Pronto, Kryeministria?
Skandalet e përgjimeve, të bisedave të neveritshme që me aq autenticitet ilustrojnë kastën sunduese të Kosovës dhe kthimi i Haradinajt, me shpejtësi qitën në harresë ditëlindjen e 100-të të shpalljes së një pavarësie që megjithatë ia vlen ta mbajmë mend për të mirë...
Flaka Surroi
Njëqindvjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë kaloi me manifestime euforike dhe mbresëlënëse gjithandej trojeve shqiptare, e bile edhe andej ku ka përqendrim më të madh të diasporës shqiptare. Për mua kremtimi i kësaj date ishte i veçantë – ngase u gjeta në një rreth intelektualësh e studiuesish kryesisht gjermanofolës, me njohuri të jashtëzakonshme të historisë dhe të së tashmes shqiptare. Pos që prezantimi i tyre bëri që për të satën herë të konstatoja se studimet dhe librat e të huajve për historinë, posaçërisht të Kosovës, janë më objektive seç i shkruajmë ne vetë, ai më bëri që edhe ta huqja pjesën më të madhe të transmetimit të asaj që po ndodhte me 28 Nëntor.
Kështu të nesërmen, kolegët bashkëpjesëmarrës në konferencë nga Shqipëria, me tmerr më flisnin për episodin më të shëmtuar me të cilin do të mbahej mend ky kremtim: “kasapitja” e tortës 18 tonelatëshe dhe 500 metërshe nga populli që nuk diti të kontrollohej e që u mundua të “shnukte” sa më shumë që ishte e mundur. Bashkëbiseduesit inatoseshin për shkak të faktit se xhirimi tashmë kishte qarkulluar në të gjithë botën nëpërmjet “YouTube”-it, e posaçërisht për shkak të faktit se një gjë e shëmtuar me shumë lehtësi i qiste në hije të gjitha të bukurat e manifestimit, përfshirë edhe performancën live të Rita Orës.
Por, megjithatë, në debat e sipër dolën së paku dy konkluzione të arsyeshme që do ta përshkruanin reagimin e këtillë të atyre që përdornin edhe legenë, edhe sahanë, edhe çanta, edhe flamuj për të marrë sa më shumë hise torte: e para, se populli, duke ditur se politikanët tashmë kishin marrë hisen e vet të tortës, të asaj tjetrës, të pareve publike, luftoi për hisen e vet të tortës, paj le të jetë kjo edhe një copë ëmbëlsirë. E dyta, ky ishte manifestimi më i prekshëm i varfërisë që ka kapluar popullin shqiptar gjithandej – ajo grykësi e pakontrolluar, që përshkallëzoi në shkeljen masive të tortës dhe hedhjen e copave të saj sikur të ishin topa bore, dëshmonte edhe nevojën për ta ngirë madje edhe syrin, por edhe për ta shprehur mllefin e rrënjosur thellë. Në fakt, do të thoshin ata që e argumentonin kështu, kjo do të duhej të ishte kambanë e fuqishme për veshët e politikanëve që nuk dëgjojnë asgjë pos zërit të vet.
Në Kosovë, tentativa për t’i paraprirë festimit të ditës së madhe me hapjen e pjesës së autostradës deri në Gjurgjicë dështoi për shkak të protestës së dhunshme të atyre që u paraqiten përkrahës të Fatmir Limajt. E që u karakterizua me mosintervenimin, as minimal bile, të Policisë së Kosovës, e cila para pak javësh kishte dhënë dajakun e paharrueshëm aktivistëve të “Vetëvendosjes” dhe kalimtarëve të rastit në Prishtinë. Me kërkesa ultimative, “o le të lirohet, ose ua kallxojmë ne”, protestuesit shkatërruan podiumin, këputen mikrofonat, bllokuan rrugën – dhe mbi të gjitha, e prishën festimin. Dhe arsyetimi i tyre ishte – “nëse s’ka festë për Fatmirin, nuk ka festë për askënd”. Dhe kjo ishte gabim, për shkak se nuk ka faj e gjithë Kosova nëse z. Limaj gjendet në paraburgim. Fajin ose jo tijin e vendos gjykata, në procedurë të rregullt, e jo në rrugë.
Por, fakti është se qëndrimin e z. Limaj në paraburgim e ndihmuan tej mase deklaratat e pamatura të kryeministrit dhe të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, i cili në fund të javës u shndërrua në yllin e ditës. T’i kujtojmë. Në Ditën e FSK-së, Thaçi kishte deklaruar; “Luftën tonë të drejtë dhe fitimtare dhe luftëtarët e lirisë, askush nuk mundet dhe nuk ka të drejtë, as EULEX-i në mes natës, fshehtas, tinëz dhe prapa shpinës së institucioneve të Kosovës të arrestojë luftëtarët e Republikës së Kosovës, siç janë Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarët e tjerë. Kjo është e padrejtë, është e papranueshme, ky është turp, ky është akt kundër drejtësisë. Është fyerja dhe ofendimi më i madh. Askush nuk mund të keqpërdorë institucionet e Republikës së Kosovës. Ne jemi sovranë”. Kurse shefi i GP të PDK-së e ka thënë këtë: “Si rezultat i një qasjeje të tillë, krejtësisht të gabuar dhe të padrejtë të EULEX-it, Grupi parlamentar i PDK-së do të bashkëpunojë ngushtë me grupet tjera parlamentare në Parlamentin e Kosovës dhe do të ndërmarrë një iniciativë për të rishikuar mandatin ekzekutiv të misionit të EULEX-it në Parlamentin e Kosovës”.
Deklaratat e shefit të ekzekutivit në lidhje me vendimin e pavarur të rrafshit të pushtetit të gjyqësisë natyrisht se nuk mund të shikohen assesi ndryshe pos si ndërhyrje flagrante në pavarësinë e gjyqësorit. Posaçërisht duke marrë parasysh faktin se kanë qenë vetë institucionet e Kosovës që ia kanë kufizuar vetes sovranitetin në çastin kur e kanë ftuar misionin e EULEX-it që të vijë në Kosovë dhe të merret me ato raste gjyqësore me të cilat nuk merret gjyqësia vendore. Pra, fjalim i zjarrtë populist për “ta mbrojtur dinjitetin e luftëtarëve dhe të luftës”, e posaçërisht të Limajt, me të cilin ka kohë që nuk komunikon normalisht, nuk mund të shikohet si mbrojtje parimore e një qëndrimi. E këtij populizmi nuk i ka ndihmuar as deklarata kërcënuese e shefit të GP të PDK-së, me të cilën e paralajmëronte EULEX-in se do të “rishqyrtohej mandati ekzekutiv i këtij misioni në Parlament”. Ky s’mund të quhet pos si edhe një gabim shtesë, i cili dëshmon komoditetin me të cilët sillen zyrtarët në pushtet, duke besuar se mund të jenë edhe më të fuqishëm se gjyqi... apo se edhe mund t’i kontrollojnë gjykatat...
...Ashtu siç e kontrollojnë edhe pjesën tjetër të jetës në Kosovë, e të cilën në formën më ilustruese e përshkruan incizimet tonike të bisedave telefonike që i ka realizuar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së dikur vitin e shkuar. Gjuha skandaloze e disa nga bashkëbiseduesve të tij dhe ofendimet që i bëhen bashkëpartiakut Jakup Krasniqi, e që u bëhen përkrahësve të Limajt, të cilët quhen “zagarë të tij” dhe lehtësia me të cilën caktohen temat për t’i debatuar në Parlament, tregon për derexhenë në të cilën kemi rënë. Shteti ynë udhëhiqet nga njerëz që nuk kanë respekt as për njerëzit e “tyre”; nga njerëz që deri para pak ditësh “nuk kanë qenë as anëtarë të thjeshtë të PDK-së”, por kanë pasur qasje në informatat e dorës së parë nga bisedimet zyrtare në Bruksel; nga njerëz që akomodojnë “kojshi, karshi e kushëri” nëpër institucione, duke arritur ta betonojnë pushtetin e tyre edhe me njerëz të kualifikimeve mbase të dyshimta, e edhe me njerëz servilë dhe të besueshëm. Dhe pasi e dëgjon kryeministrin tek shprehet për “zagarët e Limajt”, kush e beson vërtet se deklaratën për ta kundërshtuar mbajtjen e këtij në burg e ka pasur përnjëmend të sinqertë.
Dhe derisa nëpër tanimë të pashmangshmin “YouTube” po qarkullonin incizimet e këtyre bisedave neveritëse, në Hagë po zhvillohej faza e fundit e një procesi që zgjati gati tetë vjet dhe që mbajti të izoluar Haradinajn nga politika shumë vjet. Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm përfundimisht dhe u kthye në Kosovë si hero. Kësaj radhe, me aeroplan special paguar nga Qeveria dhe me pritje në Aeroportin e Prishtinës nga vetë kryeministri, i përcjellë nga Garda e Kosovës – sikur të ishte ky fillimi i një telenovele të re, ku u bëmë dëshmitarë të një ngjarjeje gati të pabesueshme.
Ani që ka pasur shenja të afrimit (Thaçi e Daut Haradinaj duke ngre dolli në Gllogjan) dhe madje të angazhimit aktiv në punët e Qeverisë (emërimi i Blerim Shalës koordinator për bisedime me Beogradin) – megjithatë gatishmëria e ofrimit të shërbimeve maksimale dhe organizimit të pritjes me Gardë (që të bën të shtrosh pyetjen legjitime, a ka rregulla se kur dhe për të cilat raste mund të angazhohet Garda e Kosovës?) tregon më parë për urgjencën të cilën e ka Thaçi për të krijuar një koalicion të ri. Koalicion që do ta lironte nga obligimi i udhëheqjes së një procesi në të cilin është futur pse ka dashur vetë, pa e pyetur askënd (por thotë, “nën presionin e miqve ndërkombëtarë”) dhe që do ta shndërronte në kryetar të ri të shtetit pa u kryer reforma kushtetuese. Natyrisht, sërish duke iu falënderuar miqve ndërkombëtarë, do të negocionte dorëheqjen e Jahjagës, ani që “Kushtetuta nuk ia lejon këtë gjë” dhe do t’i siguronte numrat që ta rehatojë veten së paku për pesë vjetët e ardhshëm. Nëse natyrisht nuk ndodh një diçka e papritur që do të mund të rridhte nga përgjimet e mëtejme telefonike apo edhe nga deklaratat që do të mund të evidencoheshin gjatë proceseve të ndryshme gjyqësore që po zhvillohen në Kosovë.
Ramush Haradinaj erdhi dhe e mbajti fjalimin e parë sikur të ishte kryeministri aktual i Kosovës, duke çuar një porosi shumë të fuqishme për nevojat edhe të konsumit ndërkombëtar të stacionuar në Kosovë. E tha tekstualisht, nëpërmjet avokatit të tij: “Është koha për pajtim” dhe se do ta rimerrte pozitën e tij “si lider politik i vendit, për të udhëhequr qeverinë që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës, çfarëdo gjuhe që ata flasin, nga cilido vend që vijnë dhe pavarësisht përkatësisë etnike”.
Porosia është qartë – atë që e synon R. Haradinaj është Kryeministria, e të cilën do të mund ta arrijë vetëm nëse bën marrëveshje, pra pajtim, me ata të cilët i ka quajtur SHIK-istë e strukturë kriminale dhe njerëz të korruptuar; pajtim me njeriun që nuk pati asnjë simpati për të kur vendosi të lidhte marrëveshje me Rugovën për t’u bërë kryeministër, për më tepër, që e kishte akuzuar për tradhti dhe njeriun që udhëheq partinë me të cilën partia e tij ka antagonizëm të përmasave rajonale... Nuk është e qartë se cila do të jetë marrëveshja ndërmjet këtyre dy partive, por nuk duhet harruar se Haradinaj u tregua negociator i shkathët kur në kohën e Rugovës, i cili donte t’ia siguronte vetes postin e kryetarit pa pyetur për çmim, ia siguroi vetes edhe Kryeministrinë e edhe pesë ministri, nëse ende e mbaj mend mirë me 9 votat që i ka pasur në parlament... tash duket se sërish kemi dikë të interesuar të bëhet kryetar me çdo kusht për shkak të komoditetit që ofron posti (shikoni sesa rehat duket kryetarja Jahjaga në këtë post – nuk ka nevojë të mendojë, këtë po e bëjnë këshilltarët e saj për të) dhe për qetësinë që do ta gjejë aty pas lëmshit që ka shkaktuar këndej.
Se si do të shkojnë zhvillimet, do të na e dëshmojnë ditët që vijnë, por tashmë e kam thënë me një rast, do ta përsëris edhe kësaj radhe: koalicioni PDK-AAK është mbase kombinimi më i keq qeverisës që mund ta ketë Kosova, ngase edhe njëra, edhe partia tjetër i kanë mbetur borxh popullit për shkak të keqpërdorimeve dhe keqmenaxhimit të shtetit. Por, ky vendim tashmë nuk varet nga populli deri në zgjedhjet e ardhshme. Varet nga kryeministri, i cili ka fshehur në biografinë e tij se di të flasë edhe italisht.
Comments (0 posted)
Post your comment