Home | Opinion | Fobia

Fobia

image
Fobia, inati, kokëfortësia... duken të jenë elementet që shpesh na e kanë udhëhequr si politikën, ashtu edhe jetën. Dhe është çudi shumë e madhe se si kurrë nuk na shkoi ndërmend që bile, njëherë, nëse për asgjë tjetër...

 

 

 


Flaka Surroi

 

 

 


“Pasi shpiket roboti që kap hajdutët, në SHBA për pesë minuta kapen 200 hajdutë, në Angli për pesë minuta kapen 150 hajdutë, në Kosovë për pesë minuta vidhet roboti!”

Nuk e di autorësinë e barsoletës së javës, të cilën e huazova nga mikja ime, Selvija, por më duket se nuk ka përshkrim më autentik se ky për të ilustruar vendin ku jetojmë. Pas paralajmërimit të teorisë së konspiracionit nga java e shkuar, se 1,4 milionët e zhdukur nga MPB-ja ishin dedikuar për ndarjen e tallit “ofruesve të shërbimit të mirë” për ta fituar tenderin, kjo doli të jetë e vërtetë. Së paku kështu e thotë e dyshuara kryesore nëpërmjet avokatit të saj, teksa insiston që t’i jepet statusi i dëshmitares së mbrojtur ashtu që t’i zbulojë emrat e të implikuarve.

Përderisa avokati i saj mbrojtës po insiston se prokurorët (si ajo e Prokurorisë Speciale, ashtu edhe ai i EULEX-it) po refuzojnë të dëgjojnë nga Velija emrat e hajnave, del ministri i Brendshëm sërish në Parlament dhe thotë se ai për skandalin e zhdukjes së parave të pasaportave kishte marrë vesh qe dy muaj. Në vijim thotë se ai kishte alarmuar për problemin dhe se “ata (MPB-ja) po e dinin se ku janë paratë, sepse i kanë parë raportet e NLB-së, për transferimin e mjeteve nga llogaria e firmës së asaj zonje”.

Në gjithë këtë rrëfim ka diçka, apo thënë më mirë shumëçka të turbullt.

E para: nëse Velija di diçka që të tjerët nuk dinë dhe do që këtë ta tregojë si të vërtetën, përse atëherë prokurorët refuzojnë ta dëgjojnë? Nëse vërtet nuk kanë veshë, cila është pseja e veprimit të prokurorëve dhe kë po e mbrojnë ata? E dyta, pse po insiston Velija të ketë status të dëshmitares së mbrojtur apo dëshmitares bashkëpunuese, pos nëse beson se do të dënohej më butë në rast konstatimi fajësie. Por, a nuk e di ajo se dëshmitarët e mbrojtur dinë të bëjnë edhe vetëvrasje? E treta, nëse ministri e paska ditur këtë punë qe dy muaj, pse askush nuk ndërmori asgjë deri në çastin ku u shkrua në shtypin ditor kosovar? Nëse ministri i paska në dispozicion raportet bankare nga NLB-ja, a bën të na e zbulojë bazën ligjore mbi të cilën si trup zyrtar dhe shtetëror, MPB-ja i ka marrë ato raporte? A ka ndonjë informator përbrenda, apo ndodh se ekziston një vendim gjyqësor i plotfuqishëm? Nëse MPB-ja disponon me raportet që ka mundur t’ia japë informatori, kush garanton se ato shënime janë të sakta? Dhe, nëse MPB-ja mund t’u qaset llogarive të kujtdo në këtë shtet kur të dojë dhe për çfarë të dojë, pa iu përmbajtur çfarëdo procedure juridike, kush përgjigjet atëherë për ruajtjen e privatësisë së shënimeve personale, e fundja edhe për privatësinë e secilit individ?

Prej gjithë asaj që është folur në javën e shkuar nuk duket të ketë dyshime se edhe ky rast ka pasur për qëllim vjedhjen e pasurisë buxhetore. Edhe njëherë duhet ta them, pas gjithë skandaleve që kanë ndodhur në polici dhe me policinë gjatë ushtrimit të mandatit të tij, nuk e di edhe çfarë duhet të ndodhë që ministri Rexhepi ta japë dorëheqjen. Nëse vërtet beson se kjo është mënyra se si duhet luftuar korrupsionin, derisa rri në krye të një institucioni të korruptuar, apo të dyshuar për korrupsion, derisa të mos vërtetohet fajësia, atëherë të kota do të jenë thirrjet për veprime të arsyeshme dhe të moralshme. Sa për ta freskuar kujtesën: në korrik të vitit 2011, vetë Ministria e Brendshme u bastis nga EULEX-i, për shkak të krimit të organizuar dhe blerjes ilegale të armëve (rast i cili nuk e dimë ku gjendet në procedurë). Atëbotë vetë ministri kishte deklaruar se prej kohësh është folur për korrupsionin brenda ministrisë së “tij”, përderisa as atëherë e as këtë herë, tashmë po bëhet evidente, MPB-ja të mos ketë ndërmarrë asgjë për të zbuluar nëse këto dyshime janë të vërteta. E supozohet se MPB-ja duhet të merret me luftimin e krimit. Por nuk po e kam të qartë si mund ta luftojë veten... pos duke e tërhequr paralelen me luftën e një narkomani plotësisht të varur nga droga që ta bindë veten me fjalë se mund të shërohet.

E besoj se do të ishte shumë më burrërore dhe njerëzore që z. Rexhepi të jepte dorëheqjen për shkaqe morale, duke ditur se kjo në asnjë formë nuk do të thoshte se i korruptuari është ai. Do të ishte shumë më mirë sesa të shkarkohej, përkatësisht të zëvendësohej nga shefi i tij posa të miratohet vendimi për formimin e Qeverisë së koalicionit të ri. Natyrisht, me kusht që Haradinaj të lirohet nga burgu dhe që t’i shmanget ndonjë ndalese për ushtrimin e funksionit publik. Do të ishte shumë më mirë sesa të dëgjohen arsyetimet vështirë të qëndrueshme, posaçërisht kur po shqiptohen në Parlament.

E meqë u përmend Qeveria e koalicionit të ri, duhet thënë se partneri gati sigurt i ardhshëm qeverisës, AAK, përkrahu Projektligjin për buxhetin, edhe një nga ligjet që kontrabandojnë shitjen e ndërmarrjeve publike – në fakt që e kontrabandojnë shitjen e PTK-së, e kësaj radhe edhe të Distribucionit për 26 milionë. Vërejtjen e vetme që e dha ishte që “nëse nuk gjenden mjete për ndërtimin, përkatësisht përfundimin e rrugës për në Pejë, atëherë nuk do ta votonin buxhetin. Tjetrën gjë që duhet konstatuar në lidhje me këtë Qeveri është se atij Ekzekutivi mund t’i mungojë kushdo pos zëvendëskryeministrit, nuk e di cilit me radhë, Hajredin Kuçi.

Pas mbledhjes së Qeverisë, ku Thaçi shpjegoi se ideja për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Nish kishte qenë e kësaj Qeverie, pra e tija, dhe se këtë rrugë do ta përkrahte BE-ja, sipas konfirmimit që tashmë e kishte, doli Hajredin Kuçi për ta përgënjeshtruar ndërrimin e trasesë së “Rrugës së Kombit”, siç kishte thënë Daçiqi. (Kërkoj falje për lëmshin e detajeve të përmendura në këtë periudhë, por kjo bukur mirë po e shpjegon se jemi bërë pjesë e kuzhinës ku të gjithë e kanë vënë tiganin në zjarr e peshku askund...)

“Nuk i ndryshon askush në Kosovë rrugët... na e kemi një fobi, ç’a t’na përmendet në raport me Serbinë, sa të kemi pare kemi me mbaru autostrada. (...) Kjo rruga e kombit ka mbaruar tash, me datën 27 do të jeni të thirrur të gjithë ju në përurim. Nuk ndërrohen autostradat me vendime politike, por me vendime buxhetore dhe me vendimet e atyre që janë ekspertë. Brenda Kosovës çka të na merr mendja mund e bëjmë, por duhet të bëjmë ato për çka kemi pare e që kemi ligj...”

Sipas kësaj që e thotë Kuçi, krejt autostradat që ndërtohen në Kosovë po u bëkan për shkak të fobisë që kemi ndaj Serbisë. Kjo nuk i bie se kemi vendim buxhetor apo edhe vendim eksperti – se po t’i kishim nuk ia kishim nisë “Rrugës së Kombit” pa pare, përkatësisht vetëm me pare të buxhetit, të cilën gjë nuk e bën askush në botë... pos nesh... edhe me gjasë ndonjë banana-republike tjetër. Vendimi për autostradën që do të përurohet më 27 ka qenë kryekëput politik dhe besa, individualisht, ekonomik e financiar; lidhja e kontratës me “Bechetlin” nuk e di çka ka qenë, por e di se ende nuk ia dimë përmbajtjen, ani që ekziston dyshimi i bazuar se po qe se rruga kryhet para kohe, firma do të marrë bonus shpërblimi. Nga ana tjetër, nuk e dimë a po kryhet rruga para kohe, se kurrë nuk e kemi parë trasenë e vizatuar deri në fund; dhe nuk po dimë se si do të shkohet prej Arllatit deri në Merdar a nëpër Drenicë, a nëpër Fushë - Kosovë.

Vendim politik është edhe ndërtimi i autostradës për në Shkup me “vendimin buxhetor” që parasheh të hyra të menjëhershme prej 326 milionë eurosh – që me fjalë të tjera janë paratë që priten të mblidhen nga shitja e PTK-së dhe e Distribucionit të KEK-ut. Siç do të thoshin coolerat, “një mizerie e paparë”: pak para për asetin e parafundit që na ka mbetur, e të cilin e kanë zhvlerësuar me qëllim për të pasur më shumë hapësirë për ryshfet, apo jo – me dallimin e vetëm që këtu nuk po e dimë nëse do të ketë agjenci ndërmjetëse, ngase dështimi i Natalisë mund t’ua “prishë tripat” atyre që po i mprehin dhëmbët prej kohësh.

Më parë sesa për autostradën e tretë që Kosova do ta ndërtojë për inat të Serbisë dhe të katërtën te Veterniku, për shkak se ashtu e kërkon ministri Rashiq, ministri i Drejtësisë do të duhej të brengosej bashkë me shefin e vet e me gjithë Qeverinë që veriun po na e kontrollojnë dhe udhëheqin një mijë efektivë sigurie nga Serbia të turli llojit; se ka njësite xhandarmerie serbe që patrullojnë në territorin tonë; në të kundërtën e asaj që deklaron ai – se dialogu nuk mund të ecë përpara pa heqjen e strukturave ilegale – kjo megjithatë do të ndodhë, për shkak se ashtu do t’ua diktojë Mrs. Ashton në emër të premtimit se do të ketë nënshkrim të Marrëveshjes për Stabilizim - Asociimin.

Do të duhej të brengosej dhe shumë bile për miratimin e “buxhetit të zhvillimit”, siç e quan ministri i Financave. Do të duhej të brengosej për shkak se në Kosovë, siç e tha një mik sa me seriozitet, aq edhe me spirituozitet, më të ulëta i kanë kamatat fajdexhinjtë sesa bankat komerciale; do të duhej të brengosej se në Kosovë nuk ka para në qarkullim dhe se të gjithë po i gëzohen hapjes së bankës së re turke që do t’i sjellë nja 40 milionë euro në treg; do të duhej të brengosej, se kompanitë nuk mund të marrin frymë, se nuk mund t’i mbledhin borxhet që ua kanë kompanitë e tjera e të cilave borxh u kanë kompanitë e tjera, e kështu zinxhir, aq sa puna ka ardhur në pikën të këmbehen malli me mall, se gjërat nuk po ecin ndryshe...

Fobia, inati, kokëfortësia... duken të jenë elementet që shpesh na e kanë udhëhequr si politikën, ashtu edhe jetën. Dhe është çudi shumë e madhe se si kurrë nuk na shkoi ndërmend që bile, njëherë, nëse për asgjë tjetër, atëherë për inati të Serbisë, të bëjmë diçka që do të na shpinte përpara pa pasur nevojë të vidhej paraja publike. Qysh nuk na shkoi bile njëherë ndërmend ta kopjojmë Serbinë në veprimet që ajo i bën për ta mbrojtur veten e për të na bërë zarar neve. Asnjëherë s’na u kujtua se ndonjëherë inati do të mund të na rezultonte edhe me gjëra të mira e që nuk janë vetëm rrugë me asfaltin më të shtrenjtë në botë.

Fobia, çfarë paraqitet te ne dhe në këtë kontekst, e ka dukjen e interesit personal. Interesit që edhe robotin nga fillimi i shkrimit e zapton për vete.


 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0