Projekti për paqe, emancipim dhe mirëqenie
Bashkimi Europian po ballafaqohet me krizën më të madhe që nga themelimi. Me përjashtim të rolit të mjerueshëm në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë BE ka arritur të sigurojë paqe dhe mirëqenie në kontinentin e vjetër – qe 60 vjet! Ky bilanc nuk mund të jetë ndryshe përveç se pozitiv.
Enver Robelli
Bashkimi Europian po ballafaqohet me krizën më të madhe që nga themelimi. Me përjashtim të rolit të mjerueshëm në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë BE ka arritur të sigurojë paqe dhe mirëqenie në kontinentin e vjetër – qe 60 vjet! Ky bilanc nuk mund të jetë ndryshe përveç se pozitiv.
„Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kërkuar sot në Gjenevë më shumë ndihma për Sarajevën e rrethuar. Qytetit i duhen së paku 240 mijë tonelata artikuj ushqimorë në ditë, po ashtu material mjekësor dhe ilaçe. I ngarkuari i OBSH-së Donald Acheson tha se nëse bashkësia ndërkombëtare nuk reagon së shpejti, deri në fund të tetorit nga uria do të vdesin fëmijët e parë. - Në Sarajevë sot sërish u zhvilluan përleshje të ashpra. Nga kryeqyteti boshnjak raporton Friedhelm Brebeck: ‘Sarajeva, sot pak para orës tetë në mëngjes, sulmi më i rëndë me artileri në muajt e fundit, katër orë të tëra qyteti qëllohet me armë të kalibrit të madh dhe me granata serbe. Katër ndërtesa banimi i kap flaka menjëherë dhe ato ende po digjen, asgjë ushtarake nuk goditet, as nuk rrezikohet diçka në rrethinë, ky është terror i qëllimshëm me granata mbi një qytet, në të cilin sot para gjashtë muajsh nisi lufta në Bosnjë – me të vdekurit e parë gjatë një demonstrate kundër politikës serbe të shkëputjes. Deri më tani [gjatë ditës së sotme] janë 35 të plagosur rëndë dhe 19 të vrarë – lufta në Bosnjë brenda gjysmë viti ua mori jetën 15 mijë njerëzve, pothuaj të gjithë civilë. Njëra prej ndërtesave të banimit: shkallët janë të bllokuara nga zjarri, njerëzit në ballkone nuk kanë shans të dalin. Zjarrfikësit nuk arrijnë të ngjiten lart, prej nga të merret uji – këtë s’e di askush, Sarajeva qe shtatë ditë është pa ujë. [Zjarrfikësi]: ‘Atje lart është ferri, ne nuk mund të hyjmë brenda, atyre u duhet ndihmë’. Nga ana tjetër e ndërtesës snajperët serbë i gjuajnë zjarrfikësit derisa këta përpiqen t’i shpëtojnë njerëzit. Gjenerali i OKB-së Philippe Morillon është kërcënuar me hapa të tjerë kundër serbëve, por në Sarajevë askush nuk i beson më OKB-së dhe Bashkësisë Europiane, këtu njerëzit në mure po i varin fotografitë e Titos’”.
Ditari i orës 20:00 i televizionit publik gjerman ARD më 5 tetor 1992.
Natyrisht u dëgjuan edhe skeptikët. Kundërshtarët e Bashkimit Europian në Norvegji kërkuan dorëheqjen e kryetarit të Komitetit të Nobelit, Thorbjörn Jagland, i cili u fajësua për “keqpërdorim të mirënjohës më të rëndësishme politike në botë”. Edhe në vende të tjera, ta zëmë në Britaninë e Madhe tradicionalisht të rezervuar ndaj BE-së, jehuan disa zëra kundër vendimit të Komitetit në Oslo që çmimi “Nobel” për paqe sivjet t’i jepet – Bashkimit Europian. Kryetari i Çekisë Vaclav Klaus e quajti ndarjen e çmimit për BE-në hiq më pak se një gabim tragjik, ai foli për “një çmim të zbrazët”, sepse i jepet një institucioni burokratik. Në Ballkan një pjesë e opinionit e kujtoi me zemërim rolin e keq të BE-së gjatë viteve ’90, kur diplomatë naivë ose dashakeqës europianë nuk bënin dallimin mes agresorit dhe viktimës. Në prag të shpërthimit të luftës në Jugosllavi ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jacques Poos, kishte vizituar Beogradin, bashkë me dy homologë nga dy vende europiane, dhe me vetëbesim jorealist kishte paralajmëruar se tani kishte ardhur “ora e Europës, jo e amerikanëve”, me fjalë të tjera: Brukseli vetë do t’ia dilte mbanë të evitonte gjakderdhjen në Ballkan. Siç tregon lajmi i mësipërm i televizionit gjerman ARD premtimi i ministrit Poos shumë shpejt përfundoi në kapitujt ironikë të historisë. Nga perspektiva e Ballkanit edhe sot ka disa arsye që roli i BE-së të kritikohet: nga njëra anë shpërblehet Serbia me statusin e kandidatit, në anën tjetër misioni i BE-së për sundim të ligjit në Kosovë (EULEX) që nga viti 2008 në mënyrë të vazhdueshme i është nënshtruar politikës së sabotimit nga ana e Beogradit. Pra, një shtet që troket në dyert e BE-së e minon misionin më të madh, më të shtrenjtë dhe më të rëndësishëm të Brukselit në politikën e jashtme.
Kulla kosovare
Në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës jo pak diplomatë të BE-së siguronin se tani misioni europian do të merret seriozisht me problemet e Kosovës për dallim nga administrata e OKB-së me policët e saj nga Ishujt Fixhi dhe ofiqarët nga Afrika. Katër vjet më vonë bilanci i punës së EULEX-it është i zbehtë. Në krye të këtij misioni Brukseli ka emëruar gjeneralë francezë, të cilët mund të kenë përvojë në organizimin e puçeve në Afrikë, por jo në ndërtimin e demokracisë në vatra krize. Oficerët Yves de Kermabon dhe Xavier Bout de Marnhac mund të jenë të përshtatshëm për mirëmbajtje kazermash, komandim trupash, ndërtim urash dhe për ndonjë intrigë shërbimesh sekrete, por në krye të EULEX-it janë në vend të gabuar. Gjeneralit de Marnhac këto ditë për herë të dytë apo të tretë iu vazhdua për disa muaj kontrata e punës në Prishtinë – me sa duket BE-ja nuk do ta zëvendësojë atë derisa të gjejë një gjeneral tjetër francez.
Nuk ka dyshim se nga kulla kosovare pamja e BE-së nuk duket ideale. Krahas paaftësisë dhe mosgatishmërisë së EULEX-it për t’u ballafaquar me fenomenet e egra të Kosovës vegjetojnë institucionet e Prishtinës, të cilat nuk kanë arritur ende t’i plotësojnë kushtet për liberalizimin e vizave të Schengenit. Banorët e Kosovës, të vetmit në Ballkan, janë të dënuar të jetojnë në izolim: në një gjendje të tillë kosovarët nuk kanë qenë as në kohën e Perandorisë Osmane (atëherë mund të shkonin në Stamboll e Kajro, Vjenë e Londër; zejtarët nga Peja mund të eksportonin shafran, kolegët e tyre nga Prizreni e dërgonin krimbin e mëndafshit në qytetet e mëdha të Perandorisë Osmane); nën Jugosllavinë e Titos – sidomos mes viteve 1966-1991 – liria e lëvizjes ka qenë pothuaj e pakufishme edhe për kosovarët: pothuaj secili shqiptar i Kosovës që është mbi 45-vjeçar di ndonjë rrëfim për netët në Pragë e Varshavë dhe ditët në Zürich dhe München.
Mbrojtja nga ferri
Pra, banorët e Ballkanit, e sidomos ata të viseve shqiptare, kanë mjaft arsye për t’u ankuar në vitin 2012 – si ndaj BE-së, ashtu edhe ndaj klasës përkatëse politike. Megjithatë, të gjitha këto mangësi të politikës së jashtme të BE-së, përfshirë krizën aktuale me valutën e përbashkët euro, borxhet, rritjen e papunësisë, mungesën e perspektivës për të rinjtë nuk i zbehin arritjet e BE-së.
Dikur sekretari i përgjithshëm i OKB-së Dag Hammarskjöld, kishte thënë: “OKB-ja s’është themeluar për të na sjellë parajsën, por për të na mbrojtur nga ferri”. Deri në Luftën e Dytë Botërore Gjermania dhe Franca brenda 70 viteve zhvilluan tri luftëra, sot diçka e tillë duket e pamundshme. Por, siç e tha ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, gjatë një fjalimi të mbajtur në New York, të enjten e kaluar, nëse Bashkimi Europian fundoset, atëherë Europa ballafaqohet sërish me rrezikun e luftës. Pra, BE-ja, nëse e parafrazojmë Dag Hammarskjöld, askujt nuk ia sjellë parajsën, por sigurisht të gjithë europianët i ruan nga ferri. Kjo vërehet edhe në Ballkan, ku edhe nacionalistët më të egër të viteve ’90, falë projektit paqeruajtës dhe perspektivës së integrimit në BE nuk flasin më për luftëra. Rrjedhimisht BE-ja është projekt për mposhtjen e nacionalizmave dhe atavizmave. Mbetet që këtë ta kuptojnë jo pak njerëz në Ballkan. Dallimi është i thjeshtë: mes ikjes nga shtëpia nën presionin e armëve dhe një fundjave në Vjenë për qejf – çdonjëri do të zgjidhte këtë të fundit! Këtë e bën të mundshme BE-ja. Dhe për këtë BE-ja të premten e mori çmimin “Nobel” për paqe.
Në fillim ishin idealistët; ata nuk ishin naivë, andaj projektin e tyre e nisën duke e themeluar Montanunionin, një bashkësi e qymyrit dhe çelikut. Prej këtyre xeheve nuk do të prodhoheshin më armë për të vrarë njëri-tjetrin, por për të vëne bazat e industrisë europiane. Idealistët ishin realistë. Jean Monnet, Willy Brandt, Bruno Kreisky, Robert Schuman e shumë të tjerë kishin përjetuar dhe mbijetuar luftëra, andaj e dinin se për zgjidhjen e problemeve mes vendeve të Europës në vend të fushëbetejave mes palëve duhet të vendoset një tavolinë për të biseduar. “Ata, para së gjithash, e bënë të qartë se sistemi europian i shteteve kombëtare, i cili ishte zhvilluar që nga shekulli i 17-të më nuk funksiononte mirë dhe raporti i forcave mes shteteve vazhdimisht dilte nga binarët”, shkruan historiani holandez Geert Mak në librin e sapobotuar “Çka nëse Europa dështon?”
Kundër frikës
Në kontinentin e vjetër – me përjashtim të luftërave në Ballkan – nuk është zhvilluar asnjë luftë që nga viti 1945. BE-ja sot është fuqia më e madhe ekonomike në botë, eksportuesja më e rëndësishëm dhe investitorja më e fuqishme; nëpër kufijtë ku para shtatë dekadave është derdhur gjak, sot turistët kalojnë me veturë me shpejtësi prej 120 kilometra në orë; sipas përllogaritjeve që ka bërë Banka Botërore që nga viti 1998 rreth 40 milionë europianë i kanë ikur varfërisë; shtetet jugore si Spanja, Portugalia, Greqia u shndërruan në demokraci stabile vetëm pak vite pasi kishin hequr qafe diktaturat dhe ishin anëtarësuar në BE; modeli evropian i suksesit i dha hov edhe lëvizjes për demokraci në Europën Lindore; po ashtu nuk është e vetëkuptueshme që sot europianët fluturojnë anekënd botës me kompani ajrore, të cilat ofrojnë bileta me çmime të volitshme – në krahasim me kohën kur transporti civil ajror ishte i monopolizuar nga shtetet.
E tani? Tani 46 për qind e të rinjve spanjollë janë të papunë – po aq sa edhe të rinjtë palestinezë. Qe disa vite flitet vetëm për krizën që ka përfshirë BE-në. Politikanët paralajmërojnë ndërprerjen e procesit të zgjerimit të BE-së, në shumë vende triumfon egoizmi nacional, gazetat shtypin vetëm fjalën krizë, pothuaj askujt nuk i vjen ndërmend fjalimi inaugurues i presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt, i datës 4 mars 1933: “E vetmja gjë prej së cilës duhet të frikësohemi është vetë frika – frika e papërshkrueshme, e paarsyeshme, e padrejtë, e cila i paralizon të gjitha përpjekjet që zmbrapsja të shndërrohet në ofensivë”. Kjo porosi vlen si për Brukselin, ashtu edhe për shtetet ballkanike që aspirojnë BE-në.
Comments (0 posted)
Post your comment