Manipulimi i ligjshëm i zgjedhjeve
Tipik është skandali i sapodenoncuar nga opozita i regjistrimit në Kukës të punonjësve të Policisë nga Tirana. Është një rast që tregon sesi ligjin mund ta dhunosh edhe pa e shkelur, sesi edhe zgjedhjet mund t’i manipulosh duke mos e shkelur ligjin, por duke përdorur të çarat e tij në favor të manipulimit, se ligjin mund ta manipulosh në favor të manipulimit të zgjedhjeve.
Andrea Stefani
Shqipëria ka degraduar në një kontroll të të gjitha pushteteve nga qeveria, si dhe në vënien në punë të një proceduralizmi jo demokratik, me anë të të cilit arrihet në keqpërdorimin e ligjit nga qeveria për përfitime politike. Detyrohemi ta përsërisim këtë konkluzion të një analize mbi Shqipërinë të disa qendrave studimore të huaja, tani që po dalin fakte alarmante mbi përpjekjet e qeverisë për të realizuar manipulimin e zgjedhjeve, duke vënë në punë institucionet dhe juristët e saj shërbëtorë. Institucionet, si Ministria e Brendshme, realizojnë manipulimin, ndërsa KQZ-ja, Kolegji Zgjedhor apo juristë pranë Kryeministrit Berisha, kanë për mision ta paraqesin si krejt të ligjshëm këtë manipulim. Tipik është skandali i sapodenoncuar nga opozita i regjistrimit në Kukës të punonjësve të Policisë nga Tirana. Është një rast që tregon sesi ligjin mund ta dhunosh edhe pa e shkelur, sesi edhe zgjedhjet mund t’i manipulosh duke mos e shkelur ligjin, por duke përdorur të çarat e tij në favor të manipulimit, se ligjin mund ta manipulosh në favor të manipulimit të zgjedhjeve.
***
Akuzat e formuluara nga Denar Biba, nënkryetar i KQZ-së, flasin për një përfshirje të Ministrisë së Brendshme në një manipulim të zhvendosjes së popullsisë për të falsifikuar demografinë, në mënyrë që të rriten shanset e qeverisë për një mandat më shumë në Kukës. Nëse këto rezultojnë të vërteta, atëherë kemi një rast të qartë të investimit të qeverisë në manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme. Por gjithçka që denoncohet është në logjikën e fakteve të manipulimit tradicional të zgjedhjeve nga Sali Berisha. Në zgjedhjet e kaluara u denoncuan nga opozita disa lista të falsifikuara zgjedhësish që figuronin edhe në ndonjë komunë të Tiranës, por edhe në Tropojë apo në Kukës. Të falsifikuara ishin vetëm datëlindjet e tyre, në mënyrë që të mos kapeshin nga programi kompjuterik që eliminonte dublimet. Kishim familje të tëra me emra e mbiemra të njëjtë, por me datëlindje të ndryshme!!! I gjithë qëllimi ishte t’i grabitej fitorja PS-së dhe Edi Ramës në Tiranë. Duket se tani taktika ka ndryshuar paksa. Me qëllim që t’i shtohet një mandat më shumë Kukësit, rajon që voton tradicionalisht në favor të Berishës, janë urdhëruar qytetarë të Tiranës, kryesisht punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të shkëpusin gjendjen e tyre civile nga Tirana dhe të regjistrohen në Topojan apo në Shishtavec. Çfarë i detyron befas këta njerëz që janë me punë në Tiranë, të shkojnë e të regjistrohen në Kukës? Është fare e qartë se kemi të bëjmë me një skemë manipulimi nga ana e një dikasteri që në vende vërtet demokratike, organizon zgjedhjet në mënyrë krejt të pavarur nga qeveria. Por kjo nuk mund të ndodhë në një dikaster të mbushur dëng me fanatikë dhe besnikë të Kryeministrit, duke filluar që nga vetë ministri i Brendshëm. Në asnjë vend të Europës nuk mund të ndodhë që policët të detyrohen të zhvendosin vendbanimin në funksion të manipulimit të zgjedhjeve. Do të ishin vetë policët, si individë apo qytetarë, që do ta refuzonin një gjë të tillë. Por në Shqipëri, ku pushteti të kërcënon me vendin e punës dhe bukën e gojës së kalamajve, njerëzit janë shndërruar në sende që qeveria i hedh nga të dojë e kur të dojë. Dhe a ka një send, zë, forcë apo vullnet të kundërshtojë padronin e vet?
***
Përdorimi i ligjit për të nxjerrë përfitime të padrejta është një taktikë, gjithsesi, e njohur. Një mafioz i arrestuar mund të përplasë kokën në murin e qelisë dhe të ankohet se e kanë torturuar duke nxjerrë përfitime të padrejta për veten. Një polic mund të regjistrohet në Shishtavec me urdhër dhe të thotë se këtë gjë e ka bërë me vullnetin e tij të lirë. Por si në rastin e mafiozit, të gjithë e dinë se ajo është një lëvizje e diktuar nga një skemë manipulimi dhe se nëpërmjet saj, qeveria kërkon të përfitojë padrejtësisht një mandat më shumë. Qeveria bie në pozitat e mafiozit. Ajo manipulon me ligjin për të manipuluar zgjedhjet. Ligji zbatohet për të dhunuar demokracinë, Kushtetutën që kërkon zgjedhje të lira e të ndershme. Zbatimi i ligjit në këtë formë të shëmtuar është në funksion të rrënimit të shtetit ligjor. Pikërisht ky është proceduralizmi antidemokratik që denoncojnë edhe të huajt me anë të të cilit, zbatimi i ligjit bëhet një “kurth ligjor” kundër të drejtës dhe në favor të padrejtësisë. Çdo jurist me integritet profesional duhet të ishte kundër skemave të tilla. Mjerisht nuk ndodh kështu. Juristë pranë Kryeministrit Berisha janë pikërisht ata që po këshillojnë këtë proceduralizëm që i kundërvihet të drejtës, ndërsa respekton ligjin. I përfshirë në debatin për ndarjen e mandateve sipas zonave, Ilir Rusmali, kreu i Komisionit të Ligjeve akuzoi opozitën se ka keqpërdorur anëtarët e saj në KQZ për të bllokuar KQZ-në. Kjo, sipas tij, nuk është “rrugë ligjore”. Juristë të tillë janë aq të pasionuar pas pushtetit absolut të Berishës sa nuk mendojnë veçse si të shpallin antiligjor çdo bllokim që mund t’i bëhet arrogancës së këtij pushteti. Filibasteri, e drejta që ligji i ka dhënë pakicës në senatin e SHBA-së për të bllokuar shumicën, derisa kjo e fundit të vijë në konsensus me pakicën, është fare absurde për këtë mendësi. Për Rusmalin nuk është aspak ligjore që opozita të përdorë pakicën e saj në KQZ, edhe duke bllokuar, në mënyrë që ta detyrojë shumicën të arrijë në një konsensus të mundshëm. Jo, për Rusmailin, opozita duhet të bindet t’i japë Kukësit një mandat më shumë, sepse kështu thotë shumica. Aq më tepër kur shumica e provon me dokumente se në Kukës ka vërtet aq banorë sa e përligj një mandat më shumë. Pavarësisht se këta banorë janë rritur fiktivisht me regjistrime policësh. Por meqë një manipulim i tillë është brenda ligjit, për Rusmalin nuk përbën asnjë problem. Zoti e ruajtë demokracinë në Shqipëri, jo vetëm nga tirania e shumicës, por edhe nga kjo tirani e juristëve në aleancë me të!
Comments (0 posted)
Post your comment