga Beogradi” do ta zgjidhte një porosi e tipit të kryetarit të Parlamentit Evropian, Schultz, i cili qartazi deklaron se Kosova duhet të jetë kusht për pranimin e Serbisë në BE.
E mbase nuk duhet harruar se pikërisht z. Feith ka qenë përfaqësues i zonjës Ashton në Prishtinë, një copë kohë të konsiderueshme – e për atë kohë ka mundur ta përçonte porosinë që ia kemi dhënë ne, e të cilën tash si eurekën po na e zbulon në ikje. Jo fort etike dhe përfundimisht një shpëlarje e ndyrë duarsh, me një të “ngulne” të rëndë duke na i lënë gështenjat e nxehta në dorë, pa ndier as një grimë brejtje ndërgjegjeje.
Feith gjithashtu e tha se i vjen keq që “nuk kemi mundur t’i përmirësojmë kushtet socio-ekonomike në Kosovë”. Jo, nuk i keni përmirësuar, e as që nuk jeni mërzitur fort që bile ta këshilloni si duhet Qeverinë se përparim nuk do të thotë rritje rrogash të funksionarëve politikë çdo të dytin vit; nuk do të thotë edhe harxhimin e asaj që nuk është fituar për ndërtimin e autostradave duke e fshehur koston; nuk keni ndihmuar as atëherë kur keni kërkuar që t’ua përkrahim propozimin absurd për shitjen e PTK-së për 300 milionë eurot qesharake, që jam e sigurt se të ishte pronë juaja nuk do ta kishit hapur as muhabetin, sepse vetëm infrastruktura me të cilën disponon kjo ndërmarrje ka vlerë më të madhe se ky çmim absurd. Jo zoti Feith, nuk keni ndihmuar që të përmirësohet çfarëdo qoftë në këtë aspekt, sepse keni shikuar si vëzhgues pasiv se si bashkëfolësit tuaj në qeverisje po pasuroheshin dita më ditë (me siguri jo prej rrogave të tyre) dhe si po dispononin me pasurinë e Kosovës thuajse ua kanë lënë baballarët së bashku me fermat ku janë rritur. Jeni mjaftuar të konstatoni se si Kosova ka nevojë për një udhëheqje më të përgjegjshme, përderisa gjatë katër vjetëve megjithatë nuk jeni treguar as kritik e as qortues ndaj atyre që tash në shkuarje i kritikoni. Përkundrazi, i keni lavdëruar pse i kalonin ligjet në formë jodemokratike dhe në kundërshtim të vullnetit të qytetarëve. Kjo nuk lë shumë hapësirë për t’ju lavdëruar, e as për t’ju kujtuar për ndonjë të arritur të madhe në këtë mision me të cilin e mbyllët karrierën aktive.
Shtatori i 2012-s e gjen Kosovën e fundosur në krizë të thellë ekonomike, me gjysmën e popullsisë që jeton në skamje dhe me një udhëheqje vërtet të papërgjegjshme, që mendon vetëm për rehatinë e vet dhe që e ka gojën plot “urime, suksese e respekte”. Kosova e këtij shtatori jeton e zhytur në një ambient kriminal ku vjedhja, korrupsioni dhe krimi janë veprimtari të lejuara për dënimin eventual të të cilave duhet siguruar që të na vijë dikush nga jashtë, sepse edhe gjykatësit si qenie njerëzore që janë frikësohen. Dhe “frikësohen”.
Se Kosova e këtij shtatori është, fatkeqësisht, larg asaj shprese të atij shtatori “se nesër do të bëhet më mirë”, çuditërisht dhe me siguri pa këtë qëllim (nuk e di cili këshilltar do ta “hajë” pas kësaj) më së bukuri e përshkroi vetë kryeministri në fjalimin e tij në Bled. Për lexim më të lehtë kini parasysh se tashmë kryeministri ka zbuluar alibinë e re për dështimet e Qeverisë -- recesionin: “(...) S’do mend, e vetmja gjë të cilën ai do të mund ta pohojë me siguri të plotë është fakti se, së paku, ai dhe vendi i tij nuk janë përgjegjës për recesionin e sotëm evropian. Mirëpo, kjo s’do të thotë se ai dhe vendi i tij nuk bëjnë pjesë në grupin e viktimave të këtij recesioni. Mes brengave serioze të sigurisë, izolimit, pamundësisë së lëvizjes së lirë, kufijve të hekurt dhe aplikacioneve për viza-në Kosovë, ai qytetar sot përballet edhe me mbyllje të përditshme të vendeve edhe ashtu të pakta të punës, me varfëri dhe skamje, të ngjashme me atë nga dy dekada më herët”.
Mos e vet, se të tregon vetë./koha.net
Comments (0 posted)
Post your comment