Demokracia kosovare dhe kritika publike
Kontrolli shoqëror në shoqëritë bashkëkohore është një fushë dhe në të njëjtën kohë edhe mekanizëm shumë i sofistikuar për të mbajtur të ekuilibruar zhvillimin dhe instalimin e demokratizimit të një shoqërie të re demokratike.
Fadil Maloku
“Eprorët më të mirë janë ata që i doni ju dhe ju duan, ndërsa më të këqijtë janë ata që ju i urreni dhe ju urrejnë, të cilët ju i mallkoni dhe ju mallkojnë”.
Kontrolli shoqëror në shoqëritë bashkëkohore është një fushë dhe në të njëjtën kohë edhe mekanizëm shumë i sofistikuar për të mbajtur të ekuilibruar zhvillimin dhe instalimin e demokratizimit të një shoqërie të re demokratike. Ai në fakt është një lloj procesi që ka për synim dhe intencë ruajtjen e rendit shoqëror, funksionimin harmonik të marrëdhënieve të instaluara shoqërore, e në të njëjtën kohë një formë që mbikëqyrë me rigorozitet respektimin e normave dhe vlerave shoqërore. Pra, do të thoshim një lloj presingu publik të ushtruar nga mediat, institucionet, shoqëria civile dhe njerëzit me fuqi morale dhe akademike që i bëjmë njëri-tjetrit si pjesëtarë të shoqërisë.
Kontrolli social e ka edhe një shpjegim tjetër që sociologjikisht mund të cilësohet edhe si një kundërveprim të vetëdijshëm ndaj sjelljeve deviante, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit social, apo si një lloj trysnie që njerëzit e ushtrojnë ndaj të tjerëve për t’i mbajtur ata në frontin e normave sociale. Zakonisht, ky lloj mbikëqyrjeje publike apo ky lloj trysnie sociale në vendet dhe shtetet që nuk kanë ndonjë traditë demokratike të ndërtimit të kapaciteteve shtetërore, ashtu siç është p.sh. shoqëria kosovare, problemi i kontrollit bëhet një objekt analizash, kritikash, interferimesh dhe debatesh publike në mënyrë që të shtohet doza e kontrollit të institucioneve publike, në mënyrë që ato të mos korruptohen, të mos kriminalizohen.
Agjenti kryesor që e ushtron këtë lloj trysnie permanente dhe publike janë publiku i gjerë, pra qytetarët e atij vendi. Sa më e madhe që të ushtrohet trysnia mbi institucionet publike, që realisht meqë bëhen monopol i grupeve të ndryshme të interesit dhe si të tilla kanë pretendime të korruptohen dhe të kriminalizohen për interesa meskine, aq më shumë do të duhej të shtohej doza e presionit apo kundërshtimit mbi to. Në përvojat e vendeve në tranzicion, ku edhe Kosova nuk bënë ndonjë përjashtim të theksuar, është dëshmuar se institucionet shtetëroreb zakonisht kur zaptohen nga këto grupe interesi (prapa të cilave zakonisht fshihen partitë politike dhe bosat e tyre politik), shfaqet kriza e legjitimitetit.
Por, këtë krizë legjitimiteti të pushtetit duhet kuptuar jo si pasojë e ndonjë procesi të vetëkënaqësisë që këto grupe ia bëjnë vetvetes, por pikërisht si pasojë i presionit dhe kundërshtisë që e ushtrojnë: opozita e mirëfilltë, mediat, kallëzimet penale qytetare, OJQ-të, si edhe mbarë publiku.
Në shoqëritë e vërtetuara që korruptohen, roli i trysnisë publike nga përvojat e vendeve të tranzicionit ka dëshmuar se sa më aktive që ato të jenë në drejtim të kallëzimeve dhe denoncimeve publike, aq më shumë rriten gjasat e instalimit të demokracisë dhe të funksionimit të institucioneve publike. Anasjelltas, indiferenca publike, p.sh. çfarë është aktualisht në rastin e demokracisë kosovare, më së miri dëshmon se shkalla e korrupsionit dhe kriminalizimit të institucioneve publike vije duke u shtuar dhe duke u bërë dukuri e rëndomtë, sa që i korruptuari dhe i kriminalizuari në shoqëri ka fituar besim dhe privilegje të atilla që tani edhe moralisht fillon të krekoset për “kontributet dhe administrimin” e tij të suksesshëm.
Në anën tjetër, krahas procesit të kontrollit social është evident edhe një fenomen tjetër sociologjik që ia vlen ta analizojmë në këtë rrugëtim të rritjes së demokracisë në Kosovë. Fjala është për kriticizmin, apo një lloj këndvështrimi pakëz më specifik të rrethanave, proceseve dhe zhvillimeve sociale, e sidomos atyre politike të vendit. Në fakt, kriticizmi social si prezencë sociale në Kosovë, i ka disa specifika të reja që për teorinë sociologjike kombëtare është interesant të elaborohet edhe për shkak se është një trajtim i ri social i fenomeneve dhe dukurive shoqërore që më parë dora e ekspertit s’i ka shkoqit me vëmendjen e duhur
Kritikët socialë (që në rastin e Kosovës janë të pakët akoma), do të duhej të ishin njerëz të zhveshur nga ngarkesat dhe hipotekat e ndryshme: ideologjike, sociale, nacionale, etj., pra tipa njerëzish që përkundër prirjes së shoqërive dhe individëve për të mbrojtur veten kritikojnë hapur gabimet e bëra në jetën shoqërore të një vendi. Ata, zakonisht janë njerëz që kalojnë në një distancë kritike, që janë emocionalisht të pavarur dhe të çliruar nga intimiteti dhe përzemërsia e anëtarësisë së vet, pra shkurt njerëz që ngrenë zërin e arsyes.
Vetia kryesore që i shquajnë këtë kategori sociale (kur mungojnë denoncimet publike nga mediat, shoqëria civile, opozita dhe përgjithësisht publiku), janë pavarësia intelektuale, guximi qytetar, informata e plotë mbi sjelljen devijante që e kërcënon shoqërinë, qëndrimi mbipartiak, si edhe interesi publik për të mos thënë ai nacional.
Gjatë procesit të denoncimit të këtyre sjelljeve devijante në shoqëritë e tyre, ngjanë që kritikët socialë nga ana e pushtetëmbajtësve të korruptuar dhe të kriminalizuar skajshmërisht të margjinalizohen, të kontestohen e ngandonjëherë edhe të burgosen, sepse rreziku nga ata është serioz dhe tejet i rrezikshëm për interesat dhe keqpërdorimet e tyre në rastet kur fillojnë procedurat hetimore. Zakonisht pushtetmbajtësit e korruptuar bëjnë çdo gjë për t’i anatemuar dhe kompromentuar këta tipa njerëzish me ndërgjegje dhe moral të lartë, bile-bile edhe duke i shndërruar në të huaj, në persona të ekskomunikuar, në mënyrë që të njëjtit të mos bëhen pjesëtarë të një klase të re, të një kulturës kundërshtare.
Në rastin e Kosovës, kur është vërshuar nga krimi dhe korrupsioni që sipas agjencive ndërkombëtare po e kërcënon seriozisht edhe demokracinë e brishtë kosovare, një ndërgjegje e tillë e zhveshur nga interesat personale, grupore, klanore, ideologjike dhe sosh politike, do të ishte i mirëseardhur. Tipin e tillë ndërgjegjësues, padyshim që rrethanat e tanishme s’mund ta prodhojnë për shumë arsye. Arsyeja e parë dhe fondamentale është se Kosova definitivisht është kriminalizuar dhe korruptuar aq shumë, sa që vetëm një katarsis i vërtetë social mund ta shpëtojë nga më e keqja. Në një vend ku eprori manipulon me mëkëmbësit e tij, vështirë të pritën ditë të mira dhe kohëra shpresëdhënëse!
Në ndërkohë, në këtë sfidë gjithëkombëtare mediat elektronike dhe ato të shkruara kanë obligim jo vetëm moral, por edhe shoqëroro-politik, ta rrisin emanencën e tyre të kujdestarit permanent, në mënyrë që të mbajnë të ekuilibruar zhvillimin dhe instalimin e demokratizimit në shoqërinë kosovare.
Comments (0 posted)
Post your comment