Home | Opinion | “Nobeli”, thirrje për zgjimin e Europës

“Nobeli”, thirrje për zgjimin e Europës

image
Përmes një vendimi që është kritikuar dhe përgëzuar në pothuajse masë të njëjtë, Komiteti norvegjez i Nobelit ia dha çmimin e Paqes të këtij viti Bashkimit Europian, duke i shprehur kështu mirënjohjen për kontributin që ka dhënë në “avancimin e paqes dhe pajtimit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Europë” përgjatë gjashtëdhjetë viteve të kaluara.

 

 

 


Ana Palacio

 

 

 

 

 

Të shpresojmë se çmimi “Nobel” i paqes këtë vit t’ua rrisë krenarinë evropianëve për të shikuar përtej problemeve të tyre aktuale financiare, duke konsoliduar fuqitë e unionit dhe duke u pajtuar për një vizion koherent për të ardhmen. Përndryshe, arritjet më të mëdha të Evropës do t’i takojnë së kaluarës


Përmes një vendimi që është kritikuar dhe përgëzuar në pothuajse masë të njëjtë, Komiteti norvegjez i Nobelit ia dha çmimin e Paqes të këtij viti Bashkimit Europian, duke i shprehur kështu mirënjohjen për kontributin që ka dhënë në “avancimin e paqes dhe pajtimit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Europë” përgjatë gjashtëdhjetë viteve të kaluara.

Por në çfarë mase është Evropa e preokupuar me “paqen e përjetshme” në kurriz të problemeve të shumta që ka aktualisht? A është ky shpërblim konfirmim i gjendjes së rëndë të projektit evropian, ashtu siç ishte rasti me Nobelin e vitit 2001 për Organizatën e Kombeve të Bashkuara?

Duke e shpallur fituesin, komiteti sqaroi se si “puna e BE-së përfaqëson vëllazëri midis shteteve”. Duke e pranuar se “BE-ja aktualisht është duke u përballur me vështirësi të mëdha ekonomike dhe trazira të konsiderueshme sociale”, komiteti e vuri theksin tek roli i BE-së si simbol i shpresës dhe i demokracisë, posaçërisht i rëndësishëm për njerëzit që kanë kaluar nëpër tmerret e diktaturës.

Por, pikërisht diskrepanca midis arritjeve të mëparshme të BE-së dhe trazirave aktuale ka nxitur zemërim dhe refuzim nga shumë evropianë. Pikërisht për këtë arsye, shpërblimi është krahasuar me “Oscarin” për arritjet jetësore, që jepet vetëm kur fituesi i afrohet vdekjes.

Vendimi për themelimin e BE-së ishte një përgjigje e natyrshme e sfidës më të madhe të asaj kohe – luftës dhe konfliktit. Natyrisht, ringjallja e nacionalizmit dhe e ekstremizmit është përkujtues i vazhdueshëm se paqja nuk duhet të merret e dhënë. Por mundësitë për luftë në Evropë tani duken kërcënim i largët dhe shkëlqimi i sukseseve të kaluara të BE-së është zbehur.

Në vend të kësaj, mungesa e vizionit në Evropë dhe planit për të ardhmen – përmes të cilave do të mund të zgjidhte problemet si papunësia kronike, dalja e kapitalit dhe ndikimi i masave të kursimit – është duke u shkaktuar shqetësim qytetarëve evropianë, duke nxitur populizëm, neveri dhe trazira të brendshme.

Aftësia e BE-së për ta shfrytëzuar – apo madje edhe justifikuar – shpërblimin varet prej mundësive që ka për kapërcimin e krizës së borxheve shtetërore dhe kthimin e besimit në mesin e shteteve anëtare. Por më e rëndësishmja është se BE-ja duhet ta rikthejë namin e saj, pjesë përbërëse e së cilës ka qenë gjithnjë mirëqenia ekonomike. Përpos mangësive në organizimin e eurozonës, çështje të rëndësishme në agjendën e Evropës duhet të jenë konkurrenca, vendet e punës, novacionet dhe teknologjia.

Gjëja e parë e rëndësishme për Evropën duhet të jetë pranimi i realitetit: shtetet në lulëzim janë duke përparuar me të madhe në aspektin e novacioneve, derisa BE-ja është duke humbur shpejtësinë. Kina e ka shumë afër ta kalojë Evropën si pika e dytë më e madhe për kapitalin blerës, derisa SHBA-ja është e para. Në të vërtetë, një studim i vitit 2012 nga “Ernst&Young” ka zbuluar se njëra bazë amerikane (Silicon Valley) ka të grumbulluara 12.6 miliardë dollarë kapital, derisa Britania e Madhe, e para në mesin e shteteve evropiane merr pjesë me afërsisht 1.75 miliardë dollarë dhe Gjermania me 665 milionë.

Një studim i ngjashëm, i kryer më 2012, nga Javier Santiso, profesor në shkollën ekonomike ESADE në Barcelonë dhe drejtor menaxhues në “Telefónica”, ka zbuluar se investimet e Evropës për kokë banori në kapitalin ndërmarrës më 2011 ishin vetëm shtatë dollarë, krahasuar me 142 dollarë në Izrael dhe 72 dollarë në SHBA.

Hulumtimi dhe zhvillimi ofron pak ngushëllim. Ndonëse hulumtimi në Evropë u ka dhënë hov shumë teknologjive të reja, të përdorura në industri në mbarë botën, arritjet e fundit të saj nuk janë edhe aq mbresëlënëse, kryesisht për shkak të vështirësisë së përkthimit të shkencës në përparësi industriale.

Evropa është duke e humbur epërsinë teknologjike, si në fushën e telekomunikacionit, ashtu edhe teknologjisë apo internetit, derisa kompanitë e saj po zhvendosen nga ato të tregjeve në lulëzim, derisa SHBA-ja mbetet dominante. Indeksi NASDAQ e konfirmon këtë trend shqetësues: vetëm 15 kompani evropiane ndodhen në listë, krahasuar me 498 të SHBA-së, 43 të Kinës dhe 23 të Izraelit.

Po qe se shikojmë në të ardhmen, Evropa duhet të marrë parasysh pasojat potenciale, të shpalosura nga Programi më i ri për vlerësimin e studentëve ndërkombëtarë, një krahasim në nivel bote i performancës studentore. Në matematikë dhe shkencë, raporti më i fundit i PISA-s e vë Azinë në krye të listës, derisa Kina, Singapori dhe Koreja Jugore janë të parat. Ndërkohë, me disa përjashtime – në rend të parë në Finlandë – Evropa ka mbetur prapa.

BE-ja më në fund është duke filluar ta kuptojë se mbështetja tek shërbimet nuk do të mjaftojë për ruajtjen e modelit socioekonomik evropian. Qeveritë e shteteve anëtare dhe komunikata më e re e Komisionit Evropian, “Një industri më e fuqishme evropiane për rritje dhe rimëkëmbje ekonomike”, shpalos domosdoshmërinë për ringjalljen e politikës industriale të Evropës. Përpjekjet e tilla duhet që të përkthehen menjëherë në ndryshime legjislative në fusha të shumta.

Evropa duhet urgjentisht që ta përkushtojë energjinë e saj në ringjalljen e pjesëve bazë të ekonomisë – industrinë, kapitalin njerëzor dhe kornizën policore që mundëson rritje të shëndoshë dhe mirëqenie. Të shpresojmë se çmimi “Nobel” i paqes këtë vit t’ua rrisë krenarinë evropianëve për të shikuar përtej problemeve të tyre aktuale financiare, duke konsoliduar fuqitë e unionit dhe duke u pajtuar për një vizion koherent për të ardhmen. Përndryshe, arritjet më të mëdha të Evropës do t’i takojnë të kaluarës.


 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0