Revoltat rajonale të Europës
Parimi bazë i demokracisë është aftësia e qytetarëve që t’ua japin drejtimin politikave publike. Por sot, në tërë Europën, qytetarët ndihen të paaftë. Me krizën ekonomike, ky fenomen është posaçërisht i theksuar në jugun e Europës...
Ana Palacio
Si në Katalonjë, ashtu edhe Skoci, thirrjet për pavarësi janë shpeshtuar – një indikator ky që tregon për gjendjen jo vetëm në Spanjë dhe Britani të Madhe, por edhe në Bashkimin Evropian në tërësi. Në të vërtetë, dobësia e BE-së në përballjen me krizën e vet financiare është shenjë e dobësimit të integrimit politik të këtij blloku. Pa i marrë parasysh rrënjët e zemërimit, secesionizmi duket se është një simptomë e dhimbshme e këtij procesi degjenerativ.
Ironia perverse këtu është se partitë evropiane të prira për secesionizëm janë duke i përshtatur programet e tyre, duke premtuar se shtetet e reja do të kenë anëtarësim automatik në BE. Partia Nacionaliste Skoceze (SNP) dhe “Convergència i Unió” (CiU) në Katalonjë janë duke e eksploatuar konceptin e kosmopolitanizmit evropian, për të ringjallur qëllimet e tyre të ngushta nacionaliste dhe për t’u ndarë nga shtetet, pjesë e të cilave janë tani.
Asnjë dispozitë e ligjit të BE-së nuk merret me shpërbërjen e një shteti anëtar, pasi që ndarja bie në kundërshtim me parimin bazë të “një Unioni më të ngushtë”. Për këtë arsye, janë shtuar thirrjet për t’i dërguar porosi elektoratit se anëtarësimi në BE nuk do të ishte i garantuar në rast të pavarësisë. Alex Salmond, ministri i parë skocez dhe lideri i SNP-së ka deklaruar se garanci e anëtarësimit në BE ishte çështje e ligjit; por pasi që nuk është ashtu, ai dhe partia e tij tani përballen me krizën e tyre më të madhe, që nga marrja e pushtetit, më 2007.
Ky vakum ligjor e sqaron përse, në përgatitje për zgjedhjet në Katalonjë, më 25 nëntor, liderët e CiU-s duan që të zhvillojnë një referendum joformal për pavarësinë, por në formën e plebishitit rreth dëshirës së katalonasve për anëtarësim në BE (gjë e cila nuk varet nga elektorati në Katalonjë). Racionalisht, nëse jo edhe ligjërisht, e vetmja pyetje koherente e cila do të mund të bëhej nga qeveria e CiU-së do të ishte nëse katalonasit duan të jenë pjesë e Spanjës.
Korniza e OKB-së në të cilën trajtohet ndarja e përcakton një ndarje të qartë midis “vetëvendosjes së brendshme” dhe “vetëvendosjes së jashtme”. E para përcakton të drejtën e popujve për të vendosur për zhvillimin e tyre politik, ekonomik, social dhe kulturor brenda kornizës së një shteti ekzistues; e dyta mund ta marrë formën e një ndarjeje të njëanshme, por vetëm në rrethana të jashtëzakonshme. Asnjë definicion nuk mund të zbatohet në rastin e Katalonjës apo Skocisë.
Askush në Katalonjë apo Skoci nuk mund të pohojë në mënyrë legjitime se po u shtypet identiteti kulturor, i cili gëzon mbrojtje të fuqishme në Spanjë – ku një prej qëllimeve kryesore të Kushtetutës Spanjolle, pas vdekjes së Francisco Francos, ishte mbrojtja e gjuhës dhe kulturës katalonase dhe baske. E njëjta vlen edhe për Britaninë e Madhe. Mbase kjo ndihmon të sqarohet përse kërkesa formale skoceze për pavarësi nuk bazohet në trashëgiminë e ndarë, por në nocionin e paqartë të vlerave të ndryshme politike dhe sociale – një argument aq i paqartë, saqë do të mund të përdorej për justifikimin e shpërbërjes së secilit shtet evropian.
Ashtu si ndodh shpesh me nacionalizmin, diskursi emocional që shoqëron thirrjet për pavarësi është thjesht një maskë e ambicieve politike dhe interesave vetjake ekonomike. Në Katalonjë, viktimizimi është bërë strategji e fushatës, pasi që liderët e CiU-së janë duke iu referuar haptazi kërcënimeve imagjinare nga qeveria qendrore në Madrid, përfshirë tanket “spanjolle” dhe aeroplanët “armiqësorë” mbi “hapësirën ajrore katalonase”.
Nëse e lëmë anash retorikën, referendumi katalonas ka dalë si rezultat i pazarllëqeve politike që kanë të bëjnë me diskutimet për tejkalimin e krizës midis rajoneve të Spanjës dhe qeverisë qendrore. Kriza i ka nxitur kërkesat për pavarësi, duke e shtuar zemërimin e katalonasve rreth transferimeve financiare tek rajonet më të varfra të Spanjës përmes Fondit namkeq Territorial të Solidaritetit.
Çështja e pavarësisë është kthyer në një mjet të fuqishëm për të bërë pazarllëqe me qeverinë qendrore. Ajo po ashtu po ndihmon që problemet të fshihen – për shembull, borxhi katalonas përbën afërsisht 30 për qind të borxhit të përgjithshëm të rajoneve të Spanjës – dhe e shpërqendron vëmendjen nga menaxhimi i dobët ekonomik i qeverisë rajonale të CiU-së.
Gjendja mund të përkeqësohet me pavarësinë. Sipas vlerësimeve, largimi nga Spanja, euroja dhe BE-ja do të shkaktonte një rënie prej 20-25 për qind në GDP-në e Katalonjës, derisa 68 për qind e eksporteve ndërkombëtare të Katalonjës shkojnë në BE (sipas të dhënave zyrtare të 2010-ës), derisa 50 për qind e prodhimit të saj të përgjithshëm shkon në pjesën tjetër të Spanjës.
Diçka e ngjashme vlen edhe për Skocinë. Për më tepër, pas krizës së euros, liderët e SNP-së kanë hequr dorë nga plani i tyre i vjetër për ta mbështetur euron dhe tani thonë se do ta mbajnë sterlinën.
Por, të kritikosh oportunistët që po ndezin zjarrin e secesionizmit në Barcelonë dhe Edinburgh nuk mjafton. Demonstratat në Barcelonë gjatë shtatorit, të cilat nxorën në rrugë rreth tetë për qind të 7.5 milion banorëve të Katalonjës ka treguar se ka ca çështje që duhet të trajtohen, si në nivelin evropian, ashtu edhe atë të shtetit.
Parimi bazë i demokracisë është aftësia e qytetarëve që t’ua japin drejtimin politikave publike. Por sot, në tërë Evropën, qytetarët ndihen të paaftë. Me krizën ekonomike, ky fenomen është posaçërisht i theksuar në jugun e Evropës, ku votuesit janë duke e ndier se kanë pak ndikim në Berlin, ku po merren vendimet e njëmendta.
Në Katalonjë, CiU e ka kanalizuar këtë zemërim në refuzim të qeverisë qendrore të Spanjës. Në Skoci, politikat e kursimit, të ndjekura nga qeveria e David Cameronit, u kanë dhënë një forcë të ngjashme përpjekjeve për pavarësi të SNP-së.
Spanja ishte padyshim një nga sukseset më të mëdha të fundit të shekullit njëzet, duke e menaxhuar hyrjen në BE dhe transicionin demokratik, derisa u shndërrua prej një shteti të pazhvilluar në ekonominë e katërt të eurozonës – dhe të trembëdhjetën në botë. Por, marrëveshjet që ishin pjesë e atij transicioni patën pasoja – posaçërisht shpërndarjen territoriale të pushtetit – të cilat duhet të trajtohen haptazi.
Pa e marrë parasysh shkakun, trazirat në Katalonjë duhet të rezultojnë me një rishikim të detajuar të Kushtetutës së Spanjës të vitit 1978 dhe miratimin e një strukture të vërtetë federale. Po qe se ka sukses, federalistët spanjollë pastaj mund të këshillojnë të tjerët – duke filluar me liderët politikë në Britani të Madhe.
Comments (0 posted)
Post your comment