Përmendorja si pretekst
" Ndarja është ide e vjetër, por pas Luftës së Dytë Botërore ata e futën mbarë Kosovën nën kontrollin e tyre. Tani kjo ide e vjetër na qenkësh kompromisi i ri. Është e pamundshme t’i dëbosh një milion shqiptarë nga vatrat e tyre. Jo, Kosova është e pandashme”.
Enver Robelli
Pas krekosjes me muskuj, heqjes së përmendores në Preshevë dhe retorikës nacionaliste të Ivica Daçiqit fshihet synimi për ndryshimin e kufijve në Ballkan dhe krijimin e Serbisë së Madhe – duke ndarë Kosovën dhe Bosnjën. Shqiptarët duhet ta shohin këtë lojë dhe të maten mirë nëse duan të luajnë në interes të Beogradit, madje kësaj radhe edhe kundër vullnetit të aleatëve perëndimorë
“Trazirat e vitit 2004 në Kosovë shpërthyen me marrëveshje mes elementëve radikalë dhe kriminalë në Kosovë dhe shërbimeve sekrete serbe. Qëllimi ishte të ndahej Kosova. Ky qëllim nuk u arrit falë kundërshtimit të Perëndimit, por kjo nuk domethënë se këto qarqe, që mbijetojnë vetëm nga krizat, nuk do të jenë aktive edhe në të ardhmen”. Këto fjalë i thoshte një aktiviste e njohur e të drejtave të njeriut nga Beogradi derisa më 21 janar 2006, gjatë një konference në Bernë, po komentonte lajmin e sapoardhur nga Prishtina mbi vdekjen e kryetarit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Trazirat e vitit 2004 kanë mbetur një kapitull i errët dhe i pahulumtuar deri më sot. Vdekja e 19 protestuesve (shqiptarë e serbë), djegia e disa kishave ortodokse dhe shumë shtëpive të serbëve si dhe dëbimi i mijëra serbëve dëmtoi rëndë imazhin e Kosovës në Perëndim. Mediet perëndimore nuk kanë shumë kohë të merren me zhurmat ballkanike, andaj atëbotë u mjaftuan me konstatimin se derisa më 1998/99 serbët i ndiqnin shqiptarët, tani shqiptarët e çliruar nga Perëndimi po bënin (pothuaj) të njëjtën gjë.
Trazirat e marsit 2004 çuan ujë në mullinjtë e nacionalistëve serbë dhe të hazarderëve shqiptarë të etur për pushtet dhe plaçkitje. Pas trazirave të përgjakshme u përshpejtua zgjidhja e statusit të Kosovës, por kjo zgjidhje tani u kërkua duke marrë parasysh në masë të madhe interesat serbe dhe duke injoruar realitetin dominues shqiptar të Kosovës. Një pjesë e konsiderueshme e përmbajtjes së Planit të Ahtisaarit i dedikohet pakicës serbe, duke i dhënë të drejta eksorbitante. Negociatorëve shqiptarë dhe mbështetësve të pavarësisë u mbeti të nxirrnin “të mundshmen më të mirë” përballë rrethanave të krijuara. E mundshme u bë, megjithatë, Republika e Kosovës – përkundër të gjitha kufizimeve. Por kufizimet më të mëdha shqiptarët e Kosovës ia kanë krijuar vetes duke lejuar të qëndrojnë në pushtet politikanë që punojnë për fshehjen e gjurmëve të korrupsionit dhe jo për ndërtimin e shtetit.
Ambiciet e Daçiqit
Serbia nuk është pajtuar asnjëherë me ekzistencën e shtetit të dytë me shumicë shqiptare në Ballkan. Mund të paramendohen strategët nacionalistë në Beograd duke u shfryrë për dështimin e planit të madh për krijimin e Serbisë së Madhe. E patën në dorë njërën prej ushtrive më të fuqishme në Evropë, e patën në dispozicion një diplomaci tepër të shkathtë dhe me lidhje të forta në gjithë botën falë Jugosllavisë së Titos, pastaj nën urdhrat e tyre qenë edhe disa shërbime sekrete policore e ushtarake të trashëguara nga Jugosllavia – dhe prapëseprapë nacionalistët dhe komunistët serbë dolën humbës. Gjysmë milioni serbë ikën nga Kroacia dhe s’do kthehen më, në Bosnjë krijuan një gjysmështet me hipotekën e gjenocidit ndaj boshnjakëve (myslimanëve), në Kosovë përpjekja për të përzënë shqiptarët u kthye në bumerang. Njohës të rrethanave ballkanike supozojnë se, me përjashtim të veriut të Kosovës, brenda gjysmë shekulli në pjesët e tjera të Kosovës mund të mos mbes asnjë serb nëse Beogradi vazhdon me këtë politikë irracionale.
Në këtë kontekst duhet parë edhe heqjen e përmendores në Preshevë, e cila ishte ngritur në nderim të disa kryengritësve shqiptarë, të cilët u vranë në përleshje me forcat serbe në vitet 2000/2001. Heqja e përmendores është vetëm pretekst për të nxitur shqiptarët që të shkaktojnë trazira në rajon. Loja është shumë më e madhe dhe djallëzore. Kryeministri serb, Ivica Daçiq, e di shumë mirë se në atë moment që Serbia hyn në Bashkimin Evropian ajo duhet të heqë dorë përfundimisht jo vetëm nga ambiciet për zaptimin e së paku një pjese të Kosovës, por, në fakt, Serbia duhet të pajtohet e t’i pranojë të gjithë kufijtë ekzistues në Ballkan.
Para se të ndodhë kjo, Daçiq po kërkon partnerë shqiptarë për prishjen e krejt investimeve perëndimore për paqe në Ballkan – këtu interes parësor i Serbisë është ndarja e Kosovës dhe e Bosnjës. Plani për Serbinë e Madhe dështoi, sepse Serbia nuk gjeti partnerë në Ballkan. E provuan me Franjo Tugjmanin, liderin kroat, i cili bashkë me Slobodan Millosheviqin bëri skica e plane për ndarjen e Bosnjës. Apetitet e Tugjmanit u prishën nga perëndimorët. Në verë të vitit 1991 kancelari i atëhershëm gjerman, Helmut Kohl, i kishte thënë Tugjmanit qartë se nuk mund të llogariste në përkrahjen e Bonnit, po qe se do të provonte t’i ndante republikat e tjera. Vite e vite më vonë kryetari tjetër i Kroacisë, Stjepan Mesiq, do t’u thoshte kroatëve të Bosnjës: “Shikoni nga Sarajeva, atje është kryeqyteti juaj”.
Në prag të shkatërrimit të Jugosllavisë Tugjmani u përpoq t’i instrumentalizonte edhe shqiptarët e Kosovës, duke i ftuar në një takim në Stubiçke Toplice afër Zagrebit, me ç’rast prej tyre kërkoi të hapnin frontin në jug. Ndezja e luftës në Kosovë në atë kohë do t’i kishte krijuar Millosheviqit shansin e papërsëritshëm për përzënien e shqiptarëve. Në vend të shqiptarëve do të vinin serbët e Kroacisë – ky ishte edhe interesi i Tugjmanit, por në thelb edhe i Millosheviqit: do t’i largonte serbët nga gurinat e Krajinës në Kroaci dhe do t’i sillte në Kosovën e pasur. Edhe kjo ndërmarrje dështoi.
Me Qosiqin apo me Perëndimin?
Tash i ka ardhur radha Ivica Daçiqit, ish-zëdhënës i Millosheviqit, që sërish t’i vërë në tavolinë planet e vjetra. Për fat të keq, në vallen e tij me apo pa vetëdije janë kyçur edhe disa shqiptarë. Njëri prej tyre është kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili për interesa të politikës ditore dhe të fushatës parazgjedhore i ka hipur pelës së popullizmit dhe flet poshtë e lart dhe përçart “për bashkimin e shqiptarëve”. E keni dëgjuar javëve të fundit ndonjëherë Daçiqin apo kryetarin e Serbisë, Tomislav Nikoliq, duke e kritikuar Berishën për këto përralla? Jo! Nuk e kritikojnë, sepse kontestimi i shtetësisë së Kosovës nga shqiptarët i konvenon Serbisë. Andaj Daçiqi e Nikoliqi dhe ithtarët e tyre në Beograd propozojnë që për ndarjen, copëtimin dhe shkatërrimin e Kosovës të negociohet “me Tiranën” dhe pas largimit të NATO-s (një dëshirë e vjetër e Serbisë) paqen në Kosovë ta garantojnë trupat e BE-së dhe ushtritë e Serbisë dhe Shqipërisë.
Me idenë e ndarjes së Kosovës kishte koketuar edhe Boris Tadiqi, derisa mbante postin e kryetarit të Serbisë. Bile, Sali Berisha me gëzim e kishte përhapur gjithandej lajmin e rrejshëm se Tadiqi “do të vizitonte së shpejti Tiranën”. Për të përgatitur terrenin në Beograd ishin dërguar edhe disa tyxharë politikë dhe pseudopublicistikë nga Tirana e Prishtina të lidhur me biznesmenët e dyshimtë si Miroslav Mishkoviq, Vuk Hamoviq (“tregtari i territ”, siç e pati quajtur revista “Vreme”) dhe Damir Fazlliq, i cili është partner allishverishesh i familjes së Sali Berishës. Tadiqi i ndërpreu deklarimet për ndarjen e Kosovës në atë çast kur ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, tha qartë se ka marrë fund vizatimi i hartave në Ballkan. Të njëjtin mesazh në Beograd e solli edhe kancelaria Angela Merkel.
Arritjet kryesore të shqiptarëve në Ballkan, e sidomos në Kosovë, në 20 vitet e fundit do të kishin mbetur vetëm dëshira sikur të mos kishte qenë orientimi strategjik properëndimor. Meritat për këtë orientim i kanë kryesisht ata intelektualë të Kosovës, të cilët të prirë nga Ibrahim Rugova u bënë përfaqësues jotipikë të politikës ballkanike: derisa të tjerët përqafuan atavizmin mesjetar, në Kosovë simpatia e Perëndimit u fitua fillimisht me politikë mbresëlënëse paqësore. Kjo politikë ka qenë parakusht për luftën e mëvonshme çlirimtare, e cila po ashtu s’do të korrte sukses pa avionët e NATO-s. Kjo aleancë me Perëndimin e ka penguar Beogradin përherë, strategët nacionalistë serbë do të donin që shqiptarët e Kosovës ende t’i brohorisnin “shokut Enver Hoxha”, “Bashkimit Sovjetik”, “Kinës së kuqe” dhe të shkruanin parulla nëpër kodrina “Mbahu Vietnam”. Mjerisht nostalgjikë të krimeve të Enver Hoxhës ka ende edhe në Kosovë, por kjo është një turmë e papërfillshme, përkundër zhurmës primitive që përpiqen të bëjnë dhe përkundër ndonjë shkarravine me të cilën përpiqen ta ndotin ambientin. Aleanca e shqiptarëve me Perëndimin e pati nevrikosur aq shumë ideologun nacionalist serb, Dobrica Qosiq, saqë në ditarin e tij me titull “Koha e gjarpërinjve”, duke iu referuar shqiptarëve, kishte shkruar: “Kjo fundërrinë sociale, politike dhe morale e Ballkanit barbar e bëri aleat Amerikën dhe Bashkimin Evropian në luftën kundër popullit më demokratik, më të qytetëruar dhe më të arsimuar ballkanik – popullit serb”.
“Kulla në ajër”
Evidente është që Serbia po i trajton dhe do t’i trajtojë si partnerë sidomos ata shqiptarë që bëhen aleatë të saj në ndërtimin e “shteteve të mëdha” ose “kullave në ajër”. Serbisë i duhen politikanët mendjelehtë shqiptarë, të cilët të dalldisur nga fuqia e re e shqiptarëve në Ballkan i kundërvihen Perëndimit dhe krejt investimeve të tij në stabilizimin e Ballkanit, që kulmuan me shpalljen e Kosovës shtet. Loja sërish po luhet – shqiptarët duhet të mendojnë a duan të hyjnë në këtë valle, në të cilën nuk kanë kondicion të vallëzojnë, sepse nuk e gëzojnë mbështetjen e askujt nga bota perëndimore. Nëse Dobrica Qosiqi thoshte: “E ardhmja nuk më intereson, unë nuk do të jetoj në të”, shqiptarët duhet të jenë pak më të mençur dhe të mendojnë për të ardhmen e tyre. E ardhmja e shqiptarëve nuk është duke imituar nacionalistët serbë!
Dje kryeministri serb, Ivica Daçiq, me ton nervoz tregoi pse e ka hequr përmendoren në Preshevë: “Unë kam qenë ai që propozova kufizimin e ri me Kosovën. Askush nuk deshi të fliste për këtë. Atëherë pse të presim me heqjen e përmendores?” Domethënë: nuk i ndezi plani për ndarjen e Kosovës, tash po shfryhet në një gur përkujtimor! Lëreni Daçiqin të shfryhet! Ky apel vlen edhe për ndonjë të çmendur shqiptar që ushqen ndjenja hakmarrëse ndaj pakicës serbe në Kosovë, varreve të tyre apo objekteve të kultit. Tani për tani kulmi i çmendurisë u arrit me prishjen e përmendores së Luftës Nacionalçlirimtare në qendër të Vitisë. Vetëm mentaliteti i vjedhësve të pulave mund të shkaktojë skandale të tilla. Kështu është kur injorantët marrin në dorë ligjin dhe shteti nuk funksionon. Mos rrëzoni përmendore, por bëni presion pushtetarëve në Tiranë e Prishtinë që për çdo vit nga buxhetet shtetërore të ndajnë nga 5 apo 10 milionë euro për Luginën e Preshevës. Mos u merrni me lojëra me muskuj me disa nacionalistë serbë të frustruar.
Në përvjetorin e shtatë të vdekjes së kryetarit të Kosovës, Ibrahim Rugova, vlen të kujtohet kjo deklaratë e tij dhënë gazetës “Tageszeitung” të Berlinit më 25 tetor 1993: “...duan të bëjnë presion mbi ne, po presin momentin që përmes një lufte të befasishme ta pushtojnë një pjesë të Kosovës, duan ta ndajnë Kosovën. (...) Ndarja është ide e vjetër, por pas Luftës së Dytë Botërore ata e futën mbarë Kosovën nën kontrollin e tyre. Tani kjo ide e vjetër na qenkësh kompromisi i ri. Është e pamundshme t’i dëbosh një milion shqiptarë nga vatrat e tyre. Jo, Kosova është e pandashme”.
Comments (0 posted)
Post your comment