Nënshtrimi përballë korrupsionit
Kosova gjendet sot në një pikë delikate, në një moment kritik ku ose do të pranohet korrupsioni e korruptimi si fenomen normal i politikanëve, zyrtarëve e vetë shoqërisë, ose do të reagohet fort ndaj tij. Institucionet e Kosovës kanë ende mundësi të shmangin kapitullimin dhe të veprojnë sa janë në kohë
Armand Shkullaku
Vetëm pak ditë pasi Kosova shënoi pavarësinë e plotë dhe fundin e mbikëqyrjes ndërkombëtare, dy skandale korruptive në nivele tepër të larta kanë ngritur pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e vendit. Dyshimet lidhen me aftësinë e shtetit të ri për të luftuar korrupsionin, i cili po rezulton një fenomen tronditës për të gjitha shkallët e pushtetit. A mundet Drejtësia e Kosovës të veprojë e pandikuar në rastet që prekin ministra, deputetë të Kuvendit, drejtues të pushtetit lokal apo edhe vetë përfaqësues të saj? Fakti që korrupsioni në Kosovë ka ardhur në rritje, dëshmon se lufta ndaj tij ka qenë më shumë një spektakël propagandistik, sesa një strategji serioze e ngritur mbi një vullnet politik.
Ditët e fundit, EULEX-i ka arrestuar kryetarin e Kuvendit Komunal të Prishtinës nën dyshimin për korrupsion, si dhe po heton aferën e shumëpërfolur të hotelit “Grand”, ku janë përfshirë deputetë, zyrtarë e ish-zyrtarë të qeverisë dhe biznesmenë të njohur. Në rastin e parë hetuesit kanë ngritur akuzën se kreu komunal, në bashkëpunim me dy biznesmenë, ka premtuar ndryshimin e një projekti urbanistik në këmbim të tri shtëpive dhe një veture. Në rastin e dytë, pazari ka qenë më i lartë. Zv.kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe botuesi i Zërit, Remzi Ejupi, kanë deponuar në polici se u është kërkuar ryshfet prej 3.6 milionë eurosh që AKP t’u japë atyre të drejtën për privatizimin e hotelit “Grand”. Në dëshmi figurojnë emra deputetësh, zyrtarësh të lartë dhe biznesmenësh mjaft të njohur, që dyshohet se janë përfshirë në grup në një tentativë për korrupsion.
Këto çështje dhe disa të tjera të ngjashme me to, janë ende në fazën e hetimit dhe askush nuk mund të shpallet sot mediatikisht apo publikisht fajtor. Këtë do ta përcaktojë gjykata në fund të procesit. Por, përfshirja thuajse e të gjithë spektrit politik e shoqëror, e individëve apo organizatave, në hetime për afera korruptive, tregon se korrupsioni po shndërrohet në një fenomen të pranueshëm për të gjithë. Për pushtetin dhe opozitën, për zyrtarin dhe biznesmenin, për avokatin dhe qytetarin. Në këto rrethana, edhe lufta ndaj tij rrezikon të shndërrohet në fasadë, në një klishe që figuron në zotimet e qeverisë e raportet ndërkombëtare, ndërsa në brendësi, në heshtje e pa shumë zhurmë, të gjithë kanë pranuar kapitullimin.
Kosova gjendet sot në një pikë delikate, në një moment kritik ku ose do të pranohet korrupsioni e korruptimi si fenomen normal i politikanëve, zyrtarëve e vetë shoqërisë, ose do të reagohet fort ndaj tij. Institucionet e Kosovës kanë ende mundësi të shmangin kapitullimin dhe të veprojnë sa janë në kohë. Nëse nuk tregohet sot vullnet politik për të izoluar dhe dënuar korrupsionin, shumë shpejt në Kosovë do të shfaqen simptomat e sëmundjes prej së cilës nuk po ngre dot kokë Shqipëria. Në Shqipëri nuk ka sot më dallim mes qeverisë dhe opozitës sa i takon përfshirjes në korrupsion, lidhjes me biznese të dyshimta, kontrollit korruptiv mbi media, financimit të fushatave elektorale, tenderimeve, licencimeve, punësimeve etj. Reagimi ndaj këtyre fenomeneve është tretur dhe nuk ka asnjë forcë tjetër që të bëjë diferencën. Drejtësia vetë është e përfshirë në skandale korruptive, nga çështjet e pronësisë e deri te lirimi i kriminelëve nga burgu. Dhe më e keqja, gjithë shoqëria duket se nuk ka forcë të kundërveprojë, duke e pranuar gjendjen si fatalitet.
Aferat e fundit korruptive në Kosovë vërtet dëshmojnë shkallën e lartë të infektimit të shoqërisë, por reagimi ndaj tyre është një mundësi e mirë për shëndoshje. Ndryshe nga Shqipëria, në Kosovë, EULEX-i, për fat të mirë, është prezent akoma. Veprimet e tij, ndonëse jo me ritmin e dëshiruar, krijojnë shpresë e besim te qytetarët se denoncimet e tyre nuk bien në vesh të shurdhët dhe, mbi të gjitha, se askush nuk është i paprekshëm, ministër, deputet, zyrtar i lartë komunal, i PDK, i LDK apo i kujtdo qoftë. Sigurisht që hetimi dhe gjykimi profesional i këtyre rasteve i ndihmojnë më shumë këtij besimi, por edhe reagimi i tanishëm është një shenjë pozitive për qytetarët. Një shenjë që nuk duhet të ngrenë duart të pafuqishëm përballë arrogancës së pushtetit që veç taksave, u kërkon të paguajnë nën dorë kudo dhe për gjithçka. Gjithashtu, prania e misionit të BE në Kosovë shërben edhe si një lloj autoriteti ndaj të cilit zyrtarët lokalë nuk mund të sillen me lehtësinë korruptive që do të silleshin ndaj gjyqtarëve, prokurorëve e hetuesve vendas. Edhe kjo drojë i jep përparësi luftës kundër korrupsionit në Kosovë.
Por që Kosova ta kalojë pikën kritike mes nënshtrimit apo luftimit të korrupsionit, duhet që ata që e qeverisin atë dhe jo EULEX-i të japin shenja të qarta të vullnetit politik të distancimit prej tij. Qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të dëshmojnë se janë të afta ta drejtojnë vendin edhe pa mbikëqyrje, në mos duke i zbuluar rastet e korrupsionit, të paktën duke i dënuar ato. Deri tani po dëshmohet e kundërta dhe perspektiva e vendit pa EULEX-in gjithnjë e më shumë po i përngjan Shqipërisë.
Comments (0 posted)
Post your comment