Home | Opinion | Organet e shitjes

Organet e shitjes

image
Stabiliteti ishte edhe stabilitet për privatizim. Stabilitet i pacientit në sallën e operacionit teksa doktorët ia marrin organet. Pas anestezisë stabilizuese, gjithsesi dora e kirurgut mbetet e fshehur.

 

 

 


Albin Kurti

 

 

 

 


Në njërën anë duan që ta copëtojnë ndërmarrjen në disa pjesë. Ashtu ndahet e dobësohet sindikata e punëtorëve, aty dhe zvogëlohet rezistenca ndaj privatizimit. Ndarja e ndërmarrjes u paraprin ndarjeve të sindikatës dhe ndarja e sindikatës pasohet me përçarje të punëtorëve.
 
Privatizimi kryhet më shpejt dhe më kollaj. Mirëpo, në anën tjetër, nuk duan të merret vesh se në cilin organ të ndërmarrjes është problemi kryesor.
 
Meqë korrupsioni është arsyeja e privatizimit, e tërë ndërmarrja shpallet e korruptuar në mënyrë që ajo të shitet e tëra. Nëse do të lokalizohej korrupsioni në një a dy organe të ndërmarrjes, atëherë do të mund të ndërhyhej në ato organe dhe ndërmarrja do të shërohej e do të jetonte. Rrjedhimisht, ajo s’do të kishte nevojë të shitej.
 
Ama kjo nuk është zgjidhja, por vetë problemi, sepse ndërmarrja doemos duhet shitur. Intenca e privatizimit nxjerr në pah korrupsionin. Dhe, ky korrupsion rrëfehet si dukuri e përgjithshme që veçse privatizimi po aq i përgjithshëm mund ta eliminojë. E gjithë ndërmarrja, i gjithë trupi, pa organe të dallueshme në të, shpallet i sëmurë. Ndërmarrja duhet shitur pa humbur kohë dhe pa shikuar çmimin. Për t’u shitur i gjithë trupi, ai duhet të jetë edhe i sëmurë i tëri edhe pa kurrfarë organesh të diferencuara brenda tij.
 
Duke mos pasur organe të veçanta të trupit, nuk ka organe që duhen përmirësuar dhe njëkohësisht trupi është i sëmurë veçse tërësisht. Paralelisht me këtë, edhe korrupsioni po ashtu duhet të jetë sëmundje e pazbërthyeshme. Korrupsioni është korrupsion i pandashëm, korrupsion i gjithë ndërmarrjes, i tillë që s’mund t’i përkasë këtij apo atij organi. Korrupsioni i pandashëm i ndërmarrjes së pandashme nuk mund të shpjerë diku tjetër përpos te privatizimi total. E natyrisht se ky rezultat përherë ishte vetë qëllimi.
 
Blerësit mund të mos e duan krejt ndërmarrjen ose tw paktwn jo pwrnjwherw, sikurse në rastin e KEK-ut. E duan Distribucionin e KEK-ut, por nuk e duan basenin e thëngjillit, nuk e duan transmisionin dhe nuk e duan gjenerimin. Ose, ndoshta këto i duan ca më vonë. Njëherë e duan vetëm një organ të trupit: Distribucionin. Të tjerat, më vonë. Kështu, e gjithë përgatitja për shitje të ndërmarrjes së KEK-ut si një trup i sëmurë pa organe përfundon në shitje të organeve më të shëndosha pa trup. Argumentimi mbi sëmundjen gjithëpërfshirëse të trupit sjell konkluzionin e nxjerrjes së organeve që s’janë të sëmura, ose që s’janë aq të sëmura sa të pashërueshme.
 
Prandaj, kjo mënyrë e privatizimit në Kosovë është transplantim organesh. Ne shesim organet tona më të shëndosha që i blejnë të huajt për trupat e tyre. Nga një trup pa organe, KEK-u po shndërrohet në shumësi organesh pa trup. Ne marrim vesh se kishim pasur organe mu atëherë kur ato ne nuk i kemi më. Privatizimi transplantues po e transformon KEK-un nga një trup pa organe në organe pa trup. Ky privatizim shënon momentin e vrasjes.
 
Ndërmarrjet në Kosovë vriten kur shiten. Përmes privatizimit, qeveria i degradon ndërmarrjet në objekte, të cilave ua ka marrë shpirtin dhe tash i shet si mall thuajse është i saj. Në çastin që është shitur një ndërmarrje prodhuese si aset, ajo është vrarë dhe është shndërruar në kufomë të cilës ia nxjerrin organet pastaj. Ndërmarrjes i merret shpirti për t’iu marrë edhe organet.
 
Në vend të demokracisë dhe zhvillimit, në Kosovën e pasluftës u instaluan doktrinat e stabilitetit dhe privatizimit. Stabiliteti ishte edhe stabilitet për privatizim. Stabilitet i pacientit në sallën e operacionit teksa doktorët ia marrin organet. Pas anestezisë stabilizuese, gjithsesi dora e kirurgut mbetet e fshehur.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0