Ushqyerja e errësirës ballkanike
Ballkani ka nevojë për miq të vërtetë që nuk shpërndajnë fletore dhe lapsa në emër të ndihmës humanitare dhe që në fakt kanë prapavijën e fitimit të poenëve diplomatikë. E, në anën tjetër, të bëjnë favorizimin e një pale që me shekuj të tërë njihet se ka për shije dhe praktikë të ushtrojë e të bëjë shtypje, spastrime etnike, masakra, djegie e rrënime.
Qerim Maksudi
BE-ja ka përvojë shumë të hidhur dhe me bollëk me ballkanasit dhe përsëri me zellshmëri po i kontribuon errësirës në Ballkan. BE-ja lindi dhe u forcua mu nga idetë e demokracisë, bashk;punimit, kultivimit dhe ruajtjes së vlerave humane sikur një shumë e përbashkët ndër-popullore dhe shtetërore. Popujt me paritë e veta intelektuale dhe politike brenda BE-së e ngritën atl dhe tash shumë burrështetas brenda gardhit të BE-së theksojnë pandërprerë rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimin e vlerave humane, e ndër to edhe të drejtave të njeriut - si brenda ashtu edhe patjetër jashtë gardhit të saj.
Por, diçka nuk përkon me këtë dhe ndërlidhjen e saj me realitetin në terrenin ballkanik. Nga përfaqësuesit e BE-së iu servohen ballkanasve edhe sot e tutje vlera si në kallëpe që në vendet e tyre konsiderohen qartazi si kundërvlera mesjetare, ashtu sikurse edhe në stilin e vjetër të shekujve të kaluar kur “drejtësitë” ndaheshin sipas logjikës së të fortit.
Ballkanasit, gjegjësisht popujt e shtypur të saj, i kanë shumë të freskëta pasojat dhe magjitë nga sjelljet dhe mënyrën mesjetare e primitive të fuqive të mëdha gjatë shekujve.
Ballkani ka nevojë për miq të vërtetë që nuk shpërndajnë fletore dhe lapsa në emër të ndihmës humanitare dhe që në fakt kanë prapavijën e fitimit të poenëve diplomatikë. E, në anën tjetër, të bëjnë favorizimin e një pale që me shekuj të tërë njihet se ka për shije dhe praktikë të ushtrojë e të bëjë shtypje, spastrime etnike, masakra, djegie e rrënime.
Popujt perëndimorë rrinë me përshtypjen dhe besimin se përfaqësuesit e tyre eksportojnë vlera konstruktive në Ballkan. Ballkanasit në kontakt me “këta përfaqësues” kanë pasur shpresën se këta do ta bëjnë mu atë eksport.
Një përmendore - një kujtimore në Preshevë - vlerë kulturore e ngritur në fund të fundit nga një popull e jo një individ, vlerësohet nga këta përfaqësues si çështje e brendshme e një shteti. Po, ky gur është në kontekstin e fizikës një gur brenda shtetit të Serbisë. Mirëpo, ky gur nuk emiton radioaktivitet. Ky gur emiton vlera njerzore të shenjta dhe vlera të një gjaku të shenjtë. Vlera që te secili popull dhe kudo të jenë ato ia kemi për borxh respektin. Emrat në Lapidarin e luftëtarëve në Preshevë kalojnë edhe kufijtë e vlerave të të drejtave të njeriut mbi të cilat u ndërtua BE-ja dhe shoqëritë tjera demokratike. Lapidari mbanë emrat e atyre që ishin të gatshëm dhe më pas u flijuan për ato vlera të përbashkëta njerëzore.
Vetia e respektimit të vlerave të tilla të heronjve është vetia kryesore e çdo civilizimi. Një veti e tillë na bënë neve të dallojmë nga bota tjetër shtazore. Revolucionet patën vlerën dhe rolin kryesor në ndërtimin e civilizimit perëndimor që u bë i mundshëm vetëm në saje të atyre që u flijuan, por edhe respektit për ta.
Të çmoni këto vlera tek popujt e juaj dhe të thoni diçka krejt tjetër për të njëjtat vlera tek popujt tjerë - kur dini se pala tjetër është shkatërrues historik dhe mbi të gjitha i vazhdueshëm i krimeve në nivel shteti e shpeshherë edhe në nivel kombi - na bënë neve dhe popujt që përfaqësoni ju të kuptojmë se ju jeni përfaqësues shumë të dyshimtë të popujve tuaj dhe para së gjithash të vlerave që çdo civilizim mëton t’i krijojë, respektojë e mbrojë.
Një qëndrim ledhatimesh për një politikë millosheviqiane nuk mund të shihet nga ata që respektojnë civilizimet si përfaqësues fals të vlerave të popujve të vetë dhe ushqyes të errësirës ballkanike.
Comments (0 posted)
Post your comment