Home | Opinion | Humbjet majtas shtojnë asetet politikisht djathtas!

Humbjet majtas shtojnë asetet politikisht djathtas!

image
Partia Socialiste ka humbur kohezionin...! Ose më mirë solidaritetin socialist dhe të majtë në përgjithësi.


Nga Besi Bekteshi
 
 
Mbas disa vitesh, që nga para fillimi i viteve 2000, edhe njëherë ne jemi i vetmi vend në Europë, që nuk do të kemi opozitë në kuvend dhe për të njëjtën arsye ose afër saj. Katastrofa politike e një vendi si ne, e ka emrin opozitë...! Duhet marrë në shqyrtim dueli midis dy qëndrimeve refraktare që janë dëshira e madhe për të qenë në pushtet, apo mos dëshira e madhe për të qenë opozitë?!! Shumëkush e lidh me super “afshin” për të qenë në pushtet dhe kjo, për shumë e shumë arsye të kuptueshme që fillojnë me beneficet e jashtëzakonshme që jep pushteti. Por mos dëshira për të qënë opozitë ka dy probleme. Në fakt ka mungesën e beneficeve të kuptueshme dhe po ashtu edhe ndonjë sulm i pozitës ndaj saj.

Në këtë vend jo vetëm që nuk qëndrohet mirë si pozitë, por nuk qëndrohet akoma më shumë si opozitë. Sepse askush, nuk mendon se qëllimi është prosperiteti i vendit. Kuptohet se pothuaj të gjithë këtë term, e kanë në vend të letrës higjienike, por ama ky do të ishte momenti që do të qartësonte ndarjen dhe detyrimin politik të shumicës dhe pakicës. Nuk është fjala se te ne, pranon gjithkush se është shumicë...te ne nuk pranon askush se është pakicë. Po dhe kjo ka ndodhur disa herë. Sepse, edhe ai që fiton duke vjedhur nuk do të pranojë se është pakicë...! Nuk janë lojëra fjalësh, por në Shqipëri gjendjen opozitare e kanë tmerr si kancerin apo AIDS-in. Megjithatë me fillimin e “gjendjes opozitare të vjetër të Ramës” diçka luajti nga vendi. Rama rrihte shpatullat e Berishës dhe tregohej një “anglosakson” i vërtetë në fatkeqësi. Turmat e Ramës ishin në protestë masive dhe paqësore, ishin të qeta, në krahasim me turmat e Berishës, të cilat janë bërë për “grabitjet e votave”..! Fjalori i Ramës i butë dhe i modifikueshëm.
Përplasja e qetë, dhe e tipit gati si në vendet e ulëta...! Ballafaqimi i Ramës me Berishën në media, asnjëherë i ndodhur dhe kur ju takonte të qëndronin afër ... Rama gjithmonë i respektueshëm. Të gjitha këto, kanë bërë në shumë njerëz të majtë të mendohet se Rama po “ledhaton” Berishën dhe se ka frikë prej tij. Kurse Rama vetë deklaronte se “ai nuk është Berisha” dhe se mendonte shumë për të mos shkatërruar integrimin europian. 
 
Mbas 28 Qershorit, për të cilin lideri Rama deklaronte se “vota nuk do të preket se nuk do ta lejojmë”... ri-mori edhe një herë, trajtën rurale, antidemokratike dhe faj-akumuluese, me mos futjen në parlament të opozitës. Fakti qëndron në dy pika: E para... ai ka një problem me qënien kryetar i PS-së dhe largimi, po të pranosh humbjen. E dyta... është se askush në politikën shqiptare nuk do të qëndrojë në opozitë dhe të pranojë se është pakicë. Jo, e di veten shumicë. Ka edhe një arsye të tretë. Në vendin e shqipeve ku “shqipet nuk shihen pothuaj fare”... premtojnë shumë përpara zgjedhjeve dhe marrin shumë angazhime, të cilat pastaj kur nuk realizohet ardhja në pushtet, rrezikojnë të gjithë partinë në saj të bursës së aseteve të kryetarit dhe grumbullit përreth tij. Asete njerëzore dhe nga më të ndryshmet të kuptueshme qartë. Askush që merret normalisht me të sotmen në qeverisje, dhe politikë, nuk po devijon nga parimi i ashpër për konceptin opozitar shqiptar. Nuk duan të jenë të dytë në Shqipëri. Nuk duan të jenë inferior në numra, dhe nuk duan të qëndrojnë larg vendimmarrjes pushtetërore, edhe pse e dinë se kështu është rregulli. Por ama askush në të majtë nuk po kupton normalisht se çfarë ka humbur PS-ja dhe çfarë kanë ndikuar në PD-në e Berishës, pikërisht këto humbje.
 
Partia Socialiste ka humbur kohezionin...! Ose më mirë solidaritetin socialist dhe të majtë në përgjithësi. Lidhjet dhe afrimiteti bashkëpunues, si në bazë dhe lartësi politike... tashmë është ndërprerë. Partia Socialiste është një “zebër” irracionale ngjyrash dhe idesh.
Duket sikur afrimi i frikshëm rreth kryetarit dhe derivatit politik që ai prodhon, është kohezion socialist!? Në fakt është një ri-rreshtim politik, që ka në bazë frikën si nga i madhi, dhe nga përballja me kundërshtarin që natyrisht është Berisha.
Partia Socialiste nuk mblidhet më rreth vetes dhe zgjerimit politik të saj...por rreth individit që përballet me Berishën. Ajo tashmë, nuk është partia e madhe e majtë, që forcën e ka te grupi...por partia që tenton që forcën ta përqëndrojë te individi.
Nuk është partia që vendos grupi i madh, por është transformuar në partinë që vendos “njeriu i fortë” ose individi në majë të saj, edhe pse nuk dihet në se është, apo nuk është vërtetësisht i fortë. Kjo mungesë e PS-së është një aset i fituar pa meritë në PD.
Sepse në të majtën shqiptare kanë bërë një gabim, se kanë lejuar një individ të imitojë Berishën, edhe pse tenton përditë të deklarojë se “Berisha është politika e vjetër”. 
Vertikalizimi Edramist në PS nuk është asgjë tjetër...përveç se një tendencë për t’ia marrë në kthesë Berishës, për drejtim individual, dhe vertikal të partisë, që në fakt Berisha ka prodhuar dhe është origjinali, në testin e përgjithshëm të demokracisë shqiptare. Një bast i humbur, dhe keqas i Ramës....sepse në PS, janë shumë që nuk rreshtohen mbas individit në paraqitje shumë “strong”..! Sepse kanë jetuar dhe kanë vepruar edhe pse banalisht shpesh herë, në “solidaritet dhe kohezion”, duke plotësuar një nga kushtet themelore të mendimit majtas. Ky aset i ka kaluar PD-së, ku Berisha duke qenë në pushtet i lejon vetes dhe vertikalizim dhe ndonjëherë horizontalizim që paraqitet pastaj si ....demokraci e vërtetë! Qënia në pushtet, i lejon liderit maksimus Berisha, të mos ketë kurrfarë frike edhe nga zbatimi periferik i demokracisë... në PD. Ndoshta edhe në qendër..! Bie fjala në anulimin njëherë e përgjithmonë ( do zoti) të refrektarizmi politik dhe qëndrimi në llogore idiote të politikës.... kundërshtari duhet shfarosur..! Fitores, shumë me ...zero!!
 
Tanimë qëndrohet, bisedohet, bashkëpunohet, këndohet, pihet dhe qeshet edhe me atë që dikur të ka sharë dhe kërcënuar..apo dhe ti kështu i je përgjigjur! Apo jo..por ama është një aset..! E as i bëhet vonë kujt se... tradhtohet kjo apo ajo, se kthehen mbrapsht sharjet, apo se mungon krenaria e të fortit. Në fund të fundit, më mirë kështu se sa të fillojë... lufta dhe zjarri për demokraci..! Kur dihet se “demokracinë” e kanë të gjithë për justifikim... dhe kaq. Humbja tjetër e madhe është “mungesa e lidershipit veprues dhe të lirë nga kryetari”..! Partia e madhe e socialistëve nuk prodhon më lidership, që flet pa frikë, dhe vepron pa lejen e kryetarit ... dhe kur ndodh kjo, është një lidership jashtë partisë....menjëherë. Në lartësitë politike socialiste, është një dorë liderësh që dikur kanë qënë shumë më të lirë në veprime dhe aksione. Prodhimi i njerëzve politikanë të lirë dhe gojë shkyçur, është një “shpikje e PS-së në Shqipëri”... mbas krijimit të PD-së dhe transformimit pastaj të saj, në një formë jashtë këtij koncepti. Pavarësisht se sot janë disa deputetë dhe shumë anëtarë kryesie apo edhe asambleje dhe kongresi, që janë kundërshtarë. Por nuk lejohet brenda vertikales së madhe në parti, të ketë liderë politikë prodhues.. jashtë Ramës. Ka një afërsi të madhe të fjalëve të individit Rama dhe prononcimeve të lidershipeve socialiste. Por ka akoma më keq, shumë pak prononcime politike dhe mbajtje qëndrimesh, jashtë vullnetit të kryetarit. Patjetër që kjo gjë është bërë për ti dhënë fund...KPD-ve...dhe rivalitetit midis lartësive socialiste, që kanë prodhuar kryeministra dhe kryetarë partie. “Gojë-Kontrolli” në prononcim, është faza për të vertikalizuar partinë dhe dhënë një fuqi të pa merituar kryetarit të partisë. Nuk është censurë, por është një trend autocensure që pastaj ato që e kryejnë më mirë, kanë edhe benefice nga kryetari. Ose respekt... kur është e nevojshme dhe me emra në forume partie. E të gjitha këto për të vendosur rregullin aziendë në partinë e dikurshme të Nanos, Majkos, Metës, Dokles, Pëllumbit dhe shumë e shumë të tjerëve bashkëkryetarë ose kryesistë. Në fakt i vetmi i shpëtuar është vetëm Ruçi... në konceptin se ai po... që flet vetë. Duket sikur ardhja e Ramës... në PS, me qëllimin e largimit të Berishës.... duhej bërë sepse Rama si një ish PD-ist do të ndreqte gabimin e madh të Nanos për partinë ku kryetari është i madh, sepse edhe të tjerët janë të mëdhenj. Edhe në këtë rast “aseti” i shtohet PD-së së Berishës. Sepse aty, janë tre katër të fortë që flasin dhe mendojnë vetë... edhe pse ato janë mendimet e Berishës....ose afër tij, por kjo nga që ndonjëri nuk mëson përmendësh. Por në pushtet, edhe pse nuk ka “shumë nevojë”, PD-ja ka disa njerëz që e ledhatojnë gojën me idetë e tyre. Humbje e madhe në PS është edhe mungesa e “radhës” dhe atij që mban radhën, i cili ka selektivitet të jashtëzakonshëm... Në një furrë buke ishin dy të huaj, por të veshur si shqiptarë... që tentonin të blinin bukë. Por shitësja i jepte bukë të gjithë atyre që nuk mbanin radhën dhe nuk ju a varte aspak. Nejse, të huajt prisnin e prisnin dhe shitësja me idiotizmin e saj, nuk zbatonte radhën.... Dikur kur të gjithë të “paradhët” mbaruan... u kujtua të merresh me dy njerëzit e vetëm që zbatonin radhën. Në fakt kjo është dukuria e re e sponsorizuar nga Rama. Sidomos tani nga fundi. Në lista dhe prurje. Për dy arsye. Një.... përforcimi i pozitës “lidership” i vetë Ramës në distancë nga “socialistët tradicionalë” dhe dy...devijimi i mendimit të majtë në një shumëngjyrëshe idesh të “Maocedun idesë” që sistemit -... të lulëzojnë shumë shkolla e lule...mjafton që Mao të ishte në krye dhe partia e tij...komuniste. Kurse në fakt... jo se radha do të thotë regull, por ama ajo, është e domosdoshme kur është për tu përdorur faktori kohë dhe ardhje. Për të marrë produktin që jep partia dhe që është “demokracia” brënda saj. Në fakt kjo demokraci, nuk ju është servirur atyre që presin në radhë...sepse kanë hyrë në mes shumë e shumë të afërm dhe të konceptuarit afër... të shitësit.
 
Edhe ky aset i ka shkuar Berishës, që tashmë, ka mundësi që ti lejojë vetes “luksin” e zbatimit të radhës....sepse pushteti i lejon demokracinë e zbatimit të radhës e për më tepër tani që pushtetin e ndan në koalicion. Berisha ka treguar se “nuk i është futur në radhë partive të koalicionit aty ku ato kanë pasur zbatimin e pushtetit”.... dhe është apo nuk është mirë...radhën e ka zbatuar. Në përgjithësi janë shumë e shumë humbje majtas që kanë shkuar si aset demokracie dhe perceptimi demokracie (perceptim) në të djathtë. Patjetër që edhe bojkoti do të dëmtojë në perceptimin ndërkombëtar demokracinë...por ama dikur do të jetë aset i Berishës dhe pse jo edhe i partisë së Metës. Sepse socialistët edhe këtë aset, po e dorëzojnë me turp. “Asetin” e politikës brenda institucioneve, dhe parlamentit shqiptar.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00