Home | Opinion | Një Europë për botën

Një Europë për botën

image
 Pikërisht këtu, Europa ka për t’i ofruar diçka botës. Ajo është ende lidere në inovacione institucionale – një prej nevojave më të mëdha të këtij shekulli – dhe është shembulli më i mirë dhe më i suksesshëm historik i kësaj, siç dhe vërteton çmimi Nobel i Paqes dhënë sivjet asaj.


 

 

Javier Solana

 

 

 

 

Me gjithë lëmshin e problemeve ekonomike që e rrethon Europën, një fakt nuk duhet harruar: Bashkimi Europian mbetet ekonomia më e madhe e botës. Me një PBB prej më shumë se 15.5 trilionë eurosh, ajo është më e madhe edhe se ekonomia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me 20 për qind të tregtisë botërore, BE është po ashtu eksportuesi dhe importuesi i dytë më i madh në botë, pas Kinës dhe ShBA-së. BE-ja, thjesht, është fuqia udhëheqëse tregtare e botës.
 Mirëpo, kjo e dhënë nuk mund ta fshehë faktin se modeli institucional që bëri të mundur Europën e integruar të së sotmes është joadekuat përballë problemeve të krijuara nga kriza financiare. Kështu që ne europianët duhet të thellojmë integrimin europian me një përkushtim dhe shpejtësi shumë më të madhe. Në rast se nuk e bëjmë këtë, ekziston mundësia që pakënaqësia sociale të rrezikojë themelet e BE-së para se të mund ta përfundojmë procesin e integrimit që do të zgjidhte problemet që tani po rëndojnë mbi jetët e miliona njerëzve.
 Për më tepër, këto probleme nuk mund të ndahen nga mënyra në të cilën Bashkimi Europian – që tani është në qendër të vëmendjes për shkak të shqetësimeve ekonomike – e paraqet veten përballë botës. Europa do të duhet të shikojë drejt integrimit edhe më të madh, me qëllim që të shmangë këtë krizë. Dhe, pashmangshëm, integrimi do të çojë drejt një politike të jashtme europiane më unike, të qëndrueshme dhe efektive, një politike të jashtme që i adoptohet botës që ndryshon me shpejtësi marramendëse.
 Bota e sotme tashmë është multipolare. Mirëpo ky multipolarizëm nuk ofron garanci se sistemi ndërkombëtar do të jetë në gjendje të qeveriset me rregulla të përbashkëta, pa të cilat çështjet globale do të bëheshin më të rrezikshme dhe konfliktuoze.
 Pikërisht këtu, Europa ka për t’i ofruar diçka botës. Ajo është ende lidere në inovacione institucionale – një prej nevojave më të mëdha të këtij shekulli – dhe është shembulli më i mirë dhe më i suksesshëm historik i kësaj, siç dhe vërteton çmimi Nobel i Paqes dhënë sivjet asaj.
 Pjesët e tjera të botës po përjetojnë rritje të pashembullta ekonomike, mirëpo këto rritje po ashtu paraqesin një tjetër sfidë të madhe: nevojën për të ndërtuar themelet e kësaj rritjeje me një sistem më të drejtë dhe më të hapur politik, shoqëri gjithëpërfshirëse që respektojnë të drejtat e njeriut dhe mjedisin. Europa është një hap përpara të gjithëve në këto çështje.
 Fatmirësisht, shtetet europiane nuk janë të vetmet që e ndajnë sovranitetin gjatë këtyre ditëve. Një shembull i mirë është Shoqata e shteteve të Azisë Juglindore, e cili po ndërmerr hapa të fortë në një pjesë të botës, ku integrimi kurrë nuk ka qenë normë dhe ku strukturat e qarta të sigurisë rajonale mungojnë. Europa duhet t’i përkrahë këta hapa integrues.
 
Pikërisht në këtë rajon, Azi-Paqësor, është përqendruar vëmendja e marrëdhënieve ndërkombëtare, si në aspektin afatmesëm ashtu edhe afatgjatë. ShBA tashmë ka bërë të ditur riorientimin e vet kah Azia. Përveç kësaj, rajoni është epiqendër e përçarjeve dhe e grindjeve të kahershme territoriale dhe kufitare, nacionalizmit të shfrenuar dhe mosbesimit të thellë.
 Kina nuk dëshiron të shohë një shekull të 21-të të dominuar nga një G2-sh, në të cilin gjen veten bashkë me ShBA-ë. Do të preferonte të paktën një G3-sh ku do të përfshihej edhe BE-ja.
 
Kështuqë, përveç marrëdhënieve të mira që BE-ja ruan me të dyja këto fuqi, përvoja e BE-së në zgjidhjen e problemeve multilaterale mund të ishte e paçmueshme.
 Një temë e adresuar në konferencën e sigurisë në Munih shkurtin e kaluar – dhe që do të duhej përfshirë në çdo afrim tjetër me Azinë – është ajo se rritja e jashtëzakonshme ekonomike e rajonit ka fshehur problemet e saj të sigurisë. Mirëpo kjo nuk do të thotë se këto probleme janë të detyruara të mbeten të fshehura, siç ka demonstruar edhe rasti i fundit i përshkallëzimit të përleshjeve territoriale në detin jugor dhe atë lindor të Kinës.
 Po t’i kthehemi lagjes së Europës, momentit njëpolar të viteve ‘90 të BE-së i ka ardhur fundi. Rusia nuk u është afruar aspak standardeve europiane; Turqia tashmë i ka zhvilluar politikat e saj të jashtme dhe aspiron të bëhet një fuqi rajonale; ndërsa shtetet e brigjeve jugore të Mesdheut i kanë thënë “Mjaft!” status quo-së nëpërmjet revolucioneve që askush nuk i parashikoi. Megjithatë, pushteti më i butë dhe modeli i dialogut multilateral janë ende mënyra për të arritur bashkëpunimin politik, ekonomik dhe energjetik, duke garantuar në këtë mënyrë fqinjësi prosperuese, në të cilën përfshihen këto shtete, por edhe ato në Lindje.
 Marrëdhëniet ndërmjet shteteve amerikane janë të ndryshme për nga natyra. Këtu, afërsia nuk është fizike, por më shumë e bazuar te vlerat e përbashkëta dhe vizioni. Në një botë vazhdimisht në ndryshim dhe vazhdimisht më komplekse, veprimi i koordinuar me ShBA-në duhet të vazhdojë dhe të përparojë.
 Për më tepër, vëzhgues të paanshëm pranojnë se Amerika Latine do të jetë një prej përfitueseve më të mëdha të shekullit të 21-të dhe se marrëdhëniet më të ngushta ndërmjet dy kontinenteve duhet të jenë synim kryesor i të dyjave.
 BE-ja ka ndërmarrë hapa në drejtimin e duhur, siç është krijimi i shërbimit të brendshëm europian të veprimit, nën Traktatin e Lisbonës. Vetë përvoja ime më thotë se aty ku një ambasador i EEAS-së është në detyrë, ndikimi i BE-së rritet.
 Ndërsa BE-ja aspiron të bëhet një fuqi ndërkombëtare, zgjidhja është e thjeshtë: ose ne europianët veprojmë me unitet për t’iu kundërvënë sfidave të tmerrshme të imponuara nga ndryshimet trazuese që tashmë po ndodhin në rendin botëror, ose e detyrojmë veten të veprojmë si spektatorë në një botë, në të cilën kemi shumë pak apo aspak për të thënë. Prosperiteti ynë dhe zbatueshmëria e modelit tonë socio-ekonomik janë në rrezik. Kjo gjë duhet të na bindë se shtetet e Europës janë tepër të vogla për të vepruar globalisht si të vetme dhe se integrimi europian është i vetmi shteg i qëndrueshëm.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00