Një term thjesht për “hutim” të opozitës
Dhe, mbi të gjitha, konsensus për pavarësi gjyqësore, në emër të “diktaturës” së ligjit dhe kushtetutës, në funksion e meritë të profesionalizmit e etikës, në shërbim të qytetarëve larg oreksit të skajshëm të lojtarëve kryesorë politikë…
Rexhep Mejdani
“Diktatura” pakice apo diktaturë shumice?!
Edhe pse ishte një paradoks radhe epiteti “diktaturë pakice”, fillimisht m’u duk si i panevojshëm reagimi për këtë çështje. Aq më tepër që vitet e fundit unë e kam trajtuar publikisht në media dhe konferenca kombëtare çështjen e zgjedhjes apo emërimit (miratimit) me shumicë të cilësuar të disa pozicioneve në sistemin e drejtësisë. Pra, nuk do t’i shkruaja këto radhë nëse iniciativa kushtetuese për zgjedhjen së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, pse jo dhe të prokurorit të Përgjithshëm, do të vazhdonte të klasifikohej si tentativë për diktaturë pakice vetëm nga shumica politike dhe drejtuesit kryesor të saj. Aq më tepër që, në mënyrë paralele, të njëjtën “monedhë” mund ta shfrytëzonte edhe opozita apo një pakicë politike, veçse tani me kualifikimin e kundërt: “diktaturë shumice” në emërimin e gjyqtarëve të këtyre gjykatave! Por, ndryshe nga këto “pagëzime”, në procesin e maturimit politik, institucione të tilla (pavarësisht mënyrës kushtetuese të gjenerimit të anëtarëve të tyre) duhet të jenë realisht të pavarura si kudo në botën demokratike. Këtë e arrin zgjedhja e tyre me shumicë të cilësuar, pra dhe konsensusi midis forcave politike në Parlament. Po të kuptohet ky thelb i thjeshtë problemi bëhet shumë më i qartë. Prandaj, në këtë këndvështrim, emërtimi diktaturë pakice mbetet një epitet folklorik, që në formë e përmbajtje mishëron një abuzim sa konceptor po aq dhe të qëllimtë. Sidoqoftë, duke dëgjuar ndërkohë lloj-lloj “frymëzimesh” propagandistike, sidomos variante të ndryshme shpikjesh e sajesash “ideore”, me përmbajtje fyese ose “neo-linguistike” të emetuara nga fronti shumicë, reagimi për këtë temë më dukej fillimisht jo o dobishëm, deri i panevojshëm. Por, ndryshova mendje kur këtë lloj emërtimi, më saktë, këtë lloj “kualifikimi” e ndesha edhe në disa media, që jo vetëm janë në shërbim të qeverisë, por janë bërë për fat të keq dhe “tellall” i saj!…
Diktatura e shumicës
Sipas një përkufizimi të zakonshëm, diktaturë apo tirani e shumicës emërtohet ajo situatë në të cilën qeveria ose ndonjë autoritet tjetër i zgjedhur, e(i) mbështetur nga një shumicë subjektesh, koncepton, realizon e ushtron politika, merr veprime vetëm në përfitim të kësaj shumice, pa dëgjuar e marrë parasysh të drejtat, interesat dhe mirëqenien e subjekteve të tjera (të konsideruara si pakicë). Ndryshe nga rasti i një demokracie normale, në të cilën shumica e zgjedhur përpiqet të konsiderojë interesat apo të plotësojë të drejtat e pakicës! Nëse këto të drejta/përfitime të pakicës bëhen problematike e abuzive, deri të kushtueshme për qeverisjen, si për shumicën, ashtu dhe të gjithë popullin, ia vlen të dimensionohen ato, por gjithmonë në bashkëpunim me shumicën. Ndryshe është rasti i një pakice violente e imponuese që përpiqet të detyrojë sjelljen dhe veprimet, interesat dhe opinionet e veta mbi ato të shumicës!…
Diktatura e pakicës
Nuk janë të pakta rastet kur një grup i vogël apo një pakicë të komandojë padrejtësisht shumicën, masën e madhe të njerëzve. Pakica i rrëmben kështu lirinë shumicës. Veçse, një gjë e tillë nuk mund të jetë rezultat i zgjedhjeve të lira, të ndershme e demokratike! I tillë ka qenë rasti i regjimit të Saddam Hussein-it, në të cilin piketat kryesore të pushtetit ishin në duart e sunitëve, që përbënin më pak se 1/5 e popullsisë. Me sa imagjinohet, ky pushtet pakice, në të gjitha rastet, ushtrohet e mbrohet vetëm me dhunë e terror. Është një lloj diktature, pavarësisht që aty-këtu ndeshen pretendime se në botën e sotme globale, në kuadër të një sistemi të hapur, dhuna (qoftë dhe e kamufluar) bëhet gjithnjë dhe më e vështirë. Por, dhe në këto raste, problemi bazë mbetet ai i gjenerimit të pushtetit që nëpërmjet korruptimit politik e ekonomik nuk ka se si të jetë i lirë e demokratik. Madje, në shumicën e rasteve të tillë, ai prodhohet thjesht nga pakica! E thënë ndryshe, në këto raste, mundësia e marrjes apo ruajtjes së pushtetit mbetet dhuna e paraja!…
Dy shembuj në përdorimin e “qëllimtë” të këtyre termave
Në demokracitë e zhvilluara vlerësohen tërësisht pakicat. Mbi të gjitha, bëhet një kujdes i veçantë për respektimin dhe garantimin e të drejtave të tyre politike e civile, për rritjen e rolit politik dhe të pjesëmarrjes qytetare. Por, në përgjithësi, nuk ndodh që ato (sidomos minoritetet politike ose të llojeve të tjera) të diktojnë procesin, të komandojnë shumicën e qytetarëve (anëtarëve të bashkësisë), ndryshe, p.sh., nga ndonjë rast konkret në Shqipëri.
Pra, në një demokraci përfaqësuese, është e domosdoshme që pakica të jetë pjesë e procesit demokratik, nëpërmjet përdorimit të mekanizmave demokratikë (p.sh., propozimeve konkrete ligjore e strukturore, votimeve për mandate të ndryshme, miratimit ose jo të ligjeve me shumicë të theksuar, amendamenteve të kushtetutës, miratimit apo hedhjes poshtë të referendumeve për çështje themelore, iniciativave të ndryshme, reagimeve qytetare, mocioneve, komisioneve hetimore, interpelancave etj.,) dhe, mbi të gjitha, nëpërmjet përfshirjes dhe respektimit të parimeve bazë të kontroll – balancimit të pushteteve dhe ndarje – ndërthurjes së tyre. Kjo vetëm e ndihmon qeverisjen, e përmirëson dhe fuqizon atë, për ta shndërruar në një qeverisje të të gjithëve. Sepse tjetër është rotacioni politik, tjetër është pushtimi jodemokratik i të gjithë pushteteve, apo e thënë ndryshe pushtimi i shtetit, në të tri degët e tij: legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Pikërisht, ky është thelbi i dallimit midis një rotacioni politik normal e demokratik dhe atij anormal e autokratik. Këtë, në Shqipëri, nuk e ka kuptuar (ose nuk do ta kuptojë) shumica e sotme. Për të, të qenit shumicë politike është dhe identike me marrjen e çdo hallke qendrore të shtetit – e thënë ndryshe, me krijimin e diktaturës së shumicës.
Për të ndihmuar lexuesin, po ndalojmë në dy shembuj të tjerë “joshqiptarë”, ku termat e mësipërm janë shfrytëzuar për të mbuluar synime konkrete:
1. Sipas shtypit, në Itali, në nëntor 2003, sipas një vendimi gjykate (pas kërkesës së komunitetit mysliman) kërkohej të hiqej kryqi në një shkollë fillore fshati. (Sipas ligjit italian, lejohej vendosja e kryqit në vende publike, por, ama, a duhej bërë një gjë e tillë në një shkollë laike publike?!). Duke analizuar problemin, kardinali Roberto Tucci në Radio-Vatikanin, midis të tjerash, thekson se: “Në demokracitë e sotme perëndimore vihet re një tendencë për diktaturë pakice; sepse, nëse kushdo ka të drejtën për të qenë i respektuar, p.sh., në fushën e lirisë fetare, mjafton që një pakicë të jetë e pakënaqur me diçka dhe atëherë, në emër të laicizmit, synohet të shuhet zëri i shumicës”. E tillë, sipas tij, është dëshira “për të eliminuar simbolet që janë të rëndësishme për kulturën, të lidhur me besimin, për shumicën e atyre që jetojnë në vend”. Madje, sipas tij, “për respektimin e pakicës fyhet shumica,… ndjesitë e saj”, qoftë edhe në emër të laicizmit. Kjo, për kardinalin, nuk mund të quhet demokraci! Aq më tepër që kjo shumicë me ekzistencën dhe kulturën e saj ka formësuar Italinë, është trashëgimia historike e qytetërimit italian e perëndimor. Por, nëse kardinali ka të drejtë kur thekson se popullsitë e besimeve të tjera në Itali i gëzojnë të gjitha të drejtat, përfshirë dhe ato fetare (ndryshe, p.sh., nga situatat problematike në vende me regjime teokratike), reagimi i tij ndaj vendimit gjyqësor për heqjen e simboleve fetare në një shkollë publike, si ushtrim i asaj që ai e quan si “diktaturë pakice”, duket i sforcuar, madje nuk duket i drejtë, sidomos në funksion të kohezionit social të shoqërisë italiane.
2. Në dhjetor 2003, Presidenti francez Shirak (Jacques Chirac), në një fjalim televiziv, pas muajsh debati mbi rolin e fesë në shoqërinë franceze, nisur dhe nga vështirësitë e integrimit të popullsisë myslimane, i kërkoi Parlamentit që të përshpejtonte miratimin e ligjit për ndalimin, në shkollat publike, të mbulimit të kokës me shami (hijab), vendosjes në kokë të kësulës (kippah) ose varjes së kryqit me përmasa të mëdha. Midis të tjerash, ai theksonte se “veshje apo simbole të tilla, që shprehin në mënyrë sfiduese përkatësinë fetare duhet të ndalohen në shkollat publike”. Dhe më tej, ai shtonte se “laicizmi është një nga arritjet e mëdha të republikës. Ai ka luajtur e luan një rol thelbësor në harmoninë sociale dhe kohezionin kombëtar. Nuk duhet ta lejojmë që të na dobësohet ai”. Edhe pse një vendim i tillë u konsiderua mjaft i drejtë për shumicën dërmuese të qytetarëve francezë, drejtues të komunitetit mysliman e konsideruan atë si shprehje të qartë të diktaturës së shumicës.
Por, në fakt, çfarë po kërkohet të ndryshohet?
Në Kushtetutën tonë (ashtu si dhe në kushtetuta të tjera) përcaktohen procedurat e emërimit dhe mandatet përkatëse të drejtuesve për institucione kryesore dhe të pavarura. Madje, kriteret e detyrat, afatet e kompetencat për këto mandate e përfaqësime të tjera në institucione të pavarura, shprehen në nene të Kushtetutës apo në dekrete e ligje të veçanta. Nëpërmjet tyre përcaktohen: kriteret që duhet të plotësohen; procesi i përzgjedhjes, emërimit e zgjedhjes; afati i mandatit (koha e qëndrimit në detyrë); zëvendësimi ligjor, lirimi nga detyra apo shkarkimi (baza ligjore për shkarkim, si kryhet ai), kompetencat e përgjegjësitë, privilegjet etj. Kështu, në disa raste kemi afate kohore emërimi e zëvendësimi mandati, në raste të tjera jo. Sidoqoftë, kryesore është që, në demokraci të dobëta (apo hibride si kjo e jona), të mos cenohen dy parimet themelore kushtetuese: ndarja e pushteteve dhe kontroll-balancimi, për të mos lejuar akumulimin autokratik të pushtetit. Po ashtu, kufizimi i mandatit në disa pozicione është i domosdoshëm; kurse për detyra të tjera (më teknike), mandati e kohëzgjatja rezultojnë të panevojshme, pavarësisht futjes së këtyre afateve me “logjikën” e masave “mbrojtëse” si në rastin e prokurorit të Përgjithshëm (gjë që ka dobësuar jo pak autoritetin e këtij institucioni në zbatimin e ligjit).
Nën këtë optikë, pas një përvoje mbi 14-vjeçare kushtetuese për fuqizimin e institucioneve të pavarura, por dhe pakësimit të ndikimit partizan në gjenerimin e tyre, është bërë tepër jetik përmirësimi i procedurave të emërimit për anëtarin e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese apo prokurorit të Përgjithshëm.
P.sh., dhënia e pëlqimit në Kuvend me një shumicë parlamentare mbi 60%, ndryshe nga praktika aktuale e një votimi të thjeshtë (neni 136,1, për anëtarin e Gjykatës së Lartë, apo neni 125,1 për anëtarin e Gjykatës Kushtetues). Një gjë e tillë, praktikisht e bazuar në konsensus politik, veçse e fuqizon pavarësinë dhe cilësinë e përzgjedhjes. Ndërkohë që duhet të ruhet më tej po ai “refleks mbrojtjeje” për shkarkimin e këtyre gjyqtarëve nga Kuvendi (për të cilin kërkohen 2/3 e të gjithë anëtarëve të tij – neni 128 dhe 140). Po ashtu, përveç zëvendësimit të nenit të pëlqimit të thjeshtë (neni 149,1) me atë të një pëlqimi me mbi 60% të votave të deputetëve, duhet të ndryshohet edhe neni 149,2 i votimit të thjeshtë në Kuvend për propozim-shkarkimin e prokurorit të Përgjithshëm duke e zëvendësuar atë me një mbrojtje “numerike” si për gjyqtarët e mësipërm (pa prekur nenin 149, 2 të lidhur me mbrojtjen përfundimtare nga institucioni i Presidentit). Kjo është, pra, ajo që po kërkohet në paketën e dorëzuar në Kuvend. Është kjo diktaturë pakice?! Përkundrazi! Të shmanget e keqja tjetër – diktatura e shumicës! Dhe, mbi të gjitha, konsensus për pavarësi gjyqësore, në emër të “diktaturës” së ligjit dhe kushtetutës, në funksion e meritë të profesionalizmit e etikës, në shërbim të qytetarëve larg oreksit të skajshëm të lojtarëve kryesorë politikë…
Comments (0 posted)
Post your comment