Home | Opinion | Pse nuk po e luftoni krimin, Zoti Kermabo?!

Pse nuk po e luftoni krimin, Zoti Kermabo?!

image
Keni ardhur ta ndihmoni forcimin e shtetit të së drejtës ndërkaq që po i mbroni ekstremistët e të gjitha ngjyrave, korrupsionin dhe krimin, ngase nuk po e luftoni atë! 



Behxhet Sh. Shala



Më 25 tetor 2009, me një ekip të KMDLNJ-së e vizituam Burgun e Qarkut në Prizren, i cili po rinovohej. Po bëhej punë e mirë meqë do të përmirësohen kushtet për të burgosurit. Burgu i Prizrenit, viteve të fundit u bë i famshëm sepse aty mbahej, për disa muaj me radhë nga “drejtësia” e UNMIK-ut, i burgosuri i ndërgjegjes dhe lideri i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti! Gjatë kohës së regjimit serb aty qëndruan në burg kryeparlamentari aktual i Kosovës, z. Jakup Krasniqi si dhe politikani, intelektuali dhe atdhetari i shquar shqiptar, Ukshin Hoti, për fatin e të cilit nuk dihet gjë as sot e kësaj dite. Po të njëjtën ditë vizituam Qendrën Memoriale në Kleçkë për të nderuar flijimin dhe përjetësinë e dëshmorëve të kombit të cilët Ju nuk i pranoni si të tillë! 
Gjatë kthimit për Prishtinë nga zyra e KMDLNJ-së më lajmëruan për zhvillimet në Prishtinë dhe Mitrovicë. Në Prishtinë aktivistët e VETËVENDOSJE!-s demoluan 26 vetura të EULEX-it, ndërkaq që në Mitrovicën e Veriut, që ju e keni ndarë dhe në mënyrë të dhunshme po e bëni komunë, ekstremistët serbë, policët serbë të Policisë së Kosovës, të cilët i shërbejnë Serbisë edhe pse paguhen nga Buxheti i Kosovës, së bashku me policët e EULEX-it, që Ju i komandoni, me forcë penguan kthimin e shqiptarëve të zhvendosur në shtëpitë e tyre. 
Zoti Kermabo, ky është dhunim i ligjit dhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut për të cilin, padyshim përgjegjësinë e keni Ju dhe misioni që e drejtoni! Nuk u arrestua asnjeri prej ekstremistëve serbë, ndërkaq që në Prishtinë u rrahën dhe u arrestuan brutalisht 21 aktivistë të VETËVENDOSJE!-s. Shenjat e dhunës i kam parë vet gjatë vizitës së të arrestuarve të njëjtën ditë në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë! Kjo ishte vetëm një hyrje e shkurtër meqë zhvillimet e vonshme më lehtë kujtohen! 

(Pa) barazia para ligjit: 

Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ekstremistët serbë ua vunë flakën dy pikave doganore dhe i shkatërruan tërësisht! Edhe përkundër fakteve të pakontestueshme (filmimet e medieve elektronike, filmimet nga UNMIK-u dhe EULEX-i dhe shumë prova të tjera) asnjëri prej ekstremistëve nuk u arrestua! Vallja e djallit vazhdoi me demolime tjera, kallje të veturave të UNMIK-ut, të veturave të shqiptarëve dhe kulminoi me vrasjen e një polici ndërkombëtar. Askush nuk u arrestua! U okupua dhe u demolua ndërtesa e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë. Në ballkonin e kësaj Gjykate u vendos flamuri serb! Askush nuk u arrestua përsëri! Në fakt, pas një kohe u arrestuan ushtarët e Jakshiqit dhe Ivanoviqit dhe u sollën në Prishtinë. Me një ekip të KMDLNJ-së i vizitova të arrestuarit. Kur filluam intervistimin për sjelljen e policëve të Kosovës gjatë arrestimit dhe kur serbët nuk e kishin asnjë vërejtje, një dadë (police) ndërkombëtare e ndërpreu intervistimin. 
Mjaftoi një intervenim me telefon i Boris Tadiqit nga Beogradi dhe ekstremistët serbë u liruan! Nuk e di nëse u kanë kërkuar falje për këtë arrestim! Të njëjtit ekstremistë penguan ndërtimin e ujësjellësit, kanalizimit dhe infrastrukturës tjetër për banorët shqiptarë! Askush nuk u arrestua, madje policia ndërkombëtare doli në anën e ekstremistëve serbë! Është antologjik rasti i shkeljes së të drejtave të njeriut – autorë të së cilës janë policët tuaj – kur Ali Kadriu pengohet nga një kordonë prej afërisht 100 policësh ndërkombëtarë për t’u kthyer në shtëpinë e tij, të cilën ia kanë djegur ekstremistët serbë pasi që më parë i kishin vrarë të vëllanë gjatë luftës së fundit në Kosovë! A mund ta paramendoni këtë situatë në vendin nga vini Ju apo në njërin nga shtetet e BE-së që i përfaqësoni në Kosovë?! As në ëndërr! Keni ardhur ta ndihmoni forcimin e shtetit të së drejtës ndërkaq që po i mbroni ekstremistët e të gjitha ngjyrave, korrupsionin dhe krimin, ngase nuk po e luftoni atë! 

Kriminelët e luftës, ndërtues të paqes! 
 
Zoti Kermabo, në luftën e fundit në Kosovë, sipas informatave të KMDLNJ –së, janë vrarë 8.210 civilë shqiptarë dhe 297 civilë serbë (deri më 12 qershor 1999). Si të zhdukur, të të gjitha nacionaliteteve konsiderohen 1887 persona, ndonëse pjesa dërrmuese janë shqiptarë. Janë identifikuar 137 varreza masive dhe janë regjistruar 269 raste të vrasjeve në masë. Janë vrarë 1950 ushtarë të UÇK-së dhe 853 ushtarë dhe policë serbë! Tash, më tregoni, Ju lutem, sa serbë në Kosovë janë dënuar për vrasjen e shqiptarëve?! Asnjë! Edhe nëse janë dënuar në instancat më të ulëta, ato të lartat i kanë liruar apo i kanë lëshuar nga burgu duke inskenuar ikje siç ndodhi me 21 serbë të akuzar për krime lufte e që “ikën” nga burgu në Mitrovicën e UNMIK-ut në vitin 2001. A keni ndërmarrë ndonjë veprim për kapjen e këtyre krimnielëve?! Sa për informatën tuaj, ka shqiptarë që janë dënuar për krime lufte dhe disa procese të montuara politike ndaj ushtarëve të UÇK-së. Janë mbajtur për vite të tëra në burg pastaj janë liruar. Ndoshta do t’Ju duket paradoksale, por sot në Kosovë më e lëvërdishme, në çdo aspekt, është të akuzohesh për krime të luftës se për vjedhje të pulave. Sidomos nëse je serb! Por, as disa shqiptarë nuk janë ndarë keq! Për hajni të pulave mund të dënohesh disa vjet, kurse për krime lufte, ose lirohesh menjëherë ose përmes arrestit shtëpiak! Ndonëse keni deklaruar se do t’i luftoni krimet e luftës, asgjë nuk po punoni në atë drejtim. Madje, skajshmërisht po përpiqeni t’i relativizoni dhe barazoni krimet. Më lehtë po i lironi të akuzuarit për krime lufte se ata për kundërvajtje në trafik! Në këtë mënyrë po e imunizoni krimin dhe kriminelët! Përmes kësaj, duke i falur kriminelët dhe krimet po viheni në shërbim të realizimit të projekteve të caktuara politike! 

Takimi nën fllad dhe injorimi në kushte ferri: 
 
Kohë më parë, në një pritje në selinë e EULEX-it, Ju, zoti Kermabo i pritët disa gazetarë serbë që interesoheshin për fatin e disa kolegëve të tyre të cilët konsiderohen të zhdukur që nga lufta e fundit në Kosovë. Dhe bëtë shumë mirë që i pritët. Bëtë edhe më mirë që premtuat se do të angazhoheni për zbardhjen e fatit të tyre. Sot po bëhen 4 ditë kur nënat e Gjakovës, nënat e Krushës dhe disa nëna nga vise tjera të Kosovës, në kushte ferri, nën një tendë të vogël, të mbështetura për kontenjerët ku janë të vendosura prej vitit 1999 405 mbetjet mortore të më të dashurve të tyre, po bëjnë grevë me një kërkesë shumë njerëzore, shumë të ligjshme, shumë të natyrshme: të identifikohen mbetjet mortore ose, përndryshe, edhe ato do të shndërrohen në mbetje mortore! A i keni vizituar këto nëna, zoti Kermabo? Nuk i keni vizituar! Po e injoroni skajshmërisht dhimbjen e nënave, po i fyeni ndjenjat e tyre dhe po i fyeni mbetjet mortore! A jeni ju prind dhe a keni fëmijë? Nëse nuk raegoni si shef i misionit të EULEX-it, kush ju pengon të reagoni si njeri?! 

Pse ju drejtohem pikërisht Juve: 

Ju, zoti Kermabo mund të pyetni pse po iu drejtohem pikërisht Juve në kohën kur e kemi Kosovën e “pavarur” dhe “sovrane”, Presidentin, Kryeministrin, Kryeparlamentarin dhe Intsitucionet e Republikës së Kosovës! Keni të drejtë të talleni edhe në këtë mënyrë! Ju skajshmërisht po i komprometoni udhëheqësit kosovarë! Keni deklaruar se udhëheqësit kosovarë janë ulur në ulësen e parë, e kanë timonin në duar dhe duhet ta drejtojnë Kosovën! Kjo është një e pavërtetë e madhe: jo që nuk po i lejoni të ulen në ulësen e parë, ta drejtojnë Kosovën, por i keni ngulur në kunj dhe po kënaqeni me gjendjen e tyre! Po i kërcënoni të mos lëvizin shumë se, vetëm sharrojnë më thellë! Unë nuk kam prirje prej sadisti, andaj nuk u bie në qafë, as Fatmirit, as Hashimit, e as Jakupit. Do të mundohem t’ua lehtësojë dhimbjet! Në fund të fundit, janë të mitë, nuk kam ku t’i çojë! Dhe, jam shumë i vetdijshëm se Ju jeni bossi i Kosovës, bashkë me zotin Faith! Merreni Protokolin me Serbinë, midis tjerash! 

Liria në burg: 

Krejt në fund, zoti Kermabo, nëse e keni lexuar me kujdes letrën time dhe nëse i merrni parasysh faktet e parashtruara, atëherë, nuk është vështirë të konstatohet se mbajtja e mëtutjeshme në burgje e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s është e padrejtë dhe e pamoralshme! Është shkelje e rëndë e parimit të barazisë së qytetarëve para ligjit, dikush diskriminohet, tjetri stimulohet! E sa u përket gjyqtarëve kosovarë që, në njërën anë nuk kanë guxim t’i dënojnë kriminelët për krime lufte, ekonomike dhe politike, e në anën tjetër caktojnë 210 muaj paraburgim për VETËVENDOSJE!-n, mund të them se ata janë ajo ana e servilizmit dhe instrumentalizimit të turpshëm për nevoja politike! Dhe, duket se kjo iu ka kaluar në shprehi! Unë jam kundër çdo dhune zoti Kermabo, po Ju?! 

(Autori është Drejtor Ekzekutiv i KMDLNJ-së)

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00