A është kitsch monumenti i pavarësisë?
“E bukura është në sytë e atij që e shikon”, thotë një fjalë që duhet ta kuptojmë edhe se e bukura ndërtohet nëpërmjet shikimit e gjykimit tonë. Nëse arti i vërtetë ka mbetur dhe është vlerësuar e ngritur lart me kohën, kjo ka ndodhur edhe në sajë të kritikës së vërtetë, të çliruar nga interesat imediate të pushteteve politike apo të tregut dhe injorancës.
Fatos Lubonja
E vura në formë pyetjeje titullin e këtij shkrimi, duke pasur parasysh thënien e Paul Valery: “Kur flasim për artin duhet të kërkojmë ndjesë”, si dhe kompleksitetin e termit “kitsch”, por, sipas mendimit tim, përgjigjja është: Po, monumenti është kitsch. Fjala “kitsch” më doli nga goja sapo e pashë për herë të parë. Ky shkrim do të përpiqet të shtjellojë pse, sipas meje, monumenti është kitsch, duke e vënë këtë në kontekstin e një lulëzimi të paparë të kitschit në kulturën tonë, por edhe duke mbetur i hapur, megjithatë, për diskutim.
Në krye le të shtjelloj se çfarë kuptoj me kitsch: Janë dy tipare të artit që s’i ndaj dot njërin nga tjetri: më së pari kuptoj një vepër që më lë shije të keqe estetike, dhe, së dyti, përtej këtij vlerësimi të atypëratyshëm, kuptoj një proces mendor dhe krijues që e ka prodhuar këtë lloj vepre, një mënyrë të interpretuari të botës. Në këtë kuptim, kitschin e shoh si diçka që e tejkalon pamjen e jashtme të një vepre. Ai është një fenomen kulturor që ka të bëjë sa me kulturën e artistit, aq edhe me të shoqërisë. Mund të flitet për kitsch në letërsi, kinematografi, në arkitekturë, për mobilie kitsch, për veshje kitsch, për kopshte kitsch etj., prandaj edhe për një kulturë kitsch dhe për një njeri kitsch. Kjo nënkupton se kitschi nuk na shfaqet nëpërmjet një forme të caktuar të jashtme, të cilën e njohim sapo takohemi me të. Në formën e tij më klasike ai ilustrohet me ato peizazhet që shiten rëndom me çmim të lirë, të cilat paraqesin hënën që pasqyrohet mbi syprinën e një liqeni, së bashku me ca pemë në breg të tij dhe ndonjë mjellme duke notuar në të apo duke fluturuar sipër tij, e që janë një imitim i rëndomtë i peizazheve të romanticizmit të shek XIX. Por, po të ishte se kitschi të mbetej vetëm me kitschin e romantizmit, që, sipas shumë studiuesve, shënon edhe lindjen e tij, ky do të dallohej lehtë. Në fakt, monumentit ynë i 100-vjetorit të pavarësisë s’ka asnjë lidhje së jashtmi me pamjen e peizazheve të kitschit romantik.
Problemi është se kitschi, duke qenë i lidhur ngushtë sa me masivizimin e artit, aq edhe me konsumizmin, ndryshon pamje me kohën ashtu si moda. Kjo bën që ai ta ndjekë artin e vërtetë të çdo kohe shpesh në formën e banalizimit e sheqerizimit të tij, të inflacionit të tij. Kitsch, pra, bëhet edhe Van Gogu kur, pas një reklame në e-mail në të cilën së bashku me propozimin për të blerë pirunë, thika, kremra etj., të vjen edhe oferta: “Dhuratë fantastike për festat e fundvitit! Katër piktura nga i famshmi Van Gogh të printuara me cilësi të lartë në kanavacë me telajo për vetëm 3.500 L në vend të 7000 L”, ti i ble dhe i var ato në muret e shtëpisë. “Edhe një vepër që është konsideruar art mund të bëhet kitsch”, thotë Adorno (në një kuptim edhe më të thellë se ky i shembullit të mësipërm).
Atëherë, çfarë është kitschi në thelbin e tij, përtej shfaqjes së jashtme që, siç thashë, mund të jetë e larmishme? Në thelbin e kitschit, sipas meje, qëndron mungesa e autentikes. Filozofi polak Pawel Beylin, kur krahason kitschin me artin e vërtetë, përdor metaforën e kaverenës së Platonit ku kitschi është hija që lodron në murin e shpellës e shkaktuar nga drita (arti) që i vjen prapa shpinës së njeriut të lidhur në shpellë.
Me një fjalë të fortë e përkufizon kitschin Kundera: “Kitschi është një botë ku mohohet ekzistenca e mutit dhe ku të gjithë sillen sikur ai të mos ekzistojë”. Çdo të kuptojmë me “mutin” dhe mosnjohjen e ekzistencës së tij? Do të kuptojmë shumëçka të ekzistencës sonë që i jep asaj shije të hidhur, që e bën të shëmtuar, edhe të dhimbshme, që na bën të vuajmë, por edhe të kërkojmë ta ndryshojmë. Ky dimension i jetës, që na e bën atë edhe të vërtetë, i mungon kitschit. Kitschi është arti i komoditetit. Kitschi quhet edhe “antiart” sepse, ndërkohë që arti lind nga tensioni dhe përpjekja njerëzore, duke të nxitur të reflektosh, të kesh dyshime, të zbulosh diçka më shumë, ai thjesht kërkon të të miklojë sentimente pozitive, superficiale; sentimentalizmin, i cili i bën ndjenjat të rrejshme, jondjenja, pikërisht pse i zhvesh nga mendimi. Në këtë kuptim, kitschi është sa produkt i një krijuesi kitsch, aq edhe krijues i një kulture dhe njeriu kitsch, i cili artin nuk e sheh si diçka që i impenjon mendjen, por si diçka prej nga kërkon të nxjerrë vetëm ndjenja të mira, të kënaqshme, të sheqerosura. Edhe kur blen një vepër arti njeriu kitsch e blen atë si zbukurim të shtëpisë, si shenjë statusi social, për të bërë “bella figura” në shoqëri, për t’iu gëzuar mirëqenies së tij, dhe jo si diçka që ka një kuptim që lidhet me thelbin e kësaj vepre. Në këtë kuptim, dhe shkrimtari kitsch apo artisti kitsch nuk janë shkrimtarë artistë të vërtetë, por pozojnë si shkrimtarë dhe artistë për njeriun kitsch.
Në një formë tjetër do të thosha se kiçi i trajton të rriturit sikur të ishin fëmijë dhe fëmijët sikur të ishin të rritur, sepse të dyja palëve u mohon autenticitetin. Dhe autenticiteti, për aq sa ky mund të arrihet (dhe arti na ndihmon mu për këtë), qëndron pikërisht kur njeriu “ndërgjegjësohet për artificialitetin e vet”, “kur artisti, edhe pse nuk ka mundësi t’i shmanget formës dhe as të zotërojë formën e përsosur, është të paktën në gjendje të ndihet pjesërisht i lirë duke hyrë në lojë me të; t’i bëjë të dukshme, në vend se t’i fshehë, si pjekurinë e konvencionit, ashtu edhe papjekurinë vetjake”. (Gombrowicz)”;
Balzaku i Rodenit
Duhet thënë, megjithatë, se nuk mund të flitet kurrsesi për një kitsch të pastër. Estetët që janë marrë me kitschin thuajse të gjithë bien dakord se në çdo vepër kitsch do të gjesh edhe pak art, ashtu sikurse në një vepër arti do të gjesh edhe pak kitsch.
Kur jemi në fushën e monumenteve nuk mund të mos mendosh se një monument që vendoset në një shesh publik, duke qenë se tenton t’i drejtohet një numri sa më të madh personash, për të mos thënë të gjithëve, kërcënohet seriozisht nga “kitsch-i”, ashtu siç e përshkrova më lart. Artisti, pra, në vend se të shprehë vetveten, një mënyrë të vetën të të parit të botës, rrezikon t’u adoptohet shijeve të shumicës, emocioneve të shumicës, stereotipave që popullojnë ndërgjegjen kolektive.
Por historia e artit na jep shembuj se si monumentet mund të mos jenë kitsch – dhe janë shembuj që tashmë kanë hyrë në mësimet e çdo shkolle arti, besoj. Le të sjell shembullin e Rodenit, i cili më është kujtuar më shumë se kushdo tjetër duke parë monumentet e vendosura me rastin e këtij 100-vjetori. Kur Rodeni mori porosinë për të realizuar monumentin e Balzakut nga Société des Gens des Lettres (Shoqata e Njerëzve të Letrave) përpara se të realizonte skulpturën u mor gjatë, deri në shtatë vjet, me leximin e krejt veprës së Balzakut, si dhe të biografisë së tij. Vetëm pas kësaj ai i hyri punës për Balzakun e tij. Të tërheq te skulptura ekspresiviteti i vënë te koka dhe sytë, te qafa e fuqishme që më shumë se sa pamjen e jashtme të shkrimtarit, kërkojnë të nxjerrin në pah shpirtin e tij. E pra, kur Rodeni e paraqiti veprën e tij, ajo u refuzua pasi ai nuk kishte ndjekur formulat e paraqitjes së figurës me madhështi dhe as me sipërfaqen e lëmuar, siç e kërkonte stili akademik i kohës, dhe as me ngjashmërinë fizike – aq sa u desh një kohë e gjatë që vepra të fitojë famën që ka sot e të konsiderohet si pararendëse e skulpturës moderne.
Për mua është një nga shembujt klasikë që tregojnë se arti i vërtetë është ai që na çliron nga ajo këmisha e hekurt e formave të njohura që kërkojnë të na e mbajë shtrënguar mendimin, imagjinatën, siç është edhe ai art që ndoshta ka përfaqësuesin e tij më të keq te kitschi.
Monumentit ynë i pavarësisë
Nëse dikush do të më pyeste pse e cilësova “kitsch”, do të veçoja para së gjithash dy-tri elemente që, sipas meje, janë karakteristikë e kitschit.
I pari element ishte ai që dukej që nga larg: shkëlqimi, llamburitja e lastrave të metalit që përbëjnë paretet e dy blloqeve murale të monumentit, që, sipas meje, synojnë të tërheqin me llamburitjen e tyre ndjenjat e mira të kënaqësisë të asaj shumice për të cilën fola më lart që, në vend se të ftohet të meditojë përpara atij monumenti, ftohet t’u gëzohet këtyre xixave si një fëmijë.
Një element i dytë, edhe më kitsch, është vendosja në paretet e përparme të këtyre dy blloqeve të shqiponjës në njërin prej tyre dhe të firmave të nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë në tjetrin. E çfarë mund të thotë më shumë shqiponja se ç’ka thënë deri tani e vendosur te flamuri, e që, në këto festime, u përdor me një inflacion të paparë? Aq më tepër një shqiponjë kopje e asaj të flamurit. Por edhe firmat e vendosura në paretin tjetër kanë një karakter krejtësisht ilustrativ – tipar edhe ky i kitschit. Do të thosha se veçanërisht përdorimi i këtyre dy elementeve nxjerr në pah karakterin divulgativ dhe përsëritës të kitschit, që e bën atë një art që, duke kërkuar t’i afrohet sa më shumë masave, humbet aftësinë për transhendencë.
Dikush, duke pasur parasysh formën gjeometrike të dy blloqeve që ngrihen lart si elemente të artit modern, do të thoshte se monumenti, megjithatë, është larg paraqitjes së stereotipave me figura heroike – siç mund të përfytyrohej – e prandaj s’ka të bëjë me kitschin. Por, sikurse e thashë, kitschi jo se nuk u përshtatet formave të reja të artit. Problemi, gjithmonë sipas meje, është se edhe ky huazim nga modernia, që me format gjeometrike të kujton Bahauzin që ka lindur edhe si reaksion ndaj kiçit të shekullit XIX, është bërë me të njëjtën metodë që aplikon kitschi për të ndjekur artin, për t’u bërë më i modës, një shkërbim më i besueshëm i artit në pozën e tij për t’u dukur si art i vërtetë.
Sikur të mos ishin shqiponja dhe firmat, ato dy blloqet murale llamburitëse nuk do të kishin asnjë lidhje me idenë e pavarësisë. Ndërkaq, shqiponja dhe firmat e shkruara në ta i lidhin ata me pavarësinë në një mënyrë shumë direkte, pa asnjë impenjim, pa asnjë transhendencë. Këto bëjnë që monumenti të mos përcjellë asnjë farë emocioni estetik. Ai është ilustrimi i definicionit që na jep Adorno për kitschin, sipas të cilit, një nga tiparet e tij është: “… shfaqja e rrejshme – prandaj dhe neutralizuese – e ndjenjave që në realitet nuk ekzistojnë, e që sjellin, si rezultat, edhe neutralizimin e fenomenit estetik në vetvete”.
Ndjenjat e rrejshme
Lidhur me “ndjenjat e rrejshme” që stimulon kitschi, duhet thënë se përkujtimi i këtij 100-vjetori të pavarësisë qe manifestimi më spektakolar i kësaj kulture kitsch të përhapur në vendin tonë me shpejtësi marramendëse së bashku me kulturën e imazhit si zëvendësues i mendimit, si reklamë, si konsumizëm, si klientelizim i njeriut. Në këto përkujtime nuk pati asgjë ose thuajse asgjë që t’i ftonte njerëzit të reflektonin mbi këta 100 vjet pavarësi apo edhe të përjetonin ndjenja të vërteta mbi atë moment historik. Dashuria për atdheun abstrakt, si një ndjenjë e rrejshme për shqiponjën apo për një Ismail Qemal realisht të panjohur, e kultivuar gjatë nacional–komunizmit, u ripërtyp edhe një herë për qëllime po të rrejshme. Njerëzit u nxitën t’i shfaqnin këto ndjenja, që nuk do të thotë domosdoshmërisht që nuk i ndiejnë, por që në superficialitetin e tyre janë të tilla që nuk i afrojnë ata tek e vërteta. Ata thjesht u kënaqën duke ripërtypur stereotipa të gatuar prej dekadash. Ndoshta ngrënia e tortës gjigante kuq e zi, vendosur te Pallati i Kulturës, ishte manifestimi më spektakolar i kësaj ripërtypjeje.
Edhe veprat e artit që u vendosën iu përgjigjën këtij impostimi ripërtypës. Sipas mendimi tim, vetë ideja e vendosjes së monumenteve të tilla me rastin e 100-vjetorit ishte reflektimi i kësaj. Ishte madje celebrimi kësaj kulture kitsch. Ato nuk kanë lidhje me ndjenjat, mendimet e vërteta që ka, ose që supozohet se duhet të ketë e të përçojë në shoqëri, në kohën kur jetojmë (edhe lidhur me raportin tonë me demokracinë e me shtetin gjatë këtyre 100 vjetëve), pjesa më elitare e shoqërisë – pa dyshim në radhë të parë artistët. Ato vepra janë vazhdim i asaj kulture mbizotëruese në nacional – komunizëm, që tjetërkund e kam quajtur e “manipulim simulimit” – i së cilës kitschi i sotëm mund të konsiderohet trashëgimtari më i shkëlqyer. Kujtoj me këtë rast se Rodeni është i njohur edhe për uljen e heronjve të tij nga lartësia e piedestaleve në nivelin e shikimit tonë, si shenjë e barazisë sonë me ta, e frymës së demokracisë së kohës që jetojmë, kurse artistët tanë socrealistë-kitsch i vendosëm të gjithë në piedestale, si për të mbajtur lart frymën autoritare.
Mungesa e kritikës
Në këto festime ra po ashtu në sy edhe një fenomen që ka ndihmuar shumë në përhapjen e kitschit: mungesa e kritikës nga specialistë apo artistë të fushës. Nëse në kohët, le t’i quajmë jodemokratike, ata që diktonin shijet dhe modat ishin elitat që kishin ndërtuar gjithsesi një hierarki, sot në jemi në një anarki të plotë shijesh (edhe në botë) për shkak të agresionit të masivizimit të artit i lidhur ky me konsumizmin. Te ne kjo shfaqet në mënyrën më groteske, pasi mund të thuhet se paranë dhe tregun e ka në dorë në mënyrë thuajse ekskluzive pjesa injorante e shoqërisë, jo rrallë edhe kriminale, që me kulturën dhe artin e vërtetë nuk ka asnjë lidhje. Në mënyrën më karikatureske kjo vihet re me arkitekturën. Të gjithë projektojnë sipas shijes së tyre dhe shëmtimi dhe kitschi që ka kapluar peizazhin tonë urban është i paparë. Në këto festime e pamë këtë fenomen të shfaqet edhe në formën e veprave që bëheshin nga autorë të ndryshëm dhe dhuroheshin për t’u vënë në vende publike – ku më qesharaket qenë shqiponjat e zeza gjigante të vendosura në rrotullamet e udhëkryqeve apo ata tetë mbretërit dhe mbretëreshat ilire të vendosura në krye të shkallëve të Muzeut Kombëtar apo edhe statuja e Ismail Qemalit e gdhendur në kohën e Enver Hoxhës për interier që u nxor nga ky muze dhe u vendos në parkun përballë hotel “Rognerit”. Këta njerëz nuk janë në gjendje të kuptojnë se një Ismail Qemal i gdhendur nga Odhise Paskali, që vjen nga një shkollë që lulëzimin e saj e ka në shekullin XIX, përzierë me atë të soc-realizmit, e ka vendin në kontekstin ku është krijuar dhe prandaj nuk mund të përdoret edhe si art i shekullit XXI, qoftë nga stili, qoftë edhe nga mënyra se si duhet ta imagjinojmë heroin dhe kohën e tij.
E kjo katrahurë ndodh edhe sepse duket sikur tashmë kemi hequr dorë krejtësisht nga kritika në kuptimin e gjykimit mbi artin. E pra, edhe mospranimi i kritikës deri në formën e heqjes dorë krejtësisht prej saj është një nga qëndrimet tipike të kitschit. Njeriu kitsch, qoftë ky artisti apo shijuesi i artit të tij, pretendon se gjithkush ka shijet e veta dhe të drejtën për t’i shijuar ato, prandaj dhe askush nuk ka pse t’i ndërhyjë. Kuptohet se kush ka interesin më të madhe për këtë: ai që ka paranë në dorë dhe e dikton vlerën dhe shijen me para. Ky pushtet i parasë, që më së shumti është i lidhur edhe me atë politik e mediatik, bën që edhe zhuritë e ngritura “ad hoc” të kryejnë pjesën e mbetur në këtë shkatërrim/shëmtim së bashku me konformizmin e atyre që s’duan t’i hapin telashe vetes. Efekti shkatërrues e shëmtues duket sheshit, jo vetëm në fushën e artit.
Në fakt, nuk mund të ketë art të vërtetë pa kritikë të vërtetë. “E bukura është në sytë e atij që e shikon”, thotë një fjalë që duhet ta kuptojmë edhe se e bukura ndërtohet nëpërmjet shikimit e gjykimit tonë. Nëse arti i vërtetë ka mbetur dhe është vlerësuar e ngritur lart me kohën, kjo ka ndodhur edhe në sajë të kritikës së vërtetë, të çliruar nga interesat imediate të pushteteve politike apo të tregut dhe injorancës. Shpresoj se edhe ky shkrim, që sikurse e thashë në krye, shpreh një gjykim timin të hapur për diskutim, të lexohet si një sprovë e tillë.
Comments (0 posted)
Post your comment