Home | Opinion | …Shkoni në Shqipëri, se ka demokraci të vërtetë…

…Shkoni në Shqipëri, se ka demokraci të vërtetë…

image
Fundi i fjalës së saj në Kuvend duhet të konsiderohet krenari, përgjegjësi dhe sfidë për të gjithë shqiptarët e, mbi të gjitha, për politikanët shqiptarë: “…Nëse doni të shikoni demokraci të vërtetë, do u them njerëzve: shkoni në Shqipëri…”.

 


 

 

Kastriot Islami

 

 


Sekretarja amerikane Shtetit, Hilari Klinton, erdhi për një vizitë katërorëshe në Tiranë. Një vizitë historike po të kemi parasysh se ajo ndodh pikërisht më 1 nëntor 2012, në vitin kur shqiptarët festojnë 100 vjet pavarësi të Shqipërisë. Një vizitë e shkurtër, por me shumë mesazhe. Mesazhe të sinqerta dhe miqësore. Mesazhe mbështetëse, motivuese dhe optimiste. Mesazhe të drejtuara në mjedisin gjithëpërfshirës të Kuvendit. Mesazhe që mund të përmblidhen shkurtimisht “bashkëpunoni dhe vetëm bashkëpunoni” dhe “vendosni interesat kombëtare e integruese mbi interesat partiake pa ndryshuar bindjet për vizionin tuaj politik…”.  Fundi i fjalës së saj në Kuvend duhet të konsiderohet krenari, përgjegjësi dhe sfidë për të gjithë shqiptarët e, mbi të gjitha, për politikanët shqiptarë: “…Nëse doni të shikoni demokraci të vërtetë, do u them njerëzve: shkoni në Shqipëri…”.
 1. Klinton u bashkohet festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë…
 Vizita e zonjës Klinton më 1 nëntor 2012 në Tiranë, në muajin kur shqiptarët kudo festojnë 100-vjetorin e pavarësisë, do të mbetet në mendjet e tyre si një vizitë historike. Vizita merr dimension historik po të kemi parasysh se rreth 100 vjet më parë, Presidenti amerikan, Uilson, jo vetëm do të mbështeste shtetin e ri shqiptar me një pavarësi të brishtë, por fill pas Luftës së Dytë Botërore do të ndalonte copëtimin e Shqipërisë. Por, zonja Klinton nuk harron të përmendë se Shqipëria “ka ndryshuar kaq shumë gjatë 100 vjetëve, por diçka që është konstante është se SHBA-të kanë qenë dhe janë partnerët e miqtë tuaj”, duke shtuar se “të gjithë presidentët amerikanë, demokratë apo republikanë, kanë përkrahur me vendosmëri të drejtat dhe liritë e shqiptarëve jo vetëm këtu, por në të gjithë rajonim”. Ky është një mesazh shumë i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët në këtë përvjetor të pavarësisë, aq më tepër që rezonon me një ndjenjë të përhershme mbarëshqiptare.
 2. Në momentet kyçe, SHBA i kanë mbështetur dhe përkrahur shqiptarët…
 Pasi përmend në fjalën e saj kontributin e Presidentit Uilson, zonja Klinton evokon shkurtimisht vetëm disa nga momentet më të rëndësishme kur presidentët amerikanë kanë qenë në krah të shqiptarëve. Natyrisht, një nga vendimet e rëndësishme që do të mbetet i pashlyer në memorien kombëtare të shqiptarëve është vendimi i Bill Klintonit për ndalimin e barbarive të regjimit të Milosheviçit në vitin 1999 përmes ndërhyrjes në Kosovë. Dhe më tej, zonja Klinton në fjalën e saj në Kuvend përmend veprimet e presidentëve amerikanë pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri: “…Isha shumë e lumtur që bashkëshorti im krijoi fondin e sipërmarrjes për të sjellë investime në Shqipëri. Bush u bë Presidenti i parë që vizitoi Shqipërinë dhe në 2009-n Obama kishte kënaqësinë t’ju ftonte si anëtarët më të rinj të NATO-s…”. Natyrisht, mbështetja amerikane ka qenë thelbësore për rrëzimin e regjimit komunist dhe ndërtimin e demokracisë, duke filluar që nga viti 1991.
 3. “… Shqipëria i ka potencialet për t’u bërë model për botën…”, dhe SHBA ju mbështesin
 Zonja Klinton, duke shprehur mbështetjen e SHBA jo vetëm në të kaluarën, por mbi të gjitha në të ardhmen, është shumë e qartë kur thotë se “SHBA kanë qëndruar me ju për 100 vjetët e parë të pavarësisë dhe do të qëndrojnë me ju edhe për 100 vjet të tjerë”. Por jo vetëm kaq, sekretarja amerikane e Shtetit deklaron se “ky jubile nuk është vetëm për të kaluarën, por edhe një synim për të ardhmen…”, dhe në këtë kontekst shton se Shqipëria e ka të gjithë “potencialin për t’u bërë model jo vetëm për rajonin dhe Europën, por për të gjithë botën. SHBA kanë interes të madh për sistemin tuaj. Ne jo vetëm duam të shohim që marrëdhënia me ju të përmirësohet, por duam që ju të zhvilloheni…”.
 4. SHBA mbështesin aspiratën europiane të shqiptarëve…
 Zonja Klinton thekson një mesazh tjetër aktual e të rëndësishëm për shqiptarët, që kanë artikuluar vazhdimisht jo vetëm ambasadorët amerikanë në Tiranë, por edhe zyrtarët e lartë nga Uashingtoni: “…Ne e mbështesim plotësisht aspiratën e Shqipërisë për Europën e Bashkuar…”, duke argumentuar se anëtarësimi i Shqipërisë në BE “…do t’ju forcojë ju, por do të jetë edhe më mirë për BE-në. Ne nuk kemi votë, por do t’u flasim miqve për t’ju mbështetur…”. Por nuk harron të kujtojë me shumë elegancë në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat: “…Muajt që vijën janë shumë kritikë jo vetëm për ju, por edhe për popullin tuaj. Si mikeshë shpresoj që të keni disa objektiva që ju t’i arrini dhe që janë shumë jetike…”. Një mesazh i qartë miqësor për të mos u vonuar në plotësimin e kushteve për marrjen e statusit të vendit kandidat të BE.
 5. Mesazhi i mesazheve: “Bashkëpunoni, bashkëpunoni dhe vetëm bashkëpunoni…”
 Zonja Klinton erdhi në Tiranë dhe formati i vizitës së saj ishte i ndryshëm nga ai në vende të tjera.  Ajo u takua me liderin e maxhorancës dhe njëkohësisht Kryeministër i vendit. U takua shkurtimisht me kryetarin e opozitës. Zhvilloi një takim me Presidentit e vendit, ku ndërkohë mori një Urdhër nderi. Epiqendra e takimeve ishte institucioni gjithëpërfshirës i Kuvendit. Në këtë mjedis, zonja Klinton dha në mënyrë transparente mesazhet e saj, publike e të drejtpërdrejta, të paanshme dhe motivuese, për të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë politikanët. Ky mesazh përmbledhtas ishte: Bashkëpunoni, bashkëpunoni dhe vetëm bashkëpunoni… për të mirën e vendit.  Protokolli i veçantë i takimeve vjen për shkak të radikalizimit dhe konfliktualitetit që ka shfaqur politika shqiptare, sidomos pas zgjedhjeve të vitit 2009 dhe ngërçeve të shumta që kanë penguar procesin e integrimit. Takimi gjithëpërfshirës në Kuvend dhe takimet e veçanta me drejtuesit e dy partive kryesore ishin një mënyrë elegante për të përcjellë në mënyrë transparente e publike, por edhe zyrtare e deri konfidenciale, mesazhet e njohura të administratës amerikane, por me nuanca dhe intensitete të ndryshme. Protokolli dhe mesazhet nuk kanë asnjë lidhje me teoritë konspirative të mbështetjes së kësaj apo asaj force politike, dhe aq më pak të këtij apo atij drejtuesi që jo rrallë shoqërojnë takimet e drejtuesve shqiptarë me personalitete të shquara, sidomos nga SHBA.
 6. Zonja Klinton artikulon disa nga sfidat për të ardhmen….
 Mesazhi i zonjës Klinton, i qartë, i drejtpërdrejtë, me shpirt e frymë pozitive dhe dashamirëse, si një mikeshë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, ishte për bashkëpunim në interes të vendit dhe të shqiptarëve: i) për zgjedhje të lira e të ndershme; ii) në luftën kundër korrupsionit; iii) për t’u bërë pjesë e BE; iv) për konsolidimin e demokracisë; v) për mirëqeverisjen e vendit; vi) për forcimin e shtetit ligjor; vii) për ndërtimin e institucioneve të forta; viii) për një sistem gjyqësor të paanshëm; ix) për të vazhduar të jeni model për rajonin dhe x) për të vazhduar të jeni model i bashkëjetesës dhe tolerancës fetare. Zonja Klinton u kujton deputetëve dhe shqiptarëve se këto janë pyetje, përgjigjet e të cilave duhet t’i japin vetë shqiptarët. Këto mesazhe zonja Klinton i ka dhënë edhe në takimet e veçanta dhe çdo lloj hamendësimi tjetër do të ishte spekulativ.
 7. Modeli Klinton, funksional i bashkëpunimit me kundërshtarin…
 Mesazhi më domethënës i të gjithë fjalimit ishte artikulimi i modelit të saj të bashkëpunimit me kundërshtarin: “i) kush fiton, fton humbësin për bashkëpunim dhe ii) kush humb pranon humbjen dhe bashkëpunon, thjesht për dashurinë që ka për vendin…”. Në mënyrë më konkrete, zonja Klinton tregoi historinë e saj të konkurrimit me Presidentin Obama. “Unë konkurrova me Obamën, mblodhëm edhe unë, edhe Obama fonde për të sulmuar njëri-tjetrin, bëmë një fushatë kundër njëri- tjetrit, çfarë nuk thamë kundër njëri-tjetrit, por në fund ai fitoi dhe më ftoi të punoja si sekretare të Shtetit në qeverinë e tij. Unë pranova dhe bashkëpunuam dhe po bashkëpunojmë. Cili është sekreti? Shumë, shumë i thjeshtë. Kur më pyesnin si ka mundësi që dy njerëz kanë luftuar kaq shumë, si mund të punojnë të dy së bashku? Duam të dy vendin tonë, Amerikën”. Dhe shtoi: “Unë besoj se ju të gjithë e doni Shqipërinë”.
 8. Interesat partiake nuk duhet të jenë mbi ato kombëtare…
 Një mesazh tjetër i mirënjohur, por që nga goja e zonjës Klinton merr një rëndësi të veçantë jo vetëm për momentin, është ai i artikuluar në fund të fjalës së saj në Kuvend: “…Ju vazhdoni të besoni te vizioni juaj politik, por interesi partiak duhet të vihet mbrapa interesave kombëtare, dhe kjo është detyra e udhëheqësve demokratikë…”. Dhe më tej ajo shtron me të drejtë një pyetje pothuajse gjithnjë prezente për politikanët shqiptarë “…do të vazhdojnë të fitojnë mirëbesimin e popullit dhe të lënë mënjanë diferencat politike për të mirën e vendit…”.
 9. Zonja Klinton: “… Nëse doni të shikoni demokraci të vërtetë, do t’u them njerëzve: shkoni në Shqipëri…”
 Shqipëria është vend demokratik. Amerika është partnere e Shqipërisë. Shqiptarët dhe amerikanët duan për fëmijët e tyre një botë tolerante dhe përfshirëse. Me këto fjalë e mbyll fjalën e saj në Kuvend zonja Klinton, pa harruar të kujtojë se ajo do të jetë një “ambasadore” e Shqipërisë në SHBA dhe në botë: “…Unë do të jem mbështesja juaj. Nëse doni të shikoni demokraci të vërtetë, do t’u them njerëzve: shkoni në Shqipëri…”.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0