Home | Opinion | Fqinjët provokojnë, ne flasim për integrime

Fqinjët provokojnë, ne flasim për integrime

image
Përderisa ne flasim për paqe, shtetet fqinje avancojnë dhe ngritin kapacitetet ushtarake, policore dhe ato mbrojtëse. Ndërsa, ne flasim për integrime, euroatlantizëm, thuaja se jemi avokatë dhe se prej nesh varet euroatlantizmi.

 

 

 

Ardian Ramadani

 

 

 

Është bërë rutinë që partitë politike shqiptare, e posaçërisht ata që janë pjesë e institucioneve në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri, të na lodhin kokën me refrenet patetike dhe eufemizmat “procese integruese dhe euroatlantike”. Jo që këto procese nuk janë të mirëseardhura dhe të nevojshme, por në kohën kur fqinjët e shqiptarëve militarizohen çdo ditë e më shumë, ne pacifizohemi pa nevojë; në kohën kur fqinjët tanë investojnë në ushtri dhe në polici, e në mjete të sofistikuara ushtarake, ne flasim për integrime dhe liberalizime. Thuaja se i kemi kryer të gjitha gjërat në planin e brendshëm, e tashti na ka mbetur aspekti i jashtëm i zgjidhjes së problemeve rajonale.
 
Është fakt që shqiptarët me pavarësinë e Kosovës dhe me integrimin e Shqipërisë në NATO janë faktorizuar tej mase, duke kaluar nga faktorë pasivë në faktorë aktivë dhe kyç të paqes.
 
Mirëpo, në vend se shtetet tona shqiptare të interesohen për militarizim, dëgjojmë çdo ditë për dekadencën dhe mjerimin e faktorit ushtarak. Si rast konkret kemi Shqipërinë, e cila edhe pse në NATO, ende ballafaqohet me atrofizim si dhe teknologji jo të mjaftueshme ushtarake për ti bërë ballë sulmit eventual.
 
Kësisoj, nëse marrim shembuj konkret do të bindemi në këtë që e themi. Ja ilustrimi konkret: Serbia, sipas statistikave më të fundit, investon në ushtri pjesën më të madhe të buxhetit të saj, respektivisht rreth 95 për qind, ndërsa vetëm 5 përqind në administratën shtetërore. Më vitin 2005 u nënshkrua kontrata serbe dhe izraelite për marrjen e satelitit me qira “Image Sat” për përgjim të Kosovës me satelitë përgjues të tipit “Eros A” dhe “Eros B”, me një vlerë prej 45 milionë eurove.
 
Në kohën kur flitet për dialog dhe për status plus për veriun e Kosovës, Serbia ndërton bazën ushtarake në Cepotin me rreth 35 hektarë, 22 mijë metra katrorë, 66 objekte ushtarake, edhe atë vetëm 15 kilometra larg Bujanocit.
 
Se sa sofistikohen mjetet ushtarake dhe se sa investon Serbia në militarizimin e saj kemi edhe një rast tjetër. Në maj 2010 serbët ndërtuan fluturaken spiunuese “Vrbac”, e cila është tri herë më e lirë se ajo izraelite “Orbiter”. Fluturon në lartësi 500 metra, si dhe ka një radius prej 12 kilometrash. Kjo fluturake është e aftë të dallojë çdo ndryshim temperature të organizmit të njeriut.
 
Sa i përket angazhimit në ushtri dhe polici, shifrat janë shokuese. Numri i pjesëtarëve aktivë të ushtrisë serbe janë 30 mijë veta. Serbia ka 37 mijë pjesëtarë rezervë, 100 mijë rezervistë. Buxheti i saj është 675 milionë euro në vit (2011). Ka një strukturë me katër brigada me 10 batalione, tri brigada ndihmëse, dy batalione të policisë ushtarake. Në vitin 2009 ka eksportuar armatim me vlerë prej 500 mijë dollarë. Ndërsa, MPB-ja serbe ka 45 mijë punonjës.
 
Kur krahasojmë këto shifra me Kosovën, kjo e fundit në aspektin militar – me gjithë prezencën e NATO-s - është si flluskë në krahasim me serbët. SHPK ka 8.000pjesëtarë të uniformuar; 1.100 staf civil; ndërsa FSK ka 2.500 pjesëtarë të rregullt si dhe 800 pjesëtarë rezervë. Po mos të ishte KFOR-i, vaj halli.
 
KFOR-i në Kosovë ka 5,790 pjesëtarë nga 29 shtete të ndryshme, ku vetëm Gjermania ka 1.349 trupa ushtarake. Kësisoj është utopike të imagjinohet çfarëdo reagimi efikas i shqiptarëve në rast të sulmit eventual serb.
 
Shifra tjetër është shokuese, Serbia në Kosovë nga 1999 gjer tani më 2012 ka investuar pesë miliardë euro. Shifër shokuese për ata që mëtojnë ta paraqesin shtetin serb të falimentuar.
 
Kur të krahasohemi me shtetet e tjera ballkanike, ne si shqiptarë gjendemi në gjendje jo të mirë. Kësisoj nëse e marrim Turqinë si faktor të fortë ushtarak në rajon, ajo ka 615.000 ushtarë, Kosova 2.500 ushtarë, Rumania 75.000 plus 15.000 civilë ushtarakë në kohë paqe, Greqia posedon 180.000 ushtarë (e 24-ta në botë për shpenzime ushtarake, si dhe e 11-ta në botë për import ushtarak). Serbia pamë se kishte 37 000 pjesëtarë, Maqedonia që shpesh e llogarisim si të brishtë është në hap shumë të mirë ka 10.000 pjesëtarë, Mali i Zi ka 3.100 pjesëtarë, Sllovenia 7.600 pjesëtarë, Kroacia 19.000 pjesëtarë të ushtrisë, ndërsa Shqipëria ka 14.500 plus 2.000 civilë, e Bosnja dhe Hercegovina ka 13.500 pjesëtarë.
 
Vlen të përmendet se së fundi Maqedonia po investon tepër në sektorin ushtarak dhe atë të mbrojtjes, por edhe atë policor. MPB maqedonase disponon me fluturaken pa pilot, ndërsa vetëm më 2009 buxheti shtetëror maqedonas ka siguruar 40 milionë euro shtesë për Drejtorinë e Digurimit dhe Kundërzbulimit.
 
Besoj se me këto shifra kemi të qartë gjithçka. Përderisa ne flasim për paqe, shtetet fqinje avancojnë dhe ngritin kapacitetet ushtarake, policore dhe ato mbrojtëse. Ndërsa, ne flasim për integrime, euroatlantizëm, thuaja se jemi avokatë dhe se prej nesh varet euroatlantizmi.
 
Krejt kjo që u tha më lart ka një qëllim, të jemi vigjilent dhe të gatshëm për sfida se më kot nuk bëhet ky militarizim grandioz. Dishepujt e Millosheviqit, ithtarët e Megalidhesë, Naçertanies dhe pasuesit dhe ndjekësit e Blazhe Ristevskit janë aktiv dhe tejet të rrezikshëm. Andaj, më shumë se kurrë na duhet unifikimi, koordinimi dhe lënia anash e mërive dhe inateve politike, krahinore...
 
Por, edhe mos të nxitojmë, sepse siç do të shprehej një historian për ne: “Shqiptarët janë populli i vetëm që gabojnë dhe vonohen duke u nxituar”.
 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0